Përdorimi gjithnjë e më i madh i barnave që përshkruhen gjerësisht për diabetin e tipit 2 dhe kontrollin e peshës trupore (agonistët e GLP-1) mund të çojë në interpretim të gabuar të imazheve onkologjike PET-CT, dhe me këtë në ekzaminime të panevojshme, përcaktim të pasaktë të stadit të kancerit dhe ndryshim të drejtimit të trajtimit

Barnat globalisht të njohura ndikojnë në metabolizmin e glukozës, lëvizshmërinë e stomakut dhe tonusin simpatik, gjë që rezulton me modele atipike gjatë interpretimit të imazheve të pozitron-emision tomografisë me fluordezoksiglukozë (FDG PET-CT). Me këtë ekzaminim zbulohen lezione malinje metabolikisht aktive, duke përfshirë kancerin e mushkërive, kancerin kolorektal, limfomën, melanomën, kancerin e gjirit, të vezoreve, trurit dhe mielomën e shumëfishtë. Përveç kësaj, skanimi PET-CT përdoret për përcaktimin e stadit të kancerit dhe për ndjekjen e përgjigjes ndaj terapisë së sëmundjeve malinje.

Pacientëve u këshillohet të shmangin ushtrimet e rënda fizike ose masazhin e indeve të thella 48 orë para skanimit PET-CT, të mos konsumojnë karbohidrate ose ushqime të ëmbla 24 orë më parë dhe të shmangin çdo ushqim e pije, përveç ujit dhe barnave, gjashtë orë para ekzaminimit.

Para testit, pacientit i injektohet një sasi e vogël kontrasti radioaktiv në venë, i cili shpërndahet në trup dhe më pas një skaner i veçantë regjistron imazhet. FDG lidhet me qelizat që përdorin shumë glukozë, si qelizat tumorale, dhe lëshon sinjal që kamera PET mund ta detektojë.

Raste të mëparshme kanë treguar rritje të përthithjes së kontrastit në muskujt skeletikë, në miokard dhe në indin dhjamor kafe, çka mund të interpretohet gabimisht si malignitet ose sëmundje inflamatore, tregon një studim i paraqitur në kongresin e 38-të të Shoqatës Evropiane për Mjekësi Bërthamore (EANM ‘25), transmeton Telegrafi.

Rritet numri i përdoruesve të agonistëve GLP-1

– Vërejtëm disa modele të pazakonta përthithjeje, të cilat mund të interpretohen gabimisht si patologjike nëse nuk merret parasysh historia e përdorimit të barnave të pacientit, tha Dr. sc. Peter Strouhal, mjek specialist i mjekësisë bërthamore me fokus në PET-CT onkologjik dhe drejtor mjekësor i kompanisë Alliance Medical Ltd, si dhe autori kryesor i studimit.

– Këto modele të ndryshuara po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, por aktualisht në nivel ndërkombëtar nuk ekzistojnë udhëzime që ta rregullojnë këtë problem, shtoi ai.

Sfida të reja në interpretim

Ekipi kërkimor planifikon të zgjerojë mbledhjen e të dhënave në qendra të tjera të imazherisë dhe të krijojë bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar udhëzime të qëndrueshme për interpretimin e imazheve PET-CT në mbarë botën.

Aktualisht, studiuesit nuk rekomandojnë ndryshimin e përgatitjes së pacientëve apo ndërprerjen e marrjes së agonistëve GLP-1 para skanimit PET-CT. Në vend të kësaj, ata këshillojnë dokumentimin e kujdesshëm dhe të vazhdueshëm të përdorimit të këtyre barnave te pacientët që i nënshtrohen ekzaminimit, për të lehtësuar interpretimin e rezultateve derisa të zhvillohen udhëzime formale.

– Njohja e modeleve karakteristike të përthithjes të lidhura me agonistët GLP-1 ndihmon në shmangien e ankthit të panevojshëm dhe siguron kujdes të duhur e në kohë – shtoi Dr. Strouhal. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here