Adem Derguti

Një fragment nga libri « Ramë Bllaca », me rastin e 88 vjetorit të rënies.
KULLA DIGË QËNDRESE E RAMË BLLACËS KUNDËR SHPËNGULJEVE TË SHQIPTARËVE

N’histori gjithmonë ka metë
për atdhe shqiptari a dekë,
e Ramë Bllaca a ba sebep,
metën populli n’ven të vet.

Në historinë e qëndresës shqiptare kun-dër serbëve, kundër shfarosjes, zhdukjes a dëbimit të shqiptarëve sipas platformave shkencore akademike serbe dhe në marrë-veshje ndër-shtetërore si ajo Serbi – Turqi për të liruar tokat shqiptare për serbët e për të marrë lëndën njerëzore – shqiptarët për në Turqi që të populloheshin shkretirat e Anadollit me një rracë të bardhë njerëzore, rracë elite, pra në gjithë historinë me dëbime e shpërngulje shqiptarësh deri në vitin 1998 – 1999, kur ndodhën dëbimet e reja nga projektet e vjetra serbe, Kulla e Ramë Bllacës në Bllacë të Suharekës mbetet diga më e lartë dhe më e njohur e qëndresës në kujtesën popullore të shqiptarëve.

Ajo shtëpi dykatëshe guri, e ndërtuar në kulmin e dëbimeve, në udhë ku e shihnin shumë njerëz që kishin ngarkuar fatin në shpinë dhe ishin nisë për Turqi, e ndërtuar ashtu në heshtje nga njeriu më i njohur e i rëndësishëm i asaj kohe për ato rajone, Ramë Bllaca – që ishte edhe deputet në Parlamentin jugosllav, u lartësua sa asgjë tjetër.

Nuk ka ndonjë objekt që u foli më shumë shqiptarëve në ato momente, nuk ka ndonjë të folur më bindëse se sa e folura e asaj shtëpie një kullë qëndrese e që i zoti po e ndërtonte jo pa një qëllim. Nuk ka ndonjë objekt tjetër si më të rëndësishëm për shqiptarët në ato mote të rënda kur shumë njerëz po lëshonin e i lëshuan trojet.

Ajo shtëpi – kullë – digë – kala, tejkaloi me fuqinë e saj gjithë objektet e kultit që mund të flisnin e agjitonin tek shqiptarët që ta ndalnin hovin e shpërnguljeve.

Shtëpia e Ramë Bllacës u bë dhe mbeti e shenjtë për misionin që kreu, ani se jo gjithë kohën e gjithë motet është parë dhe është trajtuar si e tillë, si një objekt i jashtë-zakonshëm i trashëgimisë për historinë e kulturën shqiptare. Ajo shtëpi qëndrese zevendëson kalatë që s’i kemi mbi tokë se koha që na i ka rrënuar, na i ka varrosur. Është kala krenarie e llojit të veçantë.

Ajo shtëpi nuk ka të dytë për misionin që kreu në kohën e vendin e duhur. Ndaj meriton gjithë nderet jo thjesht si shtëpi, si kullë por si digë e qëndresës shqiptare, si digë që ndali vrullin e ikjeve të shqiptarëve.

Serbia që synonte me çdo kusht trojet shqiptare, në marrëveshje me Turqinë që donte njerëzit shqiptarë me t’i mbushur hapësirat e shkreta të Anadollit për ta përmirësuar rracën e saj me shqiptarë, nisën ofensivë dhune kundër shqiptarëve të Toplicës, dëbim me kamxhik e bajoneta.

Ndërkohë gazetat e Evropës shkruanin se po del Turqia prej Ballkani…
Pra dëbimi i shqiptarëve prej Toplice, si vërshim i tmerrshëm kishte nisë drejt Turqisë.
Diku në udhë, në Suharekë, në Bllacë të Suharekës kishte nisë të ngrihej një digë qëndrese, një shtëpi dykatëshe guri, një kullë epike qëndrese, një digë madhështore që nëse nuk e ndali plotësisht vërshimin e shqipatrëve drejt Turqisë, të paktën e theu atë vërshim, ia ndali vrullin, ia pakësoi fuqinë.

