ARBËRIT NDËRMJET PERËNDIMIT DHE LINDJES GJATË MESJETËS

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli, Pashtriku 02. 11. 2022

Tashmë është e njohur dhe në qarqe shkencore e përfillur teza se populli shqiptar është njëri ndër më të vjetrit në Ballkan. Ky etnos, ndër shekuj, bashkë me etnoset e tjera autoktone të Ballkanit, u gjend shumë shpesh përballë stuhive, që vinin nga anë të ndryshme. Në këtë kontekst, ilirët e antikitetit e arbërit e mesjetës, si pasues të tyre, u gjendën edhe përballë qytetërimeve të Perëndimit, Lindjes, por edhe të Qendrës (në aspektin fetar), të ndarë sipas vijës së Teodosit (Teodosi I, perandor romak, i cili ndau në vitin 395 Perandorinë Romake në Perandori Perëndimore dhe Perandori Lindore. Në histori kjo ndarje zuri të quhet vija e Teodosit).

Këtej, edhe pse ilirët e Iliria u sunduan me shekuj nga Perandoria Romake, një pjesë e tyre, jo vetëm që kishte shpëtuar nga romanizimi (arriti të konsolidohej dhe t’i kristalizonte elementet qenësore etnike), por arriti të ngjetet në shekuj të mesjetës së hershme me formacione të qëndrueshme politike, siç ishte Dardania, Prevali, dhe Epiri.

Ajo që prezentohet si formë ndikimi, që vinte nga Perëndimi gjatë periudhës që kemi në shqyrtim, nuk mund të konsiderohet si tërësi në vete. Njerëzit e Perëndimit erdhën në trojet tona etnike gjatë katër kryqëzatave të para, sidomos pas kryqëzatës së katërt (1202-1204), në disa pjesë të Perandorisë Bizantine, kryqtarët ngritën shtete apo principata latine të tipit feudal perëndimor. Një grup tjetër të njerëzve të ardhur nga Perëndimi në trojet arbërore paraqisnin tregtarët. Pjesa dërmuese e tyre erdhi nga Raguza, Venediku, Gjenova, Ankona, Frience, Zara, Barcelona, Napoli, Amalfi, Rimini, Bari, etj. Mirëpo, erdhën këtu tregtarë e zejtarë edhe nga Gjermania, Anglia, Franca, Holanda e ndonjë vend tjetër. Perëndimi i solli trojeve tona etnike edhe një numër të konsiderueshëm, por mjaft vital dhe të zellshëm të gjermanëve (sasëve), të cilët, në minierat e Kosovës bënë emër të xehetarëve të mirënjohur. Sasët ngritën dhe aktivizuan në këto anë ekonomi xehetare që shipente në zhvillimin e mëtejmë ekonomik të tregjeve, si dhe në lidhjet e tyre me Mesdheun dhe pjesë të tjera të Europës.

Nga radhët e sipërme mund të provohet se, mes Perëndimit dhe Lindjes ekzistonin dallime qenësore rreth mundësive dhe forcave të ndikimit të tyre në hapsirën mesjetare arbërore. Perandoria Bizantine, në një anë qe e afërt dhe fuqi e vjetër me rrënjë të thella, vijuese dhe mbrojtëse e traditës antike, me pretendime se me frymën e idealeve të veta politike t’i transformojë popujt, të cilët kolonizuan trojet e provincave të dikurshme romake. Në anën tjetër, pjestarët e Perëndimit dhe misionarët e tyre të ardhur nga viset e largëta (mes tjerash edhe për qëllime të përhapjes së qytetërimit të Perëndimit), të cilët kishin përberje etnike-sociale heterogjene, pasiqë i takonin qarqeve të ndryshme të shoqërisë europiane, mundësitë dhe aftësitë e tyre qenë të kufizuar dhe të orientuara vetëm në disa qarqe dhe lëmenjë të caktuar të jetës.

Pjestarët dhe misionarët e Perëndimit ishin të lidhur mes vete, sidomos në aspektin kishtarë-katolik. Ata i lidhte tradita religjioze, tipi identik i organizimit kishtarë, ritualet dhe përafërsisht gjuha identike, si dhe obligimi në besnikërinë ndaj papatit. Raportet e përmendura mund të konsiderohen si faktorë mjaft të fuqishëm, sidomos nëse merret parasysh edhe tradita e njejtë kulturore, si, bie fjala, literatura dhe artet latine me trajta identike stilesh. Një gjë e këtillë në sy të bashkohësve, edhe pse në gjuhë dhe tipare të tjera, i lidhte në një grup të përbashkët, që shpeshherë identifikohej me emër latin, luftëtarë kundër ortodoksisë së imponuar veçanërisht nga kisha jolegjitime e Rashës dhe e Bullgarisë.

