Nga: Ardian Vehbiu

Në librin e vet High Albania, udhëtarja britanike Edith Durham përmend, më se një herë, gojëdhënat që qarkullojnë mes malësorëve të veriut të Shqipërisë, sipas të cilave këta kanë ardhur në vendbanimet e sotme prej gjetiu, për të gjetur aty një popullsi tjetër.

Ja çfarë i tregon autores një plak i Kastratit:

Kur Gegë Lazi [stërgjyshi i fisit, Xh2] dhe të bijtë erdhën këtu, gjetën banorë vendas. Këta nuk ishin sllavë, por një popull shumë i vjetër. Askush nuk e dinte se nga vinin. Disa thoshin se këta ishin si tartarët. Gjyshi im thoshte se ishin të fuqishëm dhe të shkathët, dhe mund të kërcenin përtej gjashtë kuajve njëherësh; dhe se hanin lende lisi (acorns) dhe mish kali. Dymbëdhjetë shtëpi në Hot rrjedhin prej tyre dhe me këto shtëpi ne mund të martohemi. Janë të një gjaku tjetër. Quhen Anas.

Ja edhe një histori tjetër, e treguar këtë herë në Theth.

Kur Shala dhe Shoshi erdhën këtu, gjetën banorë vendës, të cilët ishin të shkurtër nga shtati dhe të zeshkët nga lëkura. Në Shalë ka tetë familje që ende i përkasin atij gjaku. Pjesa tjetër e këtyre mërguan shumë kohë më parë (ndoshta kur serbët u larguan nga ato anë), për t’u vendosur në Deçan dhe rrethinat, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite, të gjithë të kthyer në myslimanë.

Komenton Durhami:

Meqë shumë fise e tregojnë këtë histori njëlloj, duket e sigurt që, pjesa më e madhe e atyre që erdhën në malësi për t’iu shpëtuar turqve dhe themeluan aty fiset e tanishme, gjetën aty një popullsi të zeshkët, të cilën e mundën [conquered]. Në disa raste shkëmbyen gra me ta, në raste të tjera i dëbuan. Fakti që banorët më të vjetër gjithnjë përshkruhen si të errët, provon se të ardhurit rishtas do të kenë qenë të çelët (nga flokët, lëkura dhe sytë). Në tërësinë e vet, të gjitha fiset që e nxjerrin prejardhjen e vet nga Rasha, janë më të zeshkët dhe më të vegjël nga trupi sesa ato të Malësisë së Madhe, që thonë se vijnë nga Bosnja.

Nga gojëdhëna të tilla është vështirë të nxjerrësh ndonjë përfundim për prejardhjen ose identitetin e këtyre fiseve “të zeshkëta”, edhe pse disa karakteristika, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me ushqimin (“hanin lende lisi dhe mish kali”), u referohen vetvetiu fiseve nomade me prejardhje nga Azia që u dyndën në Ballkanin mesjetar prej fundit të antikitetit; ndërsa të tjera karakteristika (“nuk ishin sllavë, por ishin shumë të vjetër”), të bëjnë të mendosh se malësorët e dinin që banorët që kishin gjetur në malësi e më pas asimiluar nuk kishin qenë arbër (shqiptarë) si ata.

Nga popujt e ndryshëm që zbritën në Ballkan gjatë shekujve V-XIII, vlejnë të përmenden, veç sllavëve dhe gotëve, edhe avarët, hunët, magjarët, bullgarët (që ishin një fis turkik emrin e të cilit e morën pastaj sllavët e Bullgarisë së sotme) dhe fise të tjera turko-tartare, si kumanët dhe peçenegët. Vetë serbët dhe kroatët, edhe pse fise sllave të Jugut, erdhën të udhëhequr nga një aristokraci iranike. Në përgjithësi, për mungesë dokumentesh, por edhe interesi, prurjet aziatike në Ballkanin mesjetar nuk njihen mirë.

Mes fiseve turko-tartare që shkelën gadishullin, kumanët janë ndoshta të vetmit që kanë lënë gjurmë në trojet e banuara sot prej shqiptarëve (ose në afërsi të tyre), dhe pikërisht në vendin e quajtur Koman, në afërsi të Pukës; por, edhe në vendbanime të tjera, si Kumanova në Maqedoni, Komanovo – një fshat dikur afër Prishtinës, që iu dhurua manastirit të Hilendarit nga Stefan Urosh Deçanski; dhe, Kumaniçevo në zonën e Kosturit, në Maqedoni.