Një kullë digë qëndrese kundër shpër-nguljes së shqiptarëve, digë qëndrese që ndali vërshimin e dëbimit të shqiptarëve, që e paksoi vrullin e dëbimit.
Në kohët më të vështira, kur dëbimi ishte në kulm, kur shqiptarët me thasë e torba ëndrrash e fatesh në krahë, në qerre e trena dëbimi, ishin nisë drejt zhbërjes, drejt harrimit e tjetërsimit, ishin nisë të bëheshin turq, në bazë të marrëveshjeve antishqiptare turko-serbo-greke, Ramë Bllaca ndërtonte kullën e tij dykatëshe, me gurë të gdhendur e tjegulla të kuqe, në Bllacë, në udhën nga kalonin karvanet e shqiptarëve të dëshpë-ruar e të përzënë.

Kulla që fliste e foli më shumë mbase se çdo kullë tjetër shqiptare, gurë që flisnin, tjegulla që flisnin bash në ato kohë kur fjalës i ishte zbehë pesha.
Kulla e Ramë Bllacës foli dhe shqiptarët ndalën turrin, ndalën vrapin e ikjes. Nuk them që ndaluan ikjet, por ajo kullë qëndre-se, ajo digë, ndali dëbimin masiv sepse shumë njerëz mendonin, kur ky njeri po ndërton kullë, po ne pse ikim, kur ky njeri i ditur, deputet, ndërton kullë, po ne pse ta lëshojmë Kosovën.

