Sipas një studimi të ri, të fjeturit keq apo pa orar të rregullt, gjatë të dyzetave, mund t’i bëjë dëm trurit më vonë, kur kaloni moshën 50 vjeçe.
“Gjetjet tona vënë dritë mbi rëndësinë që ka adresimi i problemeve të gjumit sa më herët gjatë jetës, në mënyrë që truri të jetë i shëndetshëm, përfshirë të mbajturit orar të rregullt të gjumit, moskonsumimin e kafeinës e alkoolit para se të shkojmë në shtrat dhe të bëjmë ushtrime rregullisht”, ka thënë autorja e studimit, Kristine Yaffe nga San Francisko, shkruan New York Post.
Gati 600 persona të rritur rreth moshës 40 vjeçe kanë plotësuar një formular me pyetje rreth zakoneve të tyre të gjumit, në fillim të studimit dhe pesë vjet më vonë.
Pyetjet e përfshira në pyetësor ishin: “A keni problem për të fjetur?”, “ A zgjoheni disa herë gjatë natës?” dhe “A zgjoheni shumë herët zakonisht?”.
Bazuar në përgjigje, studiuesit vunë re nëse pjesëmarrësit flinin pak, nëse bënin gjumë jo kualitativ, nëse kishin vështirësi për të fjetur, nëse kishin vështirësi për të qëndruar në gjumë, vështirësi për t’u zgjuar shumë herët apo me gjumin gjatë ditës.
Ekspertët, në përgjithësi, rekomandonin që gjumi të zgjasë shtatë deri në nëntë orë për çdo natë.
Bazuar në zakonet e gjumit të tyre, pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe.
Grupi i parë, (rreth 70 për qind të pjesëmarrësve) të cilët nuk kishin asnjë apo një nga karakteristikat.
Grupi i dytë, (22 për qind të pjesëmarrësve) të cilët kishin dy apo tri nga karakteristikat.
Grupi i tretë (rreth 8 për qind e pjesëmarrësve) që kishin katër apo gjashtë nga karakteristikat.
15 vjet pas fillimit të studimit, pjesëmarrësit iu nënshtruan një skanimi, i cili i ndihmonte studiuesit të kalkulonin moshën e trurit.
Pasi morën parasysh, moshën, gjininë, tensionin e lartë të gjakut, diabetin dhe faktorë të tjerë, studiuesit erdhën në përfundim se truri i pjesëmarrësve të grupit të dytë, ishte 1.6 vjet më i vjetër se sa truri i pjesëmarrësve të grupit të parë.
Pjesëmarrësit që ishin në grupin e tretë, mesataren e moshës së trurit e patën 2.6 vjet më të vjetër.
Nga gjashtë zakonet e gjumit, gjumi jo kualitativ, vështirësitë për të fjetur, për të qëndruar në gjumë dhe zgjimi i hershëm, kishin lidhje me moshë më të vjetër të trurit, sidomos te personat që i kishin këto probleme për të paktën pesë vjet.
Për gjetjet e studimit, i cili u publikua në American Journal of Neurology, autorët kanë deklaruar se nuk prezantojnë prova se kualiteti i ulët i gjumit mund ta plakë trurin, por kanë treguar rezultate se mund të ketë lidhje me këtë çështje.
Yaffe ka thënë se studimet e ardhshme duhet të fokusohen në gjetjen e mënyrave të reja për përmirësimin e zakoneve të gjumit në mënyrë që njerëzit të mos kenë probleme me trurin në moshë të re.
Studiuesit e Universitetit Yale kanë raportuar se njerëzit e moshës së mesme që nuk e mbajnë nën kontroll tensionin e gjakut, sheqerin në gjak apo yndyrën e lartë e që nuk bëjnë ushtrime, nuk konsumojnë ushqim të shëndetshëm e që nuk bëjnë gjumë kualitativ, kanë më shumë rrezik nga sulmi në zemër, demenca apo depresioni më vonë gjatë jetës.
“Studimi ynë ka gjetur se aplikimi i zgjedhjeve më të shëndetshme të stilit të të jetuarit gjatë moshës së mesme, mund të ketë ndikim te truri dhe shëndeti më vonë gjatë jetës”, ka thënë një ndër autorët e studimit, doktori, Santiago Clocchiatti-Tuozzo.