Me prejardhje nga stepat euraziatike, kumanët (të njohur edhe me emrin kipçakë), dihet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit mesjetar; herë duke u përplasur me Bizantin e herë në aleancë me të. Zbritja e tyre në gadishull mendohet të ketë lidhje me trazirat që shoqëruan dyndjet mongole gjatë shekullit XIII; përndryshe prania e tyre është dëshmuar veçanërisht dhe gjerësisht në zonat e Vllahisë dhe të Moldavisë së sotme.

Nëse ka pasur mbeturina kumanësh në malësitë tona të Veriut, këtë ndoshta e mbështet edhe prania e disa elementeve onomastike të cilat është e vështirë të shpjegohen me ndikimin osman, të tilla si emri Dushmani i cili ndeshet edhe si patronim i një familjeje të njohur arbërore mesjetare të dëshmuar para shfaqjes së osmanëve në Ballkan; por, edhe si emër i një katundi përsëri në afërsi të Komanit.

Gjurmët e kumanëve në trojet e Shqipërisë së veriut i ka hetuar mirë studiuesi hungarez Istvan Schütz.

Në një artikull të botuar në Acta orientalia Academiae Scientiarum Hungaricae, 39 (1985), Schütz parashtron hipotezën se këto gjurmë të kumanëve ndeshen edhe në këngën “Muji e Jevrenija” të Ciklit të Kreshnikëve.

Kënga rrëfen për të bijën e Krajle Kapidanit, Jevreninë, e cila ka rënë në dashuri me Sokol Halilin, një mysliman, për çka i jati, i zemëruar, vendos t’ua japë për nuse “gumanave t’zez”:

Shka ka ba Krajle Kapidani?
N’nji odë çikën e ka ngujue,
gumanave t’zez fjalë u ka çue:
– Tha, çikën teme ju jau paça dhanë

Kur e merr vesh këtë Muji, shpraz pushkën habertare dhe mbledh agët e Jutbinës dhe ua shpjegon se çfarë të bëjnë, për ta rrëmbyer çikën:

Atherë foli Gjeto Basho Muja:
– Na po bimë ndër gumana t’zez
e po i presim tridhetë gumana
e po e veshim veshën gumanisht
e po i msojmë gjogat tartarisht
e po i shtimë shpatat kryqalisht
e po i shtimë shapkat në krye,
para orokut krajlit qi po i shkojnë
edhe nusen na po e marrim.

Ashtu edhe bëjnë; vishen si “gumana” dhe shkojnë te mbreti për t’ia marrë të bijën; Krajle Kapidani, për të provuar që janë vërtet “gumana”, u kërkon të tregojnë se janë në gjendje ta presin qiririn me shpatë pa e fikur flakën; kur provohet edhe kjo, ua jep krushqve çikën, por pastaj habitet kur sheh se këta nuk kanë marrë “drumin e gumanave”, por rrugën për Jutbinë.

Atëherë u ka thënë mbreti:

Zoti u vraftë, gumanat e zez,
se e keni lanë rrugën e gumanave,
keni marrë rrugën për Jutbinë.

Pastaj sqarohen punët dhe të dy palët ndahen mirë, si miq, me njëri-tjetrin.

Antropologu shqiptar Qemal Haxhihasani, në komentet shoqëruese të botimit të këtyre këngëve më 1966, ka shpjeguar se gumanat nuk janë veçse “igumenë”, ose kryetarë manastiresh ortodokse. Me të drejtë, Schütz e vëren absurditetin e këtij shpjegimi, në vetvete – meqë është vështirë të gjesh tridhjetë igumenë të mbledhur bashkë, e aq më pak të armatosur si këta që vrau Muji me të vetët; por, edhe ngaqë nuk ka asnjë kuptim që Krajli t’ua jepte çikën e vet igumenëve.