Dhe ashtu ndodhi, u pakësuan e u ndaluan ikjet.
Serbia e kuptoi dhe u alarmua, nuk e përballoi këtë sfidë shqiptare të Ramë Bllacës.
Nëse ka ndonjë shqiptar me të cilin Serbia të jetë marrë energjikisht gjatë më shumë se katër dekadave të para të shekullit të njëzetë, me të gjitha format e saj, për ta sfumuar, paralizuar, për ta bërë të heshtë pasi fjalët e tij kishin rrezikshmëri të lartë për Serbinë, dhe më së fundi për ta zhdukur fizikisht, ky njeri është Ramë Bllaca – përmendore që u qëndroi të gjitha furtunave në Kosovë, përmendore për të cilën është kujdesur dhe vazhdon të kujdeset çdo shqiptar që ndjehet shqiptar në Kosovë.
Si politikan i spikatur, një patriot i patundur, inteligjent jo i zakonshëm, trim i pashamatë. Këto do të ishin disa nga vetitë e karakterit të tij.
Lindur dhe rritur në mjedis patriotësh, i kamur relativisht, ai ndjente thellë vuajtjet që Serbia u shkaktonte shqiptarëve. Mundi që gjithë jetën t’ia kushtonte një bëme, një vepre, një ideje: mos lejimin e zbrazjes së Kosovës nga shqiptarët. Kulmi i sjeljes së tij politike, i veprimit politik ishte fillimi i ndërtimit të Kullës në pikun e dëbimit të shqiptarëve. Kulla foli, kulla foli më mirë e më shumë se çdo gjë, më shumë e më mirë se çdo politikan.
Nuk ka në hapsirën shqiptare ndonjë kullë që i ka folë historisë shqiptare për dramën si më të rëndë – shpërnguljet e shqiptarëve, më shumë se sa kulla e Ramë Bllacës në Bllacë të Suharekës.
Dhembjen për lëshimin e trojeve e ndjenin tani sofrat që mbeten të shtruara, fushat ku mbeti parmenda në arë, malet që përcillnin ushtimën e dhimbjes sa në lugje e sa në shpate.
Po se ne nuk mundemi asnjëherë ta shkruajmë më bukur se sa e ka shkruar kënga e popullit:
-Oh,shka kan’bjeshkt’, o bre, qi ushtojn-e,
shka kan’ lugjet’, o bre, qi fshajn-e,
shka kan’ malet, o bre, qi s’mungullojn-e,
shak ka hana, o bre, qi s’po zdrit-e;
shka ka dilli, o bre, qi s’po ban drit-e,
shka kan’ shpent, o bre, qi s’po knojn-e,
shka kan’ qyqet, o bre, qi s’vajtojn-e?
-Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e!
Oh, kan’ lan’ tok-o, bre, kan’ lan’ ship-e,
kan’ lan’ dhen-o, bre, kan’ lan’ dhi-e,
n’laver, n’zhgjedh, o bre, kan’ lan’ ki-e,
kan’ lan’ buken, o n’çerep me hi-e,
kan’ lan’ çorbën, o në vegsh tuj zi-e;
kan’ lan’ sofrën, o bre, t’shtrume n’shpi-e,
oh, miqt’ kan’ shkue, o bre, buk’ pa u ngi-e!
Oh kan, lan’ zhguj e jana n’vek pa i krye,
kan’ lan’ çejzin, o bre, çikat pa marue,
kan’ met’ dor’ nuset, o bre, msit pa i çue,
kan’ met’ krushqit, o bre, pa u kthye,
oh, kan’ met’ gjemt’, o dhandur’ pa hi-e!
Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e,
dru e gur, bre, ç’po vajtojn-e!
-Bari n’tok’, o bre, pse s’po bin-e,
shpent e malit, o bre, pse s’po knojn-e;
qyqet e malit, o bre, pse s’vajtojn-e?
-Oh muhaxherin, o bre, po e kajn-e!
Oh muhaxhirt kan’ marr’ dyjan’ n’sy-e:
Desin në bor’, o bre, desin në shi-e,
desin pleq, o bre, desin t’ri-e,
desin gra, o bre, desin thmi-e,
u desin thmija, bre, nanav’ ngji-e,
jesin gjenazet, bre, n’vorre pa i shti-e!
Bukën pa e ngran’, o bre, uj’ pa pi-e,
kan’ marr udhën, bre, për Allbani-e;…
Çdo tregim, ritregim a shtjellim i dëbimit e ikjes së shqiptarëve prej trojeve të tyre, duke nisë me dëbimet e tmerrshme prej Toplice në vitet 1876 – 1878, me ikjet e dëbimet mes dy Luftrave Botërore, por edhe pas tyre, del i varfër e i cekët në raport me përshkrimin që bën kënga për shqiptarët e dëbuar.
Fati ynë i zi i dëbimit, përzënies e ikjeve prej atdheut, pa shkuar në epokën e Skendërbeut kur pas vdekjes së tij “u zbrazën e shkretuan” trojet e shqiptarëve, pa u ndalë në shekujt e errët të historisë së shqiptarëve, pa ardhë ende te programet shkencore shfarosëse të serbëve kundër shqiptarëve, vajtohet e harrohet për me u vajtua prej fillimit, por me piskamë e me ngjallë të vdekurit. U vajtua në vitin 1878, kur shqiptarët të masakruar barbarisht e të dëbuar prej serbëve, lanë Nishin, krejt Toplicën shqiptare dhe përfunduan jo si shqiptarë, jo siç thotë kënga në Allbani-e, por kuptohet si myslimanë turq në Turqi, në shkretëtirat e Anadollit, shumica prej tyre dhe një pjesë në Kosovën e sotme e në Maqedoni, përkundër dëbimit të vitit 1999, kur ata u dëbuan, por shumica mbetën në hapësirën e tyre jetike shqiptare në Shqipëri e Maqedoni.
Për ta kuptuar dramaticitetin e dëbimit të viteve 1876 – 1878, të viteve mes dy luftrave kur kolonët serbë filluan të shtohen në Kosovë, shohim me sytë e freskët të mendjes dëbimin e fundit nga Kosova që vazhdon të xhirohet e të shfaqet në sytë tonë të mendjes si një film gjigand në qiell të hapur. Aktorë e spektatorë jemi të gjithë shqiptarët, ku luajmë e shohim veten së paku prej mbi një shekull e gjysmë, në të gjitha dëbimet, ikjet, shpërnguljet, përzëniet e përbuzjet që s’ndalen. Sikur jemi të dënuar të dëbohemi dhe sikur jemi të mësuar dhe e kemi pranuar këtë fat të keq që na ndjek.
