Më 10 nëntor 1895, në Radishevë të Drenicës (Kosovë), lindi Shote Galica, luftëtare e çetave kaçake, e shoqja e Azem Galicës.

Njihet edhe si Qerime Radisheva. Shota u martua me udhëheqësin e çetave kaçake, Azem Galicën, në vitin 1915. Luftoi 12 vjet krah për krah me të shoqin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë. Mori pjesë në më shumë se 40 aksione luftarake. Më 1919 mori pjesë në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa në vitet 1922–1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritësit e Kosovës dhe të Malësisë. Në korrik të vitit 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës. Po atë vit, pas vrasjes së të shoqit, Azem Galicës, u vu në krye të çetës dhe vazhdoi luftimet kundër forcave serbe. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës, në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive serbe e bjellogardiste.

Në fund të dimrit të vitit 1926 u largua nga Kosova për në Shqipëri, ku u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Pas Luftës së Dytë Botërore shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit. U nda nga jeta në moshë të re e në mjerim të thellë, në vitin 1927.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here