Arrin në Itali i nxehti i vërtetë, ai që të rëndon frymëmarrjen dhe të lodh trupin. Temperaturat rriten deri në 37–40°C dhe si pasojë në Itali 27 qytetet po monitorohen dhe është ngritur alarmi nga Ministria e Shëndetësisë. Pesë qytete (Bologna, Brescia, Firenze, Perugia dhe Torino) janë në ngjyrë portokalli: niveli i alarmit 2 (indeks i “kushteve meteorologjike që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë”). Numri i qyteteve me nivel alarmi 2 do të rritet. Ndërsa moti i nxehtë po prek edhe Shqipërinë ditët e fundit.

 

Çfarë ndodh me trupin tonë dhe si të “mbijetojmë” në këtë valë të nxehti?

Efektet e të nxehtit ekstrem në trup
Kur bëhet ekstrem, i nxehti është i vështirë për t’u përballuar nga organizmi: nxehtësia që kalon një prag të caktuar mund të bëjë që zemra të rrahë shumë fort. Presioni i gjakut mund të fillojë të bjerë. Mund të djersitesh aq shumë sa të dehidratohesh ose të kesh marramendje.

 

“Personat mund t’i ndiejnë këto efekte në temperatura shumë të ndryshme, në varësi të shëndetit të tyre dhe nivelit të nxehtësisë me të cilin janë mësuar, shpjegon Francesco Dentali, profesor i mjekësisë së brendshme dhe drejtor i departamentit të mjekësisë në Asst-Sette Laghi dhe president i Fadoi. “I nxehti ekstrem është një term relativ. Për më tepër, disa ilaçe dhe gjendje shëndetësore, si sëmundjet e veshkave dhe insuficienca kardiake, i bëjnë njerëzit më të prekshëm ndaj stresit të nxehtësisë.”

 

Kujdes nga goditja nga i nxehti
Goditja nga i nxehti (colpo di calore): nga se shkaktohet, cilat janë simptomat dhe si të ndërhyjmë.

Efekti më i rrezikshëm i stresit nga i nxehti është goditja nga i nxehti ose hipertermia, që mund të ndodhë në çdo moshë, megjithëse më të rrezikuarit janë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe fëmijët e vegjël. Zakonisht shërimi ndodh brenda 24–48 orësh pa pasoja të rënda. Ndërhyrja në kohë është thelbësore për të shmangur komplikime serioze në tru, zemër, veshka dhe muskuj. Në rastet më të rënda mund të çojë edhe në vdekje. Një nga komplikimet e mundshme është shoku i shkaktuar nga rënia e menjëhershme e tensionit arterial. Kjo ndodh kur mekanizmat e trupit për shpërndarjen e nxehtësisë nuk funksionojnë siç duhet dhe temperatura e brendshme rritet në mënyrë të pakontrolluar, duke u bërë e papajtueshme me proceset jetësore enzimatike dhe biokimike.

 

Sa i përket simptomave, shenja e parë është rritja e temperaturës trupore në 40°C ose më shumë. Mund të shfaqen edhe të përziera dhe të vjella, lëkurë e skuqur, ndonjëherë humbje e djersitjes, frymëmarrje dhe rrahje të shpejta të zemrës, dhimbje koke, krampa ose dobësi muskulore, gjendje konfuzioni dhe në raste më të rënda humbje e vetëdijes.

Dhjetë këshilla për t’u mbrojtur nga vala e të nxehtit
Nuk mbetet gjë tjetër veçse të zbatohen disa masa për ta përballuar të nxehtin pa pasoja. Ministria e Shëndetësisë në Itali jep këto këshilla që ndihmojnë në mbrojtjen nga rreziqet që sjellin temperaturat e larta.

-Mos dilni në orët më të nxehta. Gjatë valës së të nxehtit shmangni ekspozimin direkt në diell mes orës 11:00 dhe 18:00.

 

-Përmirësoni ambientin e shtëpisë dhe punës. Më e thjeshta është mbulimi i dritareve me perde ose sisteme hijezimi që lejojnë ajrin të kalojë. Mund të përdoret edhe kondicioneri, por me kujdes, duke mos e vendosur temperaturën shumë më poshtë se ajo e jashtme. Një temperaturë 25–27°C me lagështi të ulët është e mjaftueshme.
Edhe ventilatorët duhet përdorur me kujdes, pasi nuk e ulin temperaturën, por vetëm lëvizin ajrin. Kur temperatura e brendshme kalon 32°C, përdorimi i ventilatorit nuk është efektiv dhe nuk duhet drejtuar direkt mbi trup, sidomos te të moshuarit ose personat e palëvizshëm.

 

-Pini shumë lëngje dhe kufizoni kafeinën, shmangni alkoolin. Duhet të paktën 1.5 litra ujë në ditë dhe fruta të freskëta. Të moshuarit duhet të pinë ujë edhe pa ndjesinë e etjes. Megjithatë, në disa sëmundje (epilepsi, sëmundje të zemrës, veshkave apo mëlçisë) marrja e tepërt e lëngjeve mund të jetë e dëmshme dhe duhet këshillë mjeku.
-Ushqehuni në mënyrë të shëndetshme. Konsumoni 5 porcione fruta dhe perime në ditë dhe shmangni ushqimet e rënda e yndyrore.

 

-Kujdes me ruajtjen e ushqimeve dhe zinxhirin e ftohjes.
-Vishni rroba të lehta prej pambuku, linoje ose fibrash natyrale. Përdorni kapele të lehta dhe syze dielli me filtra UV.
-Në makinë, ajroseni para nisjes dhe shmangni orientimin direkt të kondicionerit mbi pasagjerë. Mos lini kurrë fëmijë apo kafshë brenda makinës.
-Shmangni aktivitetin fizik në orët më të nxehta dhe hidratohuni vazhdimisht.

 

-Sportistët duhet të përshtaten gradualisht me nxehtësinë dhe të kompensojnë elektrolitet kur është e nevojshme.
-Ndihmoni personat në rrezik (të moshuarit që jetojnë vetëm, foshnjat etj.) dhe sinjalizoni rastet që kërkojnë ndihmë.
-Jepuni ujë të freskët kafshëve shtëpiake dhe shmangni daljet e tyre në orët e pikut të nxehtësisë./dritare.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here