Dhuna e njejtë, dhimbja e njejtë, brenga e njejtë, vdekja e njejtë. Loti po njëlloj pikon a rrjedh nga sytë e shqiptarëve të përzënë prej trojeve të veta. Shkatërrimi i njejtë, terrori shtetëror i njejtë, vdekjet të njejta, humbjet e njerëzve dhe fëmijëve të njejta, djegiet e banesave, prodhimeve, bagëtive, të njejta. Ara që kanë mbetur pa korrë, ara pa mbjellë. Xhenaze të pa shtime në varr. Kafshë e shpend të egër luajnë me to si me bagëtitë e vrara e të gjalla të pazot. Varre të vjetra që ulin kurrizin prej dhimbjes së re që ndjejnë. Varre të reja, ku të vdekurit janë gati me shplue varrin e me dalë jashtë, e në mos tjetër, me thirrë në kupë të qiellit: – Ku po shkoni o njerëz, ku po na lini ne!…
Veç udhëtimi i të gjithë atyre që iknin e dëboheshin prej Kosove në kohën e Ramë Bllacës qe pak më ndryshe nga ai i dimrit të vitit 1878. Pak më “modern”. Pak më e shkurtë udha. Atëhere nga Nishi, tani nga Kosova e sotme. Si atëhere në vitet para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me këmbë e me qerre që tërhiqeshin me qe, edhe në këto kohë udhëtimi i njejtë.
Fati i keq i dëbimit na ndoqi deri në fundshekull kur eksodi i ri biblik ndodhi kur Serbia dëboi mbi një milionë shqiptarë. Ishte si duket prova e fundit e Serbisë, pasi ajo u ndëshkua me këtë rast dhe Kosova për herë të parë u bë shtet sovran, fitoi lirinë e pavarësinë.
Por këtë herën e fundit mbetjet e fundit në shekullin e 20, në vitet 1998 – 1999, ikjet ishin ikje me vetura, me kerre, me traktor me goma, në këmbë. Atëhere në muajin shkurt ndodhën masakrat e dëbimet më të mëdha, tani në muajin mars. Loti e brenga e njejtë.
Atëhere shqiptarët ishin më të varfër, tani po dëbohen prej një Kosove shumë më të pasur, shumë më të ndërtuar.
Atëhere pushtuesi serb ishte i ri, tani pushtimi ishte bërë 80 vjeçar në Kosovën e sotme, ndërsa trojet e tjera shqiptare që i kishte marrë Serbia, si Toplica, jetojnë si shqiptare veç në këngët tona, në kujtesën tonë.
Atëhere serbët kishin bindë botën se po dëbojmë myslimanët shqiptarë për në Turqi. Tani që serbët vetë u thonin shqiptarëve “Shqiptar muti, bezhi për Shqipëri”.
Atëhere pa qëndresë të organizuar, pa shpresë qëndrese, tani me shpresë qëndrese të organizuar, me institucione paralele që kishin konsoliduar si dhe rritë ndërgjegjën kombëtare, që do ta kishin bërë të njohur botërisht Kosovën e çeshtjen kombëtare shqiptare, me UÇK-në të formuar që jepte e ngjallte shpresë.
Atëhere kuptohet pa miq të huaj, pa aleatë, pa përkrahje, me Evropën kundër, tani me miq, dhe me aleatë, me përkrahje të fortë nga amerikanët dhe nga disa shtete evropiane.
Përsëritjen e kësaj kënge dhe të kësaj tragjedie, si dhe atëhere kur u dëbuan shqiptarët prej Nishi e Toplice, Kosova e ka parë mes Luftrave botërore përsëri. Atëhere ishin shumë arsye veç sa Serbia donte trojet e shqiptarëve. Serbia solli kolonë në Kosovë dhe shqiptarët ia “fali” Turqisë.
Në këto kohë u ngrit madhështore dhe qëndroi si asnjëherë kulla e Ramë Bllacës, shtëpia e njohur e tij dykatëshe e gurit që ai po e ndërtonte ndërsa qerret dhe sajet e shqiptarëve ishin ngarkue me shqiptarë drejt Turqisë.
E kush kalonte aty pari nga Qafa e Duhlës e gryka e Carralevës e shihnin atë digë qëndrese që ndali vërshimin e dëbimit të shqiptarëve.
Nuk ka patur ndonjë akt më të madh, më të mençur në histori që të ketë patur aq ndikim e atë lloj ndikimi sa kulla e Ramë Bllacës për t’i ndërgjegjësuar shqiptarët mos t’i lëshojnë trojet.
Fati i keq e më i keq në historinë tonë si shqiptarë ndoshta ky ka qenë, lëshimi i trojeve e ndaj jemi pak sot në hapësirat e pakta që na kanë mbetë se ne i kemi lëshuar anise jo prej dëshire, por i kemi lëshuar nga dhuna.
Për ta njohur veten, për të ditur kush jemi, për të guxuar pët t’i thënë vetes edhe nëse jo kujt tjetër, se cilët jemi ne në të vërtetë në raport me veten, me fëmijët, me prindërit, me atdheun, me dashurinë dhe patriotizmin tonë ndaj atdheut e kombit, me gjithë urretjen ndaj njëri – tjetrit dhe ndaj armikut; në raport me trimërinë tonë shumë të dëshiruar në realitet e për këtë shkak të zmadhuar në këngë, me cilësinë e qëndresës e trimërisë tonë, me jëtëgjatësinë e saj në beteja e luftra për atdheun, sepse shpesh patëm luftuar aq ditë sa patëm bukë në trastë dhe pastaj qemë kthyer në shtëpi duke e lënë luftën në mes; në raport me kontributin tonë ndaj atdheut, që rrallë na ka premtuar sa duam e gjithmonë sa meritojmë, që më shumë na ka dëbuar nga pamundësitë e tij vrasëse për ne, në raport me kontributin tonë si atdhetarë e si shërbëtorë e mercenarë për shtete e vende të tjera që duke shkëlqyer si të tillë edhe kundër atdheut.
