Njeriu është në liri dhe kudo është me pranga.
Gjithçka në këtë jetë, të gjitha në këtë botë, për gjithçka – kërkojmë përgjigje. Pyesim: si, çka, pse, kur, ku… E, me këto pyetje na shkon më shumë se gjysma e jetës, për të mos thënë e tëra. Jeta ecën, ikën, shkon, s’kthehet dot…
Bota jonë, kjo botë e neve, “të rregulltve”, është e sa po bëhet edhe më e çakorduar, më e parregullt, e egër dhe e pamëshirshme…
Mirë e ka pasur ai që e ka thënë: “Pa dashur, njeriu është vetëm një kufomë e ardhur pa leje, s’është gjë tjetër veçse disa data dhe një emër i rastit”.
Njeriu është një ishull i vetmuar, në të cilin përballet me valët e dalldisura të detit, të jetës…
Sa dhimbje i kursen vetes kur je duke fjetur. Problemi qëndron kur zgjohesh…
Nëse e fillon një ditë të re, fillo s’pari duke dashur veten tënde.
Për çdo ditë mendo se sa e meriton dhe çka meriton. Injoro ata që nuk të vlerësojnë. Ke veten tënde, merru me te.
Nëse ndalesh sa herë leh një qen, nuk ke për ta përfunduar kurrë rrugën tënde.
Mos harro, siç thonë ata që merren me mendimin pozitiv: ne jemi të gjithë lule të bukura kur dielli shkëlqen brenda nesh.
Pjesa më e mirë e jetës kalon duke thënë: është shumë herët dhe, pastaj, është shumë vonë.
Rrallëherë qëllojmë në kohën e duhur.
Gjithmonë në përpëlitje.
Në kërkim të së mirës.
Të lumturisë…/

gani dili

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here