ILIR CENOLLARI /Perandori Anastas me origjinë nga Durrësi e la Perandorinë Bizantine (fillimi i shekullit të VI, viti 518), në gjendje shumë të mirë financiare. Por ai nuk lindi fëmijë dhe la trashëgimtarë tre nipërit e vet. Perandori u përkujdes t’i mbulojë nipërit me pasuri, tituj dhe ndere të mëdha dhe i lidhi me krushqi me familjet më fisnike të Bizantit. Mirëpo cilësitë personale të trashëgimtarëve të perandorisë nuk përkonin me titujt e lartë dhe luksin pasuror. Nipërit zhgënjenin në kulturë, dije dhe virtyte.
Historianët e Perandorisë Bizantine theksojnë se një nga gabimet më të mëdha të Anastasit qëndronte në ngatërrimin e punëve të shtetit me punët e familjes. Detyrat më të rëndësishme shtetërore Anastasi ua la në dorë të afërmve të fisit të vet. Kështu, Amanti, pa dyshim nga krahina e Labërisë, si e tregon epiteti “amanti”, kurdisi në kokë komplotin për vendosjen e besnikut të vet, Theokritit, në krye të perandorisë. Këtë gabim e korrigjoi bashkëkombësi i Anastasit, Justini, një ushtarak i thjeshtë që i ngjiti rrufeshëm shkallët e karrierës. Justini, paratë e hequra mënjanë nga Amanti, nuk i përdori për qëllime personale, por ia shpërndau popullit dhe ushtrisë. Kjo ia rriti shumë prestigjin në sytë e senatorëve, klerit dhe popullit. Për të fshehur origjinën e ulët shoqërore, Justini ndërroi emrin dhe u pagëzua me një emër të lavdishëm romak, Anicius. Jo vetëm kaq, ai iu ankua papa Hormisdas me një sërë letrash se gjoja i kanë bërë padrejtësi të mëdha, etj. Papa Hormisdas njihet për letrat dërguar kontëve dhe peshkopëve të Adrianopolit ose Ilirisë Jugore. Më 9 qershor të vitit 518, Justini shpallet perandor i Bizantit.
Perandorët, këta “zotër të zbritur në tokë”, janë njerëz si gjithë të tjerët, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Skalitja e tipareve karakteriale ka rëndësi të madhe për të kuptuar figurën e tyre dhe ndikimin në proceset historike, jetën politike, vendimet shtetërore, etj. Justini lindi në Tauresium, një fshat i Dardanisë, afër Bederianës, vendlindja e nipit të vet, Justinianit. Kur Justiniani u bë perandor, Tauresianën e bëri qytet dhe i dha emrin Tetrapyrgia, Katër Kullat! Justini thuhet se ishte me shtat mesatar, me fytyrë zeshkane, të gjerë dhe të ashpër, tipare të rregullta, vështrim krenar, hije luftëtari! Nuk dinte as shkrim dhe as këndim, firmoste me një vulë ari. Justini kishte vetëm karrierë ushtarake, e fare pak politike,qe senator, por ai zotëronte shkencën e mirëfilltë të sovranit, atë që cilësi që kompenson çdo mangësi tjetër, artin e njohjes së njerëzve dhe përdorimit të dhuntive të tyre. Mendjen e Justinit e ndriçonte Proklusi, ministër i zoti, bujar dhe i drejtë. Justini besonte lehtë, por ishte njeri i drejtë dhe zemërmirë, cilësi tipike shqiptare. Historianët tregojnë një rast bujarie dhe shpirtmadhësie të rrallë të tij. Një pasanik i madh nga Korinthi, Eulialus, me tre vajza të mitura, u rrëgjua papritur dhe po vdiste për bukën e gojës. Pasaniku ia la amanet Justinit t’i rriste si vajzat e veta dhe t’i shlyente borxhet. Perandori zuri vendin e babait të dhembshur dhe plotësoi me besnikëri të gjitha pikat e testamentit të Eulialit.
