Straboni, gjeograf shek.II pas Krishtit, jep më shumë informacion për Epirin se çdo shkrimtar tjetër i lashtë; shumë nga këta shkrimtarë i kanë përmendur fiset epiriote si pellazgjike. (Libri V. 2,4) Straboni shkruan “Orakulli i Dodonës, sipas Eforit, është ndërtuar nga Pellazgët. Besohet se pellazgët kanë qenë më të hershmit nga njerëzit që kanë banuar Helladën. Hesiodi tregon se Dodona dhe Lisi ishin qendra pellazgjike. Straboni shton se banorët përreth Dodonës ishin barbarë, domethënë jogrekë. Sipas tij, Dodona më vonë u referua si pjesë e Mollosisë dhe më pas Thesprotia – dy fiset epiriote, që siç do të shohim ishin të etnisë ilire.

Dodona

Falë një përmbledhje mjaft konçize të bërë nga historiani Ilirjan Gjika qartësohemi se në vitin 1878 studjuesi grek Kostandin Karapanos zbuloi Dodonën në jugperëndim të qytetit të sotëm të Janinës. Dodona shtrihej në shpatin lindor të malit të Tomaros 1972 m i lartë, i cili ndodhet midis qyteteve të Janinës dhe atij të Paramithisë. Nga Tomarosi rrjedh lumi Zmolika i cili është dega e Kalamasit, kurse nga shpati tjetër i tij, ai perëndimor buron lumi i Llurit që derdhet në gjirin e Artës. Po këtu buron edhe Akeroni (lumi I zi), i cili derdhet në detin Jon pranë qytetit të Pargës. Këtu, pranë këtyre dy përrenjve, ndodhen rrënojat e Dodonës si: tempulli, stadiumi, një teatër dhe disa ndërtesa të tjera. Pikërisht në rrënojat e tempullit janë gjetur mbishkrime të orakullit të vjetër, të cilat dokumentojnë ekzistencën e këtij tempulli të famshëm me origjinë pellazge.
    Vite më vonë, gërmimet e Karapanosit në Dodonë i vazhdoi arkeologu grek, Evangjelidhis. (Hamond. EPIRI, fq.87). Rezultatet e punës së tij ky autor i botoi në veprën e titulluar “Πpaki”, botuar në vitin 1927. Këtu ai përshkruan me hollësi gjithçka për këtë qytet, rrënojat dhe shtresat kulturore të gjetura në gërmimet arkeologjike, të cilat fillojnë nga periudha arkaike për të përfunduar në atë Romake.
    Ndërkohë që burimet antike na dëshmojnë se Dodona ndodhej pranë malit Tomar në krahinën e Hellopisë. Orakulli i dedikohej Zeusit, Mbretit dhe babait të Perëndive. Profecitë e orakullit trasmetoheshin me anë të pyllit dhe kazanit të shenjtë, duke parashikuar gjërat që do të ndodhnin. Aq i famshëm ishte orakulli saqë sipas legjendës Perëndesha Athina mbërtheu një pjesë nga lisi çudibërës i Dodonës në direkun e anijes “Argo”, me të cilët do të udhëtonin Jasoni dhe Argonatët e mitologjisë antike greke. Anija Argo u ndërtua nën drejtimin e Athinasë. Ajo kishte dhuntinë e fjalës pasi në bashin e saj Perëndesha ngjiti një copë nga lisi folës i Dodonës. Por mitet që lidhen në këtë orakull nuk përfundojnë këtu. Autorët antikë na dëshmojnë se parashikimet e Dodonës i përdornin në veprimtarinë e tye dhe Mbretërit e Epirit. Kështu njihet fakti se Orakulli e paralajmëroi Mbretin Epirot Aleksandrin Molosin, për fundin e tij tragjik që do ta ndiqte gjatë fushatës së tij pushtuese në Itali. Në Dodonë atij ju tha që të ruhej nga uji i lumit, sepse pranë tij do ti merrte fund jeta. Dhe pikërisht në fushatën e Italisë i thirrur në ndihmë nga Tarantasit ai u vra pranë një lumi nga Lukanasit, një fis Italik. (Tit Livi. Ab Urbe Condita). I çuditshëm është edhe fakti tjetër që lidhet me Dodonën. Sipas tij Mbreti Pirro që i vogël kishte mësuar artin e fatthënies dhe bënte mrekullira nga mësimet që kishte marrë në Dodonë. Bashkëkohësit i njihnin atij midis të tjerave edhe aftësinë e kurimit të shpretkës, veprimtari mjekësore të cilën ai e ushtronte në mënyrë masive.

