Me edicionin e 42-të, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbyllur kapitullin e gjysmëshekullit si një institucion me peshë që kapërcen emërtimin e tij. Ne sot flasim për diplomaci kulturore e shkencore dhe ata që e kanë krijuar këtë Seminar e dinin shumë mirë se përse Kosova kishte nevojë për këtë institucion”, ka thënë historiani Oliver Jens Schmitt. “Ne kur e kemi nisur, e kemi nisur dhe për këtë qëllim që të kemi një komunikim, atëherë ishim shoqëri të mbyllura kishim shumë nevojë për komunikim, dhe ky komunikim i ka dhënë rezultatet”, ka thënë akademik Rexhep Ismajli. Drejtori i Seminarit Bardh Rugova, ka thënë se Seminari është një aktivitet i cili e ka shndërruar Prishtinën në qendër të albanologjisë në botë, dhe ka pasur tri role bazike themelore të cilat i ka përmbushur ndër vite

Në gushtin e vitit 1974, themeluesve të Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj – tash Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare – zor t’u ketë shkuar mendja se në këtë organizim, pas 50 vjetësh thyerja e nja dhjetë vezëve do të ishte ngjarje më vete. Por performanca apo provokimi i artistit Sislej Xhafa nëpërmjet thyerjes së vezëve mbi ekranin e një televizori të dalë mode, është një prej mënyrave të reja që e bëjnë institucionin e Seminarit më bashkëkohor e njëkohësisht më komunikativ. Thelbi mbetet i njëjtë: është baza e para pesë dekadave. Në versionin më pesimist mund të thuhet se institucioni i shkencëtarëve merret me vezë, e ai më optimist vjen në përfundim se ajo performancë e çon zërin e Seminarit deri te grupet që rrallë e hiç e kanë pasur idenë për të. Por Seminari mbetet shenjë peshërëndë identitare e albanologjisë dhe e shqiptarëve. E provokimi i Sislej Xhafës, “Vezë n’sy” indirekt çon përpara edhe mesazhet e Seminarit: për materiale më përmbajtjesore edhe në media e jo veç lojë si ajo me thyerje vezësh. Edicioni i sivjetmë i ngjarjes ndërkombëtare të albanologjisë, qe prej më të pasurve e njëkohësisht prej më të gjatëve.

Fillimi si hap madhor

Në të premten e 10 gushtit të vitit 1974 rektori i asokohshëm i Universitetit të Prishtinës, Idriz Ajeti kishte thirrur konferencë për media. Aty do të bënte të ditur se institucioni që ai drejtonte kishte themeluar një institucion të ri: Qendrën e Kulturës Shqiptare për të Huaj.

Muhamedin Kullashi, asokohe gazetar i “Rilindjes” të shtunën e 10 gushtit njoftonte se, siç kishte bërë të ditur rektori Ajeti “ushtrimet gjuhësore dhe ligjëratat në Qendrën e kulturës shqiptare për të huaj do të fillojnë më 12 e do të zgjasin deri më 30 gusht”. Po në atë artikull të titulluar “Qendra e kulturës shqiptare për të huaj”, lexuesit e gazetës njoftoheshin se në punime do të marrin pjesë afro 40 mysafirë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ditëve në vazhdim, e përditshmja e asaj kohe kishte raportuar me shumë interes për mbarëvajtjen e punimeve dhe gazetaret kishin biseduar me studiues të rinj e të atabluar të albanologjisë. Në bazë të asaj që raportohej vërehet qartë se entuziazmi ishte i madh dhe intelektualët vendas kishin bërë një hap të madh jo veç në dobi të albanologjisë, studimit dhe promovimit të saj, por edhe hap shtetformues. Kosova më 1974 ishte bërë njësi konstituive e ish-Jugosllavisë duke marrë për herë të parë entitet juridik brenda Federatës. Udhëheqësit e profesorët e Universitetit të Prishtinës që kishte katër vjet që ishte themeluar, si Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli e të tjerë, e kishin shfrytëzuar këtë moment.

