Qëndrimi në diell për orë të tëra mund të shkaktojë probleme dhe komplikime të rënda te fëmijët e moshave të vogla, kjo për faktin se organizmi i tyre mund të dehidrohet, duke humbur sasi të shumta lëngjesh.
Humbja e sasisë së lëngjeve në organizëm në shumë raste mund të kthehet në problem të rëndë shëndetësor për grup-mosha të ndryshme.
Zakonisht ndodh që çdo ditë në kushte normale trupi ynë humbet sasi të caktuara uji nëpërmjet proceseve të ndryshme, siç mund të jenë urinimi, djersitja e të tjera.
Pavarësisht kësaj, duhet treguar kujdes gjatë kësaj stine, pasi nëse humbjet janë tepër të mëdha e nuk zëvendësohen shpejt, atëherë organizmi ekspozohet ndaj shfaqjes së komplikimeve shëndetësore, të cilat kërkojnë ndërhyrje të shpejtë mjekësore.
Kur humbjet e lëngjeve në organizëm janë në sasi të larta, shkaktohet dehidrimi, ku më problematike kjo shfaqet te moshat e vogla. Ndërkohë situata mund të bëhet edhe më e rëndë, nëse tani gjatë sezonit të plazhit nuk tregohet kujdes edhe me mbajtjen e kushteve të duhura higjienike, sidomos gjatë gatimit apo konsumimit të produkteve ushqimore. Pasi edhe këto bëhen shkak për kontaminim me sëmundje të tjera të natyrës bakteriale.


