Kostandin Arianiti (“Comminos, Comnène (Cominato) alias Arianiti Constantin) është një nga personazhet më të habitshëm të historisë shqiptare pas epokës së Skënderbeut. Ai ishte nga të rrallët që arriti një dimension europian në oborret mbretërore të Republikave të veriut të Italisë, të mbretërisë së Francës, të Napolit në Italinë e jugut, të Vatikanit apo në oborrin e perandorit Maximilan I, duke qënë dhe ambasador i tij, etj. Mjerisht, historiografia shqiptare shumë pak e ka prekur këtë figurë kaq simpatike, por dhe një person tek i cili, mbreti i Francës dhe mbretërit e tjerë të jugut dhe të veriut të Italisë, kishin nevojë të mbështeteshin. Shumë historianë italianë dhe francezë, kur kanë shkruar për historinë e luftrave të Italisë, apo mbi historinë e mbretit francez Charles VIII, janë ndalur dhe te ky personazh i quajtur shpesh: Constantin Araniti Comnena. Siç ka shkruar dhe historiani francez Commynes, i cili e ka njohur nga afër, “Konstandini kishte lindur në 1456, në Durrës, dhe ishte biri i Gjergj Arianitit, një feudali shqiptar të njohur në luftrat kundër otomanëve. Një nga vëllezërit e tij, Vladan Araniti, ishte martuar me një nga motrat e Skënderbeut, ndërsa vetë Skënderbeu ishte martuar me motrën e tij, Donika Araniti. Nëna e Konstandin Aranitit ishte Petrina Francone nga Pulja, vajza e madhe e baronit të Taurisano-s, Oliviero Francone, një lietnant aragonez nga Leçe.” “Gjergj Arianiti, – shkruan diplomati francez, – vdiq në Durrës dhe la tri djem, të cilët, më 1464, u njohën si “patricë venecianë”. Madje Konstandini hyri në shërbimin pontifikal në Vatikan dhe arriti një funksion si “protonoter apostolik”. Në fund të viti 1486, Konstandini shkoi në shërbim të mbesës së tij, Maria e Serbisë, e lindur me mbiemrin Brankoviç dhe që ishte gruaja e markezit Boniface të Montferrat të Italisë. Por si trashëgim nga të parët e tij, ai kishte dhe titullin “comte de Macedoine dhe duk i Achaïa (Greqisë së veriut)”, një titull që ai e trashëgonte që në shekullin e XIII, kur po një Boniface de Montferrat ishte despot i Achaïe-s.»/Konica.al

 

 

 

 

 

 

Një studim më vete për figurën e Konstandin Arianitit ka shkruar studjuesi gjerman Franz Babinger si dhe Giorgio Fiori (Gli Arianiti, una famiglia albanese alla corte di Montferrato). Studjuesi tjetër italian Pierluigi Piano, shkruan se “gjyshi i tij, baroni i Tauriscano-s, Oliviero Franco ishte “vicario”, mëkëmbës i mbretit të Napolit në Pulja, i martuar kohë më parë me vajzën e princit të Moresë, Centurione Zaccaria”. Kur vdiq në Durrës Gjergj Arianiti, apo Gjorg Golemi, siç hyri ky hero në kujtesën kombëtare shqiptare dhe gojëdhënat popullore për luftrat dhe qëndresën e tij kundra osmanëve gjatë afro tri dekadave para shfaqjes së Skënderbeut, Petrina, nëna e Konstandinit, Tomasso-s dhe Arianitit (biri), i kërkoi ndihmë senatit venecian. Ishte kapiteni venecian i Durrësit, Paolo Quirini, i cili në vitin 1463 i përcolli senatit kërkesën e italianes Petrina, (gruas së dytë të Gjergj Aranitit “capitaneus per dominium in partibus Albanie”), dhe ku senati vendosi tu japë atyre titullin “patrizi veneziani”. Po kështu, meqë ajo dhe tri djemtë e saj e lanë Durrësin dhe ikën në Romë, duke i kërkuar ndihmë dhe Vatikanit, Konstandini hyri në atë kohë në shërbimin pontifical të papës Sisto IV, ku pas disa vitesh ai mori detyrën si “protonotario apostolico”, edhe pse nuk ishte ndonjë i apasionuar pas fesë. Por martesa e tij në vitin 1492 me Francesca-n, vajzën e princit të Montferrat-it, Boniface Paleologu, do ta ndryshonte karrierën e jetës së tij.
Familja Arianiti njihej atëherë edhe si familja Comneno, siç shkruhet dhe në letrat e papës Clement VII, perandorit Charles Quint apo dozhit të Venedikut drejtuar Konstandinit. Madje perandori Frederiku III i shkruante papës Innocenzo VIII për Petrina-n “të venë e princit të lashtë të Maqedonisë”. Dhe padyshim, ardhja e ushtrisë franceze të Charles VIII në Itali do ta bënte figurën e tij një personazh historik. Në shtator të vitit 1494, siç shkruan Pierluigi Piano, në krye të 300 kalorësve stratiotë, ai priti në Moncalvo të Astit mbretin francez, duke e përcjellë atë dhe ushtrinë e tij për në Casale të Montferrate-s.