Studimet albanologjike kishin nisur shumë më herët dhe vendlindja e tyre nuk qe në trevat shqiptare. Tash duhej një lidhje me qendrën. E ajo ishte Prishtina.

Tirana e vitit 1974 ishte në “revolucionet” e radhës duke vazhduar betonimin në raport me botën perëndimore.

Pos si hapësirë e studimeve albanologjike qe edhe ambasadë shkencore në raport me kulturën shqiptare

Kapërcimi i “jetës kulturale” dhe “karakteri politik”

Studiuesi Nuridin Ahmeti ka hulumtuar në arkivat e “Rilindjes” e po ashtu edhe në Arkivin e Shqipërisë sa i përket themelimit të Seminarit që asokohe ishte Qendrës së kulturës shqiptare për të huaj. Në bazë të dokumenteve arkivore vërehet qartë se Tirana kishte dyshime të mëdha në raport me nismën. Nëpërmjet tekstit “Themelimi i Seminarit, frika dhe dyshimet e Tiranës”, botuar këtë muaj në “Koha Ditore” një ditë para hapjes së Seminarit të sivjetmë, ka krahasuar pritjet midis Prishtinës dhe Tiranës. Ahmeti ka nxjerr në pah se Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, më 6 shtator 1974 e dërgon në institucionet përkatëse në Tiranë një informacion në lidhje me fillimin e punës në Prishtinë të “Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj”. Përpilues del të jetë Zeqi Agolli.

“Gjithmonë sipas këtij informacioni, hapja e këtij Seminari në Prishtinë, për Tiranën lë shumë pikëpyetje, sepse sipas tyre, ‘hapja e këtij institucioni i kapërcen kufijtë e jetës kulturale dhe, dashur padashur merr edhe karakter politik’”, ka shkruar Ahmeti. Agolli pretendonte se “djepi i vërtetë i albanologjisë është Tirana dhe shkenca e RP të Shqipërisë, vazhduese e denjë edhe e traditës ndërkombëtare të studimeve albanologjike”.

“Përpiluesit shkojnë edhe më tutje me konstatime dhe këtë nismë e cilësojnë si jo të drejtë, të pamenduar mirë, fenomen të nxitur, përpjekje për të rivalizuar me Qendrën Albanologjike të Tiranës, një shprehje e re e politikës armiqësore e vendeve kapitaliste ndaj Shqipërisë, ndërmarrje për ta izoluar Shqipërinë etj”, shkruan Ahmeti. Informacioni i dhënë për Tiranën ishte me mjaft detaje. Përshkruhej se si mysafirët flasin rrjedhshëm shqipen, përmenden aktivitet e shumë detaje. Informatori kishte bërë punën që asokohe dinte të bënte më së miri Shqipëria: spiunazhin dhe hamendësimet. Pak kohë më pas Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tiranës do të nënshkruanin një marrëveshje bashkëpunimi dhe pjesa tjetër e viteve ’70 qe periudha më e mirë e bashkëpunimit midis kuadrove universitare e të institucioneve kulturore të dy vendeve. Por Qendrës së kulturës shqiptare për të huaj do t’i ndërrohej emri në Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare. Por esencialisht mbeti qendër e kulturës shqiptare për të huaj.

Në mënyrën e tij pak e shumë këtë e ka thënë edhe historiani Oliver Jens Schmitt sivjet në Seminar.
“Ky Seminar ka krijuar shumë herët një platformë midis një bote krejt të panjohur. Kosova ishte e panjohur edhe për botën shqiptare, sepse Shqipëria në atë kohë, kam ndjenjën edhe sot, synon të monopolizojë dijen për albanologjinë. Por tani jemi në një Seminar historik që tregon se pjesa e botës shqiptare që ka krijuar këtë platformë është Kosova”, ka thënë ai.

