Në shoqërinë tradicionale shqiptare, veçanërisht ndër banorët e zonave malore të veriut, mund të takoje në rrugë edhe njerëz me rroba të caktuara të veshura së prapthi, madje në mënyrë të dukshme.

Një “modelim” i tillë i të veshurit në mjediset publike nuk dëshmonte pakujdesi. Përkundrazi, veshjet jo nga e mbara qëllimisht përcillnin mesazhe të ndryshme që kishin të bënin me hidhërimin më të thellë dhe me gëzimin më të madh për familjen ose fisin.

Veshja e gunës së prapthi ndër mirditorët dëshmonte simbolikisht se personi mbante zi për vdekje mjaft të hidhur të një pjesëtari të familjes ose të një të afërmi në moshë të re, vdekje e cila kishte shkaktuar zbrazëti të madhe problematike për familjen, fisin dhe më gjerë.

Përgjithësisht një mesazh i tillë përforcohej nga fytyra e ngrysur ose siç cilësohej në disa krahina, “çehrja e vrarë” e personit më gunë së prapthi.

Në rrugët e krahinave fshatare mund të takoje edhe burra të veshur shumë mirë, me fytyrë të qeshur të cilët kishin veshur diçka së prapthi dhe përgjithësisht e ekspozonin këtë element të mbrapshtësisë.

Veçanërisht në krahinën e Kelmendit, një rrobë e tillë e veshur së prapthi nga një burrë, simbolikisht identifikonte se ai në rolin e shkesit po shkonte të kërkonte dorën e një vajze për ta martuar me djalin e ndonjë të afërmi ose miku të tij.

Sipas një besëtytnie mjaft të përhapur ndër shqiptarët, në rrethana të tilla veshja së prapthi e ndihmonte shkuesin “t’i shkonte shkuesia mbarë”.

Kjo besëtytni ishte pjesë e një mendësie të përhapur gjerësisht në shoqërinë tradicionale shqiptare, sipas së cilës në çaste të rëndësishme të gëzimeve vetjake e familjare, si lindja e fëmijës, fejesa, martesa, etj…duke kthyer diçka vetë së prapthi, personi në fjalë ose familjarët e tij i presin hovin vrullit të mbrapshtësive që mund të kërcënojnë jetën, harmoninë bashkëshortore, familjare etj.

Duke qenë se kryente funksione shoqërore shumë të rëndësishme, në shoqërinë shqiptare paramoderne, miku ishte mjaft i nderuar, gati si Perëndi.

Mikpritësit ruanin me kujdes jo vetëm armën e mikut, por edhe këpucët e xhaketën që ai i hiqte për të qenë më komod. Mirëpo në krahinat veriore, veçanërisht në zonën e Dibrës, mund të ndodhte që mikut t’i ktheheshin këpucët përmbys.

Përmbysja e këpucëve ishte ndoshta e vetmja formë e “dhunimit” të mikut që tolerohej prej tij dhe prej banorëve të fshatit, të krahinës etj.

Kthimi i këpucëve përmbys simbolikisht shprehte qortimin e mikpritësve, bazuar në normat kanunore, për faktin se miku kishte dhunuar rregullin kulturor, sipas të cilit nuk lejohej që nga pjesëmarrja në një ceremoni varrimi të trokiste si mik në derë të kujtdo tjetër.

Në paragrafët 1367-1368 te Kanuni i Dibrës thuhet: “Ata që kthehen nga varrimi nuk duhet me shkue askund tjetër, veçse në shtëpi të vetë, ku lajnë duert e pastrojnë ftyrën me ujë të ngrohtë. Atij që të vjen në shtëpi dret e nga varrimi i dikujt, duhet me ia kthye opingat përmbys, kur t’i heqë me u ulë në odë”.

Sipas besëtytnive të përhapura gjerësisht në shoqërinë tradicionale shqiptare, përmbysja e këpucëve të mikut ishte masë mbrojtëse, e cila nuk lejonte mynxyrën të shkonte nga varrezat në shtëpinë e mikpritësit. Në këto rrethana shoqërore normat kulturore kanunore ia njihnin mikpritësit të drejtën të vetëmbrohej nga gabime ose veprime të tilla qëllimliga të mikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here