Nga: Gregory Wakeman / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Mund të talleni me punën e tij në [filmin] Gladiator II, por Alexander Mariotti kishte një nga punët më të vështira në kinematografi. Ai ishte këshilltar historik për skenarin e filmit, që do të thotë se këshillonte regjisorin Ridley Scott kur skenari devijonte nga faktet historike.

Megjithatë, Scotti e ka bërë të qartë se nuk i intereson nëse filmat e tij janë historikisht të pasaktë – edhe kur bazohen te personazhet dhe ngjarjet reale. Në vitin 2023, pasi historiani televiziv Dan Snow theksoi disa pasaktësi në filmin e tij Napoleoni, Scotti i tha Snowit: “Shihi punët tua”. Por, Mariotti, i cili gjithashtu punon si historian dhe është një ndër ekspertët kryesorë për gladiatorët, betejat dhe armët, e dinte mirë se ku po futej. “Që në fillim u thashë: ‘Shikoni, e di që nuk jemi këtu për të bërë një dokumentar’. Gjatë gjithë kohës e dija se jemi aty për të bërë filma dhe për zbavitje”, thotë Mariotti për BBC.

Kjo nuk i ka ndalur ekspertët të theksojnë pasaktësitë. Kur në korrik u publikua trajleri i parë për Gladiatorin II, historianët nxituan të shpjegojnë se pse arkitektura ishte e gabuar, se romakët nuk kishin gazeta për të lexuar dhe se ata nuk takoheshin në kafene.

Skenari i Gladiatorit II përqendrohet te Lusiu (Paul Mescal) – djali i Lusilës (Connie Nielsen) dhe Maksimusit (Russell Crowe) – i cili si fëmijë u detyrua të largohej nga Roma. Njëzet vjet pas vdekjes së babait të Lusiut, ushtarët romakë pushtojnë qytetin ku jetonte, Numidinë, vrasin gruan e tij dhe e çojnë në skllavëri. Pasi blihet nga Makrini (Denzel Washington), Lusiu shndërrohet në gladiator. Por, ndërsa Lusiu luftonte për të mbijetuar, duke u përballur me kafshë, anije dhe gladiatorë të tjerë brenda Koloseumit, Makrini planifikonte përmbysjen e perandorëve të rinj Karakala (Fred Hechinger) dhe Geta (Joseph Quinn), për të marrë pushtetin në Romë.

Mariotti thekson se nëse filmi do të ishte historikisht i saktë, atëherë fjala “Koloseum” nuk do të përmendej fare. Emri i tij origjinal ishte Amfiteatri Flavian, sipas dinastisë që sundonte kur ndërtesa u ndërtua. Njerëzit filluan ta quanin Koloseum shekuj më vonë, rreth vitit 1000 pas Krishtit. Arsyeja kryesore pse Mariotti nuk shqetësohet shumë për këto gabime është ndikimi i madh që një film si Gladiatori II ka te shikuesit dhe turizmi. “Ekziston një snobizëm i madh në botën akademike ndaj filmave”, thotë Mariotti. “Jam shumë i habitur nga kjo, sepse gjatë 20 vjetëve të fundit Gladiatori pati një ndikim të madh. Para filmit, mund të hyje falas në Koloseum. Në vitin pasues, njerëzit shkonin në turma”.

Edhe pse Gladiatori II ka shumë pasaktësi historike, të paktën disa pjesë bazohen në të vërtetën. Pak pasi arrestohet, Lusiu duhej të përballej me një grup babunësh. Kur mbërriti në Koloseum, ai dhe gladiatorët e tjerë do të përballeshin me një rinoqeront që sulmon. Por, edhe pse besohet se babunët dhe rinoqerontët u sollën në Koloseum për t’u shfaqur para romakëve, ata nuk përballeshin me gladiatorët. Në vend të kësaj, gladiatorët duhej të luftonin me luanë, pantera dhe elefantë. Besohet se një rinoqeront ishte i pranishëm në hapjen e Koloseumit në vitin 80 pas Krishtit, kur u përball me një dem, një ari, një buall, një luan dhe një bizon. “Ata sillnin kafshë të çuditshme nga gjithë perandoria, për të luftuar”, thotë Paul Belonick, profesor në Universitetin e Kalifornisë [UC Law SF] dhe autor i librit Përmbajtja, konflikti dhe rënia e Republikës Romake [Restraint, Conflict, and the Fall of the Roman Republic]. Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi për një rinoqeront mbi të cilin qëndronte një ushtar romak që ngjante në kalorës.