Albanologë me emër në botë, lidhjen me shqiptarët e kanë krijuar nëpërmjet Seminarit. E ky institucion tash nis gjysmëshekullin e dytë të rrugëtimit

Ambasadë shkencore

Përgjatë 50 vjetëve, Seminari qe adresë e albanologëve të botës. Pos si hapësirë e studimeve albanologjike qe edhe ambasadë shkencore në raport me kulturën shqiptare. Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë, përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19-20 të viteve 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë të Shkencave të Shqipërisë.
Akademiku i Akademisë së Shkencave të Austrisë, Oliver Jens Schmitt, ka thënë se si historian është i interesuar të dijë se cili ishte rezultati i këtij Seminari në gjysmëshekull. Ka shtuar se duhet të pyesim se cili ishte roli i këtij Seminari jo vetëm në zhvillimin e studimeve albanologjike, por edhe në zhvillimin e këtij vendi.

“Çfarë roli ka luajtur edhe për procesin e shtetformimit të Kosovës? Çdo vend ka nevojë për njohje ndërkombëtare, njohje kulturore, shoqërore e politike. Njohja për Kosovën deri te botimi i librit të profesorit Malcolm, ishte shumë e kufizuar. Informacionet që qarkullonin në atë kohë në perëndim ishin të kufizuara. Botimet kryesisht ishin të historianëve serbë me pikëpamjet e tyre”, ka thënë Schmitt. Sipas tij, sot ballafaqohemi me një situatë krejt tjetër. Ka përmendur se Kosova nuk është vetëm një shtet i pavarur por edhe studentët, shkencëtarët që merren me Kosovën nuk kanë asnjë vështirësi të gjejnë burime.

“Kosova në atë kohë kishte nevojë për një platformë të tillë. Ne sot flasim për diplomaci kulturore e shkencore dhe ata që e kanë krijuar këtë Seminar e dinin shumë mirë se persë Kosova kishte nevojë për këtë institucion”, ka thënë ai. Ka shtruar pyetjen se në këtë rast mund të thuhet se përse nuk është organizuar ndonjë një konferencë politike, por një seminar.

“Por kur fton studentë të thjeshtë ata krijojnë një përvojë që nuk e harrojnë kurrë. Ka gjenerata që në fillim të karrierës së tyre kanë bërë përvoja pozitive në këtë Seminar dhe në karrierën e tyre të mëvonshme janë bërë miq të mëdhenj të Kosovës ne momentet më kritike të saj. Ta zëmë Robert Elsie që u formua në këtë Seminar. Seminaret që merren me gjuhë të vogla ose siç perceptohen gjuhë ekzotike, tërheqin njerëz të jashtëzakonshëm. Duhet t’u jemi mirënjohës organizatorëve të këtij Seminari”, ka thënë ai.

Tradita e mbajtjes së komunikimit

Në këtë edicion, akademik Rexhep Ismajli ka mbajtur një referim të gjatë të titulluar “Studimet e shqipes në ish-Jugosllavi”. Ka treguar se Themelimi i Fakultetit Filozofik si degë e Universitetit të Beogradit me një departament të gjuhës shqipe, të anglishtes, historisë dhe shkencave ekzakte bashkë me juridikun dhe ekonomikun në Prishtinë, kishte qenë hap më vete i zhvillimit akademik.
“Mësimdhënia ishte në gjuhën serbe, përveç në Departamentin e Gjuhës Shqipe. Ndërkaq në vitin 1962, ky departament i gjuhës dhe letërsisë shqipe me në krye Idriz Ajetin nisi botimin e revistës ‘Gjurmime Albanologjike’. Në vitin 1966 pati një fazë liberalizimi në Jugosllavi, u përmbys sistemi policesk i mëparshëm dhe Kosova e shqiptarët fituan nga kjo klimë. U rrit numri i studentëve në Degën e Gjuhës Shqipe, u rritën dhe institucionet e tjera, filloi në vitin 1967 u themelua Instituti Albanologjik, ndërsa më 68-tën Instituti bashkë me Degën e Gjuhës Shqipe organizuan Konsultën ku u morën vendimet përfundimtare për shqipen standarde të jetë e njëjtë me atë në Shqipëri”, ka kujtuar ai. E me përmirësimin e rrethanave politike pak më vonë bashkë me kolegët të tjerë do të themelonin Seminarin.

