Pozicioni i kokës gjatë gjumit mund të ndikojë më shumë sesa mendoni në shëndetin e syve. Një studim i ri sugjeron se edhe përdorimi i jastëkëve mund të lidhet me rritjen e presionit në sy, një faktor kyç për zhvillimin e glaukoma.
Sipas kërkimit të publikuar në “British Journal of Ophthalmology”, fjetja pa jastëk ose me kokën në pozicion të sheshtë mund të ndihmojë në uljen e presionit brenda syrit.
Studiuesit zbuluan se ngritja e kokës me një ose dy jastëkë (në kënd 20–35 gradë) mund të ndikojë në qarkullimin e gjakut në zonën e kokës.
Kjo ndodh sepse ndryshon pozicioni i qafës dhe krijohet presion mbi venat që rikthejnë gjakun nga truri, duke penguar rrjedhjen normale të lëngjeve në sy.
Rezultatet ishin të qarta:
– 67% e pjesëmarrësve përjetuan rritje të presionit në sy
– rritja mesatare ishte rreth 1.61 mm Hg
– presioni ishte më i lartë kur koka ishte e ngritur
Studimi përfshiu 144 persona me forma të ndryshme të glaukomës dhe zgjati gjashtë muaj, me matje të vazhdueshme gjatë 24 orëve.
Interesant është fakti se të rinjtë rezultuan më të ndjeshëm ndaj këtij efekti, duke pasur më shumë gjasa të përjetonin rritje të presionit në sy. Gjithashtu, u vu re se përdorimi i jastëkëve mund të ulë furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese në indet e syrit.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse nevojiten studime të tjera për konfirmim, ndryshimet e vogla në stilin e jetesës, si pozicioni i gjumit, mund të kenë ndikim real në shëndet.
Për këtë arsye, rekomandohet që personat me glaukomë të shmangin pozicionet që përkulin qafën dhe rrisin presionin në zonën e saj.
Një detaj i vogël si mënyra si flini mund të bëjë një ndryshim të madh për shikimin tuaj.


