Në mars të vitit 1957, një grup fëmijësh në Korçë u përndoqën nga organet e Partisë. Arsyeja? Bojskautizmi… disa e ngatërronin me boksin ndërsa të tjerë e konsideronin veprimtari reaksionare, kjo ishte qasja e regjimit të Hoxhës për një aktivitet që pavarësisht faktit se mund të kryhej nga fëmijë, me të merrej Sigurimi i Shtetit.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 1984, bojskaut quhej çdo “anëtar i grupeve të fëmijëve e të të rinjve që krijohen në disa vende borgjeze gjoja për veprimtari sportive, për udhëtime zbuluese e hulumtuese në krahina të panjohura e pak të njohura etj., por që në të vërtetë kanë synime politike e ushtarake”.

Aplikuar si fillim në fund të shekullit XIX në Mbretërinë e Bashkuar, bojskautizmi pati si synim angazhimin e fëmijëve – nga 11-18 vjeç – në aktivitetet në natyrë si eksplorimi, kampingu apo dhe bjeshkataria. Miksimi i këtij aktiviteti me tipare ushtarake – si gradat dhe uniformat – bënë që ky organizim të shihej me sy kritik, por më vonë kur lëvizja u shtri edhe në Shtetet e Bashkuara, bojskautizmi u kthye në trend edukues për botën perëndimore – Neil Armstrong, njeriu i parë në Hënë, kur ishte fëmijë ishte bojskaut.

Pikërisht, më shumë për faktin se ishte një praktikë e përhapur në perëndim se sa për rrezikshmërinë që mund t’i sillte regjimit, strukturat e Partisë dhe agjentura e saj, në vitin 1957 u vunë në veprim duke përndjekur klasën II “B” të gjimnazit të Korçës.

Në shkresën përcjellë më 26 mars 1957 seksionit të Informacionit në Drejtorinë e Organeve te Partisë, Rinisë e Bashkimeve Profesionale tregohet se “grupi” përbëhej nga 15 rinj, mes të cilëve 4 ishin vajza. Ata thuhej se kishin lexuar 2 libra bojskautësh dhe kishin nisur të organizoheshin. Nga letra tregohet se zyrtarët e lartë të Partisë në Korçë nuk e cilësonin “çështje me rëndësi”, ndërsa njëri prej tyre e konsideronte aktivitetin e bojskautizmit si “shoqëri boksi”. Për këtë ata kritikohen. Për “zbërthimin” e çështjes tregohet se ishte njoftuar Sigurimi i Shtetit ndërsa të rinjve u ishte bërë lavazh truri duke iu “lexuar fjalimet e Enverit”.

Letra informuese mbyllet me raportimin se dy fëmijë të tjerë në Pojan, ishin përpjekur të arratiseshin dhe se për ta “ishin marrë masa”.

Për t’u theksuar është kërkesa dhe aprovimi me një mbishkrim që me këto çështje të merrej Ramadan Xhangolli, një emër i rëndësishëm për kohën. Në fakt ai rezulton të ketë qenë Sekretari i Përgjithshëm i Frontit Demokratik, deputet për 6-të legjislatura (1950-1975), dhe në ditët e sotme njihet për faktin se gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ishte një nga denoncuesit e Ramize Gjebresë që u pushkatua më 6 mars 1944 përpara 400 partizanëve.

Nuk ka të dhëna të sakta se kush ishin fëmijët që u përfshinë në këtë situatë dhe se çfarë ndodhi më vonë, por “Dosja 22” e Arkivit Qendror të PPSH-së mban vetëm një fletë.

Transkriptim i dokumentit (Fondi 14, Lista nr. 13, Dosja nr. 22, Data 26.3.1957)

INFORMACION

Nga takimi me Inspektorin e K.Q të B. të R.P.S. sh. N.S.

Në takimin që pata me sh. N.S, informoi si më poshtë:

1) Në gjymnazim e Korçës kl. e II-të B është krijuar një grup sipas librit të Boiskautizmit. Të rijtë kishin lexuar 2 libra të tilla dhe kishin filluar të vinin në jetë ç’ka kishin mësuar nga to.

Grupi përbëhej prej 15 të rinjve ndër ta 4 femra shumica janë antare të bashkimit të rinis. Kishin filluar edhe nga pranime të reja.

Ky grup ka organizuar 4-5 mbledhje jashtë qytetit dhe një mbledhje në shtëpinë e njëtë riu me qëndrim të keq politik. Klasa e II-të B ka qenë nër klasat e mira në shkollë, por në krye të këtij grupi qëndronte një nga nxënësit që shkonte më dobët. Në radhët e tyre kanë grumbulluar edhe lekë gjoja për të vatur në kinema por në formë kuote. Grupi ka vazhduar deri më 12/3/57 kohë në të cilën u zbulua e u shpërnda. Të rinjtë pjesmarës thonë se gjoja e kanë shpërndarë më pare vetë me inisjativën e tyre.

Këtë çështje e ka zbuluar shoqe … e cila ka thirur 3-4 të rinj e ka biseduar me ta. Tani komiteti partis po kujdeset për t’a çuar këtë gjë deri në fund. Sekretari i II-të i Rinis dhe shefi i agit-propit të komitetit të rinis Korçës me gjithse kanë patur dijeni më pare e kanë zvarritur këtë gjë duke e konsideruar si çështje pa rëndësi e si një shoqëri për boks. Po kështu drejtori i shkollës kur u vu në dijeni është munduar t’a zbuste çështjen me që e ndiente përgjegjësinë e tij. Organizata e Partisë dhe komiteti rinis në shkollë nuk dinin gjë deri sa u thane të tjerët.

U vunë në dijeni edhe shokët e sigurimit në qark për të ndihmuar në zbërthimin e plotë të kësaj çështjeje. Nga shokët u organizua leximi fjalimit të shokut Enver në pleniumin e fundit dhe do punohet më von në gjith shkollën. Pasi të zbërthehet më mirë çështja, inspektori i K.Q. të Rinis u ka propozuar shokëve të korçës që të përjashtohet nga rinija e nga shkolla përgjegjësi i këtij grupi si edhe 3-4 të rinj të tjerë.

2) Në Pojan 2 të rinj 14-15 vjeçar kanë tentuar t’arratisen dhe nga komiteti partis u muar masa. Mbi këto gjëra komiteti partis qarkut të Korçës nuk ka informuar deri tani K.Q të Partisë. Mendoj të porositet shoku Ramadan Xhangolli që t’a ndjeki vetë këtë çështje dhe t’informoje K.Q gjithashtu të marin masa për forcimin e punës së partis e të rinis në shkollë./shqip.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here