Pavarësisht se Shqipëria u njoh shtet i pavarur me vendimin e fuqive të mëdha të datës 29 korrik 1913, kufiri zyrtar i saj u mbyll në vitet 1925-1926.

Vonesa e caktimit të kufijve lidhet pikësëpari me Luftën e Parë Botërore dhe çështje të veçanta si paqartësitë për Vermoshin apo manastirin e Shën Naumit. Në situatën e sotme, kur diskutohet çështja e kufirit detar me Greqinë, shihen se bëhen paralelizma të pavenda midis dy rasteve. Krijohet një përshtypje sikur Shqipëria ishte një shtet me kufij dhe Shën Naumi e fali për një tekë. Sigurimi i kufijve të Shqipërisë ishte ndër punët më pozitive të diplomacisë shqiptare të viteve 1925-1926, e cila në kushte shumë të padobishme, mori prej fuqive të mëdha maksimumin e kërkesave të saj.

  • Për Shën Naumin mund të thuhet:

-Është objekt krishterimi sllav i ndërtuar nga Naumi në vitin 905, i cili vdiq dhe u varros këtu pas 5 vjetësh.

-U pushtua nga armata e parë e ushtrisë serbe më 25 tetor 1912 dhe u posedua vazhdimisht nga Serbia apo Jugosllavia deri në vitin 1941 (përjashto një periudhë të Luftës së Parë Botërore kur u pushtua nga Bullgaria).

-Në vitet 1941-1944 u zotërua nga qeveritë shqiptare të periudhës së fashizmit dhe kohës së pranisë së ushtrisë gjermane. E vetmja qeveri shqiptare që e posedoi manastirin dhe që e dorëzoi te Jugosllavia, ishte ajo e Enver Hoxhës në dhjetor 1944.

Pala shqiptare hyri në bisedime duke trajtuar bashkarisht si Vermoshin ashtu edhe Shën Naumit, në kundërshtim me kërkesën jugosllave. Shqipëria e dobët vetëm mund të bisedonte e të bënte çfarë kishte mundësi. Kjo u bë e mundur pasi njëra nga fuqitë, Franca, sugjeroi që palët të bisedonin së pari për mosmarrëveshjet, e pastaj fuqitë të vendosnin për caktimin përfundimtar të kufijve. Shqipëria caktoi si delegat një prej personaliteteve më të shquara të saj, Mehdi Frashërin.

Në informacionin e datës 25.5.1925 drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Mehdi Frashëri, përcakton se pikat kryesore të bisedimeve ishin katër:

Lundrimi mbi Bunë, tregtia e shtetasve shqiptarë në Gjakovë, Vermoshi, Shën Naumi.

Propozimi i parë shqiptar kishte qenë jo vetëm marrja e Shën Naumit, por edhe zonës ekonomike përqark tij, por ky propozim nuk ishte pranuar nga fuqitë e mëdha. Shqipërisë i lihej vetëm Shën Naumi, pa asnjë territor tjetër.

Pasi Jugosllavia deklaroi se nuk do ta lironte kurrë manastirin, fuqitë këshilluan dy qevertë të hynin në rrugën e “bisedimeve miqësore”, para se ato të vendosnin. Fillimisht u bisedua në Tiranë, por nuk u arrit në asnjë përfundim. Jugosllavët propozuan shkëmbim territorial sipas së cilit duke lënë Shën Naumin, Shqipëria merrte fshatin Peshkëpi e siguronte rrugën kombëtare Pogradec-Korçë, por Mehdi Frashëri deklaroi se do ia paraqiste qeverisë shqiptare një tezë të tillë.

Kjo ishte katërfishi i sipërfaqes së Shën Naumit. Frashëri theksonte se çështja e manastirit ishte morale për qeverinë pasi çështja ekonomike e strategjike ishin humbur tashmë. Kundrejt këtij propozimi, qeveria jugosllave hoqi dorë edhe nga Vermoshi. Propozimet u miratuan nga Asambleja Kushtetuese më 18 korrik 1925.

Protokolli përfundimtar i kufirit midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene u nënshkrua më 26.7.1926 në Firence nga komisioni ndërkombëtar i kufijve: gjeneral Pietro Gazera (kryetar), nënkoloneli britanik A.B.Clough, koloneli francez J.A.Ordini. Marrëveshjes iu lidhën 10 anekse që kishin të bënin me të dhënat për ndërtimin e shenjave kufitare, përshkrimi i shenjave kufitare, përshkrim i përgjithshëm i kufirit,përshkrimi i shenjave kufitare, harta e kufirit, protokolli mbi lundrimin në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, protokolli për lehtësimin e komunikimit të popullsisë së krahinave të Gucisë e Podgoricës me krahinat e Vermoshit e liqenit të Hotit, protokolli për lehtësimin e pelegrinazhit të popullsisë shqiptare në manastirin e Shën Naumit dhe deklarata të përfaqësuesve të dy qeverive, përkatësisht Iljaz Vrioni dhe gjeneral M.Jovanoviç.

  • Kufiri shqiptaro-grek

Protokolli përfundimtar i kufirit shqiptaro-grek u nënshkrua më 27.1.1925 në Firence nga komisioni ndërkombëtari kufijve: gjeneral Pietro Gazera (kryetar), nënkoloneli britanik F.Giles, koloneli francez J.A.Ordini. Bazë për këtë protokoll ishin caktimi i vijës kufitare në marrëveshjen e Londrës në vitin 1913; vendimi i qeverive britanike, italiane, franceze e japoneze i 9 nëntorit 1921; vendimet e konferencës së ambasadorëve në datat 1 shkurt dhe 10 nëntor 1922; vendimi i konferencës së ambasadorëve më 27 korrik 1923.

Marrëveshjes iu lidhën 5 anekse që kishin të bënin me të dhënat për ndërtimin e shenjave kufitare, përshkrimi i shenjave kufitare, përshkrim i përgjithshëm i kufirit, 7 fletë të hartës së kufirit dhe deklarata të përfaqësuesve të dy qeverive.

Të nënshkruarit e qeverive përkatëse, d.m.th. të asaj shqiptar përfaqësuar nga Mehdi Frashëri dhe asaj greke nga nënkolonel Avramides nënshkruan deklaratat e aneksit 5.

Delegati shqiptar u shpreh dakord me protokollin përfundimtar. Ndërsa për përfaqësuesin tjetër gjenden këto fjalë:

“Delegati grek deklaratën mbi një çështje të tillë e konsideron si të panevojshme, meqenëse qeveria greke në kohën oportune ia ka bërë të njohur vërejtjet e saj konferencës së ambasadorëve dhe pastaj iu nënshtrua vendimeve të konferencës”.

Deklarimi i përfaqësuesit grek ishte në vazhdim të qëndrimit të qeverisë greke e cila nuk e kishte njohur kufirin me Shqipërinë. Greqia ishte detyruar nga fuqitë të ishte pjesë e nënshkrimit të aneksit të protokollit.

Bashkëlidhur, një nga hartat e komisionit ndërkombëtar të kufijve

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here