Natyrisht, Schütz mbron hipotezën se “gumanat” e Ciklit të Kreshnikëve nuk janë veçse një popullsi kumanësh ngulitur diku në afërsi të vendbanimeve arbërore; madje, duke u nisur nga përshkrimi që u bëhet kalorësve kumanë, mendon se autori i këngës në fjalë do t’i ketë parë kumanët me sy.

Kjo hipotezë më duket se konfirmohet, tërthorazi, nga çfarë i kanë thënë pleqtë malësorë Durham-it: që nga krahasimi me tartarët, të cilët përmenden edhe në këngën më sipër dhe që i kanë ngatërruar rëndom me kumanët në Mesjetë; aftësia e tyre për të mbarështuar kuajt (por, edhe përdorimi i mishit të kalit si ushqim) e deri te përcaktimi Gumanat e zez i cili ndoshta ka të bëjë me ngjyrën e zeshkët të komanëve (që do të kenë qenë, së paku, më të zeshkët sesa vendasit).

Gjithnjë te Durhami kam gjetur edhe një pasazh tjetër intrigues, i cili mund të lidhet me praninë e kumanëve në malësitë shqiptare.

Gjatë vizitës që udhëtarja ia bën fisit të Berishajve, malësorët këmbëngulin për t’i treguar një mrekulli, në afërsi të fshatit.

Shkruan Durham:

Ishte një koritë e zakonshme [trough], e gdhendur trashë nga një bllok guri dhe e mbuluar me dërrasa, me kujdes të madh. Pa dyshim vepër e duarve të njeriut, mund të ishte punuar në çdo kohë, në çdo vend ku kishte gurë. Megjithatë, besohej se ishte e mbinatyrshme, shumë e çmuar dhe e pasur në kuptim. Nuk ishte krijim i njeriut. Kishte qëndruar aty për një mijë vjet, siç rrëfenin gjyshërit dhe katragjyshërit e tyre. I përkiste një epoke kur hebrenjtë [the Jews] ishin zotër të atyre anëve. Unë u thashë se hebrenjtë nuk kishin qenë ndonjëherë zotër të atyre anëve, çka u dha [malësorëve] kënaqësi të madhe.

Gojëdhëna [tale] se hebrenjtë dikur kanë qenë zotër të Shqipërisë është mjaft e përhapur. I referohet, pas gjase, traditës se në ato vende kishte një fe tjetër, para krishterimit; dhe, meqë kjo fe tjetër nuk ishte as e krishterë, as myslimane, njerëzit kishin nxjerrë përfundimin se ishte hebraike [Jewish], meqë nuk njihnin tjetër. Ka shumë mundësi që, në thellësi të maleve, paganizmi të ketë lulëzuar deri vonë.

Tani, lexuesi duhet të ketë parasysh se trojet e Berishajve gjenden afër Komanit dhe Dushmanit, dy vendbanime të cilat, për nga emri, por edhe për të dhëna të tjera të tërthorta, mund të kenë qenë ngulime të kumanëve, ose të kenë pasur marrëdhënie me ta. Në këtë rast, ka interes të gjurmohet më tej përkatësia fetare e këtyre kumanëve.

Dihet se kumanët e zbritur në Ballkan përqafuan fenë katolike në shekullin XIII, por nuk dihet nëse këta sollën apo jo ndonjë fe të tyren me vete.

Megjithatë, në veprën e njohur dhe kontroversiale të Arthur Koestlerit, The Thirteenth Tribe, lexoj se, sipas studiuesit Mikhail Artamonov, themelues i khazaristikës moderne, ka mundësi që kumanët, ose së paku një pjesë e tyre, të kenë adoptuar fenë judaike njëlloj sikurse kushërinjtë e tyre në stepat ruse, khazarët. Në fakt, dy djemtë e princit kuman Kobiak, quheshin Isaak dhe Daniel, emra tipik judaikë. Edhe pse vepra e Koestlerit është kritikuar nga shumë anë, konvertimi i khazarëve në fenë judaike nuk është vënë kurrë në diskutim.

T’i kenë përkitur fesë judaike edhe kumanët e Pukës, fqinjë të Berishajve? Besueshmëria e një hipoteze të tillë varet, në masë të madhe, nga gatishmëria për të gjetur të vërteta në gojëdhënat e maleve, të përcjella brez pas brezi; edhe pse logjikisht më duket e vetmja në gjendje t’u japë shpjegim pak a shumë racional fakteve, legjendave dhe interpretimeve në dukje fantastike të malësorëve, siç i ka sjellë në veprën e vet Durham, të mbështetura edhe nga kërkimet albanologjike të Schützit.