Dualizmi kulturorë dhe politik

Ndarja e kishave, që zuri fill që nga periudha e krishterimit të hershëm, zyrtarisht u pranua në vitin 1054, si dhe Kryqëzata e Katërt (1202-1204), thelluan kundërthëniet dhe sollën ngatërresa të mëdha politike. Në këto kushte manifestohej dualizimi midis Perëndimit dhe Lindjes edhe në shtetin e Arbërit. Si rrjedhojë e këtyre antagonizmave caktohet edhe kufiri kishtarë me kontura të qarta, por ende definitivisht të papërforcuara. Kufijtë e Argjipeshkëvisë së Ohrit, që u formuan menjëherë pas ngadhënjimit të madh të Bizantit në vitin 1018, shtriheshin në veri prej Danubit dhe Savës, duke u lëshuar në jug përmes vijës Sirmiun-Ras-Prizren-Durrës. Kufijtë e sipërm ishin njëkohësisht edhe kufijtë e Bizantit ortodoks në drejtim të Perëndimit dhe Veriut, të shpërndara nga forca e armës bizantine dhe e varur nga forca e kësaj arme.

VIJA E TEODOSIT

Ndarja e kishës në përgjithësi ndikoi edhe në jetën politike. Në kapërcyellin e shek. XII, antagonizmat latino-grek në troje arbërore ishin shumë evidente. Faktor kryesor ishte sidomos dëbimi i latinëve nga Konstandinopoja. Mirëpo, në atë kohë përgatiteshin planet edhe në Perëndim, për rimëkëmbjen e Perandorisë Latine të Kostandinopojës. Por, prapëseprap politika e gjithëmbarshme nuk varej vetëm nga motivet kishtaro-politike. Këtej, duke qenë e preokupuar me restaurim dhe luftëra në provinca dhe shtete latine në Greqi të Mesme e More, si dhe osmanëve, që kishin pushtuar gati gjithë Azinë e Vogël, Perandoria Bizantine, në kushtet e krijuara asesi nuk kishte mundësi të zgjeronte ndikimin e qytetërimit të vet jashtë kufijve të saj. Mirëpo, kontributi i Bizantit në formimin e kushteve kulturore nuk ishte i varur nga fuqia e atëherëshme perandorake. Por, ishte rezultat i luftës dhe i angazhimit nga shekujt e mëparshëm.

Rezultatet e luftës, që u zhvillua në Bizant gjatë shek. VII-XII janë të rëndësishme për problematikën që kemi në shqyrtim, meqë atë botë u vendos sistemi dhe lidhjet, me të cilët pak ose shumë ishin në varshmëri mes vete, shtetet dhe bashkësitë prej Istrie e deri në Detin e Zi. Ky territor i gjerë ishte pjesë e atij sistemi specifik të shteteve, të cilat ndonjë studiues serioz i quante me emër Komonvelt Bizantin.

Formacionet shtetërore rajonale

Në këtë ambient krishterimi ishte edhe kthesë qëndrore për mënyrën e jetës dhe kulturës së popullit të transformuar. Studiuesit e Perandorisë Bizantine për metodat që i përdornin bizantinët rreth ngritjes kishtare, shihnin dy orientime të kundërta: i pari krijonte mundësi për zhvillimin e kulturës autonome, duke respektuar gjuhën e popujve të transformuar, dhe i dyti, ndërkaq kishte tendencë për helenizimin dhe asimilimin kulturor. Që të dy procedimet ofronin rezultatet e dëshiruara, sidomos te popujt e ardhur dhe më pak te popullata autoktone, meqë fillet e krishterimit në trojet iliro-arbërore kishin zënë fill shumë më herët se sa vetë themelimi i Perandorisë së Bizantit.