 

Më 1494, Philippe de Commynes, ishte i dërguari, apo ambasadori i mbretit të Francës në Venedik. Shënimet e këtij ambasadori dhe historiani janë tepër interesante, si për atmosferën dhe gjëndjen e Shqipërisë në atë kohë, ashtu dhe për Aranitin dhe luftën e stratiotëve. Në fakt, mbreti Charles VIII rridhte nga familja e anzhuinëve dhe pas kurorëzimit si mbret i Francës, ai duhej të shkonte dhe në Napoli të merrte kurorën si mbret edhe i mbretërisë së Napolit. Por për këtë i duhej më parë të sigurohej që të mos kishte probleme me princat italianë. Në biografinë e tij Charles VIII, Didier Le Four shkruan se “Më 29 mars, mbreti dhe oborrtarët e tij pritën në Paris ambasadorin e Sforzas. Pas përshëndetjeve, ambasadori informoi shpejt për situatën që do të gjente mbreti në Napoli, duke i paraqitur dhe planin e sulmit. Sipas ambasadorit, çështja ishte e lehtë, por dhe e nevojshme. Por meqë Charles mbetej gjithnjë prijësi i Kryqëzatës, ambasadori harroi t’i saktësojë 70 miljet detare që i ndanin brigjet italiane nga ato greke. Mbreti mund të kalonte lirshëm dhe në besim. Italiani pohoi se shqiptarët prisnin veçse një shenjë që të ngriheshin në luftë”.

Në fillim të qershorit të atij viti, mbreti që kishte zbarkuar në veriun italian dhe kishte filluar betejat e para, ishte i shqetësuar se mos Ludovico Sforza i dukatit të Milanos, pushtonte Asti-n. Dhe ai donte t’i dilte përpara kësaj të papriture. “Që më 10 qershor, Duka i Orleanit hynte kështu në Novara bashkë me dy aleatët e mëdhenj të tij, Konstandin Aranitin dhe markezin e Saluces, të cilët ishin armiqtë e Ludovico-s. Ky i fundit ishte aq i tmerruar nga pushtimi i Novare-s, saqë i kishte kërkuar ambasadorit të Spanjës se mund të shkonte me urgjencë në Spanjë për të gjetur strehë”. Por Charles VIII do ta takojë shqiptarin Konstandin Araniti më 7-10 tetor 1494, në Casale, në veri të Italisë, ku ai jetonte me mbesën e tij, Maria e Serbisë, vajzën e motrës së tij, Angjelina, e martuar me despotin e Serbisë, Brankoviç, dhe që siç thonë kronistët, Maria nuk fliste frëngjisht. Me Aranitin, ai bisedoi për fillimin e një beteje në front të gjerë kundër osmanëve. Madje siç shkruhet, mbreti kishte parë në ëndërr një flamur kryqëzate, çka nënkuptonte për të se duhej të shpëtonte varrin e Krishtit në Jeruzalem. Në Casale, Arianiti e shtyu mbretin francez të ndërmerrte një Kryqëzatë të vërtetë kundër osmanëve dhe për këtë i premtoi kontributin e dhjetra mijra stratiotëve dhe këmbësorëve të tjere që prisnin në brigjet e Adriatikut, në tokat shqiptare. Në Casale, mbreti ishte i pranishëm dhe në ceremoninë që u zhvillua, ku markezja Maria e Serbisë, pranonte të ishte vasale e mbretit francez. Kronikat shkruajnë se “Fëmija xhveshi rrobat e tij dhe veshi rrobat me shenjat franceze”. Në librin e tij Charles VIII, historiani Ivan Coulas shkruan se “Charles VIII mori kontakt me peshkopin e Durrësit, Martino Firmiano dhe Constantin Araniti, të cilin ai e kishte takuar në Montferrat. Që të dy, duhej të krijonin një revoltë në bregdetin e pushtuar nga turqit, atje ku janë “Albanais, Esclavons (Sllavët) dhe Grecs”.

