Intervistë me Zoge Shalën, anëtare e Grupit të të Rinjve të Pejës të Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991 (2)
“Epoka e re”: A keni përjetuar ndonjë rast të rëndë, kur keni pasur mendimin se po kërkoni tepër nga familja e dëmtuar ngaqë dorasi, mbase edhe familja e tij, s’e meriton faljen e gjakut, plagës apo ngatërresës?
Zoge Shala-Malaj: Kam përjetuar, si jo. Çdo rast ka qenë i rëndë, se vetë fjala “vrasje” është e rëndë. Pra, ka pasur raste kur e kam pyetur veten: “Pse erdha në këtë familje dhe ia hapa plagën e madhe që kishte?” Por, qëndrimi i matur dhe i arsyeshëm i atyre familjeve ndaj neve, na linte pa fjalë! Na jepej kurajë dhe vullnet për punën e mëtutjeshme. Sado e dhimbshme të ishte ngatërresa, plaga apo gjaku, e falnin dhe e shtrinin dorën e pajtimit për Kosovën.
“Epoka e re”: Çfarë ju ka motivuar veçanërisht që të angazhoheni për t’u arritur falja dhe pajtimi?
Zoge Shala-Malaj: Çdo gjak, çdo plagë, çdo ngatërresë që falej çonte te bashkimi i dy familjeve të hasmuara. Kjo për ne shihej si një hap më afër synimit final: unifikimit dhe përgatitjes së popullit tonë për luftën e domosdoshme çlirimtare të Kosovës, që do të na sillte triumfin dhe lirinë.
“Epoka e re”: Keni qenë studente apo nxënëse gjatë periudhës së Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë?
Zoge Shala-Malaj: Studente në shkencat matematikore.
“Epoka e re”: Si ka shkuar puna me ligjëratat apo dhe provimet?
Zoge Shala-Malaj: Unë i kam ndërprerë studimet gjatë gjithë periudhës njëvjeçare (1990-1991) të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, sepse gjatë gjithë ditëve të javës kemi qenë të angazhuar në aksion.
“Epoka e re”: Nëse ju ka ndodhur gjatë pajtimit të gjaqeve të flini, shkaku i rrethanave të ndryshme, jashtë familjes, a e keni pasur mirëkuptimin e saj apo kjo gjë ka paraqitur problem për ju?
Zoge Shala-Malaj: Gjatë gjithë kohës së pajtimit të gjaqeve në shtëpi kam shkuar njëherë në tri javë ose në muaj një natë, sa me u çmall me familje, se dihet që në atë kohë veç sa kishim dalë nga burgu, kështu që kam pasur mirëkuptimin e familjes, por edhe të shoqërisë. Kanë qenë ditë të vështira, por edhe njëherë e them se bashkëveprimtarët na kanë ofruar shtëpitë e tyre si të ishim në familjet tona. Lirisht mund të them se familjet si të Adem Grabovcit, Ibrahim Dreshajt, Lulëzim Etemajt, Adem Krasniqit të Komunës se Rahovecit, Adnan Abdullahut në Tetovë, Ejup Bajramit në Korroticë dhe Gani Elshanit në Krojkovë të Drenasit dhe shumë familje të tjera, të cilat që pas faljes së gjakut na ofruan dhe na e hapën derën e shtëpisë e na dhanë edhe për të ngrënë, na kanë llogaritur dhe trajtuar si të ishim bijat e tyre. Mirënjohjen time të përhershme për çdonjërën prej tyre!
Momente të shkëlqimit kulminant të zemërbardhësisë sonë shqiptare
“Epoka e re”: Edhe një herë: Cili është paragjykimi më ekstrem që e keni ndeshur gjatë pajtimit të gjaqeve?
Zoge Shala-Malaj: Jodomosdoshmërisht me dëshirë, do ta tregoj një rast të ndodhur në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit, kur i zoti i odës ka tentuar të ma ndaloi hyrjen brenda, duke insistuar të më çoi atje ku rrinin gratë. “Shko ti te gratë, se nuk është oda për gra”, më është drejtuar kur po hynim në odën e mbushur me burra. Reagimi i bashkëveprimtarëve Lulëzim Etemaj dhe Begzad Gashi, si dhe shpjegimi i tyre këmbëngulës se kjo jo vetëm që duhet të hyjë në odë, por për sonte edhe e ka fjalën kryesore dhe se do ta ulim në ballë të oxhakut, ka bërë që të më jepej leja për të hyrë edhe unë.
