100 LIBRAT ORIGJINALË: 1844-1942

Abetarja e parë origjinale e gjuhës shqipe, e botuar nga Naum Veqilharxhi në Bukuresht, është ekspozuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Nën emërtimin “Fort i shkurtër e i përdorçim Ëvetar shqip. Për çdo sicilë që do të mpsonjë të kënduarit e të shkruarit shqip. Dhënë tani parherëmbi dritë, preji, gjendësit e bëntorit i këtyre të shkrumëve rea dhe këtij Ëvetarit. Naum Panajot Haxhi Llazar Bredhi, që i thonë Naum Veqil-Harxhi nga Bythkuqi i Kolonjës. Mot i parë 1844”. Por, historiku dhe rrugëtimi i abetares shqipe në 100 vjet, nuk do të ishte i plotë, pa punën e bërë nga figurat e tjera të rilindjes, që e pasuan atë, si: Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Parashqevi Qirjazi, apo edhe 11 abetaret e Aleksandër Xhuvanit. Ministrja e Kulturës, Margariti, shprehet se përpjekjet për pavarësi do të ishin të paplota nëse do të mungonin iniciativat për vetëdijesimin e formimit kombëtar

”Mendoj se është një ekspozitë për t’u përgëzuar. Ka një histori tejet të madhe, sepse historia shekullore është lidhur ngushtësisht me gjuhën shqipe. Përpjekja për pavarësi s’do të kuptohej pa lëvrimin e gjuhës shqipe. Kjo është e lëvdueshme, se si një komb si yni ka arrit që të ketë një gjuhë unikale mes të tjerave. Kjo luftë s’do të kishte kuptim pa hartimin e alfabetit shqip edhe përpjekjen për abetaren e parë. Është ky aspekt që e bën të veçantë këtë ekspozitë me ekzemplarë të gjuhës shqipe”, – thotë Margariti.

Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, këto 100 abetare origjinale duhet të nderohen vazhdimisht, pasi kështu, jo vetëm ruhet trashëgimia që kemi, por edhe përpjekjeve që janë bërë për arsim, u jepet vëmendja e duhur

“Është një ekspozitë me objekte konkrete, që mishërojnë fjalët. Janë 100 abetare origjinale, që nga viti 1844 deri tek e fundit 1942. Gati 100 vjet rrugëtim. Këto abetare janë vepra emrash konkretë, figura me një kontribut që duhet ta nderojmë vazhdimisht. Një vend të veçantë zë Aleksandër Xhuvani, i cili ka 140-vjetorin e lindjes, por e kujtojmë duke i kushtuar një stendë të veçantë, 11 abetareve që ka bërë”.

Abetaret shqiptare, prej vitit 1844 janë shtypur në Stamboll, Bukuresht, Athinë, Selanik, Bruksel, Paris Konstancë dhe Firence. Ndërsa, abetarja e parë e shtypur në Shqipëri, është e vitit 1899, nga shoqëria “Bashkimi” në Shkodër.

***

Për të rikujtuar përpjekjet e panumërta të atdhetarëve të shquar shqiptarë, mes të cilëve edhe Naum Veqilharxhi, po sjelli në vëmendje letrën e tij, drejtuar patriotëve shqiptarë:

LETËR ENCIKLIKE PËR TË GJITHË PASURIT E TË MËSUARIT ORTODOKSË SHQIPTARË

Patriotë!

Po i këshilloj bashkëatdhetarët tanë që e duan memëdhenë, që ta vështrojnë me kujdes një studim të ri filologjik, i cili u shkrua dhe u botua nga gazetat greke, si një vepër që meriton vëmendje shumë të madhe, aq më tepër pasi kjo ka lidhje me shqiptarët.

