Rumelia ishte emri që i dhanë osmanët Gadishullit Ballkanik në kuptimin “Vend i Romejve”, meqë bizantinët e quanin veten romej.
Në perëndim këtij emri i përgjigjej termi Romania që ishte në përdorim për këto vise para pushtimit osman.
Gjatë periudhave të ndryshme emri Rumelia ka përfshirë territore të ndryshme.
Në shekullin XV, tokat e pushtuara nga Perandoria Osmane në Gadishullin Ballkanik u përfshinë në një njësi të madhe administrative-ushtarake në emrin ejalet i Rumelisë, qendra e të cilit ishte Manastiri dhe qeverisej nga Bejlerbeu i Rumelisë (ndërsa tokat e Azisë së Vogël nga Bejlerbeu i Anadollit).
Nga fundi i shekullit XVI prej ejaletit të Rumelisë shkëputen Bosnja dhe Moreja, që formuan ejalete më vete.