Orakujt

Orakujt ishin faltore të shënjta që I kushtoheshin një perëndie të veçantë. Greqia ishtë një nga vendet ku orakujt u bënë të famshëm për përgjigjet profetike që jepnin. Të tillë ishin disa si: Orakulli i Apolonit në Delf, Trofoninos në Beoti, Anfiraut në Atikë, Artemidës në Fokidë, Aresit në Traki, Askepit në Epidaur. Ndërkohë që kohë më parë se, Delfi të bëhej një qëndër e tillë, orakujt e kishin nisur veprimtarinë në hapësirën ILIRE. Në ekstremin Jugor të Ilirisë në Epir ishte orakulli më i famshëm dhe më i vjetër, ai i Zeusit në Dodonë. Këtu ishte ndërtuar tempulli më i vjetër kushtuar Zeusit. Që nga kjo qendër, kulti i Zeusit kaloi në Greqi, ku ai ndërtohej kudo me madhështi. Por ndërkohë kjo praktikë nuk u ushtrua vetëm në Jug të Dodonës në Greqi. Duke qenë edhe traditë Pellazge ajo sipas shumë gjasave ka qenë e përhapur në të gjithë hapësirën Ilire që u formua drejtëpërdrejt mbi shtratin Pellazg”.

Autorët Antikë për Dodonën

Autori i vjetër i cili na jep të dhëna për këtë faltore është Homeri. Në veprën e tij ILIADA, LIBRI XVI, ai e quan Dodonën dimër keqe dhe na jep njoftimin se priftërinjtë e tempullit nuk i lanin këmbët dhe flinin për tokë. Ndërsa në veprën tjetër të tij ODISEA, LIBRI XIV, Homeri thekson se Odisea, Heroi i Trojës kishte shkuar në Dodonë për tu këshilluar me Zeusin. Hesiodi poeti “fshatar” në veprën e tij poetike thotë se: Është një fushë Hellopia…., këtu në pjesën më të fundit është ndërtuar Dodona që Zeusi e deshi që të jetë një faltore e vyer për njerëzit”. Edhe “Babai i historisë” Herodoti i Halikarnasit tek Libri i tij Historia, LIBRI II tregon se e ka vizituar vetë faltoren, ashtu siç shkruan që: “Pellazgët kishin zakon tu flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova në Dodonë (ILIRËT DHE ILIRIA tek Autorët Antikë, Tirane 2002, fq.16). Më pas për Dodonën na njoftojnë me radhë të tjerë autorë si: Eskili, Skylaksi, Polibi, Skymni, Plutarku, Dion Kasi, Justini, Hierokli, Stefan Bizantini, Apollodori, Pausania, Pindari, Plini etj. Kështu Plini thotë në librin e tij të VI-të, prej fisit Epirot Sulion dilnin Priftërinjtë që shërbenin në Dodonë. Kurse Eskili tek tragjedia e tij “Luteset” në një pasazh tek monologu i Pelazgut përmend termin “Malet e Dodonës”. Po kështu Stefan Bizantini tek vepra e tij “Kombëtarët”, thotë se: lumi kadem ndodhej midis Butonjës dhe Dodonës. Por ndërkohë është Straboni ai që na jep njoftimin më të plotë rreth faltores së famshme, ai sipas dëshmisë së tij që është nga më interesantet “Orakulli” ishte më përpara afër Skotusës qytet i krahinës Pelazgiotis. Mbasi lisi u dogj prej dikujt me porosi të Apolonit Orakulli u transferua në Dodonë. Aty ai jepte porosi jo me fjalë, por me simbole, duke u nisur nga fluturimet e veçanta të tre pëllumbave, sipas të cilave profetët profetizonin. Sipas legjendës ata që shërbejnë tek lisi i Dodonës quhen Pelia.
    Këtej mori emrin edhe ena prej bakri e Dodonës. Kjo ishte brenda në faltore dhe kishte mbi vete një shtatore që mbante një dorë një kamzhik prej bakri, dhuratë e Korkyrasve. Kamzhiku ishte i trefishtë në formë zinxhiri, i përbërë prej 3 vargjesh, të cilat kur tundeshin prej erërave goditnin enën prej bakri dhe nxirrnin tinguj të gjatë, sa që ai që numëronte mund të arrinin numrin katërqind.(po aty fq.161).

