Asgjë nuk ishte më absurde, sureale, e paarsyeshme, e kotë, e tepërt, se ushtria, shkolla, puna, shoqëria, arti, kultura, ekonomia, partia, ideologjia, të gjitha ishin të turpshme, të neveritshme, të frikshme. Por, të gjitha bashkë nuk ishin aq të pakuptimta, aq paradoksale, sa ushtria. Ushtria Popullore ishte bashkësia prej mishi dhe ndryshku nën urdhrat e 1 përbindëshi, që komandonte gjithçka në varësi të humoreve, tekave, dalldive të tij. Ushtria e “gjithë popullit ushtar” ishte një rrenë e madhe, që nuk u besua kurrë prej askujt. Ushtria e rregullit dhe disiplinës ishte një babylon i cilësive më të fëlliqura, më hileqare, më djallëzore. Ushtria e dëshpërimit ishte ushtria e ngjarjeve kriminale të paimagjinueshme. Gjatë tri viteve të shërbimit ushtarak në një repart kundërajror, 4 fatzinj vranë veten.

Shkruan: Edison Ypi

Të gjithë për të njëjtën arsye: nga pamundësia për të përballuar dëshpërimin e papërballueshëm që shkaktonte të qenët ushtar. Ushtria e frikës ishte ushtria e oficerëve, që tmerrin e kotësisë së jetës me të cilën s’dinin ç’të bënin, e shkarkonin me ftohtësi dhe egërsi të skajshme mbi inferiorët dhe ushtarët. Shumica e oficerëve ishin si shumica e ushtarëve: fshatarë që nga kazma dhe balta vinin, te shati dhe prashitja do shkonin. Për këta, vitet e ushtrisë ishin periudha më e ndritur e jetës. Meseletë banale të përjetuara gjatë ushtrisë ia tregonin dhe ia tregojnë sot e kësaj dite të zbukuruara njëri-tjetrit gjatë netëve të dimrit rrotull vatrës. Ushtria e rraqeve mburrej me armatime “moderne”, që bota i kishte mbyllur me kohë nëpër muzeume. Ushtria e hekurishteve mbante në ruajtje nëpër kapanone ose tunele qindra, a ndoshta mijëra, kamionë ZIL tre diferencialë.

Thoshin se kishin nam të mirë në Rusi dhe nëpër vende të tjera të ftohta. Por këtu që ishte vend i ngrohtë, pasi difektoheshin një herë, nuk ndreqeshin më kurrë. Sistemet e ushqimit me benzinë ishin një tmerr pafund. U bllokoheshin xhiglerët e karburatorëve. U këputeshin vazhdimisht prixhionierët e semiakseve. Kur, më të rrallë, mezi i ndiznin me kavo dhe gërdallat i nxirrnin nga kapanonët “për stërvitje”, kohën më të madhe e kalonin si ulokë të ngathët reumarikë, duke u zvarritur nga një ofiçinë në tjetrën. Ushtria e budallallëkut mbante për të aftë budallenj surratshtrembër, që gjoja kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, askush nuk e dinte për çfarë.

Një hajvan i tillë na vuri mua dhe një ushtar tjetër të bënim punën më absurde dhe më të skëterrshme mbi dhè. Të shthurnim një kavo çeliku për t’i marrë fijet e holla që s’u mor vesh pse i duheshin. Por halli ynë me kavon që përdridhej dhe na çante duart s’ishte kurrgjë para halli mbi hall që e kishte zënë atë. Kur shkonte gjatë dimrit në Karaburun ose Sazan, sa herë që dhiste, i dilte zorra e trashë nga bytha. Për ta ndrequr këtë defekt, merrte me vete një kapter që zorrën e trashë dalë jashtë ia fuste brenda me gishta. Ushtria e urisë që do të mbronte vendin nga armiqtë e egër me ushtarë të shëndetshëm, të cilët do të jepnin edhe jetën për ta mbrojtur atdheun, ushqehej me këtë menu ditore:

-Mëngjes, një garuzhde fasule me nja 200 gramë bukë si baltë.

-Drekë, një garuzhde supë, copën e bukës, një garuzhde pilaf ose makarona.

-Darkë, një garuzhde çaji me ca kokrriza sheqeri brenda një gote alumini dhe copën e bukës që shpesh shkaktonte sherre.

Po të thanë se ushtarët e diktaturës kanë ngrënë sadopak më tepër se kaq, dije se ke fol me horrin, hasmin, budallain. Oficerët i kishin qafat e trasha, faqet e skuqura, sytë e zgurdulluar, sepse hanin makarona dhe pilaf nga menuja e ushtarëve në sasi të pakufizuara. Ushtarët ngordhalaqë të ushtrisë së uritur që pritej t’i derdhte plumb në gojë monarkofashistëve grekë, si dhe të shkatërronte flotat detare dhe ajrore të armiqve imagjinarë, nga frika se mos vdisnin urie, arratiseshin pasditeve nëpër ullishta dhe vreshta për ca kokrra ullinj a ndonjë vile rrush, nëse do shpëtonin gjallë nga dajaku i rojave. Një malësor që ecte i kërrusur me lëkundje parambrapa si kalë hante çdo ditë nga një kovë me zarzavate të pagatuara, të gjalla, siç i merrte atje ku i vidhte. Ushtria e pisllëkut kujdesej për higjienën e zhulsave. Për ta ruajtur qaforen e bardhë nga pisllëku i qafës së zezë, qepte mbi qaforen e bardhë një shirit celofani. Pecet e këmbëve që binin era përç, i hiqte fare si të tepërta. Ushtria e spiunllëkut ishte sy e veshë e hundë e tëra. Një herë na erdhi një prokuror ushtarak nga Tirana për ta dënuar dhe për t’ia marrë erzin një ushtari rom nga Manza që iku katër ditë në një dasmë pa i thënë askujt. Mblodhën kompaninë ulur në bar para kapanoneve. Sazexhiun Lym Rinxhi e dënuan dhe i hodhën hekurat për 4 ditë ikje pa leje, 5 vjet burg. Në fund, kur sapo u ngritëm në këmbë dhe do shpërndaheshim, u dëgjua zëri i një ushtari që iu drejtua Lym arixhiut duarlidhur:

