Goditja nga i nxehti përbën një urgjencë mjekësore që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa njohja e shenjave paralajmëruese dhe reagimi i duhur mund të shpëtojnë jetë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale këshillon qytetarët që gjatë ditëve me temperatura të larta të informohen dhe të ndjekin udhëzimet për mbrojtjen e shëndetit, si dhe t’i ndajnë këto këshilla me të tjerët, veçanërisht me grupet më të rrezikuara.
Në rastet e problemeve nga i nxehti, sipas MSHMS-së rekomandohet kërkimi i ndihmës mjekësore nëse simptomat përkeqësohen ose zgjasin më shumë se një orë. Ndihma urgjente duhet kërkuar menjëherë në rastet kur simptomat janë të rënda ose kur personi ka probleme shëndetësore shoqëruese, si hipertensioni.
Ndër masat kryesore për trupin, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për “konsumimin e lëngjeve të freskëta pa alkool dhe pa sheqer, qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar, pushimi, veshja e rrobave të lehta, si dhe bërja e një dushi freskues me ujë të vakët”.
MSHMS thekson se parandalimi dhe reagimi i shpejtë mbeten thelbësorë për të shmangur komplikacionet e rënda shëndetësore gjatë valëve të të nxehtit.


