Kryeqendra ilire, vendi ku u zunë rob lufte gruaja dhe djali i Mbretit Gent, si dhe suita mbretërore e që të gjithë së bashku u syrgjynosën në Umbria të Italisë

Gazmend Çitaku

E shtunë, më 22 shtator 2018. Edhe pse vjeshtë, dita fillon me diell dhe nuk ka dallim nga ditët tjera të verës. Grupi hulumtues ILIRËT nga Ulqini, nuk kishin marrë rrugë që nga muaji maj dhe ishte bërë një kohë e gjatë pa lëvizur nga qyteti. Por sot në mëngjes grupi filloi të tubohet ke nënë Naxhija, e cila na priti me petulla, mjaltë dhe djathë. Po kush mundet të refuzojë një mëngjes të tillë? Askush. Një nga një vijnë, Gëzimi, Indriti…, Samiu si nikoqir u shërben shokëve. Kësaj radhe si mysafir i grupit iu bashkua edhe arkitekti ulqinak Muho Uruçi, kurse edhe pse nuk e ka zakon, i fundit erdhi Gazi, i cili edhe pse e shtunë duhej mbaruar disa obligime. Pasi u hëngrën petullat, u pinë kafetë, tashmë çdo gjë ishte gati për aventurën e radhës. Sipas planit që Gazi e bën për udhëtime të tilla, ishin parashikuar që të pushtoheshin dy kështjella ilire, mirëpo pasi që po niseshin pak më vonë seç ishte parashikuar njëzëri, u vendos që sot të pushtojnë vetëm kryeqendrën e fisit ilir të Labeatëve. Pra, METEON-in apo siç quhet sot Medun-in.

Po, çka përfaqëson ky vend? Meteoni ilir apo siç quhet sot Meduni (Mali i Zi), është kryeqendra e fisit ilir Labeat dhe në këtë vend bien rob lufte mbreti Gent me familjen dhe bashkëluftëtarët më të ngushtë. Gjithashtu, ky vend nga koha e re njëherësh njihet edhe si vendlindja e Mark Milanit, Vojvodës kontravers malazez, i cili i përkiste fisit Kuçtë që janë me prejardhje shqiptare e që ai edhe vetë e pranon që gjuhë të nënës e ka gjuhën shqipe. Edhe pse ka zhvilluar shumë beteja kundër turqëve-osmanllli, e gjithashtu edhe kundër shqiptarëve, ai në fund të jetës së vet lë në dorëshkrim një libër me shumë vlerë për ne, e ai është libri “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” apo në origjinal (Život i običaji arbanasa) i cili botohet në vitin 1907. Me këto informata bazë, grupi niset në aventurën e radhës. Samiu edhe pse përbri ka udhërrëfyesin e shkëlqyer Gazin, ai prapë se prapë e ndez GPRS-in që të jetë edhe më i sigurt.

Afër Medunit, pranë Liqenit Bukëmirë

Rrugës duke bërë hoka e duke treguar ndodhi të ndryshme ashtu si pa dashje, para nesh paraqitet Podgorica. Dëgjo Sami – thashë unë, aparati yt edhe pak do të të thotë që të kthesh në të djathtë por t’i mos e dëgjo, vetëm drejt vazhdo rrugën. Dhe nuk vonoi shumë shfaqet lajmërimi i parë për kthim në të djathtë, pastaj i dyti, i treti e i katërti, por ne vazhduam drejt sipas instruksioneve të mia. Grupi filloi të qeshet, derisa makina gjarpëronte rrugicave të ngushta të periferisë së Podgoricës. Samiu thotë se jemi afër dhe aparati tregon edhe 11 km deri në cak. Ja tabela e parë, ku paralajmëron Medunin. Por, duke na bërë edhe më krenarë, edhe tabela që lajmëron Liqenin Bukëmirë e që në gjuhën sllave thuhej Bukumirsko jezero, andaj Samiu konkludon se ka diçka që ka mbet pa u sllavizuar. Tabelat të gjitha janë të shkruara me alfabetin cirilik. Fillojmë ngadalë të ngjitemi. Të gjithë jemi të tensionuar. Veçanërisht unë, sepse në kokë më silleshin disa teori e hipoteza si ajo se ndoshta mu nën muret e kësaj kështjelle ishte zhvilluar beteja vendimtare e Luftës së Tretë Iliro-Romake. E që shumë shpejt do ta mësoja të vërtetën.