Afrimit të mbretit francez drejt jugut të Italisë dhe frikës së osmanëve i referohet në ditaret e tij dhe Sanudo. Më 8 dhjetor të vitit 1494, ai ka shkruar se “turqit po përgatiten para kërcënimeve të Charles VIII për një zbarkim në Ballkan dhe ky lajm jepet përmes një letre nga Konstantinopoli”, ndërsa më 19 dhjetor, ai shton se “nga frika, turqit po largohen nga brigjet shqiptare”. Më 28 shkurt të vitit 1495 ai shkruan dhe për Martinon (Martino Albari, të cilin ai e quan dhe Martino Albanese) të dërguar nga kryengritësit shqiptarë që të takojë Charles VIII pa dijeninë e Sinjorisë. “Ai i kërkoi mbretit që të kalonte nga Pulja dhe në anë të Shqipërisë, duke i ofruar shërbimin e gjithë popujve. Thuhet se Charles VIII i dha atij 400 skude dhe pastaj e nisi drejt Shqipërisë”. Kaq shumë ishin frikësuar osmanët, sa siç shkruhet dhe në dorëshkrimin e Stefano Magnos më 19 dhjetor të vitit 1494, “përmes një letre të kapitenit të flotës veneciane, i cili po kalonte brigjeve të Lepantos, ai dalloi turqit që filluan të largohen nga frika se mos ishte vetë Charles VIII”. Për lëvizjet e Martinos shkruan dhe kronisti Domenico Malipiero në Vjetoret e tij në 4-7 mars 1495: “Arqipeshkvi i Durrësit ka bërë të ngrihen 30.000 shqiptarë dhe i ka vënë në shërbim të mbretit të Hungarisë dhe të Francës. Më 7 mars u muar vendimi që të arrestohet Martino, për shkak se ka tentuar të pushtojë Krujën. Si u kap, ai u mbyll në burg. Njoftohet se mbreti Charles ka dërguar një shqiptar në Shqipëri me 40.000 dukate drejt Venedikut, pas të cilit ishte dyndur një anije që ta kapte…” Në dorëshkrimin e Stefano Magnos shtohet se “arqipeshkvi i Durrësit kishte me vete dhe letrat e mbretit të Francës”. “Martino, – shkruan nga ana e tij Philippe Commynes, – kishte me vete shumë shpata, shyta e shtiza, por duke kaluar midis dy kështjellave, atë e kapën dhe e futën në një nga kështjellat bashkë me shërbyesit e tij, kurse anija ishte lejuar të ikte.” Sigurisht, lëvizjet e Konstandin Arianitit dhe të Martinos shkonin në kundërshtim me interesat e senatit të Venedikut, i cili nuk donte ta prishte politikën me sulltanin. Në një dokument të Arkivit të Venedikut të datës 8 mars 1495, shkruhet se “kërkohet të thirret Martino dhe të kritikohet rëndë, duke i vënë në dukje se sa dëm do t’i kushtonin Krishterimit dhe Paqes me sulltanin revoltat që kërkon të organizojë ai”.

Mbreti Charles VIII donte të zbarkonte në Vlorë me qëllim fillimin e një Kryqëzate. Kjo nismë do të ishte fillimthi si një test për vazhdimin e Kryqëzatës së vërtetë, pasi dhe vetë mbreti nuk ishte plotësisht i bindur për këtë. Sigurisht, qëllimi i Aranitit ishte çlirimi i Shqipërisë dhe rikthimi në trojet e veta shqiptare, por dhe i privilegjeve që i siguronte titulli i vjetër në toka që shtriheshin gjer tutje në Maqedoni. Siç na informon Commynes, në një manifest të 22 nëntorit të vitit 1494, i cili u shtyp dhe u shpërnda në Firence, për herë të parë Charles VIII bëri të njohur projektin e tij për të zbarkuar në Vlorë, në bregun shqiptar. Plani i tij ishte shumë ambicioz: të thyejë osmanët dhe të rikthejë perandorinë bizantine. Dhe në këtë projekt ai kishte dhe mbështetjen e Vatikanit. Meqë vetë do të shkonte në Napoli për kurorëzimin e tij, ai vendosi të dërgonte në Vlorë gjashtë mijë ushtarë, me në krye Antoine de Ville, sire de Domjulien. Më 27 janar 1495, u nënshkrua traktati i aleancës midis Charles VIII dhe Papës, ndërkohë që Commynes fshihte në ambasadën e tij në Venecie, Konstandin Aranitin, i cili ishte me mision sekret: përgatitjen e revoltës me ndihmën e Francës.

