Nga: Dorian Lynskey / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një episod të sitkomit të HBO-së, Lugina e Silikonit [Silicon Valley], Tomas Midëldiçi (Richard Hendricks) ia shpjegon një fokus-grupi platformën e tij të mësimit të makinerive, Lideri [Pied Piper], kur një pjesëmarrës në mënyrë të pashmangshme atë e krahasoi me filmin e James Cameronit të vitit 1984, Terminatori [The Terminator]. “Jo, jo, jo”, këmbëngul Midëldiçi i acaruar. “Mund t’ju siguroj se këtu nuk ka asnjë lloj situate të Skajnetit [Skynet]. Jo, Lideri në asnjë mënyrë nuk do të bëhet i ndjeshëm dhe nuk do të përpiqet të pushtojë botën”. E humbi thelbin. E humbi audiencën.

Me robotët e tij vrastarë dhe sistemin mashtrues Skajnet të inteligjencës artificiale [IA], Terminatori është bërë sinonim i spektrit të inteligjencës së makinerisë që kthehet kundër krijuesve njerëzorë. Redaktorët e fotografive ilustrojnë vazhdimisht artikujt rreth IA-së me kokën prej kromi të robotit “gjuetar-vrasës” T-800 të këtij filmi. Roboticisti Ronald Arkin përdori pjesë nga ky film në një fjalim paralajmërues të vitit 2013 të quajtur Si të mos ndërtohet një Terminator.

Por, filmi ka ca të mira dhe ca të këqija. Filozofi Nick Bostrom, libri i të cilit i vitit 2014, Superinteligjenca [Superintelligence], e popullarizoi rrezikun ekzistencial të “Inteligjencës së pavarur Artificiale” (IA që nuk përputhet me vlerat dhe mirëqenien njerëzore), pranoi se gruaja “më ngacmon për Terminatorin dhe ushtrinë e robotëve”. Në librin e tij Rruga drejt makinave të ndërgjegjshme [The Road to Conscious Machines], studiuesi i IA-së, Michael Woolridge, ka një kapitull të tërë me ankesa për “narrativen e AI-së së Terminatorit”.

Ka filma më të fundit dhe më të besueshëm, më me ndikim rreth AI-së, duke përfshirë Eks Makinën [Ex Machina] dhe Ajo [Her], por kur bëhet fjalë për rreziqet e teknologjisë, Terminatori mbizotëron 40 vjet pas premierës së tij. “Në një mënyrë qesharake, është më aktual tash sesa kur doli”, ka thënë Cameron për portalin “The Ringer” – për filmin dhe vazhdimin e tij të vitit 1991 – “sepse AI tani është një gjë e vërtetë me të cilën duhet të merremi, ndërsa atëherë ishte fantazi”.

Kjo është një arritje mjaft e mirë për një film që, në fakt, nuk ishte tamam i interesuar për IA-në. Së pari dhe më kryesorja, është një triler sensacional për një “burrë” të pandalshëm që ndjek një grua të frikësuar, por të shkathët. T-800 është vrasësi i paepur në venat e Majkël Majersit nga Halouini [Halloween]. Cameron e quajti atë “një film të fantashkencës”. Së dyti, është film i udhëtimit në kohë me temën “fati kundrejt vullnetit”, siç tha Cameron.

Premisa e skicuar është se në një moment midis viteve 1984 dhe 2029, ShBA-ja ia besoi Skajnetit të gjithë sistemin e saj të mbrojtjes. Një ditë, Skajneti arrin superinteligjencën – një mendje të vetë – dhe nis një luftë globale bërthamore. Të mbijetuarit e njerëzimit më pas organizuan një rebelim, me dekada të gjatë, kundër ushtrisë robotike të Skajnetit. Deri në vitin 2029, rezistenca njerëzore është në prag të fitores falë udhëheqjes së Xhon Konorit, kështu që Skajneti dërgon një T-800 (Arnold Schwarzenegger) në vitin 1984 për të vrarë nënën e ardhshme të Xhonit, Sarën (Linda Hamilton), përpara se ajo të ngelë shtatzënë. Rezistenca përgjigjet duke dërguar Kajl Rizin (Michael Biehn) për të ndaluar T-800-shin dhe për të shpëtuar Sarën. Në një nga ato paradokse të kohës që shikuesit nuk duhet t’i analizojnë mirë, Kajli lidhet me Sarën dhe rezulton të jetë babai i Xhonit. E ardhmja është e shpëtuar.