T’ju tregoj një kuriozitet thotë Samiu: Mbrëmë lexoja diçka rreth Mark Milanit dhe në një vend tregohej si anekdotë se kur ai kishte ardhur në Ulqin, kishte ndenjur, jo vetëm nëpër familjet malazeze, por edhe në ato shqiptare si p.sh., në shtëpinë e Ali Kasmit, Cufë Mavriqit, por edhe te të tjerët dhe ai komunikonte me ta në gjuhën shqipe. Këta e pyesin se si e din gjuhën shqipe kaq mirë, Mark Milani u përgjigjet duke u thënë se në fisin e tij flitet Nashke dhe Arbanashke, andaj të dy gjuhët janë të miat dhe se fisi nga ku vij unë dhe fiset e veriut të Shqipërisë nuk ka vijë ndarëse mes tyre. Kështu që kur unë shkoj te ta Ata flasin nashke e unë arbanashke. kurse kur ata vijnë ke unë, u flas nashke e ata mua arbanashke.

Kështjella,  ku u ndeshën 15.000 ilirë me  42.000 romakë

Pa e mbaruar mirë thënien, shfaqet në distancë kështjella dhe tabelat e vendndodhjes. Ndalojmë para tabelave që të bëjmë fotografitë. Mua më mahnit kështjella e vendosur majë një kodre. Duke e vështruar, vij në përfundim se është krejtësisht e ngjashme me atë që shihja, kur isha i vogël në filmat e vizatuar të Disneyt në shpicën e fillimit të filmit. Vazhdojmë rrugën me qëllim që të kalojmë edhe metrat e fundit. Pakohemi dhe të gjithë dalim të armatosur me aparate fotografike, telefona inteligjentë e me gjithçka. Vendosim që së pari të ngjitemi lart në kështjellë e pastaj kur të kthehemi të ndalemi në Muzeun e Mark Milanit.

Ngjitja në kështjellën labeate ishte me zigzage e serpentinë mjaft të madhe, por që ne me lehtësi i dolëm në majë. Vendi ishte përrallor. Në majë të kodrës ishte kisha dhe dy varre. Afrohemi dhe lexojmë; njëri varr i Mark Milanit e tjetri i bashkëshortës së tij Stefanisë, në të djathtë kambana e madhe. Samiu si gjithmonë entuziazmin e vet dëshiron ta ndajë me të gjithë shokët dhe miqtë e vet. Ndez telefonin dhe përmes rrjeteve sociale, drejtpërdrejt fillon shpjegimin e vendit ku ndodhemi dhe rëndësinë e tij. Sikurse në filmat hollivudianë xhirimi fillon me kambanë dhe thirrjen e Samiut shokëve e miqve që të dëgjojnë çka ka t’u thotë. Ai jep informatat bazë për vendin dhe fillon bisedën për Mark Milanin, për këtë njeri, i cili sa i keq aq edhe i mirë për shqiptarët. Interesimi për të dëgjuar këto gjëra me tiktakun e orës vinte duke u rritur pa ndalë. Që në minutin e parë, 50 veta duke na përcjellë. Samiu më fton mua që tashmë unë të flas për antikitetin dhe rëndësinë e kryeqendrës Labeate. Unë bëj një evokim të shkurtër historik prej vitit 170 p.e.re dhe flas për kushtet në të cilat gjendej Mbretëria ilire Adriane të cilën e udhëhiqte mbreti Gent. Gabimin, të cilin e bën që luftën ta zhvillojë jashtë mureve të kështjellës përballë ushtrisë romake e cila ishte e armatosur shumë mirë, me një disiplinë të jashtëzakonshme, e që para mureve të kështjellës së Gentit kishin mbërritur 42,000 trupa; e ky vendosi që me 15,000 ilirë të patrembur t’u bëjë ballë! Gabim i madh, jo vetëm që humb betejën, por bie rob ai vetë me bashkëshorten Teuta dhe komplet suitën mbretërore, të cilët syrgjynosen në Umbria të Italisë, ku edhe vdesin e që edhe sot e kësaj dite atje gjendet varri i Mbretit Gent. Kjo humbje, njëherësh shënon e fundin e Luftës së Tretë Iliro-Romake dhe përfundimisht shteti i pavarur ilir thyhet dhe bie nën zgjedhën e Perandorisë Romake. Përfundoj unë me gjithë që ka shumë çka të thuhet ende dhe vazhdon Samiu të tregojë pjesë nga libri i Mark Milanit “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” si dhe reciton edhe Fishtën.

Të mbledhur për një fotografi të përbashkët para varrit të Mark Milanit, Samiu propozon që sipas një zakoni të vjetër malësor të cilët kur mblidheshin në Logun e Burrave dhe i jepnin nderim dikujt apo u dakordonin për diçka vendosnin nga një gurë mbi tjetrin asisoji edhe ne vepruam dhe mendojmë se prezenca jonë në atë vend bëri që shpirti i Mark Milanit të qeshet dhe të kënaqët duke dëgjuar gjuhën e ëmbël shqipe – gjuhën e nënës së vet.

