Historia nganjihere ruhet jo vetëm në dokumente e deklarata politike, por edhe në fotografi, piktura dhe përshkrimet e udhëtarëve të huej.
Fustanella, e cila sot njihet ndërkombëtarisht si pjesë e ikonografisë kombëtare greke, ka nji histori të gjatë e të dokumentueme në kulturën shqiptare. Përdorimi i saj nuk kufizohej vetëm në Shqipninë e Jugut apo në krahinat toske. Dëshmitë pamore të shekullit XIX e dëshmojnë praninë e saj edhe ndër shqiptarët Gegë të Veriut, sidomos ndër malësorë dhe burra me pozitë shoqnore.
Fotografitë e Pjetër Marubit në Shkodër përbajnë nji dëshmi të jashtëzakonshme. Arkivi i tij fotografik ruen pamje të burrave shqiptarë të veshun me fustanellë, tue dokumentue nji veshje që ishte pjesë e jetës shoqnore dhe kulturore të krahinës shumë përpara se fotografia të shndërrohej në mjet të përfaqësimit kombëtar.
Edhe pikturat e Pajës Jovanoviqit janë nji dëshmi tjetër me randësi. Në pikturën e tij të vitit 1885, shqiptarët paraqiten me fustanella, krahas burrave të veshun me tirqe tradicionale. Nuk kemi të bajmë me kostume të imagjinueme, por me paraqitje artistike të veshjeve të ndryshme të bashkësive shqiptare.
Ndoshta edhe ma mbresëlënëse janë ilustrimet e piktorit britanik Richard Caton Woodville. Vepra e tij Albanian War-Dance near Dulcigno (Vallja luftarake shqiptare pranë Dylqinit), botue në vitin 1880 në gazetën The Illustrated London News, si dhe Albanian Frontier Guards at Prayer (Rojet kufitare shqiptare tue u falë), e vitit 1889, paraqesin luftëtarë shqiptarë dhe veshjen e tyne karakteristike me hollësi të rralla.
Këto ilustrime kanë randësi të veçantë, sepse e vendosin fustanellën në kulturën e gjallë të shqiptarëve të Veriut, përfshi edhe krahinat e Shkodrës e të Ulqinit.
Gjatë Luftës Greke për Pavarësi (1821), fustanella hyri në ikonografinë e lëvizjes revolucionare. Artistët filhelenë evropianë ndihmuen në përhapjen e saj si veshje e heroit revolucionar, ndërsa pas krijimit të shtetit modern grek, ajo u institucionalizue si simbol kombëtar dhe përfundimisht si uniformë ceremoniale e Evzonëve.
Nji dëshmi veçanërisht interesante vjen nga enciklopedia britanike Peoples of All Nations, botue më 1922, e cila, tue përshkrue veshjen e nxanësve patriotë grekë, shkruente:
“The linen kilt of Albania, which has been virtually adopted as the Greek national costume.”
Pra: “Fundi prej lini i Shqipnisë, i cili praktikisht asht përvetësue si kostum kombëtar grek.”
Këtu qëndron dallimi historik që duhet kuptue: nji veshje mund të udhëtojë ndër popuj, të marrë kuptime të reja dhe të shndërrohet në simbol të identitetit të nji kombi tjetër. Por përvetësimi i saj i ma vonshëm nuk e fshin prejardhjen dhe bashkësitë kulturore që e kanë përdorë shumë ma herët.
Fotografitë e Marubit, pikturat e Jovanoviqit dhe ilustrimet e Woodville-it përbajnë nji arkiv pamor që meriton shumë ma tepër vëmendje në historinë e kulturës materiale shqiptare.
Fustanella nuk kishte nevojë për nji flamur kombëtar që të ekzistonte. Shqiptarët e vishnin, e fotografonin dhe e pikturonin shumë përpara se ajo të shndërrohej në emblemë të Greqisë moderne.
Historia nuk shkruhet vetëm nëpër arkiva. Nganjiherë ajo qepet edhe në palat e nji veshjeje.
Burimet:
* Balkan Academia, Adoption, Visibility and National Dress: The Albanian Fustanella and the Making of Modern Greek Iconography, 22 shkurt 2026.
* Pjetër Marubi, Muzeu Kombëtar i Fotografisë, Shkodër.
* Paja Jovanoviq, Albanians, 1885.
* Richard Caton Woodville, Albanian War-Dance near Dulcigno, 1880.
* Richard Caton Woodville, Albanian Frontier Guards at Prayer, 1889.