Qëndresa shqiptare po dergjej në shtrat me shumë plagë. Gjergj Elez Alitë po kalbeshin në shtat prej plagëve të shumta, të pashërueme. Motrat e Gjergjave s’kishin më lotë, u ishin tha. Nuk kishin dhënë rezultat ndeshjet e Gjergj Elez Alive, fitoret e tyre, pasi “kënga” nuk i kishte përzënë ata përtej “deteve” e maleve. E kishin plagosë të keqen pa ia prerë kryet, ishin ngutë duke kenduar këngë trimerie e inati, teksa bajlozat shëroheshin shpejt dhe ishin aty, nuk kishin ikë larg.
Nuk frymëzonin tani më Gjergjat as kur hynin në burg. Kreshnikët ligështoheshin brenda mureve. Dhe prej dajakut squllej qëndresa, prej dajakut zgjidhej gjuha dhe ilegalët që nuk i njihte populli bëheshin të njohur prej armikut duke populluar me shpejtësi qelitë e tij.
Gjergj Elez Alive në Kosovë po u jepte shpirt trimnija. (“Trimat moti ishin kanë dekë/ Shpata e tyre, thojshin, ma s’po prêt”). Po harrohej se pushtuesi mund të vritej edhe me duar, ndërsa plumbi shponte lisat. Gati po krijohej bindja se serbët e lindur me këmishë dhe nuk i vriste plumbi i shqiptarit.
Në sytë e fëmijëve që ishin dëbuar luhen tragjeditë. Ata sy fëmijësh e kanë të turbullt të nesërmen, në mos nuk shohin të nesërme. Prindërit u thonë na ka përzanë shkau, por pak prej fëmijëve të asaj kohe luftë e shpëngulje kanë parë shka në oborret e shtëpive të tyre, pak prej tyre dinë ta vizatojnë fytyrën e shkaut, të milicit a të ushtarit serb, përveçse këndojnë këngën e mykur të urrejtjes që prindërit ua kanë mësuar përmendësh.
Por ndonjë fëmijë mund të ketë parë edhe se si e kanë lënë pa e marrë prindërit se nuk kanë mund ta marrin, mund të ketë parë se si ndonjë nënë, për të shpëtuar vetë ka ikë e ka lënë fëmijën ose e ka hedhë fëmijën. Siç ka ndodhë kudo në luftra e në masakra. Ndonjë fëmijë ka parë me sytë e tij bajonetën e ushtarit serb duke u ngulë në barkun e nënës. Shumë fëmijë të palindur kanë ndjerë bajonetën e ushtarit serb që u është ngulë në trup aty në barkun e nënës, ende pa u lind.
A duhen besuar heronjve tanë, që i kanë shërbyer në një mënyrë apo në një tjetër pushtuesit dhe pastaj pushtuesi kur i ka vra, i ka vra në atë mënyrë që të na duket ne sa më heroike dhe ne të mashtrohemi përjetësisht prej heronjve tanë të shpikur, apo heronjve që na i ka emëruar si të tillë pushtuesi dhe pushtuesi ynë të na përqeshë gjithmonë duke e ditë ai mirë se kush janë heronjtë tanë dhe çfarë biografie trimërie kanë.
Nga thellësitë e kohës gjëmon kënga e kreshnikëve tanë. Të cilët nuk do të ishin të tillë po të mos jetonin e luftonin me armi-kun, me shkaun. Kurrë më shumë e më mirë edhe se sa nga kreshnikët tanë nuk provohet thënia se lufta është jetë dhe pa luftë kreshnikët nuk jetonin. “Zoti e vraftë bacën Mujë / Ku t’jenë shkiet ma t’ligj e ma t’kqij / Probotina shkon e i zen”, thotë kënga e kreshnikëve. Ne nuk kemi dashtë me e ditë për këto këngë. Dashuri dhe urrejtje bashkë, bashkëjetesë me serbët kemi pasë.
Gjithmonë kështu ka qenë ky fat i keq i shqiptarëve, që armiqtë më të mëdhenj të tyre kanë dalë edhe nga radhët e tyre që kanë shërbyer për vendet e tjera armike, për ushtritë armike. Është i njohur divizioni i hekurt serb që shkatërroi shqiptarët që luftonin për trojet e tyre nën Turqi në luftën e Kumanovës me 1912, pasi ky divizion ishte i krijuar nga ushtarë të rajoneve të Toplicës, Nishit, etj, ndoshta edhe me shqiptarë që tani kishin shpëtuar pa u shpërngulë për Turqi me 1876 dhe që kishin ndërruar fe dhe kombësi dhe ishin bërë luftëtarë në divizionin e hekurt serb, siç thotë edhe Vaso Çubrilloviqi, pa i cilësuar si shqiptarë ushtarët e këtij divizioni.
Por nuk po shkojmë thellë në histori, vetëm po përmendim ato ikje që jetojnë dhe që vajtohen ende. Ikën shqiptarët pasi vdes Skëndërbeu, shkuan në troje të tyre në Greqinë e sotme ku jetojnë edhe sot si shqiptarë të hershëm e si grekë të sotëm. Një pjesë ikën në Itali ku janë ende sot dhe ata i shërbyen shumë kombit shqiptar, nuk e lanë të shuhet brenda tyre e brenda nesh që mbetëm këtej detit, duke na kujtuar përditë se Arbëria këtej detit ua kujton se shqiptarët të huaj janë në atë dhe…
Nuk dimë për ato ikje të shqiptarëve të atyre moteve. Por dimë se jo të gjithë u detyruan të mohojnë se janë shqiptarë dhe vonë Greqia i dëboi me anë të mercenarëve shqiptarë një pjesë të madhe të çamëve shqiptarë myslimanë dhe ata morën udhët për Turqi e për Shqipëri. Prapë na dalin mercenarët shqiptarë ortodoksë, më të zellshëm e më të tmerrshëm në shërbim të grekëve kundër shqiptarëve myslimanë.