“Mbahu Lym. Burgu për burra është”! U tmerruan të gjithë. Si guxoi ky?! E llafosa këtë çudi me një mik ushtar më i vjetër. Ulëritësi që mbrojti Rinxhin kishte qenë provokator. E kishin vënë të bërtiste ato fjalë për të parë cili nga ushtarët do ta hante atë karrem, do pajtohej me atë thirrje. Ushtria e pathyeshme kishte ca raketa kundraajrore. Halli se rusët dhe kinezët nuk e dhanë kurrë kodin apo “password”-in e aktivizimit të tyre. Gjatë atyre pak provave “pa kod” që u bënë, raketat fluturuan në drejtim të paditur. Nga Divjaka ranë në malet e Martaneshit dhe prapa maleve të Krujës. Kur dëgjoi këtë tmerr, miku im disidenti Sofokli Karpuzi tha: “Ah që s’ranë te Blloku, te Kryeministria, te Komiteti Qendror, a të paktën te sheshi ‘Skënderbej’”. Ushtria e gjumit kishte një numër të pabesueshëm somnambulash mbledhur me batanije zgëqeve duke gërhitur me jargë që u rridhnin te cepi i gojës. Ushtarë e oficerë flisnin si në ëndërr, ecnin si në gjumë. Ushtria e rrenave pëshpëriste vesh më vesh:

“Kemi bombën atomike. Ndodhet prapa kodrave te Ura e Beshirit. E kam parë me këto sy në Skrapar. Ma tha një kosovar që ia kishte thënë një vëlla kinez. Bombën e kemi, por aman qepe se na dëgjon armiku”. Ushtria e zboreve nuk ua mësoi dot kurrë zboristave as gjërat më elementare: pjesët funksionimin dhe mirëmbajtjen e Karabinës, apo përdorimin korrekt të kundragazit. Reparti me rreth 40 topa kundërajrorë nuk kishte asnjë ekspert për radiolokatorë. Një mirditor i pashkollë, që kishte qenë ushtar në atë repart luante atë rol. Një ditë ia behën ca kinezë ekspertë për radiolokatorë. Ndenjën nja një javë. Shefi i tyre ishte një idhnak, nervoz, surratspec, që luante bixhoz tërë natën te hotel “Turizmi” i Vlorës dhe të nesërmen andej nga mesdita vinte syskuqur në ofiçinë. Ushtria e dallamangove kishte tmerrësisht shumë të pagdhendur, të pashkolluar. Isha 19. Për të rrotulluar tabelat e qitjes në distancë me anë të shkeljes së një butoni, improvizova diçka të thjeshtë. Më erdhi turp që e quajtën “shpikje”. Gjashtë bateri kundraajrore, dy në Karaburun, dy në Zvërnec, dy në Sazan s’kanë qenë kurrë në gatishmëri. Me llafe po.

Me vepra jo. Ushtria qesharake të mahniste me qyfyre. Sapo kisha nisur të punoja në torno, mu vërsulën një nga një disa oficera me gëzhoja 37 mm për t’ua bërë mullinj kafeje. Ua bëra disave. Mirëpo një ditë më del përpara komandanti i repartit që s’po ia përmend emrin se, në dallim nga komisari që ishte komplet idiot, komandanti s’ishte aq i keq.

–”Ç’janë ata mullinj kafeje që bën në torno?! Do të të fus në burg po mora vesh se do vazhdosh të bësh të tjera. Ja ku i ke gëzhojat. Bëmë një mulli mua”. Ushtria e fukarallëkut me shumicën e ushtarëve të ardhur nga zonat e thella, s’di pse dhe si bartte mendësi llogoresh si të Luftës së Parë Botërore. Të tillët, duke qenë thellësisht të bindur se ushtari shkon në luftë për plaçkë dhe për asnjë arsye tjetër, kursenin këpucët dhe gjimnastorkat, dhe në rastin më të parë i çonin në fshat. Ushtria karikatureske e diktaturës së disiplinës së hekurt kishte për komisar një idiot faqekuq dhe një komandant bablok, dinak, injorant, që kishte qenë ca kohë në Rusi ku kishte lënë nam me aftësitë e tij të jashtëzakonshme prej strategu lab në luftërat për liri. E të tjera e të tjera, e ashtuquajtura ushtri popullore me copa mishi dhe male ndryshku s’ishte asgjë tjetër përpos një det me rrena, spiunllëk, gomarllëk, horrllëk, pisllëk.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here