Sipas tij, ky 50-vjeçar u mbyll me sukses, me një organizim me një sesion shumë të rëndësishëm me shumë pjesëmarrës cilësorë, me të rinj që vijnë në studimet albanologjike dhe me shumë komunikime midis këtyre pjesëmarrësve.

“Në këta 50 vjet, suksesi kryesor i seminarit është ky, që po e mban një komunikim, po e intensifikon atë që edhe në rrugët tjera ekziston, por këtu po përmblidhet dhe po rritet, dhe kjo traditë është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme. Ne kur e kemi nisur, e kemi nisur dhe për këtë qëllim që të kemi një komunikim, atëherë ishim shoqëri të mbyllura kishim shumë nevojë për komunikim, dhe ky komunikim ka dhënë rezultatet”, ka thënë Ismajli.

Muhamedin Kullashi, asokohe gazetar i “Rilindjes” të shtunën e 10 gushtit të vitit 1974 njoftonte se, siç kishte bërë të ditur rektori Ajeti “ushtrimet gjuhësore dhe ligjëratat në Qendrën e kulturës shqiptare për të huaj do të fillojnë më 12 e do të zgjasin deri më 30 gusht”

Tri rolet bazike

Drejtori i Seminarit, gjuhëtari Bardh Rugova, është i mendimit se Seminari është një aktivitet i cili e ka shndërruar Prishtinën në qendër të albanologjisë në botë, dhe ka pasur tri role bazike themelore të cilat i ka përmbushur ndër vite.

“E para, duke qenë se kursi i gjuhës shqipe për të huajt ka arritur të rekrutojë një numër të madh të studiuesve, gjuhëtareve të huaj për t’u marrë me shqipen, dhe kjo ka qenë vlerë e parë. E dyta, është se ka shërbyer si pika kryesore në të cilën mblidhen albanologët në një vend dhe i shpalosin rezultatet e tyre, dhe e treta e cila është shumë e vlefshme kur e shohim, është se ka krijuar kontaktet dhe integrimet e albanologjisë dhe shqiptarëve në botë, ka punuar shumë për rrjetëzimin e përgjithshëm të studimeve albanologjike”, ka thënë ai. Sipas Rugovës, në kohën kur është krijuar Seminari ka pasur një Shqipëri të mbyllur e cila ka funksionuar si një ishull dhe Kosova ka qenë pika e vetme ku kanë mundur të vijnë arbëreshët e Italisë, studiuesit nga Kina nga Bashkimi Sovjetik e Amerika.

“Nuk besoj që ka pasur një vend tjetër ku kanë mundur të rrinë bashkë Anja Desnickaja nga Shën Petersburgu i Rusisë me Eric Hamp nga Çikago dhe me Eqrem Çabejn nga Shqipëria. Dhe ne këtë lloj tradite e kemi vazhduar dhe e kemi ndjekur, pastaj ajo ka marrë rrugën e vet”, ka thënë Rugova.
Albanologë me emër në botë, lidhjen me shqiptarët e kanë krijuar nëpërmjet Seminarit. E ky institucion tash nis gjysmëshekullin e dytë të rrugëtimit. E mbylli gjysmën e parë midis të tjerash edhe me “Vezë n’sy” të Sislej Xhafës që komunikoi fort me audiencën. E komunikimi është prej qëllimeve kryesore të institucionit. Çelja e syve, po ashtu. Dhe këtë e bëri për 50 vjet. Ia çeli sytë botës për albanologjinë. Dhe, u bë qendër për të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here