Nga Kreshnik Kuçaj

Për herë të parë, në Shqipëri “Guardia di Finanza” ka operuar gjatë Luftës së Parë Botërore, ku forcat ushtarake italiane ishin prezentë në Vlorë, e ndër të tjera administronin edhe të ardhurat doganore.

Praktika e administrimit të të ardhurave doganore dhe luftimi i kontrabandës në pikat kufitare të vendit u ndoq edhe nga ushtritë austriake e franceze, në territoret që ato administronin. Për këtë qëllim, ato kishin struktura të posaçme që i ishin bashkangjitur forcave ushtarake e në rastin e Italisë do të ishte “Guardia di Finanza”.

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore dhe pas Kongresit të Lushnjes në vitin 1920, krahas institucioneve do të organizohej edhe administrata e financave shqiptare. Deri në vitin 1929, në mbarë vendin në shërbimin doganor, për mbledhjen e të ardhurave dhe për luftën kundër kontrabandës do të përdorej një trupë rojesh civile këmbësore dhe kalorëse.

Traktatet e bashkëpunimit me Italisë që u nënshkruan në ato vite parashikonin ndër të tjera edhe asistencën në formimin dhe trajnimin e një forcë të posaçme, me formim financiar, për administrimin e pikave kufitare.

Me 25 nëntor të vitit 1929 do të miratohej një ligj i posaçëm që krijoi “Rojen Mbretnore të Kufinit”, një strukturë që do të merrte në dorëzim shërbimin e rojës doganore. Procesi i zëvëndësimit të rojeve civile me rojet mbretërore do të zgjaste 5 vite.

Roli i “Guardia di Finanza”

Misioni ndërkombëtar i zhvilluar nga ushtarakët e “Guardia di Finanza” në Shqipëri inkuadrohej në programin e ndihmës që përcaktohej në traktatin italo-shqiptar të miqësisë.

Referuar arkivit historik të “Guardia di Finanza”, një grup oficerësh, në komandën e nënkolonelit Domenico Silvestri u transferua përtej Adriatikut me misionin direkt të Kolonelit Alberto Pariani (atashe ushtarak në Tiranë e më vonë Shefi i Shtabit të Ushtrisë), për të organizuar “Rojen e Kufinit”; rojën mbretërore të kufirit të ushtrisë së vogël shqiptare.

Programi parashikonte ngritjen e një qendre stërvitore në Korçë dhe edukimin e oficerëve shqiptarë në shkollën e “Guardia di Finanza” në Romë.

“Regia Accademia e Scuola di Applicazione della Regia Guardia di Finanza” ishte instituti kryesor i formimit ushtarak në Itali ku studiohej edhe në fushën juridike, ekonomike e financiare.

Por në fakt, ky program u ndikua shumë nga tensionimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në mesin e viteve ’30.

“Roja Mbretnore e Kufinit” kishte funksione jo vetëm ruajtjen e kufirit por edhe ofrimin e shërbimeve financiare, me fokus luftën kundër kontrabandës. Ajo varej nga Ministria e Financave sa i përkiste pjesës së detyrave si organ kontrolli doganor dhe nga komanda e mbrojtjes kombëtare sa i përket organizimit, administratës e disiplinës ushtarake.

Studiuesi Haxhi Shkoza ka publikuar në vitin 1935 disa prej neneve të ligjit të 25 nëntorit të vitit 1929:

“Roja mbretnore e kufinit krijohet:

-për me ndaluem, me shtypun dhe paditë kontrabandën dhe kundravajtjet e mosbindjet në ligjet dhe në rregulloret e Financës

-për me ndihmuem mbrojtjen e rregullit dhe të qetsis publike dhe në rast lufte, ndër operacjone fushore

Roja mbretnore e kufinit përbëhet:

-prej një komande grupi batalionesh të komandueme nga nji kolonel ose nënkolonel

-prej nji qendre msimi e kryesueme nga nji major ose kapiten i klasit të parëprej katër bataljonesh të komanduem nga majora ose kapitena të klasit të parë.

Bataljonet ndahen ndër kompani, toga e sekcjone të komandueme përkatsisht nga kapitena, nga oficera epror, nga kaptera dhe reshtera dhe jashtëzakonisht nga tetar” shkruan Shkoza te “Financat e Shqipnis”

Referuar të dhënave të mesit të viteve ’30 rezulton se në përbërje të rojes së kufirit ishin 1100 roje, 100 tetarë, 30 kaptera, 12 kapitenë të klasit të parë e të dytë, 5 majorë e 1 kapiten etj.

Pushtimi italian dhe krijimi i “Guardia di Finanza Albania”

Pas pushtimit italian të vendit me 7 prill 1939, aktii bashkimit të Shqipërisë me Italinë do të sillte edhe shkrirjen e strukturës shqiptare të kufirit që u bë pjesë e “Guardia di Finanza”. Pak ditë pas pushtimit të vendit, me 30 prill 1939 u krijua komanda e “Guardia di Finanza Albania”, si filial i kësaj strukture në Itali.

Detyrat që iu besuan kësaj strukture ishin shërbimet fiskale, roli i policisë ushtarake dhe e ruajtjes ushtarake të kufirit.

Me 6 janar të vitit 1940, në bazë të dekretit të mëkëmbësit të mbretit në Shqipëri, “Guardia di Finanza” e Shqipërisë varej direkt nga komanda superiore e trupave ushtarake që ishin në Shqipëri, përsa i përkiste çështjeve të disiplinës, organizimit dhe angazhimit ushtarak dhe nga komanda e përgjithshme e “Guardia di Finanza” në Romë sa i përkiste çështjeve teknike e administrative.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here