Tomori

Tomori është një prëj maleve më të lartë të Shqipërisë. Ai ndodhet në rajonin jugor të vendit, në kufirin ndarës midis Beratit, Skraparit dhe Gramshit. Me një gjatësi 19 km dhe gjerësi deri në 6 km, Tomori ka maja të shumta me lartësi mbi 2000 m. Veçojmë kështu majën veriore të quajtur Çuka Partizan (2416) që është edhe maja më e lartë e saj. Shpati lindor i malit është më i pjerrët se ai perëndimor. Këtu në lartësi në 1800 m ndeshen Cirqe akullnajore dhe një bimësi mjaft e pasur. Ndërkohë që nën këmbët e tij dalin burime të shumta karstike si në: Sotirë, Kërpicë, Ujanik, Kapinovë, Bogovë, etj.
Me anë të qafës së Kulmakës 1400 m e lartë, e cila ndodhet në jug të tij Tomori lidhet me malin e Kulmakës që nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i tij dhe ka lartësi prej 1473m.
    Sot ky mal dhe mjedisi përreth përbën një ambient të mbrojtur nga Shteti Shqiptar. Ai është ndër 12 Parqet Kombëtarë në Republikën e Shqipërisë. Parku Kombëtar i Tomorit ka një sipërfaqe prej 4000 km2 dhe shquhet për vlerat e tij ekologjike dhe botanike që lidhen me pyjet e ahut dhe të pishës.

Legjenda dhe Mite

I përmendur për bukurinë, florën, faunën, borën e përhershme, legjendat, vendet e shenjta etj, Tomori ka ndikuar edhe në mitologjinë vendase dhe letërsinë shqiptare, aq sat hemi se me të drejtë gazetari dhe publicisti Italian i shekullit të XX-të Indro Montaneli e quan OLIMPI SHQIPTAR. Ndërkohë që Naimi poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri e emërton Tomor i Zotit.
    Kurse Çajupi i drejton vargjet: Baba Tomor, kishë e Shqipërisë, mal kryelartë fron i Perëndisë. Tek ti kanë ardhur njerëzit që në lashtësi, për të mësuar atë që urdhëronte zoti. Ndërsa Lumo Skëndo e emërton “Mali Plak i Shqipërisë”. Kështu Tomori është edhe i përfshirë në një mori legjendash të vjetra, ku njëra prej të cilave tregon për dy vëllezërit Tomor dhe Shpirag. Të dy vëllezërit na u zunë për një vajzë të bukur (zanë). Por zënka përfundoi në një duel të përgjakshëm. Tomori e goditi Shpiragun me shpatë dhe sipas legjendës kjo duket tek shpatet e Shpiragut të cilat janë vija-vija. Ndërsa Shpiragu e godit Tomorin me topuz duke e bërë gjithë hone dhe gropa. Zoti që e shihte këtë duel i zëmëruar i shndërroi vëllezërit në male ndërsa zanën në një kodër. Nga lotët e saj u krijua lumi i Osumit që sot rrjedh në luginën që ndodhet midis Tomorit dhe Shpiragut.
    Interesant është edhe fakti se në krahinën e Myzeqesë, njërën prej njësive më të mëdha etnografike të Shqipërisë, e cila shtrihet pranë malit të Tomorit, ruhen edhe në ditët e sotme legjenda që të çudisin me “fantazinë” e tyre, apo me substratin që ka një bazë të vërtete historike. Të konservuara dhe të transmetuara nga goja e popullit ato të tërheqin me materialin që të ofrojnë. Sipas njërës prëj tyre thuhet se në këtë mal banon “Baba Tomori”, i cili lëviz herë pas here në Çukën veriore ose atë jugore së bashku me zotërit e tjerë. Baba Tomori vështron dhe vëzhgon të “ligjtë” e botës, të cilët për ti shtypur i godet me top. (Folklor nga krahina e Myzeqesë. I. Tiranë 1985.fq.449-450). Ndërsa në një legjendë tjetër thuhet se në faqen perëndimore të Tomorit nën një shkëmb 300 m të lartë ndodhet “Molla e kuqe”. Ajo është një mollë e shenjtë frutat e së cilës thuhej se ishin 1 kg. Këto mollë sipas besimit popullor i hanin vetëm perënditë, që mendohej se jetonin në Tomor.

