Kur palos një grumbull peshqirësh banje, a të ka shkuar ndonjëherë mendja pse kanë vija pranë skajeve? Nuk je i/e vetmi/ja që e ke vënë re këtë detaj. Për të zbuluar arsyen e vërtetë, ekspertja e tekstileve Emma Seymour, shpjegon se si quhet ky element dhe pse shumica e peshqirëve të banjës e kanë, megjithëse jo të gjithë.

 

Shumë njerëz mendojnë se vijat në peshqirë janë thjesht një element dekorativ ose se ndihmojnë që peshqirët të palosen dhe të vendosen në të njëjtin drejtim kur sistemohen në dollap. Megjithatë, sipas Seymour, ato nuk shërbejnë vetëm për estetikë. Në të vërtetë, ndihmojnë që peshqirët të jenë më të qëndrueshëm dhe të zgjasin më shumë.

 

Për çfarë shërbejnë vijat në peshqirë?
“Është një bordurë e endur, e njohur si dobby, që gjendet në shumë peshqirë banje”, shpjegon Seymour. “Ajo ndihmon që peshqiri të ruajë formën, sepse i jep më shumë strukturë sesa do të kishte nëse do të ishte i përbërë tërësisht nga pëlhura e zakonshme me fije të vogla e të dendura, si ajo e peshqirëve. Gjithashtu, ndihmon në parandalimin e prishjes së fijeve në skaje.”

 

Çfarë është bordura dobby?
Bordura dobby është një pjesë e endur e pëlhurës, e vendosur pranë skajeve të peshqirit. Ajo mund të përbëhet nga një vijë e vetme ose nga disa vija, por zakonisht gjendet pranë skajeve.

Sipas Seymour, personat që testojnë peshqirët priren ta pëlqejnë pamjen e kësaj bordure, por shumica nuk e përmendin mungesën e saj kur peshqiri nuk e ka. Kjo do të thotë se për shumicën e blerësve, ky detaj nuk është vendimtar në zgjedhjen e një peshqiri.

A kanë nevojë peshqirët për bordurën dobby?
Jo domosdoshmërisht. Edhe një peshqir pa këtë bordurë do të thithë ujin, pasi ky është funksioni i tij kryesor. Megjithatë, mund të mos ketë të njëjtën qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi si një peshqir që e ka.

 

Kur blen peshqirë, gjithçka varet nga ajo që vlerëson më shumë. Nëse çmimi të përshtatet dhe të pëlqen pamja e një peshqiri pa bordurë, mund ta blesh pa problem.

 

 Duhet të kesh parasysh se qëndrueshmëria dhe cilësia e një peshqiri varen edhe nga faktorë të tjerë, si lloji i fibrave, pesha e pëlhurës, mënyra e endjes dhe përbërja e materialit. Pra, bordura dobby nuk është i vetmi element që përcakton sa gjatë do të zgjasë një peshqir.

 

 

Megjithatë, edhe një peshqir pa ato vija mund të jetë një zgjedhje e mirë dhe të të shërbejë për shumë kohë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here