 

 

 

 

 

Nga Venecia, Commynes shkruante:  ”Mijëra kristianë janë gati të revoltohen. Nga Otranto në Vlorë janë veçse 60 milje dhe nga Vlora në Kostantinopojë janë 18 ditë udhë me këmbë, në një rrugë ku ka veçse 2-3 kështjella, pasi të tjerat janë rrënuar. Gjithë këto vënde me shqiptarë, sllavë dhe grekë i merrnin lajmet e mbretit nga miqtë e tyre që ishin në Venedik apo në Pulje dhe që prisnin veçse “mesinë” që të ngriheshin në këmbë. Arqipeshkvi i Durrësit është shqiptar. Ai më ka folur për një numër të jashtëzakonshëm shqiptarësh, të gatshëm që të bashkohen në luftë dhe që janë bijtë e nipat e shumë senjorëve si të Skënderbeut, një bir i Konstantinopojës, apo nipa të senjor Konstandinit, që sot qeveris në Montferrat. Midis jeniçerëve, më shumë se 5 mijë prej tyre i kanë lënë rradhët turke. Shkodra e Kruja janë marrë në sajë të punës së Konstandinit, i cili gjatë shumë ditëve u fsheh në Venedik tek unë. Maqedonia dhe Thesalia janë në pjesë të trashëgimisë së tij …”
Por ç’kishte ndodhur në të vërtetë në Venecie, në kohën kur pas ikjes së Konstandinit, atje kishte shkuar arqipeshkvi i Durrësit Martino Firmiano, i cili kishte zbarkuar i ngarkuar me armë për të përgatitur revoltën? Commynes ishte në kontakt të ngushtë me të dhe me refugjatët e ishujve të Moresë, duke i ndihmuar që ata të vënë në veprim planin e tyre. Gjithnjë qëndronte ideja e nisjes së një Kryqëzate të re, kësaj radhe kundër Turqisë. Por siç do ta mësojmë nga Commynes, Venediku luante një politikë të dyfishtë. Kur Venediku e mori vesh se përgatitej kjo kryengritje dhe se shqiptarët do të bashkoheshin me francezët e Charles VIII, Senati e pengoi këtë luftë nga frika se mos ndëshkimi i osmanëve binte dhe mbi ta. Madje ata kishin arrestuar për pak ditë dhe Arianitin, por titulli i tij si “patric venecian” dhe ndërhyrja e miqve të tij e kishte shpëtuar. Venecianët donin ta pengonin ndërmarrjen e tij. Ata kishin nevojë dhe interesa të mëdha që ta kishin mirë me sulltan Bajazitin për t’i patur të hapura dyert e tregtisë. Venedikasit e zbuluan misionin e arqipeshkvit Martino në Venedik, të cilin e burgosën në një kështjellë, pasi i gjetën gjithë planet e kryengritjes, si dhe një letër të mbretit Charles VIII. Siç shkruan dhe historiani Joël Blanchard në studimin e tij Commynes evropiani, “peshkopi shqiptar Martino pak kohë më parë kishte bërë një inspektim në zonën e Dalmacisë, ku kishte takuar nipat e Konstandin Aranitit dhe të Skënderbeut. Ai kishte frymëzuar shpirtrat e mijra kristianëve që ishin gati të ngriheshin në luftë.” Megjithatë, Martino arriti të arratisej, apo të lirohej, siç shkruhet dhe në një letër të datës 10 mars 1495, që miqtë e tij në Venecie i dërgojnë ambasadorit francez Commynes, i cili kishte bërë të gjitha përçapjet që ta nxirrte arqipeshkvin shqiptar nga qelia ku e mbanin. Franciscus Bernardus Vivecomes dhe Taddeus Vicomercatus, i shkruajnë “Illustrissime et excellentissime Seigneur Philippe Commynnes” se “arqipeshkvi shqiptar që po përgatitej këto ditë të ikte në Levant, u la i lirë në sajë të mbështetjes, influencës dhe kërkesave të princ d’Argenton”.
Në fakt, për venedikasit, situata ishte bërë e komplikuar. Vëllai i sulltanit Bajazet, i quajtur Xhem, apo Zizim, i cili mbahej rob dikur nga hospitalierët e Rhodes dhe pastaj pranë Vatikanit, dhe që ishte një peng i çmuar, vdiq papritur, duke krijuar një situate jo të favorshme. Ndërkohë ai ishte bërë aleat i perëndimorëve dhe i Vatikanit kundër vëllait të tij në Stamboll, me shpresë që një ditë të sulmonte dhe ta përmbyste nga froni. Por me vdekjen e tij, turqit tashmë e kishin rrugën e lirë për tu hedhur në sulm kundër italianëve dhe francezëve. Venedikasit ndërkohë ishin njoftuar për përgatitjet e osmanëve, të cilët po armatoseshin në Moré, duke fortifikuar Negroponten (Eubea), në Greqi, e cila kishte rënë në duart e tyre vite më parë. Por ata po përgatiteshin edhe në Vlorë, në Gallipoloi, e gjetkë. Ndërkohë Konstandini kishte shkuar në Milano dhe kishte kërkuar të bindë fisnikët Sforza të Milanos që të angazhoheshin edhe ata në këtë betejë të madhe. Por Sforzat nuk pranuan, madje fshehurazi, ata i kërkuan venedikasve që ta ndalonin Aranitin në përpjekjet e tij. Në Durrës, luftëtarët e Martino Firmianos mblidhnin armë, ndërsa në bregun tjetër të Adriatikut, Konstandini u kërkonte dalmatëve të Raguzës që tu shisnin disa anije lufte, “lombarda”, për të mundur kështu të pushtonin kështjellat që ishin ende në duart e osmanëve.
Më 22 shkurt të vitit 1495, Charles VIII hyri në Napoli. Ai hyri pa pompozitet dhe i pa armatosur. Ai priste që Papa Alexandre VI të shfaqej në oborrin e tij për të bërë bekimin papal të domosdoshëm, por ndërkohë në fshehtësi, Papa ishte bashkuar në një Ligë të formuar midis milanezëve dhe vendikasve, pra në një ligë anti-franceze. Charles VIII qëndroi në Napoli veçse tre muaj. Ndërkohë ai ndryshoi mëndje për fillimin e një kryqëzate të re drejt brigjeve shqiptare, me synimin për tu drejtuar pastaj drejt Stambollit. Duke parë qëndrimet e princave italianë, veçanërisht të Milanos dhe Venedikut, si dhe qëndrimin e Papës, ai hoqi dorë nga kjo ide. Jo, nuk do të shkonte as në brigjet shqiptare dhe as në Stamboll. Duhej të kthehej në Francë. Kështu ai mori rrugën e kthimit. Më 1 qershor të po atij viti, ai mbërriti në portat e Romës, por Papa nuk ishte atje që ta bekonte për kurorëzimin e tij. Ai e kuptoi se ishte e kotë ta kërkonte me ngulm këtë kurorëzim. Mjaftonte garnizoni ushtarak që kishte vendosur në Napoli. Ai nuk besonte se napolitanët do të ngriheshin kundër tij, kundër Francës.
Në betejën e Fornova-s

