Mali i Kallabakut në Kukës është pjesë e Parkut Natyror “Korab-Koritnik”.
Është shkëmbor dhe 2174 m i lartë, ndërsa nën këmbët e tij, “nusërojnë” pllajat me lule, ujra dhe gjelbërim. Në majën e Kallabakut takohen kufijtë e tri shteteve, dy prej tyre shqiptare Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa tjetri po me shqiptarë, Maqedonia.
Të ngjitesh në Kallabak, është relativisht e lehtë, përjashtim bën pjesa lindore e tij, nga ku për të kapur majën është paksa e vështirë.
Në periudhën e dimrit, mali nuk e heq gëzofin e dëborës, teksa muaji më i preferuar për t’u ngjitur në shpatet e tij, mbetet muaji Qershor.
Në majën e Kallabakut, syri i vëmendshëm ka rrokur peizazhin mahnitës, i cili nuk është gjë tjetër veçse një vallëzim i Alpeve, Sharrit dhe Korabit, rit ky i moçëm sa vetë Toka.
Pamja që ofron maja e Kallabakut është spektakolare dhe kohët e fundit është kthyer në një destinacion turistik dhe po tërheq shumë turistë, veçanërisht ata të apasionuarit pas alpinizmit.
Udhëtimi për në malin e Kallabakut nis nga Liqeni i Novosejit në drejtim të majës. Shtegu është shumë i përshtatshëm për çdo grupmoshë.
Bjeshkët e Cajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme.
Në këtë zonë blegtoria është biznesi më fitimprurës, viteve të fundit edhe turizmi./Diaspora Shqiptare