Kur temperaturat rriten gjatë muajve të verës, organizmit i duhen më shumë lëngje. Krahas konsumimit të ujit, edhe përzgjedhja e disa ushqimeve mund të ketë rëndësi të veçantë për hidratimin.
Perimet dhe frutat me përmbajtje të lartë uji ndihmojnë në zëvendësimin e lëngjeve të humbura. Në të njëjtën kohë, ato i ofrojnë trupit vitamina, minerale dhe përbërës të tjerë ushqyes, të domosdoshëm për funksionimin e tij normal, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.
Sipas ekspertëve, ruajtja e nivelit të duhur të hidratimit në ditët e nxehta përmirëson punën e përgjithshme të organizmit, ndihmon në kontrollimin e temperaturës trupore dhe ul mundësinë e dehidratimit dhe lodhjes.
Mes ushqimeve më të pasura me ujë renditen kastravecat dhe domatet, pasi më shumë se 90 për qind e përmbajtjes së tyre është ujë.
Në ditët e ngrohta rekomandohen gjithashtu shalqiri, luleshtrydhet, grejpfruti, pjepri, pjeshkët, boronicat, ananasi dhe mjedrat.
Falë sasisë së madhe të ujit dhe shijes freskuese, shalqiri është ndër ushqimet më të pëlqyera të stinës së verës. Ndërkohë, luleshtrydhet dhe grejpfruti jo vetëm që ndikojnë në hidratim, por përmbajnë edhe shumë vitamina dhe antioksidantë.
Për t’u freskuar në mot të nxehtë, zgjedhje të përshtatshme janë edhe pjepri dhe pjeshkët. Ananasi dhe mjedrat, nga ana tjetër, i japin organizmit lëndë të tjera ushqyese, së bashku me ëmbëlsi natyrale.
Përfshirja e rregullt e këtyre ushqimeve në dietë mund ta ndihmojë trupin të përballojë më lehtë vapën, të mbajë hidratimin në nivel optimal dhe të ruajë energjinë përgjatë gjithë ditës.
Megjithatë, specialistët nënvizojnë se as frutat dhe as perimet nuk e zëvendësojnë ujin. Ato shërbejnë si një plotësim i shëndetshëm i ushqyerjes së përditshme dhe si ndihmë e rëndësishme për përballimin e nxehtësisë së verës.