Një ngjarje për të cilën do të shkruhet shumë në kronikat e kohës është ajo e betejës së Fornova-s në Itali, në kohën kur mbreti Charles VIII po ngjitej drejt Italisë së veriut për të arritur në jugun francez dhe pastaj për të vazhduar udhëtimin drejt Parisit. Në ushtrinë e tij, ai kishte jo vetëm ushtarë francezë dhe zviceranë, por dhe stratiotët shqiptarë. Mbreti ndiqte avangardën e tij bashkë me shpurën me bagazhet e shumta, me pasuri e florinj të marra në Napoli, mes të cilave dhe mjaft dorëshkrime të vjetra, kodikë dhe libra të rrallë të bibliotekës së Robert d’Anjou. Por milanezët dhe venedikasit, në aleancë mes tyre, donin t’i prisnin udhën dhe ta thyenin ushtrinë franceze, megjithë përpjekjet e Arianitit që ata të bëheshin aleatë të Francës. Trupat italiane të prijësit Gonzaga të Mantovës, me flamur të bardhë me katrorë, si dhe ato të venedikasve me emblemën e luanit me aureolë të Shën Markut, të bashkuar dhe me trupat e Ludovico Sforzas (Il Moro), ndiqnin lëvizjen e ushtrisë franceze, e cila komandohej nga mareshalli francez Gié. Por markezi i Mantovës, ashtu si dhe francezët, kishte në shërbim dhe 1500 stratiotë, të cilët me kuajt e tyre e ndiqnin ushtrinë e Charles VIII nga majat e kodrave. Më së fundi në pllajën e Pô-së, më 30 qershor 1495, markezi i vendosi stratiotët e tij në fshatin Giorola, nga ku kalonte rruga e Parmës. Kur do të kalonte Apeninet, mbreti mësoi se në afërsi të tij, në brigjet e lumit Taro, ishte rreshtuar ushtria armike prej 26.000 ushtarësh, mes të cilëve ishin dhe 800 stratiotë shqiptarë të komanduara nga markezi i Mantovës, Francesco Gonzaga.”1 Charles VIII nuk donte të bënte luftë, pra donte t’i shmangej asaj, por kundërshtarët e tij kërkonin ta kapnin të gjallë. Avangarda franceze komandohej nga mareshalli Gié, këmbësorët zviceranë nga konti Nevers, ndërsa praparoja nga Louis de Tremoille, i cili i ndiqte nga pas. Kur shiu filloi të bjerë përsëri, atëherë nisi dhe beteja. Ishte data 1 korrik e vitit 1495. Kalorësit stratiotë u sulën mbi francezët. I entusiazmuar nga fillimet e betejës, Gonzaga, e lajmëroi menjëherë Venedikun për fitoren, por fitorja nuk ishte ende në duart e tyre. Mareshalli Gié arriti t’i shpërndajë stratiotët, por para tij, në luginën e Taro-s kishte 30 mijë trupa armike. Kur ushtria kapërceu lumin, për t’u dhënë zëmër, mbreti Charles VIII mbajti një fjalim patetik para ushtrisë së tij. “Miqtë e mij, a nuk doni të jetoni ose të vdisni bashkë me mua? E di që armiqtë tanë janë dhjetë herë më shumë se ne, por Zoti do të na ndihmojë!”

