Migrimi ka qenë historikisht pjesë e zhvillimit njerëzor dhe në thelb është shprehja e dëshirës dhe vendosmërisë së individit për të dalë mbi vështirësitë, duke shpresuar dhe projektuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, migracioni shqiptar mund të konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë në botë.
Migrimi shqiptar identifikohet në disa periudha. Migrimet e para të njohura i përkasin shekullit të XV dhe janë ato të arbërve dhe arvanitasve. Ato lidhen me largimin e një numri të madh banorësh të trevave shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut.
Rezultat i këtyre valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë e jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është komuniteti arbëresh i vendosur në Italinë e jugut. Në Turqi mendohet se jetojnë disa milionë banorë me origjinë shqiptare, të cilët kanë migruar sistematikisht dhe kryesisht në kohën e perandorisë Osmane.
Migracioni ka prekur të gjitha hapësirat ku banojnë shqiptarët. Një numër i madh shqiptarësh me banim në rajonet e ish-Jugosllavisë u larguan nga vendbanimet e tyre pas Luftës së Dytë Botërore. Numri i tyre erdhi në rritje duke filluar nga vitet 80, si rezultat i shtimit të represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu, menjëherë pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ndodhi shpërngulja e madhe e shqiptarëve drejt Italisë, e më pas drejt pothuajse të gjitha vendeve të Evropës.
Në kontinentin evropian, Greqia, Italia, Zvicra, Gjermania, por edhe Belgjika e Mbretëria e Bashkuar konsiderohen vendet me përqendrimet më të mëdha të shqiptarëve sot. Përtej Atlantikut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja kanë pritur numrin më të madh të shqiptarëve. Aktualisht, shqiptarët janë të pranishëm në rreth 50 shtete në të gjitha kontinentet.
Si një dukuri shumëdimensionale, migracioni ka ndikime të ndryshme ekonomike dhe shoqërore si për vendet e destinacionit ashtu dhe ato të origjinës. Përveçse një rrugëdalje nga kushtet e vështira social-ekonomike, migracioni ka përfaqësuar edhe një mundësi në rritje për zhvillimin e ekonomisë për të gjitha zonat e origjinës. Remitancat kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies materiale, si ndihmë ekonomike e vlefshme jo vetëm për familjet e migrantëve, por edhe për stabilizimin social-ekonomik të vendit në tërësi. Gjithashtu, migracioni ka ndikuar në reduktimin e papunësisë dhe në aftësimin profesional e intelektual, nëpërmjet profesioneve dhe përvojës që ata fitojnë në vendet e destinacionit.
Por, siç ka treguar eksperienca botërore, migrimi shqiptar është shoqëruar edhe me rrjedhjen e trurit, ikjen e aftësive më të mira dhe talenteve të shkëlqyera, çka në kohë e rrethana të veçanta ka ndikuar në copëtim apo shpërbërje të familjes. Jo rrallë migrimi është shfrytëzuar edhe për qëllime të jashtëligjshme si kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore si rezultat i shfrytëzimit të flukseve migratore nga organizata kriminale dhe terroriste. Megjithatë, realiteti ka vërtetuar aftësinë e mrekullueshme të shqiptarëve për t’u integruar shpejt dhe suksesshëm në jetën e vendeve të destinacionit, duke ruajtur dhe zhvilluar vlerat dhe identitetin e tyre. Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, mbajtja dhe zhvillimi i lidhjeve sa më të ngushta të bashkëpunimit mes migracionit dhe vendit të origjinës marrin rëndësi të veçantë.
