Qeveritë shqiptare, pas Pavarësisë, e konsideruan hapjen e shkollave një prioritet themelor të shtetit të ri, pavarësisht mungesës së fondeve dhe të mësuesve. Shqipëria u bë plotësisht e pavarur me qeverinë e dalë nga kuvendi i Lushnjes. Qeveria organizoi kongresin arsimor ne Lushnje ku moren pjese 12 arsimtarë ndër të mirët që kishte vendi ku përcaktuan rregullat dhe programet e shkollës. Meqenë se kishte mungesa për arsimtarë, ministri Sotir Peci gjeti zgjidhje origjinale: i propozoi qeverisë të aktivizonin hoxhallarët pasi të bënin një kurs tre mujor.
Më 1 korrik 1920, Këshilli i Ministrave vendosi hapjen e dy kurseve për përgatitjen e mësuesve në shkallë kombëtare, një në Kavajë dhe një në Shkodër.
Për zbatimin e këtij vendimi u caktuan katër profesorë, ndërsa dokumenti përkatës u firmos nga kryeministri Sulejman Delvina.
Përgjigjja e hoxhallarëve ishte pozitive dhe 31 prej tyre u regjistruan për të ndjekur kursin në Kavajë. Më 1 shtator 1920, ministri i Arsimit përcolli një listë me emrat e 31 hoxhallarëve, pjesëmarrës të kursit, duke vlerësuar se rezultatet kishin tejkaluar pritshmëritë fillestare.
Në komunikimin e tij theksohej se ky sukses ishte fryt i përkushtimit dhe i ndjenjës së lartë të shërbimit ndaj atdheut. Kjo nismë përbënte një zgjidhje të goditur, e cila pritej të jepte rezultate të shpejta dhe të qëndrueshme në fushën e arsimit kombëtar.[1] Per arritjen e suksesit, ministri Sotir Peci falenderonte edhe nënprefektin e Kavajes.
Brenda katër vitesh, numri i shkollave në Shqipëri u shtua, ndërsa i nxënësve rritej nga viti në vit. Në vitin shkollor 1924-1925, arsimi fillor kishte gjithsej 447 shkolla publike dhe 37 private. Në shkollat publike punonin 757 mësues, ku 113 prej tyre ishin femra. Numri i nxënësve arrinte në 25.187 në shkollat publike, ku 4.024 ishin vajza. Ndërsa në shkollat private mësonin 2.102 nxënës, mes të cilëve 50 vajza.
__________
Burimi: AQSH, fondi 195, vitet 1920-1924.