Një ngjarje e tillë bëri bujë të madhe. Justini u martua me Lucipinën (emri Kristian Eufemia), të cilën perandori e bleu si skllave, e bëri konkubinë dhe më pas bashkëshorte. Çifti perandorak nuk lindi fëmijë. Për nder të bashkëshortes Justini ndërtoi në kryeqytet një kishë me emrin Shën Eufemia ku dhe prehen eshtrat e tij. Veprimtaria politike dhe shtetërore e Justinit shtrihet në dy fusha kryesore: në ruajtjen e unitetit kishtar dhe në mbrojtjen e kufijve lindorë. Ushtria dhe policia është në duart e gjeneralëve dhe oficerëve ilirë. Hipati, nipi i Anastasit, patrik, është shefi i policisë së lindjes. Justini dërgon trupa ushtarake në lindje të komanduara nga dy gjeneralë të famshëm: Sitasi dhe Belisari, të dy dardanë, ilirë, oficerë në gardën e Justinianit. Emri i Belisarit, kapitenit më të madh të shekullit të VI, Skipioni i Perandorisë Bizantine, përmendet për herë të parë gjatë kësaj fushate ushtarake. Belisari lindi në Dardani, shërbeu me Sitasin në Persarmeni dhe mori pjesë në beteja të shumta në përbërje të ushtrisë perandorake dhe u pagëzua me emrin “Lavdia e Romanëve”. [1] Ushtria e Bizantit marshoi në drejtim të Mesopotamisë, Nisibesë, nën drejtimin e trakut (ilir) Lisilerë, një frikacak i pashoq.
Në vitin 523, Belisari gjendet në Dara; perandori i cakton sekretar personal Prokopin e Çezaresë, historianin e Justinianit, perandorit iliro-dardan të ardhshëm. Sharl le Bo e përshkruan në këtë mënyrë rëndësinë strategjike të këtij rajoni: Romakët e Lindjes ngritën qendra të rëndësishme tregtare dhe ndërmorën fushata të mëdha ushtarake në Gjirin Arabik, në Afrikë dhe në Azi. Perandoria Bizantine u mundua të përhapë krishterimin në këto hapësira strategjike dhe të gjejë aleatë të vlefshëm, por korri suksese të pjesshme. Sfida tjetër e madhe e Justinit qe perëndimi, sidomos çështja fetare, uniteti i kishës së krishterë, një problem madhor i shfaqur dhe gjatë sundimit të Theodhosit, Pulkerisë dhe Marsianit. Kjo çështje prekte gotët sepse ligji i nxjerrë nga Justini e konsideronte arianizmin herezi dhe i përjashtonte ata nga shërbimet fetare, qeveritare dhe ushtarake. Megjithatë, Justini lejoi lirinë e ndërgjegjes, lirinë fetare dhe shpirtërore, por u përkujdes për ruajtjen e unitetit fetar si kusht për ruajtjen e sigurisë publike, e sigurisë së shtetit dhe perandorisë. Një fe, një shtet! Ky ligj acaroi gotët dhe gati shkaktoi një luftë të tmerrshme.
Theodoriku, mbreti got, i bëri presion papa Gjonit, pasardhësit të Hormisdas, të niste një delegacion të nivelit të lartë në Kostandinopojë për ta biseduar këtë çështje me Justinin. Mirpo papati ishte më i interesuari për ruajtjen e unitetit të kishës katolike dhe problemi ishte sa fetar, sa politik dhe sa institucional. Kjo rrethanë solli ndërlikime të tjera politike. Mbreti got, Theodoriku, dyshoi se klerikët dhe funksionarët e lartë të Italisë mbanin lidhje të fshehta me Kostandinopojën dhe komplotonin kundër tij. Ky dyshim iu kthye në torturë dhe kreu vrasje dhe krime të rënda, largoi nga oborri bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më të zotë, si Kasiodori dhe Boeci, etj. Patriku Albinus u akuzua se mbante lidhje sekrete me Justinin, për t’u bërë zot i gjithë Italisë. Boeci u mbrojt duke thënë se këto janë shpifje, por kjo s’e pengoi Theodhorikun ta burgoste dhe dënonte për tradhti. Gjatë vuajtjes së dënimit në burg, Boeci shkroi një vepër të rëndësishme: “Ngushëllimi i filozofisë”. Dhe vjehrri i Boecit, Simaku i famshëm, patrik, konsull, kryetar i senatit, filozof, matematicien, retorist, u arrestua dhe u burgos në Ravenë.
Pas një viti u ekzekutua. Vrasjet dhe burgosjet e eltitës romake e hidhëruan pa masa papa Gjonin, i cili u nis për në Kostandinopojë, viti 525, ku u prit me nderime të mëdha. Papa drejtoi dhe meshën e Pashkëve të 30 marsit të vitit 525 në gjuhën latine. Arsyeja kryesore e kësaj vizite ishte problemi i arianizmit dhe i gotëve. Mirëpo me t’u kthyer në Ravenë, delegatët e papa Gjonit u arrestuan dhe burgosën. Në 27 maj 525 papa Gjoni vdes dhe pasohet nga Feliksi III, që gëzonte mbështetjen e mbretit got, Theodhorikut. Feja dhe politika shkojnë krah për krah.
[1] Për figurën dhe veprimtarinë e Belisarit do të flasim në një shkrim tjetër.