Për befasinë e këndshme të të gjithëve, edhe të disa burrave të fshatit që kishin ardhur në odë, i zoti i odës, pasi që flasin disa nga bashkëveprimtarët e mi, duke ndrojtur që do të më ketë ngelur hatri, më drejtohet me keqardhje dhe përplot njerëzi: “Ti që erdhe dhe hyre në odën time, pse s’e fole ende as edhe një fjalë të vetme?”. Pasi e falënderova për mikpritjen dhe fjalën e dhënë, i bëra dhe unë një shpjegim mbi rëndësisë së zhdukjes së gjakmarrjes, duke i kërkuar t’ia falë gjakun rinisë së Kosovës, të ardhmes së saj më të mirë. Plaku, ngrehet në këmbë dhe më thotë: “Unë gjakun do ta fal ty, Kosovës, popullit të Kosovës. Të qoftë fal gjaku!”. “Bija ime, dëgjo çka po të them: Sa herë që ti do të vish në komunën tonë, dyert e shtëpisë sime i ke të hapura. Do të jesh si bijat e mia, sepse këtij konaku prej sot iu shtua edhe një bijë”, janë këto fjalët, të pikura nga zemra, me të cilat ky zemërbardhë, së bashku me gjakun e falur, më përcolli mua dhe shokët përtej dyerve të oborrit.
Konsideroj që jam shumë më fat dhe ndihem e privilegjuar që kam pasur rastin të përjetoj momente të tilla të shkëlqimit kulminant të zemërbardhësisë sonë shqiptare!
UÇK-së forcën vendimtare ia dha Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve
“Epoka e re”: Cili është, sipas jush, suksesi kryesor i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve?
Zoge Shala-Malaj: Në fillim të aksionit për pajtimin e gjaqeve nuk kemi menduar që do të ketë aq shumë gjaqe, plagë apo ngatërresa. Por, gjatë ditëve në vazhdim morëm informata të reja dhe kështu u rritë numri i të identifikuarve që kishin për të falë ndonjë gjak, plagë apo dhe ngatërresë. Ishim të vendosur që do të trokasim derë me derë deri në pajtimin e rastit e fundit dhe nuk do të ndalemi derisa të mos ketë familje të hasmuara. Suksesi kryesor ishte në radhë të parë pajtimi i dy familjeve, që ato të jenë të lira, të ishin të bashkuara, sepse qëllimi kryesor i këtij aksioni ishte parapërgatitja për luftën çlirimtare të Kosovës. Prandaj pajtimi i gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave ishte një fazë paraprijëse e formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jorastësisht në shumë raste na janë bashkëngjitur jo vetëm edhe shumë nga ushtarët e mëpastajmë të UÇK-së, por madje edhe disa nga drejtuesit e të lartë të saj, si komandantë apo dhe drejtues politikë. Thjesht i gjithë populli ishte me ne. E vlen për ta theksuar patjetër: Fillimisht na kanë përkrahur dhe na janë bashkangjitur, pas ftesës që u është bërë nga nismëtarët e pajtimit të gjaqeve, profesorët e Universitetit të Prishtinës, Anton Çetta dhe Zekirja Cana.
“Epoka e re”: Çfarë nëse nuk do të kishte një Lëvizje të tillë në Kosovë?
Zoge Shala-Malaj: Jam e bindur se pa pajtimin e gjaqeve nuk do të kishte UÇK. Së paku edhe për shumë kohë. Lind pyetja, pse? Sipas të dhënave tona, numri i pajtimeve të arritura është 2 511. Prej tyre, 1 169 janë gjaqe të falura; 477 është numri i plagëve, ndërsa 865 janë ngatërresa. Në një gjendje të tillë hasmërie mes vete, e shoh si gjë të pamundur t’i dilnim përballë një armiku siç ishte Serbia dhe në fakt siç u dëshmua gjatë luftës. Po të provonim një gjë të tillë, pra pa e kryer pajtimin e gjaqeve, gjenocidi i ushtruar mbi ne nga ushtria dhe policia e Serbisë, nga i cili nuk u kursyen as foshnjat në djep, do të ishte i përmasave shumë të mëdha, mbase edhe fatale për mbijetesën tonë si shqiptar në Kosovë.
T’i kthehem fillimit të përgjigjes: UÇK i ka rrënjët shumë të hershme, duke filluar nga prijësi i Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Kosovë, Adem Demaçi, pastaj Metush Krasniqi, Fazli Grejçevci, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, Mehmetriza Murtezani-Gega, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Bajram Bahtiri, Ali Ajeti, Çeta e Llapit, heronj të tjerë të shumtë si dhe përpjekjet e të gjithë të burgosurve politikë, por asaj forcën më të madhe, vendimtare, ia dha Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë 1990-1991. Dhe nuk është e rastësishme dhe as për t’u çuditur se ajo që nga fillimi është shoqëruar pashkëputshëm nga motoja e Adem Demaçit nga romani “Gjarpijt e gjakut”: “Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit”.