Autorët Shqiptarë për Dodonën

Qysh gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare shumë filozofë të saj hodhën ide dhe hipoteza historike nga më interesantet. Njëra prej tyre deri në mesin e shekullit të XX-të: Dodona ose njëra prej disa Dodonave që kanë ekzistuar ndodhej në Malin Tomor të Shqipërisë. Për të vërtetua këtë hipotezë bazohej tek përqasja e Malit Tomar të Epirit me emrin Tomor të malit të Shqipërisë, për të cilin ekzistojnë edhe shumë legjenda për praninë e një orakulli në të.
    Rilindasi ynë i shquar Jani Vreto në veprën e tij Apologjia botuar në vitin 1878 thotë se: “Nga të dhënat e autorëve antikë rezultojnë që kanë shumë Dodona”. Kështu Dodona e mirëfilltë ndodhet pranë Janinës ndërsa Dodona që ndodhet në Tomorin Shqiptar (Berat), është ajo që përputhet me PSYKRA DODONEN (Dodonën e ftohtë), e cila është përshkruar nga Homeri. Edhe studjuesi tjetër shqiptar i gjysmës së I-rë të shekullit të XX-të, Mehdi Frashëri hodhi idenë se kanë ekzistuar dy Tomore dhe dy Dodona. Njëra në malin e Tomorit të Beratit dhe tjetra midis Malësisë së Çamërisë dhe Pellgut të Janinës, në krahinën e quajtur dikur me emrin Hellopia, (Dodona e sotme).
    Ndërkohë që një tjetër studjues i shekullit të XX-të Perikli Ikonomi, i kushtoi një studim të mirëfilltë këtij problemi. Në vitin 1936 ai botoi në Vlorë studimin historik me titull “Historia e Tomorrit dhe Dodonës Pellazgjike”. Në faqet e këtij libri autori sillte shembuj dhe shpjegime nëpërmjet të dhënave të autorëve antikë se Orakulli i Dodonës ndodhej në Malin e Tomorit. Si njohës i greqishtes së vjetër P.Ikonomi citonte për Dodonën të dhëna nga Homeri, Herodoti dhe 15 autorë të tjerë antikë. Gjithashtu P.Ikonomi citon edhe autorë të shekullit XIX si Arvantini, Bartolomeu dhe Pukevili. Të gjitha këto të dhëna Perikliu i përdor duke argumentuar se Dodona dhe tempulli i saj ndodheshin në Malin e Tomorit. Për të plotësuar të dhënat e këtyre autorëve, P.Ikonomi sjell edhe mjaft të dhëna etnografike dhe toponime të grumbulluara në Berat, Skrapar, Tomoricë dhe rrethinat e tjera të Tomorit. Ato dëshmojnë për një vend të Shenjtë që ndodhej qysh nga lashtësia në Tomor. Të gjitha këto P.Ikonomi i plotëson edhe me argumenta gjeografikë, gjeologjikë dhe gati-gati e bind lexuesin me ato që shkruan.
    Gjithashtu Perikli Ikonomi i cili kishte studjuar në rininë e vet në gimnazin e Janinës Zosimea, i kundërshton argumentat e arkeologut grek Karapanos për vendodhjen e Dodonës pranë Janinës. Ai thotë se Karapanosi publikoi disa materiale të cilat ja dorëzoi Misioni arkeologjik francez i Maqedonisë dhe nuk u thellua në gërmime. Pas këtij dyshimi P.Ikonomi sjell një fakt tjetër. Sipas tij në Epirin e sotëm popullsia vendase nuk kujtojn ndonjë gojëdhanë ose legjendë për Dodonën, orakullin, ose ndonjë vend të shenjtë. Këto gjëra përkundrazi i gjen me shumicë në të gjithë periferinë e malit Tomor, ku tregohen legjenda për Mrekullitë e tij, vendet e mira (të shenjta), perënditë, ritet, etj.
    Ndërkaq interesante është edhe toponimia që përmend P.Ikonomi. Sipas tij edhe sot në Tomor ruhen toponime të tilla të çuditshme të cilat ngjajnë me toponimet që japin autorët antikë për Dodonën si: Tomar-Tomor, Dodonë-Qafa e Dhodhonit (Bargullar-Skrapar), Tomuras-Tomoricë. Ndërkohë që në fund të shekullit XX-të një tjetër autor që trajton këtë problem është edhe Greko-Arvanitasi Aristidh Kola. Në veprën e tij: “Arvanitasit dhe prejardhja e Grekëvë”, në faqen 84, ai bashkohet me idenë e Jani Vretos se një nga Dodonat (ajo e madhja), duhet kërkuar në Tomorin e Shqipërisë, aty ku ruhet edhe sot e gjallë tradita e Orakullit të famshëm. Interesant është fakti se edhe në ditët e sotme çdo gusht me mijëra besimtarë i ngjiten malit të Tomorit për të festuar festën e Abas Ali Tomorit, njërit prej Dervishëve të famshëm Bektashianë. Pikërisht ky njeri ngriti faltoren e tij në atë vend ku ndoshta dikur ngrihej tempulli i njërës prej Dodonave.
    Ndërkohë njihet botërisht fakti që bektashizmi, ky rit shiit i islamizmit, i ngriti faltoret e tij pikërisht në ato vende që populli i quante të “mira”, ku dikur ngriheshin tempujt paganë, të cilët i shkatërroi furia e drejtuar nga Perandori Romak Teodos në shekullin e V-të.

Harta (publikuar nga Gjon Keka) eshte nga kronikat e vitit 1586 dhe aty ku shihet shigjeta me boje te kuqe shkruan Dodona.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here