Terminatori, pra, është një triler, një histori dashurie, një kërcim në kohë mbi vullnetin e lirë dhe një satirë për varësinë tonë nga teknologjia. Është kundër korporatave, kundër luftës, kundër armëve dhe kryesisht kundër makinerisë. Teknologjia, nga aparatet telefonike e deri te uokmenët, përfshihet kur njerëzit vriten në këtë film. Por, ka shumë pak për të thënë për IA-në.

Terminatori do të bëhej një nga filmat më fitimprurës të të gjitha kohërave, duke fituar 78.4 milionë dollarë, por Cameroni nuk priste të krijonte një bazë kulturore. Ai e shkroi skenarin në një hotel në Romë në vitin 1982, pasi iu pushua nga shansi i parë si regjisor i filmit Piranja II [Piranha II: The Spawning], ndërsa producentja e tij Gale Ann Hurd mundi të siguronte vetëm një buxhet prej 6.4 milionë dollarësh. Aktori i tij kryesor, një ish-bodibilder me talent të padëshmuar, nuk jepte shpresa të mëdha. Schwarzeneggeri i tha një shoku për “disa filma të këqij që po bëj, më duhen disa javë”.

Vetë Cameroni priste që Terminatori të “goditej” në të hyra nga dy epikat fantastiko-shkencore të vjeshtës: Duna [Dune] nga David Lynch dhe 2010: Viti kur krijuam kontakt [2010: The Year We Make Contact] nga Peter Hyams, një vazhdim shpejt i harruar i filmit 2001: Odiseja hapësinore [2001: A Space Odyssey]. Këtu ka një sinkronitet tërheqës: jo vetëm që Terminatori ia kaloi 2010-ës, por Skajneti ia doli të zëvendësojë kompjuterin vrasës të 2001-shit, HAL 9000, si imazhi dominues i dështimit të IA-së.

Shumë kohë përpara se të ekzistonte fusha e IA-së, rreziqet e saj të mundshme u shfaqën në formën e robotit që u krijua nga Karel Čapek për shfaqjen e tij RUR të vitit 1921 dhe të popullarizuar nga filmi i Fritz Lang i vitit 1927, Metropolisi [Metropolis]. Në librin e tij të shkëlqyer mbi Terminatorin, Sean French sugjeron se imazhi më i paharrueshëm i filmit – T-800 duke dalë nga flakët, kostumi i tij prej mishi i shkrirë për të ekspozuar endoskeletin metalik – ishte një aludim për robotin që digjej në Metropolis. Në vitet 1920, ishte e arsyeshme që inteligjenca e makinerisë të kishte të bënte me ecje dhe biseda, si përbindëshi i Frankenshtajnit. Popullariteti i robotëve vdekjeprurës e shtyri shkrimtarin e fantashkencës, Isaac Asimov, që në vitin 1942 të hartonte “tri ligjet e robotikës”: përpjekja e parë ndonjëherë për të përcaktuar inteligjencën artificiale etike.

Në botën reale, fusha e inteligjencës artificiale filloi zyrtarisht në vitin 1956 në një shkollë verore në Universitetin e Dartmuthit, organizuar nga shkencëtarët e kompjuterëve John McCarthy (i cili shpiku termin) dhe Marvin Minsky. Ambicia e tyre ishte të projektonin makina që mund të mendonin si njerëzit, por kjo doli shumë më e vështirë nga sa kishin imagjinuar. Historia e inteligjencës artificiale është një histori e ngritjes dhe e rënies: një cikël i të ashtuquajturave “pranvera të IA-së” dhe “dimra të IA-së”. Premtimet interesante tërheqin vëmendjen, financimin dhe talentin; dështimi i tyre për t’u materializuar bën që të tri këto të dështojnë.