Asnjë popull as shtet nuk e ka një vlerë të tillë me karakter human dhe kombëtar
“Epoka e re”: Pavarësisht prej pajtimit të suksesshëm të gjaqeve në vitin 1990, gjakmarrja po vazhdon edhe pas luftës. Kuptohet, jo me atë intensitet. Cila mund të jetë tani qasja e duhur ndaj saj, si nga institucionet e shtetit ashtu edhe nga qytetarët dhe shoqëria civile?
Zoge Shala-Malaj: Për fat të keq gjakmarrja po vazhdon ende. Qytetarët e Kosovës duhet nganjëherë ta kthejnë kokën pas, ta kujtojnë historinë, të kaluarën e tyre, ta kujtojnë dhe t’i referohen aksionit të pajtimit të gjaqeve, ta kujtojnë luftën dhe sakrificat tona të shumta për liri. Të reflektojnë dhe të heqin dorë nga akti i hakmarrjes, sepse ai shkon jo vetëm në dëm të familjeve të prekura direkt, por edhe në dëm të shoqërisë sonë dhe shtetit të Kosovës. Imazhi ynë si qytetarë dhe si shoqëri që praktikon ende gjakmarrjen, të cilin ne e përcjellim tek ambasadorët e shumtë dhe prania tjetër ndërkombëtare në Kosovë, është një imazh që na dëmton edhe në përpjekjet dhe synimet tona që Kosova të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe institucionet e tjera euroatlantike.
Shoqëria civile, mediet, shkollat dhe organizata të ndryshme duhet të jenë më aktive nëpërmjet fushatave, emisioneve të shpeshta si dhe bisedave për pajtimin e gjaqeve, duke marrë si shembull pajtimin e vitit 1990. Asnjë popull as shtet nuk e ka një vlerë të tillë me karakter human dhe kombëtar. As edhe një popull as shtet tjetër në historinë e tij nuk e ka një aksion të tillë çfarë e kemi ne. Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve në vitin 1990 në Kosovë është unik. Institucionet tona të shtetit duhet ta zbatojnë me rreptësi ligjin, që rastet e gjakmarrjes të mbesin të izoluara dhe të mos shërbejnë si nxitëse për të tjera. Kështu kthehet besimi i qytetarëve në to dhe nuk vazhdon marrja e drejtësisë në duar nga ana e tyre.
“Epoka e re”: Na e përshkruani si ka rrjedhë prej fillimit deri në mbarim përgatitja e një rasti për faljen e gjakut, duke filluar nga ajo se si e keni marrë informacionin, kontaktet, bisedat…
Zoge Shala-Malaj: Disa raste i kemi pasur të evidentuara. Sepse secili nga ne i kemi njohur ndonjë nga familjet të cilat kanë qenë në hasmëri por, gjatë aksionit, me ndihmën e qytetarëve, kemi marrë informata shtesë dhe kemi mbajtur evidencë. Fillimisht kemi kontaktuar me familjen e dëmtuar. Mund të them se çdo familje na ka pritur mirë. Gjatë bisedave me to iu kemi shpjeguar për aksionin, qëllimin e tij si dhe rëndësinë që ka falja e gjaqeve, shtrirja e dorës së pajtimit dhe bashkimi i popullit tonë për sfidat që na presin si popull në përpjekjen tonë për të qenë të lirë dhe të pavarur. Na ka rënë të ndeshim në raste të vrasjeve të rënda, sepse dallojnë mënyrat e vrasjes nga njëra-tjetra, por trajtimi nga ana jonë ka qenë i njëjtë. Krahas qëndrimit tonë dhe argumentimit këmbëngulës se pse duhej të ndodhte falja dhe pajtimi, për familjet ka qenë rrethanë lehtësuese fakti se gjaku, plaga apo ngatërresa i falej rinisë, i falej Kosovës dhe të ardhmes së saj më të mirë.
Ka pasur raste për të cilat jemi takuar disa herë radhazi derisa familjet vullnetarisht, në bazë të bindjes së tyre, kanë shprehur gatishmërinë për të na e falur gjakun, plagën apo ngatërresën. Më pastaj e kemi njoftuar familjen e dëmtuar dhe kemi kërkuar prej saj që ta çmojë dhe nderojë familjen që ka falur. Profesor Anton Çetta në raste të caktuara vinte edhe gjatë ditëve të javës, por edhe në fundjavë. Ai ishte krahu ynë i djathtë për përgatitjen e rasteve më të vështira dhe ishte me ne që prej ndërhyrjes së parë në Lumbardh, më 2 shkurt 1990. Për t’ia rritur madhështinë aktit të pajtimit, i kemi ftuar zakonisht në fundjavë edhe profesorët si Zekeria Cana dhe shumë profesorë dhe intelektualë të tjerë që të merrnin pjesë në ceremoninë e shtrirjes së dorës së pajtimit. (Vijon)