Por ikje e vonë, e tmerrshme, me pasoja dramatike për shqiptarët është ikja e shqiptarëve prej të gjitha rajoneve të Nishit, Sanxhakut, shqiptarët e Toplicës. Veç qyte-teve shqiptare u shfarosën e shpërngulën mbi 600 katunde shqiptare kryesisht drejt Turqisë, Kosovës së sotme e Maqedonisë. I gëlltiti Turqia në marrëveshje me Serbinë. Turqia donte shqiptarët dhe i mori, Serbia donte trojet e territoret shqiptare dhe i mori. Shqiptarët ngelen me gisht në gojë. Ikën shqiptarët. Nuk bënë qëndresë sa duhet. Evropa shkruante në gazetat e saj të kohës se po del Turqia prej Evrope, ndërkohë që po dëboheshin shqiptarët prej trojeve të tyre drejt Turqisë, po i bënte Evropa një dëm të pallogaritshëm vetes së saj, po dobësonte veten dhe po forconte Turqinë, po dëbonte prej vetes rracën më të bukur të cilën e ka përdorë me shekuj për të mbarsur veten e saj.

Turqia i mori shqiptarët në zbatim të një marrëveshje me Serbinë e në zbatim të një dekreti sulltanor për t’i larguar myslimanet prej trojeve që pretendonte Serbia. Turqia i mori se i deshti shqiptarët, por ajo i deshti si turq dhe jo më si shqiptarë, ua ndërroi menjeherë mbiemrat që t’ua shuante dhe zhdukte identitetin e i derdhi nëpër Anadoll.
Kështu edhe pas luftrave ballkanike ikën përsëri shumë shqiptarë. Përsëri ikën drejt Turqisë e cila nuk ngopej duke gëlltitë e kullufitë shqiptarë por që i konvertonte menjëherë në turq.
Nuk ka vaj që ta vajtojë ikjen e dëbimin e shqiptarëve, mundjen e tyre se lëshimi i atdheut, zbrazja e atdheut prej shqiptarëve është mundja më e madhe dhe falimentim i shqiptarëve. Shpesh ka ndodhë që krerët e shqiptarëve kanë qenë sherbëtorë të të huajve, kanë qenë zyrtarë të emëruar nga pushtuesit, janë shpërblyer nga pushtuesit, kanë qenë edhe mercenarë të zellshëm të pushtuesve, të cilët kanë mund e kanë ditur dhe kanë patur gjithmonë mekanizëm të njohur që për t’i mundur shqiptarët, duhen përçarë, si dhe ata ia kanë arritur kësaj gjithmonë.