Ngritja e viteve 1960, përpara se shkalla e pengesave teknike të bëhej e dukshme, njihet si Epoka e Artë e IA-së. Hipoteza ekstravagante rreth “trurit elektronik” ngacmoi regjisorin Stanley Kubrick dhe shkrimtarin Arthur C. Clarke, të cilët integruan IA-në në filmin 2001: Odiseja hapësinore të vitit 1968, në formën e kompjuterit HAL 9000 [Heuristically Programmed Algorithmic Computer], emri i të cilit erdhi nga Minsky, që ishte këshilltar i Kubrickit. Sytë e kuq të T-800-shit janë padyshim homazh për HAL-in – duke parë 2001-shin si fëmijë, kjo e shtyri Cameronin të vazhdonte në rrugën për t’u bërë regjisor.

Daniel Crevier, një historian i IA-së, e krahasoi skenarin e HAL-it (kompjuteri i programuar keq që bëhet i tmerrshëm) me skenarin e trilerit të vitit 1966 të DF Jonesomit, Kolosi [Colossus], ku kompjuteri merr një formë të re jete si një perëndi. Në romanin e Jonesit, qeveria amerikane në mënyrë të pamatur ia beson të gjithë makinerinë e saj mbrojtëse një superkompjuteri. Kolosi bëhet me ndjenja, bashkon forcat me homologun e tij sovjetik dhe shantazhon njerëzimin që t’i nënshtrohet një tekno-diktature: dorëzohu ose përballesh me asgjësimin bërthamor. Kolosi është një proto-Skajnet.

As HAL-i dhe as Kolosi nuk kishin ose nuk kishin nevojë për trup. Risia e Cameronit ishte kombinimi i kompjuterit të dalë jashtë kontrolli (Skajnet) me robotin vrasës (T-800). T-800 është një formë e inteligjencës artificiale me një qëllim të vetëm, që mund të mësojë nga mjedisi, të zgjidhë probleme, të kryejë detyra të sofistikuara fizike dhe të krijojë zëra të rremë, por megjithatë e ka të vështirë të bëjë bisedë normale. Skajneti, me sa duket, mund të bëjë gjithçka përveç lëvizjes.

Skajneti ishte një produkt i pranverës së dytë të IA-së. Kur Cameroni po shkruante skenarin, shkencëtari britaniko-kanadez i kompjuterëve, Geoffrey Hinton, po rimendonte dhe ringjallte kërkimin mbi qasjen e rrjetit neural ndaj IA-së: modelimi i inteligjencës së makinës mbi neuronet në trurin e njeriut. Skajneti është IA me rrjet nervor. Hintoni, i cili sapo ka fituar çmimin Nobel për Fizikë, së fundmi është bërë kritik i IA-së (“Intuita ime është: jemi në telashe. Ky është fundi i vërtetë i historisë”), por sipas një profili të “New Yorker”-it, atij i pëlqente Terminatori më 1984: “Nuk e shqetësonte atë që Skajneti … ishte një rrjet nervor; ai ishte i kënaqur të shihte teknologjinë e portretizuar si diçka premtuese”.

Emri Skajnet mund të ketë qenë gjithashtu një shenjë e Luftës së Yjeve [Star Wars], ëndrra e dështuar e presidentit Reagan për të krijuar një mburojë anti-bërthamore rreth ShBA-së me laser të bazuar në hapësirë. (Fatmirësisht për të ardhmen e filmit, ajo pa dashje i bëri jehonë edhe internetit – një fjalë që ekzistonte në vitin 1984, por që nuk u përdor gjerësisht deri në vitet 1990.)

Kur e sheh sërish Terminatorin, është befasuese të zbulohet se fjala Skajnet përmendet vetëm dy herë. Sipas Kajl Rizit ajo ishte: “E re. E fuqishme. E lidhur me gjithçka. E besuar për të drejtuar gjithçka. Thonë se u bë inteligjente … një rend i ri inteligjence. Pastaj i pa të gjithë njerëzit si kërcënim, jo vetëm ata në anën tjetër. Vendosi për fatin tonë në një mikrosekondë … shfarosjen”. Kjo është gjithë përfshirja e filmit në inteligjencën artificiale. Siç ka thënë shpesh Cameroni, filmat Terminator janë më tepër për njerëzit sesa për makinat.

