A mund të ofrojë një përllogaritje e re, e bazuar në dy tregues që maten zakonisht, një rrugë të shkurtër për të kuptuar shëndetin tuaj afatgjatë?

 

Jeta është më shumë se një varg numrash, por sot jo gjithmonë duket kështu. Jetojmë në epokën e pajisjeve teknologjike që mbahen në trup, të monitorimit të shëndetit dhe të përpjekjeve obsesive për të përmirësuar çdo aspekt të jetës.

Me vetëm disa pajisje të vogla e të padukshme në pamje të parë, kushdo që ka dëshirë mund ta shndërrojë praktikisht veten në një tabelë të vetëdijshme të dhënash.

Advertisement

Mund të monitorojmë, orë pas ore, nivelin e oksigjenit në gjak, ritmin e frymëmarrjes, nivelin e glukozës, fazën REM të gjumit, temperaturën e lëkurës, ndryshueshmërinë e ritmit të zemrës, përbërjen trupore dhe shumë tregues të tjerë biologjikë. Mund të mbajmë shënim ushqimin, gjendjen shpirtërore, ciklin menstrual, madje edhe jashtëqitjet, nëse vërtet dëshirojme.

Ideja, natyrisht, është që, duke i pasur të gjitha këto të dhëna në dispozicion, ta përmirësojmë jetën deri në hollësi dhe ta zgjasim atë. Por si t’u japim kuptim gjithë këtyre shifrave?

Advertisement

Si mund të nxjerrim informacione të vlefshme për shëndetin pa kaluar orë të tëra duke bërë përllogaritje dhe duke sistemuar të dhëna? Sepse, përveç disa miliarderëve të mërzitur, vështirë se ka shumë prej nesh që mendojnë se do të shkëlqenin si një tabelë Excel që ecën.

Prandaj, një lajm i mirë vjen nga studiuesit e Universitetit Northwestern në SHBA. Në vitin 2025, ata gjetën një mënyrë për të kombinuar dy tregues shëndetësorë që maten shpesh, duke nxjerrë prej tyre informacion më të thelluar për formën fizike të përditshme dhe rreziqet afatgjata për shëndetin.

Raporti i ritmit ditor të zemrës ndaj numrit të hapave, i njohur me shkurtesën DHRPS, llogaritet thjesht: ritmin mesatar ditor të zemrës e pjesëtoni me numrin mesatar të hapave që bëni në ditë.

Po, të dy treguesit duhet t’i monitoroni vazhdimisht me një pajisje si Apple Watch ose Fitbit, kjo e fundit u përdor në studim, por matjet pajisja i bën për ju.

Më pas, një përllogaritje që zgjat dy sekonda ju jep informacion domethënës për shëndetin tuaj kardiovaskular.

“Zbuluam se vlera juaj e DHRPS-së ka, në fakt, një lidhje më të fortë me diabetin e tipit 2, pamjaftueshmërinë e zemrës, infarktin e miokardit dhe atakun në zemër”, thotë Flynn Chen, autori kryesor i studimit. “Dhe ky tregues është shumë më i mirë sesa vetëm ritmi i zemrës apo vetëm numri i hapave.”

Si ta përmirësoni rezultatin tuaj

Ja si funksionon. Supozojmë se këtë muaj ritmi mesatar i zemrës suaj është 80 rrahje në minutë dhe bëni mesatarisht 6.000 hapa në ditë. Kjo do të thotë se vlera juaj e DHRPS-së është 0,01333.

Tani, supozojmë se muajin e ardhshëm e rritni numrin e hapave dhe bëni mesatarisht 10.000 hapa në ditë. Në këtë rast, duke mbajtur të njëjtin ritëm mesatar të zemrës, DHRPS-ja juaj do të përmirësohej në 0,008. Te ky tregues, sa më e ulët të jetë vlera, aq më mirë.

Në studim, Chen dhe kolegët e tij monitoruan mbi 7.000 përdorues të Fitbit-it përgjatë pesë vjetëve. Së bashku, ata bënë më shumë se 50 miliardë hapa gjatë periudhës së studimit.

Studiuesit i ndanë pjesëmarrësit në tri grupe, sipas vlerës së DHRPS-së: të ulët, me 0,0081 ose më pak; të mesëm, me mbi 0,0081, por nën 0,0147; dhe të lartë, me 0,0147 ose më shumë.

Mënyra më e thjeshtë për ta përmirësuar, pra për ta ulur rezultatin tuaj, është të rritni numrin e hapave që bëni, thotë Chen.

“Nga shumë studime të konsoliduara e dimë se numri i hapave në ditë është një faktor i pavarur që lidhet me rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare dhe vdekshmëria”, shpjegon ai.

“Ajo që po zbulojmë gjithashtu përmes treguesit tonë është se ritmi i zemrës, i vënë në raport me numrin e hapave, mund të jetë një tregues i pavarur më i fortë i rrezikut kardiovaskular sesa vetëm numri i hapave.

“Kur e rritni numrin e hapave, jo vetëm që arrini objektivin prej 10.000 hapash në ditë, por njëkohësisht ulni edhe vlerën e treguesit tonë. Duke bërë vetëm një gjë, përmirësoni dy tregues.”

Chen thotë se, për të përftuar një vlerë domethënëse të DHRPS-së, ju duhen të paktën të dhënat e besueshme të një jave nga ora inteligjente ose pajisja juaj e monitorimit.

E ardhmja e raportit mes ritmit të zemrës dhe hapave

Që nga publikimi i studimit, njerëzit që monitorojnë rregullisht treguesit e tyre shëndetësorë kanë nisur ta përdorin këtë përllogaritje. Kjo mund të çojë në zbulime të tjera, ndërsa studiuesit mbledhin më shumë të dhëna.

“Një nga gjërat vërtet të rëndësishme është se treguesi ynë lidhet me VO₂ max te një nëngrup i vogël pacientësh”, thotë Chen.

Kjo ka rëndësi sepse VO₂ max, që mat sasinë maksimale të oksigjenit që trupi mund të përdorë gjatë aktivitetit fizik, mund të tregojë shumë për kapacitetin tuaj aerobik dhe shëndetin metabolik.

Problemi është se VO₂ max është i vështirë për t’u matur dhe zakonisht kërkon një test ushtrimor në shirit vrapimi, i cili nuk është gjerësisht i disponueshëm.

Nëse DHRPS-ja rezulton një tregues i mirë i tërthortë i VO₂ max, ajo mund të ofrojë një mënyrë tjetër për t’i bërë më të arritshme për të gjithë të dhënat domethënëse për shëndetin. Pa pasur nevojë për tabela Excel.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here