Për herë të parë mbreti po i bënte ballë një beteje. Kundërshtarët iu afruan afër dhe e qëlluan me shpata dhe kaska e tij u dëmtua aq shumë, sa për një moment ai nuk arrinte të shikonte më. Pastaj ai dha udhër të marshonin përsëri. Ushtarët bënë shenjën e kryqit dhe zviceranët aleatë puthnin tokën. Kur ushtria franceze u sulmua përsëri, stratiotët pikasën vargun e karrove me bagazhet e mbretit dhe e lanë luftën, duke iu sulur bagazheve. Ndërkohë, francezët ishin në thyerje e sipër, por vetëm kurajo e mbretit e nxorri ushtrinë në dritë. Ata ishin 10 mijë francezë kundër një ushtrie tri herë më të madhe në numur. Kur panë mbretin e vetmuar të sulej në fushë të betejës, atëherë të gjithë francezët e ndoqën pas. Dhe meqë stratiotët po merreshin me bagazhet e prapavijës, ushtarët e Gonzaga-s dhe venedikasit, më së fundi u thyen./Konica.al
Pikërisht në këtë periudhë, Maria e Serbisë, vejusha e Boniface de Montferrat, vdiq në moshën 29 vjeçare, më 16 nëntor 1495, duke lënë dy fëmijë të vegjël. Mbreti francez Charles VIII, dërgoi menjëherë në Casale besnikun e tij Commynes për të ndihmuar Aranitin që të merrte në drejtim Montferratin dhe mos ta linin atë të binte në dorë të fisnikëve të Milanos. Në këtë mënyrë, fëmijët do të rriteshin nën kujdesin e Arianitit. Ishte Konstandini ai që pas betejës, i propozoi mbretit të negocionte me Gonzagan dhe ai ra dakort. Kështu, Gonzaga pranoi t’i dorëzonte mbretit francez disa nga bagazhet e grabitura, ndërsa Charles VIII pranoi t’i kthejë kalin e tij të bardhë që i kishin kapur gjatë betejës dhe që ishte mjaft i shpejtë. Në fund ata pranuan të nënshkruajnë armëpushimin midis tyre.

Pas vdekjes së Charles VIII, Arianiti e vazhdoi miqësinë dhe aleancën e tij me francezët. Humanisti Luigi da Porto, në Letrat Historike, përmend dhe ardhjen e Arianitit në 28 prill të vitit 1510, kur zhvilloheshin luftrat me “Ligën e Cambrait”. “Në Friuli, shkruan ai, – erdhi dhe Baldassare Scipione guvernatori i përgjithshëm, me 200 “balestrieri” si dhe 100 stratiotë nën komandën e Konstandin Paleologut (Arianiti, L.R.) dhe të gjithë u vendosën në një fortesë venedikase në Gradisca, mbi lumin Isonzo, e ndërtuar kohë më parë, për të frenuar sulmet e turqve dhe për t’iu bërë ballë gjermanëve.”