Rezultatet e përpjekjeve bizantine, që u theksuan më sipër u vunë në sprovë në fund të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII, kur ishte thyer fuqia ushtarake e politike e Bizantit. Atëbotë, u dëshmua se së bashku me marrëdhëniet politike u ndërprenë edhe rrymimet kulturore, sidomos në troje të Arbërisë së Mesme dhe të Sipërme, duke përfshirë këtu edhe pjesë të Kosovës së sotme. Aq më parë kur dihet se nga kapërcyelli i shek. XII doli shteti i pavarur i Arbërit, që ishte rezultat i pasojave pozitive dhe atyre negative ndërkombëtare, me të cilat qe e lidhur ekzistenca e këtij formacioni politiko – shtetëror. Gjithashtu, pas një numër të marrëveshjeve të posaçme midis anzhuinëve dhe sundimtarëve arbër të realizuara gjatë viteve 1269 dhe 1273, doli formacioni shtetërorë “Regnum Albaniae” (“Mbretëria e Arbërisë”) nën patronatin anzhuin. Është me interes të theksohet se në këtë rast forcat politike arbërore morën pjesë pothuaj pa përjashtim në këtë politikë, ashtu siç patën vepruar edhe një pjesë e kryezotërinjëve të Moresë, kur përfunduan marrëveshje të tilla me sundimtarët frëngë. Edhe në këtë rast, sikur në marrëveshjet e mëparshme me sunduesit e huaj të Perëndimit dhe Lindjes, prelatëve, kontëve, baronëve, kështjellave dhe bashkësive të mëdha fisnore, qyteteve, iu sigurua mbrojtje e privilegjeve të tyre dhe respektimi i institucioneve tradicionale vendase. Me fjalë të tjera, në aspektin formalo-juridik, Mbretëria e Arbërisë, e krijuar me 1272 nga Karl Anzhu, ishte një vazhdim i një tradite ekzistuese politiko- shtetërore arbërore.

Edhe pse me rrënimin e Perandorisë Bizantine, të Perandorisë së Stefan Dushanit, pushtetit territorial të anzhuinëve, dolën në dritë formacionet poltiko-shtetërore rajonale, si p.sh., e Balshajve, Topiajve, Muzakajve, prapëseprapë presioni politik i vazhdueshëm i këtyre shteteve të Lindjes e të Perëndimit dhe ndikimi i kulturave që ato përfaqësonin, luajtën një rol negativ frenues që i pengoi formacionet politike-shtetërore abërore të dilnin në skenën e historisë si shtete të lira, të ecnin më shpejt të rrugën e krijimit të një pushteti politik unik për të gjitha trojet e banuara nga arbërit.

Strukturë e qëndrueshme etnokulturore

Territori i Shqipërisë dhe Kosovës së sotme duke përshirë këtu edhe bregdetin malazias, gjatë tërë mesjetës, ishte rregullues i vërtetë për depërtimin e elementeve të botës Perëndimore e Lindore. Këtu, kishin zhvilluar aktivitet shpirtërorë – kishtarë edhe papët e Romës të shoqëruar me hierarki kishtare romane dhe me urdhëra romano-katolike. Këndej kishte kaluar Shën Pali. Mirëpo, këndej depërtuan bullgarët e rasianët (serbët e sotëm). Këndej drejtuan fuqinë pushtuesit normanë, hohenshtaufët, anzhuinët dhe venedikasit. Qytetet arbërore gjatë mesjetës kishin rëndësi të shumëfishtë. Më i rëndësishmi ishte Durrësi me pamje të vjetër të ruajtur nga antikiteti, ku elementi latin mbante njëpeshimin e simbiozës iliro-arbërore-bizantine.

Në Veri të Durrësit e të Lezhës shtrihej Zona Qëndrore iliro-arbërore, e cila karakterizohej me numër të madh të kështjellave, me fise dhe dinasti. Këtu gjatë antikitetit ishin krijuar edhe mbretëritë ilire: e Agronit, Teutës dhe e Gencit. Në veriperëndim dhe veri të kësaj zone, shtriheshin Zona Delmatine dhe Dardane, me burim mbretërishë, fisesh e qendrash të njohura. Populli në fjalë u zhduk për syrin e historishkruesve ndër pështjellimet ballkanike, por fshehurazi, gjithherë bashkëpunonte me zhvillimet gjuhësore e folklorike të kombeve ballkanike, për t’u shndërruar më në fund në Arbër, ofronte shenja të reja të fuqisë së vet krijuese. Edhe pse trojet iliro-arbërore u gjendën midis Perëndimit dhe Lindjes (sipas modelit të perandorit Teodosi I), si dhe u sunduan kohë pas kohe, asnjëherë nuk kanë mundur ta ndryshonin në thelb strukturën etnokulturore të kristalizuar ndër shekuj të kombësisë shqiptare. Nuk kanë mundur ta ndërpresin as rrugën e zhvillimit politik, as t’i asimilojnë dhe as t’i shkëpusin nga komuniteti kulturorë europian.

__________________

PROF.DR.JAHJA DRANҪOLLI: KONSTANDINI I MADH DHE DARDANIA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here