Nga: Laura Studarus / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Kur e viziton Obëramergaun, një fshat i vogël ky i vendosur në Alpet bavareze të Gjermanisë, ndihesh sikur po hyn në një film të “Disney”-t. Prej maleve të valëzuara që rrethojnë fshatin e deri te shtëpitë prej druri të mbuluara me piktura dhe gdhendje të artit popullor – një praktikë që atje daton që nga shekulli XVI – lehtësisht të vijnë fjalët “çuditshëm”, “lezetshëm” dhe “e denjë për kartolinë”. Nuk duket as e çuditshme as pse zona i ka aparatet e veta për shitje të verërave dhe të djathit … sepse, pse të mos i inkurajojnë vizitorët që ta shijojnë sa më shumë këtë mjedis?
Pranë qendrës së fshatit gjendet kisha katolike baroke e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Pikërisht këtu, në vitin 1634, në këtë kishë të stilit rokoko për herë të parë fshatarët dhanë një zotim historik. Në një zhvillim ngjarjesh që sot përjetohet si jehonë e frikshme, murtaja e zezë preku fshatin dhe për vetëm pak muaj vrau pothuajse 20 për qind të banorëve. Në përpjekjen për ta ndryshuar këtë valë, banorët premtuan se një herë në 10 vjet do ta japin një shfaqje pasioni – i njohur si ritregim dramatik i jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit – nëse Zoti do ta kursejë pjesën tjetër të banorëve. Shfaqjet e para u dhanë në varrezat e kishës, pikërisht mbi trupat e të prekurve nga sëmundja, dhe – siç thotë historia – asnjë tjetër nuk vdiq.
Që prej shfaqjeve të para, shumë ngjarje ndikuan në ndalimin e shfaqjes që zakonisht luhet në fillim të çdo dekade – përfshirë këtu Luftën Franko-Prusiane, Gripin Spanjoll dhe, po, Covidin-19, me realizimin e vitit 2020 që është shtyrë për këtë vit – e që si zakonisht jepet nga maji deri në tetor. Historikisht, ajo ka përjetuar edhe mbështetje të përzier: më 1770, Duka i Bavarisë – Maximilian III Joseph – u përpoq ta ndalonte, duke pretenduar se “skena e teatrit nuk është vend për sekretin më të madh të fesë tonë të shenjtë”. Sidoqoftë, në vitin 1900, sipërmarrësi Thomas Cook e vërejti një vlerë të tillë te kjo shfaqje, sa që e detyroi komunën që ta ndërtojë një teatër me 4 400 vende, në mënyrë që të mund të sillte aty audiencë të huaj me idenë për ta parë një shfaqje pesë-orëshe (pa harruar pushimin tre-orësh për darkë) në një gjuhë që ata nuk e flisnin, një lëvizje kjo që me sukses e prezantoi turizmin në rajon.
Tashti, në vitin e 388-të, shfaqja e pasionit ndikon pothuajse në çdo aspekt të jetës në fshat. Gati 2 000 nga 5 000 banorët e Obëramergaut marrin pjesë si para ashtu edhe pas skenës. Aktorët kryesorë angazhohen për ta marrë pothuajse një vit pushim për punën gjatë provave, për një udhëtim grupor në Izrael dhe për orarin gjashtëmujor të shfaqjes. Dhe, çdo burrë kujdeset për rritjen e flokëve – një vit para shfaqjes – dhe i mban të çrregullta derisa të priten gjatë festës së mbylljes (flokët e tyre më vonë shfaqen si litarë në Muzeun “Oberammergau”, një ndërtesë e mbuluar me kostume të kaltra nga shfaqja e vitit 2000 dhe e vitit 2010 e “Pasionit”).
Siç thotë Frederik Mayet, një nga dy aktorët e alternuar në rolin e Jezusit për këtë vit, të gjitha sakrificat grupore janë në shërbim të asaj që ata e shohin si e një e mirë më e madhe. Në fakt, për këtë gjatë ata janë trajnuar gjatë gjithë jetës së tyre.
“Të vegjlit rriten në lojën e pasionit”, thotë ai. “Janë vetëm disa muajsh më të vegjlit që për herë të parë dalin në skenë. Kënga e parë në shfaqjen e pasionit, kur Jezusi lëvizën hipur mbi gomar, është një këngë që të gjithë ne e mësojnë që në shkollë. Për herën e parë e kemi kënduar disa javë më parë [gjatë provave]. Pata mornica. Kam shumë emocione tash”.
I gjithë kasti i “Passionsspiel” përbëhet nga amatorët. Megjithatë, 12 skenat e produksionit ndihen elegante. Në skenë shfaqen tufa të kafshëve shtëpiake, përfshirë gomarin që ndihmon në paraqitjen e parë të Jezusit. Dhe, çdo detaj i Dhiatës së Re, përfshirë Jezusin duke pastruar tempullin, duke kryer mrekulli, duke u ulur në darkën e fundit dhe në fund duke vdekur e duke u ringjallur, luhet me sinqeritetin që zemrën ta thyen. Mes akteve, tablotë statike të frymëzuara nga Dhiata e Vjetër që i përshkruajnë skenat që supozohet që në mënyrë specifike të përfytyrojnë ngjarjet që zhvillohen në historinë kryesore, e shtojnë nuancën e surrealizmit. Gjatë skenave të mëdha të turmave, aktorët më të rinj fërfëllojnë kostumet e veta dhe lëvizin nëpër skenë, duke e shtuar sensin e realizmit (duhet të dini se fëmijët e epokës biblike nuk e njihnin gjithmonë peshën e ngjarjes që dëshmonin). Por, asnjëra nga këto nuk e largon vëmendjen prej temës qendrore të shfaqjes. Shfaqja mund të jetë në gjermanisht (me manuskriptet që janë në dispozicion në anglisht), por edhe nëse nuk e flisni gjuhën, misioni është i qartë: ky është një akt pasioni.