Vazhdimi i bujshëm i vitit 1991, Terminatori 2: Dita e Gjykimit [Terminator 2: Judgment Day], e zgjeron paksa historinë. Ajo buron nga një tjetër paradoks i kohës: njësia qendrore e përpunimit dhe krahu i djathtë i Terminatorit origjinal mbijetuan pas shkatërrimit të tij dhe mundësuan shkencëtarin Majls Benet Dajson (Joe Morton) të dizajnojë Skajnetin. Detyra e heronjve tani nuk është vetëm të shpëtojnë Xhon Konorin 10-vjeçar nga T-1000-shi që udhëton në kohë, por edhe të shkatërrojnë Skajnetin në fillimet e tij digjitale.

Në Terminator 2, një T-800 në formën e Schwarzeneggerit është mbrojtës në vend të gjuetarit, dhe për këtë arsye bartës i temës: “Sistemi aktivizohet më 4 gusht 1997. Vendimet njerëzore hiqen nga mbrojtja strategjike. Skajneti fillon të mësojë me një ritëm gjeometrik. Bëhet i vetëdijshëm në orën 2:14 të mëngjesit, sipas kohës lindore, më 29 gusht. Në panik, ata përpiqen ta fikin”. Skajneti hakmerret duke lëshuar raketa bërthamore drejt Rusisë, duke ditur se kundërpërgjigjja do të shkatërrojë ShBA-në. Tre miliardë njerëz vdesin brenda 24 orëve: Dita e Gjykimit.

Ky është një rrëfim më ndryshe nga ai i Rizit. Në filmin e parë, Skajneti e interpreton programin e vet duke e cilësuar gjithë njerëzimin si kërcënim. Në të dytin, ajo vepron për interesin e vet. Kjo kontradiktë nuk shqetëson shumicën e shikuesve, por ajo ilustron një mosmarrëveshje të rëndësishme për rrezikun ekzistencial të inteligjencës artificiale.

Një person i thjeshtë ka të ngjarë ta imagjinojë inteligjencën e pavarur artificiale si rebele dhe keqdashëse. Por, njerëzit si Nick Bostrom këmbëngulin se rreziku i vërtetë vjen nga programimi i pakujdesshëm. Mendoni për fshesën e magjistarit në filmin Fantazia [Fantasia] të Disney-t: një pajisje që ndjek me përpikëri udhëzimet e saj deri në ekstreme shkatërrimtare. Lloji i dytë i IA-së nuk është mjaftueshëm “njerëzor”, sepse i mungon sensi i përbashkët dhe gjykimi moral. I pari është shumë “njerëzor” – egoist, i pakënaqur, i etur për pushtet. Të dyja llojet, teorikisht, mund të jenë gjenocidale.

Terminatori, për këtë arsye, ndihmon dhe pengon njëkohësisht kuptimin tonë për IA-në: çfarë do të thotë që një makinë të “mendojë” dhe si mund të shkojë keq. Shumë studiues të IA-së ndjejnë pakënaqësi ndaj obsesionit me Terminatorin, për ekzagjerimin e rrezikut ekzistencial të IA-së, duke lënë pas dore rreziqet më të menjëhershme si papunësia masive, dezinformimi dhe armët autonome. “Së pari, na bën të shqetësohemi për gjërat për të cilat ndoshta nuk kemi nevojë të mërzitemi”, shkruan Michael Woolridge. “Por, së dyti, largon vëmendjen nga ato çështje të ngritura nga IA-ja, për të cilat duhet të shqetësohemi”.

Cameroni zbuloi për revistën Empire se është duke planifikuar një film të ri të Terminatorit, i cili do të heqë gjithçka nga narracioni i serisë, por do të ruajë idenë themelore të njerëzve “të pafuqishëm” përballë IA-së. Nëse realizohet, do të jetë interesante të shihet se çfarë ka për të thënë regjisori tani që IA-ja është diçka për të cilën flasim – dhe shqetësohemi – çdo ditë. Ndoshta mesazhi më i vlefshëm i Terminatorit për studiuesit e IA-së është ai i “vullnetit kundër fatit”: vendimet njerëzore përcaktojnë rezultatet. Asgjë nuk është e pashmangshme. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here