Kur perandori Titi organizoi 100 ditët e lojërave për të shënuar hapjen e Koloseumit, Paul Belonick vlerëson se rreth 10 mijë kafshë u vranë në vetëm disa ditë. “Ato u vranë në mënyra shumë të habitshme”, thotë ai. “Njerëzit i godisnin me heshta, i kapnin me rrjeta. Shigjetarët ishin shumë të popullarizuar. Ishte si të shikoje një sportist të saktë. Kishin drerë të vegjël që vraponin përreth. Një shigjetar qëndronte në një vend specifik, pastaj i vriste, dhe turma brohoriste”. Ndonjëherë, të pranishmit zemëroheshin nga vrasjet e disa kafshëve. Historiani romak Dio ka shkruar për turmën që u mërzit shumë ndërsa një grup i elefantëve u vra. Ai shënoi se krijesat “i pikëlluan njerëzit kur, pasi u plagosën dhe nuk mund të luftonin, ecnin me feçkat e ngritura drejt qiellit”.

Një nga skenat më madhështore të aksionit në Gladiator II është gjithashtu një nga devijimet më të mëdha nga historia. Kur Lusiu dhe disa gladiatorë të tjerë detyrohen të marrin pjesë në një betejë detare të improvizuar, Ridley Scott duket se ka kënaqur shijet për spektakël, duke e ekzagjeruar skenën deri në maksimum.

Në realitet, nëse një perandor do të donte të tejkalonte paraardhësin e tij, ai do të organizonte një betejë të improvizuar detare, të njohur atëherë si naumahija. Këto ngjarje përfshinin mbushjen e amfiteatrove me ujë, sjelljen e anijeve dhe rikrijimin e betejave historike. “Zakonisht rikrijonin betejat detare midis grekëve dhe persëve”, thotë David Potter, profesor i historisë greke dhe romake në Universitetin e Miçiganit. “Ekuipazhet e anijeve ishin zakonisht të dënuar me vdekje”.

Në Gladiator II, anijet duken sikur lëvizin me shpejtësi të lartë dhe uji duket aq i thellë sa të mbante peshkaqenë, por në amfiteatrot romake uji ishte vetëm disa centimetra i thellë. Anijet kishin funde të sheshta për të lëvizur lehtësisht dhe nuk arrinin ndonjëherë shpejtësi të madhe për t’u përplasur. Për më tepër, naumahia e fundit që besohet të ketë ndodhur në Koloseum ishte në vitin 89 pas Krishtit, më shumë se 100 vjet përpara ngjarjeve të filmit. Për shkak të mungesës së ujit, Koloseumi nuk kishte as peshkaqenë që notonin aty e që prisnin njerëzit të binin. Disa historianë besojnë se krokodilët mund të kenë qenë pjesë e gjuetisë së kafshëve, por nuk ka prova të qarta nëse ata ishin të përfshirë në luftimet detare.

Ndërsa për historianët ka mjaft të dhëna për betejat e improvizuara detare dhe të cilët besojnë se ato ndodhën në Romë, ka ende shumë të panjohura mbi mënyrën dhe vendin ku ndodhën. Belonicku sugjeron se ndoshta ato zhvilloheshin më shumë në Cirkun Maksimus, që është shumë më i ulët se Koloseumi dhe më afër lumit Tiber. “Do të ishte më e lehtë për t’u përmbytur. Plus, nëse shikoni formën e tij, është si një tas. Koloseumi ka gjithë këto tunele nën tokë. Nuk e di si mund të bllokonin ujin. Disa mendojnë se vetëm pjesa qendrore e tij përmbytej, jo e gjithë struktura”.

Mariotti sugjeron se fakti që Koloseumi u ndërtua mbi vendin e një liqeni artificial, kjo gjë mundësonte përmbytjen e tij. “Ata ndërtuan një sistem të pabesueshëm drenazhi nga lumi, për të sjellë ujin dhe për ta kulluar më pas”, thotë ai.

Megjithatë, kryesisht të pasakta janë përshkrimet për luftimet e gladiatorëve. Meqë zhvilloheshin pasdite pas ekzekutimeve, Potteri këmbëngul se nuk ishin aq brutale sa filmat Gladiator dhe epikat e tjera romake që na shtyjnë të besojmë ndryshe. Fillimisht, gladiatorët nuk ishin të gjithë skllevër apo robër lufte. “Dyzet për qind e gladiatorëve ishin ndoshta njerëz të lirë që bëheshin gladiatorë për të fituar para”, thotë Potteri. Në vend që të ishin luftëra për jetë a vdekje, Belonicku i krahason këto ndeshje me shfaqjet WWE ose UFC. “Shumicën e kohës, ndaleshin kur derdhej gjaku për herë të parë ose kur dikush dorëzohej. Është llogaritur që në nëntë nga dhjetë raste, askush nuk ka vdekur”. Kishte madje edhe një arbitër që ndërhynte për të ndarë luftëtarët.

