Duke pasur parasysh se sa konflikte për pronë mes shtetesh bëhen këtu, në Kosovë (ish-Dardani), arkeologjia do të duhej të ishte shkenca më e privilegjuar nga shteti, ngase ajo i ruan themelet e tij. Gjithashtu, duke qenë se vetë emri Kosovë është problematik, sepse është vënë nga serbët, jo nga shqiptarët, qëllimi primar i shtetit do të duhej të ishte kthimi i emrit të parë: Dardania. Gurët që përmend arkeologu anglez, Arthur Evans, nuk janë vetëm gurë
Ishin këto konotacione mitologjike të Knossos-it që u ngjallën edhe njëherë me zbulimin e Evans-it, i cili tashmë ka edhe një bust në atë oborr arkeologjik, ku vizitorë nga e gjithë bota shkojnë çdo vit e çdo ditë.
Një nga ta isha edhe unë. Kur dola prej aty, pashë që taksisti po më priste, pasi kishte kthyer disa gota në lokalin përballë. Teksa ktheheshim drejt qendrës së Heraklionit, e pyeta se çfarë mendimi kishte për këtë zbulim dhe çfarë dinte për Knossos-in. Edhe pse jetonte që dyzet vjet përballë vendit arkeologjik, dhe çonte vizitorë përditë atje, nuk ishte tunduar asnjëherë të futej brenda për ta vizituar. Kështu që, jo vetëm që s’dinte gjë për arkeologjinë, por as për mitologjinë. Meqë kishim një copë udhë për të bërë, i fola për Tezeun e Ariadnën, Minosin e Minotaurin, Dedalusin e Ikarusin, ndërsa ai më dëgjonte me interesim, si fëmija kur i tregon përralla, dhe dukej i lumtur nga çfarë dëgjonte. Dikur më shikoi e tha: duket shumë interesante, kur i di këto histori, po për mua ato rrënoja janë vetëm gurë, asgjë më shumë.
Vetëm gurë, asgjë më shumë. Këto të fundit fjalë të famshme të atij udhëtimi m’u ngulitën në kokë.
Si ai taksisti grek, janë shumica e shqiptarëve, që me gurë antikë ndërtojnë shtëpi e pallate moderne dhe i mbulojnë me gëlqere, jo se kanë frikë për shkak të hajnisë, por se kanë turp prej vjetërsisë. U pëlqen t’i zhdukin gjurmët antike dhe të mburren për lashtësinë. Popull paradoksal.
Qytetërimi greko-ilir është thesari më i madh evropian, mirëpo dega greke ka dhënë fruta, ndërsa dega ilire – jo. Sa mund të shpresojmë që në të ardhmen kjo e kaluara ilire mund t’i japë diçka botës? Pak a hiç, kur e dimë se si sillemi sot me mbetjet antike.
Shqiptarët patën fatin të ishin pjesë shumë e rëndësishme e Ilirisë, dhe të ishin fqinj të Greqisë. Ata ishin midis dy qytetërimeve më të mëdha evropiane: grekëve dhe romakëve. Nuk më duket se ditën ta shfrytëzojnë këtë fat.
Gjithsesi, Arthur Evans, duke studiuar Ilirinë, hulumton edhe terrenin shqiptar, dhe veçmas provincën ilire të quajtur Dardani, e cila kishte tri qendra: Shkupin, Ulpianën (Lipjanin) dhe Nishin. Në udhëtimin hulumtues nëpër Dardani, ai gjurmon, evidenton, vizaton, dëshmon dhe studion mbetjet antike ilire në Gjakovë, Pejë, Lipjan etj. Zbulime të veçanta bën në Kaçanik, ku gjen dëshmi të adhurimit të zotit Andin, perëndisë së bimësisë dhe pjellorisë së tokës.
Shqiptarët, si pasardhës të ilirëve, dhe veçanërisht kosovarët si pasardhës të dardanëve, nuk e kanë pasur të vështirë të gjejnë gjurmë ilire, sepse ato janë gjithandej nëpër tokën e tyre, por vështirësitë i kanë pasur në gjetjen dhe ruajtjen e kontinuitetit historik, aq të kushtëzuar nga dëshmitë arkeologjike. Poeti Odisea Elitis, në fjalimin e tij me rastin e pranimit të çmimit Nobel, thotë se grekët kanë gjuhën që flitet mbi dy mijë e pesëqind vjet pa ndërprerje dhe me ndryshime shumë të vogla, dhe se në secilin prej atyre 25 shekujve, pa asnjë ndërprerje, greqishtja, përveç që është folur, edhe është shkruar. Kështu, ai gjuhën (sidomos atë të shkruar) e sheh si dëshmi për kontinuitet identitar, pra si zinxhir të pakëputur nga antika në modernitet.