 

Arianiti u bashkua me mbretin Louis XII apo Louis d’Orleans, siç quhej më parë, në luftën kundër milanezëve. Në librin e F. Lot, Recherches sur les effectifs des armés française des guerres d’Italie aux guerres de religion, shkruhet se – “Kur Louis XII hyri në Milano, Konstandini ishte në radhët e para pranë tij”. Nga ky burim historik, mësojmë gjithashtu se Arianiti komandonte në atë kohë reparte artilierësh dhe “balestrierësh”. Mbreti Charles VIII e kishte shpërblyer atë me urdhërin e “Saint-Michel”-it dhe në letrat që i dërgonte, ai i drejtohej gjithnjë me fjalët “Mon cousin” (“Kushëriri im”), që atëherë u rezervohej vetëm princave sovranë. Por kjo alencë do të ishte e brishtë, pasi pas vdekjes së perandorit Frederiku i III, në Vienë u shpall perandor i biri i tij, Maximilan I, i cili kërkoi t’i bënte për vete princat italianë, mes të cilëve dhe Konstandinin. Ja pse dhe Louis XII kërkoi ta largonte Konstandinin nga Montferrat, duke mbështetur të birin e Maria-s, i cili mori në dorë principatën e Montferrat-it. Çfarë vallë e kishte shtyrë mbretin francez? Disa kronistë tregojnë historinë e Konstandinit, i cili i nxitur nga mbreti Charles VIII i kishte bërë luftë prijësit të njohur Tomaso Scarampo degli Scarampi. Por gjatë fushatës ushtarake kundër dukatit të Milanit në vitin 1499, Konstandini e kishte rrethuar atë bashkë me stratiotët e tij, e kishte kapur rob dhe i kishte prerë kokën. Por meqë gruaja e kështjellarit Scarampi ishte hedhur nga bedenat e kështjellës, kjo gjë e kishte inatosur mbretin e ri Louis XII, i cili veç të tjerave, ishte informuar dhe për lidhjen e hershme të Konstandinit me princin Ludovico Il Moro bashkë me këshëririn e tij Don Carlo Albanese.

Pas betejës së Pavia-s, francezët, me urdhër të mbretit Louis XII, e arrestuan atë në Vigevano, duke e futur në qelitë e kështjellës së Rocca di Novara dhe pastaj e nisën në Francë, por në vitin 1500, ai mundi të arratisej, duke zbarkuar në Piza. Më 20 maj të vitit 1500, ishte e motra e tij, Angjelina, e cila ndërhyri pranë dozhit të Venedikut që të ndihmohej vëllai i saj i burgosur. Konstandini u burgos dhe u arratis disa herë, gjersa më së fundi mbërriti në Venecia, ku u prit nga dozhi Agostino Barbarico. Një përshkrim të veçantë i bën kronisti Sanudo vizitës së Konstandinit në pallatin e dozhit të Venedikut, më 4 shkurt 1501. Ai ishte veshur me një rrobë të shkëlqyer atllasi të kaltër, me një fes veluri mbi kokë dhe shiritin e artë të dekoratës së Saint-Michel të mbretit të Francës. Ishte Arianiti ai që i propozoi dozhit që ta pajtonte me mbretin e Francës.

 

 

 

 

 

 