Kjo nuk e ndalonte turmën të vinte baste për gladiatorët, dhe Potteri shton se romakët ishin të prirur të luanin bixhoz për gjithçka. Kur dikush plagosej, mjekët e shquar dilnin për ta trajtuar. Galeni, mjeku më i famshëm i botës antike, madje filloi si mjek gladiatorësh. Në fund të fundit, qëllimi i këtyre ndeshjeve ishte të shiheshin stile të ndryshme të luftimit në ballafaqimin me njëri-tjetrin. “Kishte një njeri me rrjetë dhe triton kundër dikujt me mburojë dhe shpatë”, thotë Potteri. “Dikush me pak mburoja kundër dikujt me mburojë të rëndë.”

Ashtu si qasja e tij ndaj lojërave në Koloseum, disa nga personazhet e Gladiatorit II bazohen te njerëz realë, por ajo që ndodh me ta në film është trillim. Në vitin 211 pas Krishtit, Karakalla dhe Geta u bënë bashkëperandorë të Romës. Mendohet se Karakalla e vrau Getën, i cili besohet se vdiq në krahët e nënës së tyre. Karakalla u bë perandor jashtëzakonisht i papëlqyer, të cilin Potteri e përshkruan si “njeri të egër dhe mizor”. Në vitin 216 pas Krishtit, Karakalla la qytetin për të zhvilluar një luftë kundër Perandorisë së Partës, por u vra nga një prej ushtarëve të tij në vitin 217 pas Krishtit.

Thuhet se Makrini rekrutoi ushtarin që kreu vrasjen. Ai u bë perandor i Romës më 11 prill të vitit 217, tri ditë pas vdekjes së Karakallës. “Ai është personi i parë që u bë perandor pa qenë kurrë anëtar i Senatit Romak”, thotë Potteri. Por, vetë Makrini u ekzekutua pas pak më shumë se një vit më vonë, në qershor të vitit 218 pas Krishtit, pasi tezja e Karakallës nisi një rebelim për të vendosur nipin e saj, Elagabalin, si perandor të ri, pavarësisht se ai ishte vetëm 14 vjeç. “Të qenit perandor, kjo ishte puna më e rrezikshme që mund të kishe”, thotë Potteri, dhe për 100 vitet e ardhshme çdo perandor sundoi për një kohë shumë të shkurtër.

Meqë tashmë ka filluar puna për skenarin e Gladiatorit III, shikuesit mund të presin përsëri që Ridley Scott të përdorë këto histori të vërteta si frymëzim, duke shmangur saktësinë historike në favor të zbavitjes. Mariotti nuk e sheh asnjë problem me këtë, sepse, sipas tij, kjo thjesht pasqyron atë që artistët kanë bërë gjatë gjithë historisë. “Ajo që bën Ridley nuk është ndryshe nga ajo që kanë bërë Shekspiri [William Shakespeare] ose Mikelanxhelo [Michelangelo Buonarroti]. Madje edhe piktura Me gishtin e madh poshtë [Pollice Verso] nga Jean-Léon Gérôme – e cila frymëzoi Scottin për të bërë filmin e parë – gjithçka është historikisht e pasaktë. Por, bëhet fjalë për përdorimin e historisë për të treguar një tregim dhe për të na dhënë një mësim. Prandaj, tërhiqemi nga këta filma. Në thelb janë tregime për ne”.

Për më tepër, Mariotti beson se filmat si Gladiator II i ndërlidhin shikuesit me paraardhësit e tyre. Sidomos skenat në Koloseum, sepse romakët i ndiqnin ato ngjarje për të njëjtat arsye që njerëzit shohin filmat sot. “Ajo ishte kinemaja e tyre. Aty shmangeshin nga jeta. Për disa orë transformoheshin në një gjuetar ose gladiator të guximshëm dhe shihnin pjesë të botës që s’do t’i shihnin kurrë. E njëjta gjë ndodh kur njerëzit shikojnë filmin Gladiator II. Ata bëjnë saktësisht atë gjënë për çfarë u ndërtua Koloseumi”. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here