Histori e trishtë
Pjesa e Dytë
Vijon nga Pjesa e Parë
Një mëngjes vere, kur Çerçiz Dyrmishi, i dënuari për vrasjen e motrës, kishte mbushur një vit burg, u njoftua të lërë qelinë e të shkojë në shtëpi. Lajmi i papritur e zuri në befasi. Aty për aty u ngrit në këmbë dhe filloi të çapitej i përgjumur në dhomëzën e vogël. “A thua të jem në ëndërr?”, belbëzoi me vete me vështrimin nga gardiani, që pas atij mesazhi të pabesueshëm, nisi t’i përsëriste me ton urdhërues fjalët “shpejt, shpejt”. Në hutim e sipër, filloi t’i bindej lajmësit me uniformë që i kujtoi të mblidhte çfarë kishte duke i treguar derën e qelisë. Vetëm pak sekonda pas kësaj, Çerçiz Dyrmishi kapërceu portën e kalasë-burg dhe mori rrugën pa ditur ku të shkonte. I dënuari për vrasjen e motrës kishte fituar lirinë, pa ditur rrethanat fatlume. Sidoqoftë, ishte mbyllur për të një plagë e madhe, gjithsesi mbetej një tjetër, madje më e rëndë: Plaga për tragjedinë e Ervehesë, që e kishte mbytur dhe varrosur me duart e veta. E kishte pranuar këtë me gojën e vet, para hetuesve e prokurorëve, në prani të nënës dhe gruas, të cilat e kishin ndihmuar në krimin e padëgjuar. Tani që rikthehej në strehëzën e vet, katër vjet pas tragjedisë, kjo e mundonte po aq sa në ditën kur ishte kacafytur për vdekje me motrën fatkeqe. Liria në këto kushte s’i linte arsye t’i gëzohej fort. Në fund të fundit, mbetej një vrasës, që, për arsye të paqarta, ishte lënë i lirë. Dëgjoi e çfarë s’dëgjoi atë ditë për historinë e tyre nga të njohurit e takuar rishtas. Shumë syresh e shtjellonin atë si pjesë të një legjende. Si një legjendë pa fund e krye, që thotë shumëçka si në mjegull, po asgjë konkrete për fatin e tyre. “Fati pa fat”, psherëtiu me vete Çerçizi i drobitur, teksa hapi portën e shtëpisë-kasolle.
Aty nëna me gruan e kthjelluan disi për atë që kishte ndodhur, po zëri i tyre vinte si nga tjetër planet. Ishte ngjallur Erveheja! “Vërtet ka bërë Zoti mrekullinë, apo janë çmendur këto të dyja?”, foli Çerçizi me vete dhe ra në gjunjë i dërrmuar. “Po, po, është gjallë, gjallë, Çeço, po mblidhe veten!”, iu afrua nëna që i dridheshin supet nga ngashërimi dhe filloi t’i tregonte çfarë kishte dëgjuar…
Policia: Është shfaqur Erveheja
“Kemi njoftime se në fshatin Plug të fermës së Lushnjës është shfaqur Erveheja, gruaja e zhdukur katër vjet më parë në rrethana të dyshimta nga shtëpia e saj në Memaliaj. Lutemi dërgoni dikë të bëjë verifikimin”. Të porsanjohur me tekstin e radiogramit adresuar nga Dega e Brendshme e Lushnjës, kolegët e tyre të Tepelenës, që kishin konfirmuar zyrtarisht vdekjen e saj, madje kishin identifikuar edhe vendvarrimin e saktë, e vlerësuan atë një lajthitje të rastit, më së shumti një të dhënë nga njerëz keqdashës. Gjithsesi, rregulli i detyrës ua kërkonte të bënin patjetër procedurën e verifikimit, nga e cila rezultoi se njoftimi kishte qenë i vërtetë. Përveç çudisë së padëgjuar, relacioni i grupit të posaçëm që operoi disa ditë me radhë në Lushnjë, shtjellonte me detaje si kishte rrjedhur jeta e Ervehe Dyrmishit nga dita që ishte njohur zyrtarisht e vdekur.