Më 1502, në krye të 200 kalorësve stratiotë, ai u nis në Vjenë, ku perandori i Austrisë Maximilian I e caktoi ambasador pranë Vatikanit, duke u bërë më pas një nga miqtë më të afërt të papës Giulio II, i cili rridhte nga familja e vjetër Della Rovere, ku Konstantini kishte martuar një nga vajzat e tij. Madje më parë, por dhe pas largimit të tij si ambasador, ai do të rikthehej përsëri në beteja të ndryshme me stratiotët e tij, siç e shohim dhe në pushtimin e Peruxhia-s, më 1506, për ta kthyer atë nën hegjemoninë papale, apo në mbrojtjen e Venecies në vitin 1509, me 2000 kalorës dhe 1500 këmbësorë si dhe në luftën e Padova-s, ku do të shquhej dhe prijësi stratiot Mercurio Bua. Tri vjet më vonë ai u caktua Kapiteni i Përgjithshëm i trupave të Papës dhe më 1514 mori pjesë në Koncilin e Vatikanit.
Arianiti ishte një nga njerëzit më të besuar të Papës që do të hynte në historinë Papale si “papa i tmerrshëm”, pasi ishte ai që do t’i jepte peshën politike Papatit në të gjithë Evropën në shekujt që do të vinin. Ishte ai që dhe thirri Mikelanxhelon të punonte Sikstinën, apo Rafaelon, i cili na la një portret të tij. Arianiti madje banonte në pallatin e tij. Ngado që shkonte, Papa e merrte me vete, siç ndodhi dhe në kohën kur Papa donte të nënshtronte markezin Baglione të Bologna-s, me ndihmën e francezëve të Louis XII. “Më 11 nëntor të vitit 1506, Papa Giulio II shkon në mënyrë triumfale në katedralen San Petronio. Kortezhin e Papës, – siç e përshkruajnë kronikat e kohës, – e prijnë njëqind fisnikë të rinj, në mënyrë që t’i hapin udhën. Kavaleria dhe infanteria e Jules II, të cilës i janë bashkangjitur dhe ushtarët francezë, u prijnë bagazheve të Papës dhe kardinalëve. Pastaj vijnë muzikantët, të ndjekur nga flamur-mbajtësit e Bologne-s dhe të Kishës. Dhjetë kuaj të bardhë të Papës, të zbukuruar në ar, njoftojnë ardhjen e dinjitarëve të Kuries, ambasadorë e princë: duka i Urbin-it, markezi Gonzaga, prefekti i ri i Romës Francesco Marie della Rovere, duka i Achaïe-s dhe i Maqedonisë, Konstandin Arianiti, por dhe komandanti francez Charles de Chaumont d’Amboise… Kortezhi kalon nën trembëdhjetë harqe triumfi, ku lexohen mbishkrimet “Jules II, çlironjësit, mirëbërësit dhe Atit tonë”, etj. Dhe kjo, shpesh Arianitit do t’i kushtonte, siç ndodhi kur ndërhynte për rivendosjen e paqes midis francezëve dhe gjermanëve dhe kur venecianët i shkatëruan kështjellën e tij të quajtur “Belgrado”, apo një vit më vonë, më 1509, kur francezët kërkonin ta kapnin, pasi dyshonin se mos ai i kishte tradhtuar. Por në fakt, si Kapiten i Përgjithshëm i ushtrisë veneciane, kur ishte në frontin e Vicenzas, ai e frenoi ushtrinë për mos t’i dëmtuar francezët. Franz Babinger na informon se Konstandini përdorte një vulë me një shqiponjë dykrenare, ku ishin gdhendur një kryq si dhe inicialet CO(NSTANTINUS) dhe CO(MINATUS). I caktuar nga Papa si guvernator i Fano-s, Konstandini më së fundi u vendos në Montefiore, bashkë me gruan e tij Francesca./Konica.al

 

 

 

 

 

Edhe biri i Konstandinit, i quajtur Arianit, më vonë do t’i shërbente mbretit francez Charles Quint, ku do të shquhej në veçanti në fushatën e Algjerit (1541) dhe në betejën e ashpër të Smalkadës më 1546, në Gjermani. Shumë vjet më vonë do të zhvillohej beteja e famshme e Coutra-s në Francë, e cila ishte në fakt një luftë civile dhe fetare midis katolikëve dhe protestanëve francezë. Për shërbimet që i bëri Leon X mori titullin «Capitaneus Urbis».

(Footnotes)
1.Idem.
2 Me vdekjen e Konstandinit në Rimini, në 8 maj të vitit 1530, Francesca mbeti e vejë, bashke me tri djemtë e saj Thomas, Constantinus dhe Araniti, si dhe vajzat e shumta të saj si, Andronika, e martuar me kontin e Zantes dhe despotin e Artës, Carlo III Tocco; Pentesilea, gruaja e Lekë Dukagjinit; Ispolita; Polisena; Deianira dhe Elena të martuara me fisnikë shumë të njohur. Pas vdekjes, trupi i Konstandinit u çua në Bazilikën «Santi Apostoli» të Romës, ndërsa testamenti i tij ndodhet sot në Rimini.
3 Arianiti u vra në betejën e Torrechiara-s, më 15 nëntor 1551, në luftën mes Giulio III dhe Ottavio Farnese./
Konica.al

 

 

Luan Rama

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here