Mjerisht, te shqiptarët mungojnë shumë hallka, këputet zinxhiri dhe, kështu, më shumë dëshmi kanë ata që erdhën më vonë, sesa shqiptarët (ilirët) që janë po aq të lashtë sa edhe grekët (helenët) në Gadishullin Ballkanik. Duke pasur parasysh se sa konflikte për pronë mes shtetesh bëhen këtu, në Kosovë (ish-Dardani), arkeologjia do të duhej të ishte shkenca më e privilegjuar nga shteti, ngase ajo i ruan themelet e tij. Gjithashtu, duke qenë se vetë emri Kosovë është problematik, sepse është vënë nga serbët, jo nga shqiptarët, qëllimi primar i shtetit do të duhej të ishte kthimi i emrit të parë: Dardania. Le të shërbejë si shembull Kreta. Rreth shekullit IX, kryeqytetit të saj administrativ, Heraklionit, arabët ia patën vënë emrin Handak (hendek), që pastaj nga italianët u deformua në Kandia. U desh të kalonin dhjetë shekuj për t’ia kthyer vendit prapë emrin e parë: Heraklion (“qytet i Herkulit/Heracles”).
Nuk dihet saktë se kur është hequr emri Dardani, por dikund mes shekujve VIII – XIII, kur Dardania u nda në dy pjesë: Pronat e Manastirit dhe Fusha e Mëllenjave. Pra, Metohia (fjalë greke: μετόχια, metóchia; njëjës μετόχιον, metóchion, që do të thotë “prona të manastirit”) dhe Kosovo Polje (serb: kos – mëllenjë; polje – fushë; pra, Fusha e mëllenjave). Emrin grek, Metohia, e përdor edhe Arthur Evans. Është e çuditshme që shqiptarët ofendohen nga emri grek Metohia, por jo nga emri serb Kosovë (Kosovo/Kosova).
Pas ardhjes së presidentit kriminel në krye të shtetit serb më 1989, në Kosovë u formua një parti që solli në krye të shtetit një president që injoronte emrin Kosovë dhe preferonte rikthimin e emrit të vjetër: Dardania. Kështu, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, kur shqiptarët dhe serbët ishin aleatë kundër osmanëve, nisi një betejë tjetër, kësaj here mes “aleatëve”: serbët luftonin për “rikthimin” e Kosovës, shqiptarët për mbrojtjen e saj dhe rikthimin e toponimit; serbët thoshin se kjo ishte toka e tyre që nga periudha bizantine, shqiptarët insistonin se ishin këtu nga periudha ilire. Si dhe sa u zgjidh kjo çështje, e dimë të gjithë.
Përderisa presidenti kosovar, për shkak të kontekstit, apo të karakterit, përveç që solli një frymë prodardane, si diçka proto-kosovare, nuk arriti të bënte diçka më shumë, është detyrë e pasardhësve dardanë që t’ia kthejnë vetes dhe vendit emrin e parë.
Njerëzit modernë, të qytetëruar, krenohen me gjërat e vjetra, ndërsa për shqiptarët vjetërsia mbulohet si një turp. Mendoj se te kjo qasje antimoderne duhet kërkuar shpjegimi për hendeqet aq të mëdha në historinë e shqiptarëve, hendeqe që jo rrallë shkaktojnë inferioritet historik ndaj fqinjve.
Kështu, edhe pse hulumtimi i Arthur Evans-it – përkthyer në shqip nga Sherif Luzha – nuk është i përkryer, mungesa e interesimit deri sot për ta hedhë në qarkullim për lexuesin shqiptar, është një tregues i qartë i letargjisë së pinjojve dardanë. Arkeologu anglez nuk na i rrah supet, por na i hap sytë.
Në një vend ku mungojnë hallkat e zinxhirit historik, ky hulumtim arkeologjik, pavarësisht ndonjë lëshimi metodologjik, apo toponomastik, s’do të duhej të shkaktonte pakënaqësi, por të zgjonte vetëdijen e dardanëve të fjetur për t’u rënë pas gjurmëve të qytetërimit të tyre antik.
Gurët që përmend arkeologu anglez, nuk janë vetëm gurë./koha.net