Muzeu i Mark Milanit, trashëgimia shqiptare

Zbresim ngadalë dhe nisemi te Muzeu aty pranë. Dera ishte e hapur dhe aty brenda një punëtor i muzeut i uniformuar. Me mirësjellje na pret dhe na shoqëron në kthinat ku ishin të vendosura artefaktet e ndryshme. Për habinë tonë, muzeu ishte shumë i pasur. Me gjëra origjinale të kohës së Mark Milanit si dhe me gjëra personale të tija. Duke dëshmuar edhe bashkëjetesën me shqiptarët, të ekspozuara ishin edhe veshja e burrave shqiptarë, pastaj veshja e gruas malësore me të gjitha dekorimet e veta. Xhamadani shestanas, plisi… Origjinali i dorëshkrimit të librit Jeta dhe doket e shqiptarëve e shumë shumë gjëra tjera, të cilat ishin të vendosura në këtë muze e që para njëqind vitesh kishte qenë ndërtesë e gjyqit osman dhe ishte shumë mirë i ndërtuar dhe restauruar. Punëtori i muzeut ishte mirë i përgatitur nuk fshihte të dhënat për ambientin dhe antikitetin ilir të vendit.

Në fund para se të largohemi, për qershi në krye të ëmbëlsirës, kishim lënë murin ciklopik ilir, i cili ndodhej mu në fillim të murit rrethues të oborrit të muzeut e që vërtetonte se ky vend në pikën e vet të lulëzimit kishte qenë shumë më i madh se sa në formën dhe madhësinë që ndodhej sot. Gurët ciklopikë të vendosur me teknikën e mjeshtrëve ilirë dëshmonin një epokë dhe një arkitekturë origjinale autoktone. Gurët e vendosur na kujtonin murin ciklopik në Ulqin, Risan, Shkodër… gjithashtu kunfuguracioni i terrenit i mbrojtur nga tri anë me humnera e gremina natyrore ishin pothuaj se një arkitekt kishte zgjedh vendin dhe mënyrën e ndërtimit.

U fotografuam pranë murit dhe në dy monolite guri gjigantë u ulëm dhe filluam të diskutojmë se në fushën poshtë kështjellës a do të ishte e mundur që të përballeshin dy ushtri me afro 60.000 ushtarë? Dikush përkrahte mendimin, dikush kërkonte informata shtesë. Dikush pyeste pse u zu rob Genti me familjen dhe suitën mbretërore mu këtu në Meteon, e jo në Shkodër. E kjo pyetje na sillte në fillim të diskutimit se a u zhvillua Lufta e Tretë Iliro-Romake këtu në këtë fushë poshtë themeleve ciklopike të kështjellës së Meteonit? A u gjet këtu thesari marramendës i Mbretit Gent prej 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13.000 denarë dhe 120.000 monedha ilire argjendi e që i përmend Tit Livi? A do të ketë vallë ende thesare të fshehura? A do t’i ketë ardhur në ndihmë Mbreti Dardan- Monuni II dhëndrit të vet Mbretit Gent?  Por vlen të përmendet se lufta përveç asaj në tokë ishte zhvilluar edhe në det. Liburnët kanë qenë të njohur për anije ndërtimtari dhe Lembet e tyre përveç rreshtave të rremtarëve, secila kishte edhe 50 ushtarë e që Mbreti Gent në atë kohë kishte mbi 200 lembe. Çka ndodhi me ato, shtrohet me të drejtë pyetja? Me këto dilema e pyetje u nisëm në drejtim të makinës së parkuar dhe nuk dëshironim të pranonim se përgjigja ishte në krenarinë dhe kokëfortësinë e Mbretit Gent, i cili solli veten, familjen dhe suitën mbretërore të gjenden të syrgjynosur në Umbria të Italisë, ku edhe vdesin por njëherësh edhe të jenë shkaktarë të nënshtrimit të plotë të Ilirisë, përballë zgjedhës robëruese të Perandorisë Romake.

Rrugës për në shtëpi, ia besuam aparatit navigues, i cili na zbulonte shtigje të reja nëpër labirintin e rrugëve të fushës së Gentës antike, e që ashtu të ndrydhur nën përshtypjet e forta të përjetuara nga kështjella labeate, dolëm në magjistralen e Adriatikut dhe u nisëm për në vendlindjen tonë, në qytetin e ujkut të detit, në qytetin me histori të shumta e të pazbuluara, Ulqinin e Teutës, Ulqinin e Balshës, Ulqinin e Likacenit… Ulqinin e Samiut, Gazit, Gëzimit e Indritit.

Ulqin, 23.10.2018

Fotografitë: Gëzim Mavriqi dhe Sami Flamuri

ke.mu./a.de.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here