Ne, nga shkaku i dyndjeve të ndryshme që kanë ndodhur njëra pas tjetrës rreth 2,000 vjetëve në atdheun tonë, arritëm në një gjendje aq të mjeruar sa që u shëmtua krejt qënia jonë morale dhe politike, e cila, e krahasuar me atë të kohës së vjetër, nuk ka asnjë ngjasim të natyrshëm. Invadime shumë të shpeshta, përmbysje të tëranshme, ndryshime politike, hyrje dogmash të reja fetare, – ja shkaqet e transformimit tonë moral të tanishëm dhe sidomos lënia pasdore e lërimit të gjuhës sonë kombëtare dhe zëvëndësimi i saj me një gjuhë të huaj, na suallë në gjendjen më të ultë të turpit, sepse kështu u ngul për gjithmonë padituria e kombit, u përhap me të shpejtë barbarizma dhe, pa e kuptuar, vargojt e robërisë sonë u bënë të çelnikët. Dhe sa nga tanët patën fatin që gjatë epokave të ndryshme të marrin arësim, detyroheshin pa, dashje të mërgohen në vende të tjera, të bëhen të pavlefshëm për kombin tonë, nga që nuk njihej gjuha jonë kombëtare, larg prindërve, farefisit dhe miqve, për të gjetur. mundësinë e jetesës, duke u fërkuar me disa kombe të tjera dhe duke u afruar me ta, duke bashkëpunuar dhe duke ndihmuar, me aftësitë e tyre, për lumturinë e këtyre kombeve: e kështu kënaqeshin të quhen grekë, helinë, vllehë… dhe jo mirëbërës, etër e mësues të atdheut dhe të kombit tonë.

Duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por bile duhet të mbushemi me hov dhe guxim. Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë, që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë; kjo detyrë e domosdoshme, që duhet të bëjë çdo njeri mbi tokë për brezin e ardhmë, siç punuan për të dhe gjithë shekujt e kaluar. Në qoftë se ata që kanë qenë para nesh nuk do të kishin kujdes për gjendjen tonë të lumtur, edhe sot do të jetonim si egërsirat. Të gjitha të mirat e gjendjes sonë të tanishme i kemi nga paraardhësit tanë. Bujqësia, ndërtimi, tërë industria, politika, feja, mekanika, gjithfarë artesh të bukura dhe shkencash, të gjitha këto në fillim me shumë të meta dhe pastaj duke u përmirësuar dalëngadalë iu dorëzuan brezit tonë, në gjendjen e sotme. Prandaj, edhe secili duhet të veprojë duke i imituar ata.

Mbi këto, pa çpikjen e shkronjave dhe të tipografisë, të gjitha do të ishin ende në gjendjen e tyre foshnjore. Me anën e shkrimit ne mirremi vesh me të gjithë banorët e botës, kumtojmë mendimet tona, lidhim marrëdhënie sipas rasteve, pa të cilat jeta do të ishte e pamundur. Por, çdo komb, siç është shumë e natyrëshme, me anën e shkrimit dhe të gjuhës së tij, ruan edhe lavdinë e pronësisë së zbulimeve, të perfeksionimeve dhe të kontributeve të tij në shoqërinë njerëzore, kurse ato kombe që mbetën në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve, duke punuar çdo ditë për begatinë e kombeve më të qytetëruara dhe më të fuqishme; këto vetëm atëhere do të mund të dalin nga gjendja e turpëshme e mjerimit të tyre kur do të fillojnë të lërojnë gjuhën e tyre kombëtare; mirëpo kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare, gjë që është filluar para meje, por që për shkak të përzierjes me të huaj dhe të intrigave të ziliqarëve, të gjitha mbetën pa fryt.

Erdhi koha pra t’i mbyllim veshët tanë për të gjithë ata që me pretekstin e miqësisë dhe të maskave të tjera të panumërta paraqiten dhe na këshillojnë të kundërtën, kinse për të mirën tonë, kurse qëllimi i tyre kryesor është të na mbajnë për gjithnjë në mjerim, që kështu të na përdorin si të duan, si gjer tani. Është koha të hedhim poshtë të gjitha paragjykimet e vjetëruara, është koha të mbledhim veten dhe të gjykojmë më me pjekuri dhe më me burrëri, të ndërrojmë taktikë, duke marrë që tani e tutje si shembëll kombet e përparuara të botës. Dhe kështu një ditë edhe ne, me vullnetin e Perëndisë, shpresojmë të vihemi në radhën e kombeve të qytetëruara. Duke pasur parasysh këtë gjë në radhë të parë, le të shkojmë përpara me ballë hapur, me guxim me durim dhe me këmbëngulje./Konica.al /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here