ProfitSence Logo
“Në datën 25.7.1960, bëhet e ditur në dokumentin e firmosur nga Enver Rexho, prokurori që kryesoi operacionin e verifikimit, është konstatuar rastësisht se Ervehe Dyrmishi, për vrasjen e së cilës janë dënuar katër persona, është gjallë. Gjatë takimit, e pandehura deklaroi se në muajin prill të vitit 1956 ishte larguar nga banesa e të vëllait, Çerçiz Dyrmishi, dhe qysh atëherë jetonte në katundin Radat të Leskovikut, e martuar me Hetem Ilazin, me të cilin ka një fëmijë”. Rikthimi pas katër vjetësh i historisë së familjes Dyrmishi, rihapi të tjera telashe për autoritetet e Tepelenës, sidomos për organet e policisë dhe ato të hetimit, të cilat, me legalizimin e vdekjes së Ervehesë, i kishin mbyllur hesapet me të. Tani që e vdekura ishte shfaqur mes të gjallëve, historia rihapej në një tjetër kah. Ca më tepër që një lajm i tillë s’mund të burgosej nëpër zyra, siç operohej rëndom për ngjarje që cenonin regjimin.
Prokuroria: Të lirohen vrasësit!
Të lirohen të dënuarit për vrasjen e Ervehesë! Njëherazi me urdhrin e pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm tërhiqte vëmendjen e vartësve në gushtin e vitit ’60 “për kujdes të posaçëm dhe seriozitet maksimal në trajtim të çështjes”. Në dokumentet e kohës rezultojnë dy relacione që zbardhin dinamikën e ngjarjes në zbatim të këtij urdhri. I pari është një raport i Degës së Brendshme të Tepelenës, që njofton se “në datën 20.8.1960 ka dalë nga burgu Çerçiz Dyrmishi, dënuar me 25 vjet, Fatime Dyrmishi, dënuar me 15 vjet, dhe Hatixhe Hasani dënuar me 20 vjet”.
Dokumenti tjetër është një material i zgjeruar i Prokurorisë së Përgjithshme që i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë me mbititullin e çuditshëm “Lidhur me vrasjen e Tepelenës-Çerçiz Dyrmishi”. Në të, përveç refleksioneve të institucionit qendror të akuzës mbi përgjegjësinë e autoriteteve vartëse për “shkeljet e rënda të ligjshmërisë socialiste gjatë hetimeve të çështjes së Ervehe Dyrmishit”, riprodhohen në ligjëratë të drejtë pohimet e protagonistëve të ngjarjes për rrethanat në të cilat kanë pranuar një krim të pakryer.
Ajo çfarë kanë rrëfyer para zyrtarëve të Prokurorit të Përgjithshëm Çerçiz e Emine Dyrmishi dhe Hatixhe Hasani është akoma më dramatike nga historia e certifikuar një vit më parë nga organet ligjzbatuese që tre të sipërpërmendurit u zyrtarizuan me prova të pakontestueshme vrasës të një njeriu të gjallë.
I pandehuri Çerçiz Dyrmishi:
“Unë, gjatë dy muajve që hetimet u zhvilluan nga Dega e Punëve të Brendshme e Skraparit, nuk e kam pranuar vrasjen dhe mund të them se atje nuk jam trajtuar keq. Mbas dy muajve, për hetime, u ngarkua hetuesi Zija Çela. Me ardhjen e Zijait si hetues, situata ndryshoi. Ai filloi duke insistuar që unë të pranoja vrasjen, që në fakt nuk e kisha bërë. Duke parë që unë nuk e pranoja krimin, filloi të përdorë mjete shtrënguese, duke më shtrënguar duart me hekura gjatë gjithë kohës që më merrte në pyetje dhe kur ishim vetëm. Kur më solli nga Berati në Tepelenë, veç shtrëngimit të duarve, hetuesi më preu për 18 ditë racionin e gjellës, duke më dhënë vetëm racionin e bukës dhe një kokërr qepë në ditë. Po kështu për një muaj rresht më ndaloi ujin, duke më lejuar të pija vetëm një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje, ndërsa gjithë pjesën tjetër të ditës rrija pa ujë. Unë i thosha se nuk e kam vrarë unë motrën, por ai më thoshte se duhet ta pranosh, mbasi në rast se nuk e pranon, do të pushkatohesh, ndërsa ndryshe do të dënohesh më lehtë. Ai më kërkoi me insistim që të pranoja jo vetëm vrasjen, por t’i tregoja edhe vendin ku e kisha varrosur. Madje, për këtë të fundit, këmbëngulte më fort. Çfarë nuk më bëri derisa u detyrova t’i them se e kisha vrarë me duart e mia. Pastaj kërkoi për t’i thënë vendvarrimin. S’kisha ç’bëja. I thashë se po ta tregoj dhe e shpura në një gropë buzë lumit që më kujtohej mua, kur isha në Memaliaj. Një gropë më koti”.