Erdhi shembja e komunizmit në Shqi-përi. Po të kishte anije mjaftueshëm, po të kishte celularë në ato ditë, po të kishte mundësi informimi e komunikacioni mbase me siguri do të iknin më shumë se gjysma e shqiptarëve me anije e jo vetëm 70 mijë vetë që ikën me anije duke tronditë botën.

Anijet e shpëtimit ishin si Varka e Noes ato ditë për shqiptarët e shkatërruar nga diktatura. Sepse atdheu nuk i donte, nuk i duronte bijtë e vet. Atdheu komunist u ofronte burgje shqiptarëve, u ofronte tela me gjemba, i vriste në kufi, i shpallte tradhëtarë po të guxonin të iknin nga atdheu. Atdheu nuk i ushqente shqiptarët, i kishte dënuar me uri, me mungesë shprese, me mungesë të plotë proteine. Atdheu komunist kishte krijuar njerëzit e ri tip lejfen, kishte vrarë zotin dhe në vend të tij kishte shpallë zot diktaturën, kishte zhdukur fenë dhe në vend të saj kishte shpallë fe Partinë, dhe Shqipërinë e kishte barazuar me Partinë, pasi parulla dominante e kohës ishte Partia
Shqipëria, kishte bërë spiunë pa fund, ishin bindë shumë njerëz të verbër se bar do të hamë dhe ne s’do të shkelim parimet e komunizmit, do të jetojmë si vegjetarianë ndërkohë që diktatura dhe e shpura e tyre jetonin superluks. Dhe pra ra diktatura dhe ikën shqiptarët. Ikën shumë e shumë në Greqi pasi ishte kufi tokësor dhe iknin ilegalisht. Dhe tani kuptohet më shumë se gjysma e shqiptarëve iku. Këtë patriotizëm kuptohet e kishte mbjellë dhe e kishte rritë udhëheqja te shqiptarët, të cilët i kishte trajtuar gjithmonë si kafshë të fermës së kafshëve. Këta shqiptarë nuk mund të shkonin për të luftua më për Kosovën sepse udhëheqja tani kishte vra Kosovën mu në zemrën e çdo shqiptari pasi që ata e donin gjithmonë Kosovën vetëm nën Serbi.

Ikin shqiptarë përditë se atdheu nuk u mjafton, nuk u del, nuk u jep shpresë, nuk u jep punë, nuk u jep të ardhme për vete e për fëmijët e tyre, atdheu i braktis në nevojë, nuk u gjendet atdheu për asgjë, vriten në mes të sheshit, nuk gjenden vrasësit që enden të lirë, i dëbon nga puna dhe i braktis si të ishte atdhe armik, si të ishte atdhe i huaj dhe që shqiptarët në atdheun e tyre ndjehen si të huaj, pasi duket se shpesh e shumë shpesh këtë atdhe e marrin peng banda të pashpirta, që nuk kanë asnjë lidhje me njeriun, por vetem shohin pushtetin personal, pasurimin e tyre.
Duke dashtur për të pohuar dhe lartësuar Kullën – Digë të Ramë Bllacës që mbeti në histori si askush asnjëherë dhe e lartësoi veten por dhe Bllacën si asnjë fshat tjetër, ne e bëmë këtë vështrim për ikjet e dëbimët e shqiptarëve në histori, ikje e dëbime të cilat nuk po ndalen as sot e gjithë ditën.
Por sot, për fatin tonë të keq, nuk po i dëbon shqiptarët Serbia, por po i dëbojnë qeveritë e tyre që shpesh sillen me popullin sikur të ishin qeveri të huaja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here