Shtojcë 1

Rastet kur një vendbanim të emërtohet sipas etnisë së banorëve ndeshen rëndom në rrethanat kur vendbanimi rrethohet nga popullsi e një etnie tjetër. Mjaft të përmend këtu fshatra arbëreshësh si Arbanasi në Bullgari ose Arbëneshi në Dalmaci; edhe pse dukuria është shumë e përhapur – në Shqipëri gjen fshatra të tillë si Bulgarec ose Rëmenj, të emërtuar sipas përkatësisë etnike të banorëve. Është afërmendsh të supozohet se emërtime të tilla i përdorin vendësit, në kuptimin që edhe Komani do të jetë quajtur ashtu nga arbërit që ka pasur përreth, jo nga etnia që e ka themeluar.

Shtojcë 2

Natyrisht, Komani i Pukës njihet në histori dhe në arkeologji edhe si vendi ku është zbuluar e ashtuquajtura “kulturë e Komanit”, e cila ka rëndësi për të konfirmuar vijueshmërinë iliro-shqiptare në mesjetën e hershme. Është fjala për disa qindra varre të zbuluara në fillim të shek. XX afër fshatit të Komanit, në vendin e quajtur si Kalaja e Dalmacës. Mes objekteve të shumta të zbuluara atje, përmendet edhe një unazë bronzi e cila për shumë kohë u kujtua se përmbante mbishkrimin e vetëm në ilirishte – por, që më pas u lexua si i greqishtes bizantine.

Nuk më rezulton që varrezat e Komanit të jenë datuar me mjete të sigurta (radiokarbon); por vetëm nëpërmjet datimit të tërthortë të objekteve të gjendura aty: fibula, qafore bronzi, varëse rrethore, vathë bronzi me varëse në formë ylli apo gjysmëhëne, unaza etj., sikurse edhe armë të ndryshme. Shumë prej arkeologëve që i kanë studiuar këto objekte, kanë vënë në dukje ngjashmërinë e tyre me zbukurimet e malësorëve shqiptarë të zonës.

Sikurse lexoj te Ilirët e Neritan Cekës (Migjeni, Tiranë 2005, f. 325-330), në vitet 1920 arkeologu italian Ugolini i bëri një analizë të plotë materialit të gjetur në Koman, duke dalluar aty objekte me origjinë kelte, romake dhe bizantine, por edhe objekte të kohës barbarike, që i përkisnin “dyndjes së popujve”. Më pas, arkeologu shqiptar Hasan Ceka arriti në përfundimin se varreza e Komanit ishte e shekujve X-XI, dhe i përkiste kulturës arbërore.

Përkundrazi, ardhja e kumanëve aziatikë në Ballkan i përket një periudhe të mëpasme, pikërisht shekujve XII-XIII; prandaj nuk përjashtohet që këta të jenë vendosur në një vendbanim të braktisur prej arbërve; sikurse nuk përjashtohet që një pjesë e objekteve të gjetura në Kalanë e Dalmacës t’u përkasin këtyre të ardhurve të vonë. Edhe një herë tjetër, duhet kujtuar se zonat malore si fortesa natyrore u kanë shërbyer si strehë popujve në periudha trazirash dhe katastrofash; por, përndryshe nuk mund të konsiderohen si më të përshtatshmet për të ngritur qytetërime sedentare e të qëndrueshme në kohë. /Peizazhe/

Bibliografi minimale

  1. Durham, Edith, High Albania, Phoenix Press, 2000, f. 70, 123, 189, 191.

  2. Schütz, Istvan, “Des ‘comans noirs’ dans la poésie populaire albanaise”, Acta orientalia Academiae Scientiarum Hungaricae, 39 (1985), f. 193-203

  3. Koestler, Arthur, The Thirteenth Tribe, Random House 1976, f. 62.

  4. Muji dhe Jevrenija, Folklor Shqiptar, II, Epika Legjendare, Vëllimi i parë, Instituti i Folklorit, Tiranë 1966, f. 199.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here