Christian Stückl, drejtori artistik i Teatrit Popullor të Munihut i cili ka marrë përsipër shfaqjen e pasionit të vitit 1990 dhe që këtë vit e bëri regjinë për të katërtën herë, thotë se në shumë aspekte krijimi i saj është përvojë mjaft unike – por, në fund të fundit, shfaqja është shfaqje.
“Më pëlqen shumë të punojë me këta amatorë, këtu në Obëramergau”, thotë ai. “Është krejt ndryshe nëse punoj me aktorët profesionistë në Munih. Në Obëramergau më duhet të dal në skenë dhe t’ju tregoj se si ta bëjnë. Aktorëve profesionistë nuk u pëlqen nëse hipi në skenë dhe tregoj diçka. Por, një amator ka nevojë për këtë. Tekefundit, nuk është aq ndryshe, sepse mund të kesh profesionistë të këqij dhe amatorë të mirë. Janë shumë afër njëri-tjetrit”.
Gjatë kohës që është në krye, Stückl e ka parë shfaqjen gjithashtu duke kaluar nëpër një sërë ndryshimesh të dukshme administrative. Në vitin 1999 e realizoi me sukses një peticion që e hoqi rregullin që të gjithë aktorët duhet të jenë katolikë (edhe pse e quan si kufizues rregullin se duhet të lindësh në fshat ose të jesh banor 20-vjeçar, duke vënë në dukje se dy dekada janë shumë të gjata për të dëshmuar se je pjesë e qytetit). Megjithatë, të bësh përshtatje në produksionin aktual kjo mund të jetë gjë e ndërlikuar kur keni të bëni me një traditë shekullore.
“Kemi shumë probleme me Obëramergau, sepse brezit të ri i pëlqen të ketë shfaqje të re dhe brezi i vjetër kapet për shfaqjet më të vjetra të pasionit”, thotë Stückl. “Shumica e operatorëve turistikë thonë, ‘jo duhet ta bësh të njëjtën gjë si 10 vjet më parë, sepse publikut tim i pëlqen ta shohë të njëjtën shfaqje’”.
Megjithatë, pavarësisht shtyrjeve, evolucioni ka ndodhur. Të ftuarit VIP – përgjatë gjithë viteve – përfshijnë edhe Hitlerin i cili fatkeqësisht ishte adhurues i madh. Për shkak të kësaj, Stückl mendoi se është e rëndësishme të jetë i sigurt që të eliminohet çdo lexim potencial antisemitik i materialit. Duke pasur parasysh këtë, ndryshimet e bëra përfshijnë shtimin e një menorahu që tani vendoset në tryezë – gjatë darkës së fundit – ndërsa, në një moment, Jezusi e mban torën përpara audiencës … të gjitha këto për të theksuar se Jezusi ishte hebre.
Mayet shpreson se përshkrimi i tij i Jezusit është gjithashtu i përshtatshëm për kohën. Ashtu sikur kur filloi shfaqja, bota është në trazira. Nëse Jezusi i “Pasionit” ka nevojë të bërtasë në mënyrë që të dëgjohet, atëherë ashtu qoftë.
“Duam ta kemi një Jezus që është shumë i sigurt në atë që thotë”, thotë ai. “Pra, dikush që është shumë i zhurmshëm dhe që bërtet. Shumëçka ka ndryshuar në 12 vjetët e fundit. E kemi një situatë krejtësisht të ndryshme botërore. Të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Dhe, në dy vitet e fundit e kemi pasur koronavirusin. Në vitin 2015 dhe përsëri këtë vit e patëm krizën e refugjatëve në Evropë. Pra, është një nevojë e thellë që Jezusi përsëri të jetë më i zhurmshëm”.
Është e kuptueshme që kjo shfaqje e rrallë që jepet një herë në dekadë, është kthyer në pelegrinazh si për besimtarët – ashtu edhe për ata që thjesht e vlerësojnë një shfaqje epike. Si anëtarë të publikut, na pëlqen ta shohim pasionin, por ndoshta edhe më shumë jemi të tërhequr nga historitë familjare. Dhe, teksa është e lehtë të gjurmosh vizualisht ngjashmëritë gjenealogjike fizike midis aktorëve, shfaqja e pasionit të Obëramergaut është gjithashtu historia e “familjes së zgjedhur” – e një grupi njerëzish që ndajnë dashurinë dhe mbështetjen e thellë për njëri-tjetrin, pavarësisht se nuk janë biologjikisht të lidhur. Siç shpjegon banori dhe interpretuesi lokal Otto Huber (i cili qesh dhe thotë: “Më thonë se jam 75 vjeç”, kur e pyesin moshën), është ai faktor që e ka shtyrë atë të marrë pjesë, vit pas viti – diçka që do të vazhdojë për aq kohë sa ka mundësi.
“Obëramergau është vend i mahnitshëm”, thotë ai. “Është fantastike të shikosh Obëramergaun me këtë shumëllojshmëri të evolucionit të artit, të muzikës dhe të teatrit. Është vërtet e mrekullueshme. Dhe, jemi mirënjohës që kemi mundur të jetojmë në këtë vend. Dhe, baza e çdo gjëje është ngrohtësia vëllazërore. Për fqinjët tanë kemi ndjesi shumë të mirë familjare. Paraardhësit e nënës sime erdhën në qytet qysh para vitit 1600. Dhe, ndonëse nuk i marrim marrë listat e roleve [që nga atëherë], jemi gjithmonë të përkushtuar ndaj shfaqjes”. /Telegrafi/