Pesë ditë kishin kaluar nga atentati i Bimbashit.

Ushtria turke i ndiqte gjurmë pas gjurmë.
Kishte rënë bora. Kishte rënë nata. Kishte rënë shi.

Dhe pastaj zëri i Çerçizit në errësirë:
“O burrani, shokë na rrethoi ushtria!”

Çeta e Çerçiz Topullit, e përbërë nga vetëm 9 luftëtarë, u strehua në një haur të braktisur në rrethinat e fshatit Mashkullorë, ku u rrethuan nga hordhitë turke.

Forcat osmane kishin mbi 150 ushtarë. Grupi kryengritës shqiptar u përball për një ditë të tërë me sulmet e pamëshirshme të forcave turke dhe mundi të çajë rrethimin.
Forcat turke humbën rreth 20 ushtarë, përfshirë gjeneralin e tyre.

Nga ana tjetër, kryengritësit shqiptarë humbën vetëm një luftëtar Hajredin Tremishti ndërsa Çerçiz Topulli dhe Myftar Axhemi dolën të plagosur.

Mihal Grameno, dëshmitar okular dhe luftëtar i çetës, shkroi:
“Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente.”

Natën, duke ecur nëpër lumë për të mos lënë gjurmë, çeta u largua fshehurazi.
Të uritur, të lodhur, të plagosur por të lirë.

Kjo betejë u përjetësua në dy këngë polifonike që i dinë të gjithë shqiptarët: “Hyri prilli doli marsi” dhe “Te Rrapi në Mashkullorë” këngë që këndohen edhe sot, 117 vjet më vonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here