Arbëria
Ndër popujt evropianë, shqiptarët kanë një nga traditat më të vjetra e më të shënuara të migracionit. Valët e para të migracionit masiv shqiptar datojnë në shekullin XV, si pasojë e rrezikut e më pas pushtimit otoman. Pasardhësit e tyre në ditët tona janë pakicat etno-gjuhësore që jetojnë sot në Itali, Greqi dhe Kroaci, të njohura respektivisht me emrin arbëresh, arvanitas e arbanas, sipas shqiptimit të gjuhës së përdorur në vendet ku janë vendosur e jetojnë aktualisht. Emri dhe dialektet e gjuhës shqipe të folura prej tyre kanë prejardhje nga emërtimet “arbër” e “Arbëri”, terma me të cilat njihej popullsia e trojet e banuara nga shqiptarë në periudhën historike që përkon me migrimin.
Pasardhësit e bashkësive arbërore e sidomos arbëreshët e Italisë kanë një meritë të paçmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës, identitetit, traditës dhe vlerave të popullit shqiptar. Njëkohësisht ata kanë dhënë edhe një kontribut të vyer në zhvillimin shoqëror, lufëtrat për liri dhe shtetformimin e vendeve ku janë zhvendosur.
Diaspora arbëreshe
Komuniteti shqiptar në Itali përbëhet nga komuniteti “arbëresh” i cili i ka fillimet në vitet 1300 si edhe nga komuniteti i migracionit të ri, i vendosur atje që prej vitit 1990. Komuniteti arbëresh sot numëron rreth 100 mijë persona ndërsa komuniteti i ri mendohet se përbëhet nga rreth 500 mijë vetë.
Edhe pse migrimi i shqiptarëve në Itali ka ndodhur në faza të ndryshme duke filluar që në vitin 1396, duhet theksuar se vala e madhe e migrimit erdhi pas vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1468, për të shpëtuar nga persekutimet e pushtuesve turq.
Gjatë më shumë se 500 viteve në Itali, arbëreshët kanë treguar se dinë të ruajnë origjinën, historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre, përfshirë edhe traditat fetare të ritit ortodoks bizantin. Por, në të njëjtën kohë, ata kanë dhënë një kontribut të shquar në historinë, kulturën dhe jetën shoqërore italiane. Të shpërndarë në të gjithë Italinë jugore dhe ishujt, arbëreshët përbëjnë një nga pakicat etno-gjuhësore më të mëdha në Itali. Arbëreshët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në bashkimin e Italisë si edhe në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore italiane.
Gjuha e folur e arbëreshëve është arbërishtja, një varietet antik i dialektit toskë. Në disa zona ajo është një përzierje me infleksione të gegërishtes, mbetjeve të greqishtes së lashtë dhe dialekteve jugore të zhvilluara gjatë qëndrimit në Itali. Arbërishtja i përket grupit të pakicave të lashta të cilat nuk kanë pasur vijimësi territoriale me grupin e origjinës: është në fakt një ishull i vërtetë gjuhësor me tradita të lashta, që ka përcjellë dhe ruajtur gjatë shekujve, dhe më së shumti me gojë, trashëgiminë gjuhësore, kulturën dhe fenë.
Edhe pse nuk ka ndonjë strukturë zyrtare politike, kulturore dhe administrative që të përfaqësojë komunitetet arbëreshe, vitet e fundit, në rajone të veçanta të Italisë së jugut ku ekziston një prani domethënëse arbëreshe janë krijuar departamente të veçanta të pakicave gjuhësore si rrjedhojë e një koordinimi më të mirë institucional.
Që nga viti 1999, gjuha “arbëreshe” njihet plotësisht nga qeveria italiane si “gjuha e pakicës etnike dhe gjuhësore shqiptare”, sidomos në kuadër të pushtetit vendor dhe shkollave fillore. Disa shoqata janë angazhuar në mbrojtjen dhe përmirësimin e saj nëpërmjet stacioneve radiofonike private dhe revistave vendore. Statutet rajonale të Molizes, Bazilikatës, Kalabrisë dhe Siçilisë i referohen gjuhës dhe traditës greko-shqiptare, nëpërmjet studimit edhe në shkolla e universitete, por përpjekje edhe më të mëdha e të vazhdueshme nevojiten për të ruajtur trashëgiminë kulturore./ATSh/