Më 24 janar të vitit 1919 në Peruxhia të Italisë, pak momente para se të jepte një konferecë për shtyp, vdes Ismail Qemali njeriu që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. /InforCulture.info

Vdekja e tij qysh at’herë është cilësuar por edhe sot cilësohet si e mistershme dhe janë hedhur shumë dyshime se ai do të mund të ketë qenë helmuar nga qarqet greke, sërbe, turke apo edhe italiane.

Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920.

Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i ipte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit”.

Pas vdekjes trupi i Ismail Qemalit u nis për në vendlindjen e tij me luftëanijen italiane dhe në mbrëmjen e 10 shkurtit arriti në Vlorë.

Ceremonia e varrimit të tij filloi më datën 12 shkurt të vitit 1919 në orën 10:00 paradite i përcjellur nga turma të mëdha të njerëzve, mirëpo në ceremoni mungonte garda e ushtrisë shqiptare. Në ceremoni mori pjesë batalioni i kombësorisë së ushtrisë italiane. Flamuri kombëtar shqiptar ishte vetëm mbi arkivolin ku në të ndodhej trupi i pajetë i Ismail Qemalit.

 Autori R. Fallaschi, i cili ka botuar relacionin e S. Piacentini-t, shënon nga ana e vet se “mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e që i vetmi flamur shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij.” Pjesë nga ditari i komandës italiane në Vlorë. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here