E pandehura Fatime Dyrmishi:
“Hetuesi më tha që të pranosh krimin, se kjo është rruga e drejtë. Ti je grua dhe nuk dënohesh. Ndryshe, në qoftë se nuk e pranon, burri yt Çerçizi do të dënohet me pushkatim. Unë thosha vazhdimisht se nuk di gjë për vrasjen e Ervehesë dhe mos më merr në qafë. Po ai më kërcënoi, duke më thënë thuaje se do të të bëj gropën e të tjera fjalë kërcënuese. Prandaj unë, nga frika e këtyre dhe si grua, e pranova, duke bërë veten fajtore, pa bërë në fakt asnjë krim.
Gjatë pyetjeve unë i thosha hetuesit se Erveheja nuk është vrarë, por ka ikur vetë nga shtëpia, por ai insistonte dhe më thoshte që ta pranosh, duke më nxjerrë disa eshtra kafshësh me të cilat ishte fotografuar Çerçizi dhe për të cilat më thoshte që janë eshtrat e Ervehesë. Kur mua më shpunë për të treguar vendin se ku ‘kishim varrosur’ Ervehenë, hetuesi më tha: Burri yt shkoi nga kjo rrugë, prandaj dhe ti të shkosh këtej. Nuk e di si më dukej vetja. Ishin momente të tmerrshme. Kur po na çonin me makinë nga Tepelena në Gjirokastër, mbasi hetimet ishin përfunduar, tek Uji i Ftohtë u takuam me hetuesin Zija Çela, i cili më zbriti nga makina dhe më tha: Shiko, kur të dalësh në gjyq, të mos i kthesh ato që ke thënë në hetuesi. Por të thuash ato që ke thënë në procesin hetimor, se kështu ti nuk do të dënohesh, ndërsa burri do të dënohet lehtë, deri në katër vjet. Në qoftë se do të mohosh ato që ke thënë në hetuesi, burri yt do të dënohet me pushkatim. Dhe unë kështu bëra, pranova në gjyq ato që kisha thënë në hetuesi.
E dënuara Hatixhe Hasani:
“Mua, gjatë hetimeve, kapteri i Policisë Sefedini më ka trajtuar keq. Gati një muaj rresht më hiqte teshat e fjetjes, duke më lënë vetëm një batanije. Bile një ditë, pa asnjë arsye, më la gjithë ditën në këmbë. Unë kam insistuar se Ervehenë nuk e kemi vrarë, por ajo ka ikur nga shtëpia vetë, kurse hetuesi insistonte duke më marrë shpesh në pyetje në mënyrë që të pranoja që e kishim vrarë. Një ditë përgatiti një proces dhe ma dha për ta firmosur. Unë nuk pranova ta firmosja se nuk dija përmbajtjen, por ky këmbënguli duke më thënë firmose se është lutj7a që do të dërgojmë në Skrapar, prandaj firmose shpejt se na ikën makina. Desha s’desha, e firmosa, pa ditur përse bëhej fjalë. Kur më shpunë për të treguar vendin se ku e ‘kishim varrosur’ Ervehenë, unë, duke mos ditur asgjë për varrin e saj, mbasi në të vërtetë nuk e kishim vrarë, i shpura në një vend afër lumit, kur ne zakonisht aty merrnim ujë”.(Vijon…)/Pamfleti