Sa vite do të donit të jetonit po të varej nga ju? Dhe pse? Përgjatë gjithë historisë, ka pasur njerëz që dëshironin të jetonin përgjithmonë. Por vdekja është e pashmangshme, apo jo?
Eliksiri i jetës i provuar nga Qin Shi Huang, perandori i parë i Kinës
Dinastia Qin (vitet 221-206 Para Erës Sonë) ishte dinastia e parë perandorake e Kinës, që i parapriu më shumë se 2000 viteve të feudalizmit kinez. Sistemi perandorak i vendosur në dinastinë Qin u trashëgua nga të gjithë dinastitë dhe perandorët deri në vitin 1912.
Qin Shi Huang ishte perandori i parë i Kinës. Gjatë 35 viteve të mbretërimit të tij, ndodhën shumë ndryshime rrënjësore, të cilat sollën si zhvillim po ashtu edhe shtypje. Si perandor, ai donte të jetonte dhe të sundonte përgjithmonë. Për këtë arsye ndërmori disa kërkime në të gjithë Kinën në kërkim të eliksireve nga qeniet qiellore, që mund ta ndihmonin atë të arrinte pavdekësinë.
Në udhëtimet e tij mbarëkombëtare, ai mbërrinte shpesh në vijën bregdetare të Kinës, pasi në atë kohë besohej se qeniet qiellore priren të shfaqen pranë bregdeteve. Në udhëtimin e katërt në funksion të këtij synimi, si për ironi ai vdiq gjatë rrugës së kthimit nga një sëmundje e shkaktuar nga eliksirët kur ishte vetëm 50 vjeç.
Përveç kërkimeve vetjake, ai urdhëroi alkimistët e tij të eksperimentonin dhe të gjenin eliksirin e jetës. Alkimistët përzien elementë të ndryshëm me njëri-tjetrin, duke shpresuar të krijonin një eliksir të tillë për perandorin.
Midis këtyre elementeve, ishte merkuri. Por “eliksirët” përmbanin aq shumë merkur saqë me konsumin e rregullt të tij, mërkuri e helmoi gradualisht Perandorin deri sa i shkaktoi vdekjen e parakohshme. Në mënyrë paradoksale, ai mund të kishte jetuar më gjatë, po të mos kishte përdorur eliksirët e jetës.
Vetë-mumifikimi përmes meditimit dhe dietës speciale, provuar nga një grup murgjish budistë në Japoni
Shingon është një sekt i Budizmit i sjellë në Japoni nga Kina e dinastinë Tang, nga një murg Japonez i quajtur Kukai. Sekti Shingon lulëzoi nën udhëheqjen e tij, dhe Kukai ndërroi jetë në 835 Pas Krishtit. Por legjenda thotë se ai nuk vdiq, por hyri në një ekstazë të përjetshme medituese.
Gjatë viteve të fundit, ai ndaloi së ngrëni dhe filloi të hynte në periudha të gjata meditimi deri natën kur ndërroi jetë. Trupi i tij nuk u dogj por u varros në malin Koja sipas vullnetit të shprehur nga vetë i ndjeri. Sipas legjendës, pasuesit e hapën varrin e tij më vonë dhe e gjetën trupin e tij në gjendje të fjetur pa ndonjë shenjë dekompozimi.
Një grup murgjish të Budizmit Shingon, që e besuan një legjendë të tillë, janë përpjekur në kohë të ndryshme nga shekulli XI deri në shekullin XIX të përsërisnin të njëjtin proces të vetë-mumifikimit për të hyrë në përjetësi, duke e ruajtur trupin e tyre fizik.
Kjo praktikë e vetë-mumifikimit quhet Sokushinbutsu, e cila përfshin një meditim të vazhdueshëm, një dietë vetëm me lëvore pemësh, një çaj të veçantë helmues që e ndihmon mumifikimin dhe pa e konsumuar lëngun deri në fund. Rituali ishte gradual dhe zgjaste 3.000 ditë.
Kur murgjit arritën në fazën e fundit, ata do të varroseshin të gjallë në pozicionin e “lotusit” të meditimit me një tub për të marrë ajër në varr. Ata do t’i binin ziles për të sinjalizuar se ishin ende gjallë dhe po meditonin.
Kur të binte zilja, varri do të hapej pas 1.000 ditësh për të kontrolluar dekompozimin. Nëse trupi fillonte të dekompozohej, procesi konsiderohej i dështuar dhe përjetësia e paarritur.
Besimtarët e Sokushinbutsu e konsideronin atë si një mënyrë për ndriçim të mëtejshëm në pavdekësi. Sidoqoftë, në vitin 1879, Perandori i 122-të i Japonisë Meiji e ndaloi vetë-mumifikimin Sokushinbutsu si praktikë të paligjshme të vetëvrasjes fetare.
Injeksioni i ekstrakteve të testikujve të kafshëve, i provuar nga neurofiziologu Braun-Sekua
Sharl-Eduard Braund-Sekua ishte një neurofiziolog francez që jetoi në vitet 1817-1894. Ai studioi për mjekësi në Universitetin e Parisit, dhe punoi si mjek në Londër dhe Nju Jork.
Po ashtu ai dha mësim në Universitetin e Harvardit si profesor i fiziologjisë dhe neuropatologjisë.
Më vonë u emërua si profesor i mjekësisë eksperimentale në Kolegji Francez, ku dha mësim deri sa vdiq. Ai ishte ndër të parët që kreu studime të rëndësishme mbi palcën kurrizore.
Braun-Sekua zbuloi gjendjen shëndetësore e cila tani njihet me emrin e tij si sindroma “Brown-Séquard”. Kjo ishte një gjendje paralize në njërën anë të trupit, dhe humbje e ndjeshmërisë me dhimbje dhe temperaturë në anën tjetër.
Mjeku francez zbuloi se fijet ndijore kryqëzohen në palcën kurrizore, dhe se gjendje të tilla mund të shkaktohen nga dëmtimi i palcës kurrizore. Gjithashtu, ai ishte ndër të parët që propozoi ekzistencën e substancave në qarkullimin tonë të gjakut që tani njihen si hormone, duke thënë se substanca të tilla mund të ndikojnë në funksionet e organeve tona.
Ai provoi se gjëndra veshkore ishte thelbësore për jetën, duke demonstruar se heqja e saj mund të shkaktojë vdekjen për shkak të hormoneve thelbësore që prodhon gjëndra mbiveshkore. Kur ishte 72 vjeç, Braun-Sekua pretendoi se zbuloi një mënyrë për të rritur vitalitetin, rinimin dhe zgjatjen e jetës, duke injektuar në këmbën e njerëzve lëngun e testikujve të kafshëve të tilla si qentë dhe derrat.
Madje disa njerëz e provuan metodën dhe pretenduan se ajo funksionoi. Sidoqoftë, komuniteti mjekësor ishte skeptik. Ai kreu eksperimente me një placebo, dhe nuk vërejti asnjë efekt konkret. Shkencëtarët e quajtën metodën në mënyrë sarkastike eliksiri Braun -Sekua.
Përshtatur nga TIRANA TODAY