Në vendet me përbërje multinacionale me qeverisje demokratike, për ruajtjen dhe mbrojtjen e pjesëtarëve të popujve të ndarë, përkatësisht të pakicave kombëtare, janë formuar institucione të pakicave që janë në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar, duke dëshmuar në mënyrë praktike përkushtimin për barazi qytetare e nacionale, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi janë dëshmi e shpërfilljes së identitetit kulturor e arsimor si në kohën e monizmit dhe tash në pluralizëm sepse pushteti vazhdon me qasje unitariste që është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare

Mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi në rrethana të reja shoqërore në kohën e pluralizmit, paraqet çështje të mbijetesës në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor. Ndonëse me rënien e sistemit monist është pritur që të ndodhin ndryshime cilësore, por jemi dëshmitarë se nuk ka ekzistuar gatishmëria e pushtetit për ndryshime sepse këtu ende është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit, por tash me sintagmën e “shtetit qytetar”. Nëse përjashtojmë themelimin e komunës së Tuzit për territorin e Malësisë nga 1 shtatori i vitit 2018, që është e arritura e vetme, që është dëshmuar në praktikë si shumë pozitive, në rrethanat e reja shoqërore në kohën e pluralizmit, për shqiptarët çdo gjë tjetër i ngjason kohës së monizmit që nuk është në favor të avancimit të të drejtave sipas standardeve ndërkombëtare.

Shqiptarët me status të dyfishtë

Duke marrë parasysh se Mali i Zi me strukturën heterogjene të popullsisë, paraqet rast specifik në Evropën Juglindore, por në këtë mozaik të popujve shqiptarët dallohen nga popujt e tjerë me histori, gjuhë, kulturë e traditë, sepse janë të vetmit që nuk u takojnë popujve sllavë.

Pikërisht në saje të këtyre elementeve në këtë vend ata veçohen me status të dyfishtë, sepse nga njëra anë janë shtetas të Malit të Zi, ndërsa nga ana tjetër janë pjesë e pandarë e popullit shqiptar. Andaj, kemi të bëjmë me një binom i cili meriton qasje të veçantë, nga strukturat qeveritare në Mal të Zi.

Por, një dimension i tillë deri më tash nuk është trajtuar asnjëherë nga strukturat qeveritare, çështje e cila duhet të jetë preokupim i të gjithëve e në veçanti i partive politike të shqiptarëve, si përfaqësues autentikë të tyre. Pikërisht në këtë drejtim ata nuk duhet të heshtin, por duhet shtruar kërkesa të vazhdueshme sipas standardeve ndërkombëtare për avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Çështje parësore janë institucionet autonome, sepse të tillët janë në mbrojtje të identitetit kombëtar të çdo populli, duke filluar nga qeverisja lokale e pakicës (komunat) deri tek institucionet e ndryshme që janë enkas në mbrojtje të identitetit kombëtar (informimi, arsimi dhe kultura). Formimi i institucioneve të tilla, është në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në mjediset multinacionale dhe multikulturore, sipas standardeve ndërkombëtare.

Sfidat e mbijetesës

Të ndodhur në kuadër të Malit të Zi, si më herët dhe më pas në ish-republikën socialiste, ndaj shqiptarëve pushteti kishte strategji të veçantë kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve. Në këtë aspekt ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, sepse ndiqej politikë e asimilimit dhe ajo e shpërnguljes. Ishte ky një veprim perfid i pushtetit për spastrim të heshtur etnik, të viseve shqiptare në këtë mjedis.
Brezi i ri nuk mund ta kuptojë se deri në vitin 1968, mësuesi në shkollat me mësim në shqip, orën në ditarin e klasës e ka shkruar në gjuhën serbe. Po ashtu të tilla kanë qenë edhe dëftesat shkollore, qe janë dëshmi e diskriminimit praktik. Nga ana tjetër përveç abetares dhe librit të leximit që ishte në shqip, të tjerat kanë qenë sipas konceptit unitar arsimor, duke mos respektuar veçantitë e shqiptarëve në këtë mjedis, që ka të bëjë me lëndët mësimore të identitetit kombëtar.

Por, pas demonstratave të vitit 1968 në Kosovë, u bënë ndryshime pozitive edhe te shqiptarët në Mal të Zi, sepse, u hapën shkollat me mësim në gjuhën shqipe në vendbanime të ndryshme nga jugu në Ulqin dhe Rozhaja në veri. Ishte kjo koha e rilindjes arsimore e kulturore të shqiptarëve në këtë mjedis. Për të parën herë dëftesat dhe librezat shkollore ishin në gjuhën shqipe, ndërsa tekstet shkollore arrinin nga Kosova.

Në lidhje me shkollimin e nxënësve shqiptarë në shkollën fillore duhet cekur se disa shqiptarë vazhduan si më parë për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollat në gjuhën serbe. Kemi të bëjmë me një veprim perfid të pushtetit, që ishte kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Por, në sajë të demonstratave në Kosovë në vitin 1981, filloi fushata shtetërore kundër shqiptarëve, gjoja se janë duke luftuar nacionalizmin shqiptar, që pati pasoja të mëdha deri në ditët tona. Në këtë aspekt u rrudhosën edhe ato të drejta të pakta të realizuara më herët ku më së shumti e pësoi arsimi, sepse u ndryshuan programet mësimore si dhe u ndaluan të përdoreshin tekstet shkollore të botuara në Prishtinë, duke përdorur tekstet nga autorët sllavë të përkthyera në shqip, që ishte kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve dukuri që fatkeqësisht vazhdon edhe sot!

Ulqin, 1950

Institucionet identitare në favor të barazisë

Në rrethana të reja shoqërore e politike në pluralizëm në mjediset multinacionale nuk mund të mendohet me filozofinë e kohës së monizmit, sepse në pluralizëm në skenën politike janë të pranishme partitë politike të popujve të ndryshëm që janë përfaqësues autentikë të tyre. Në këtë drejtim përvoja pozitive e vendeve të ndryshme demokratike evropiane, duhet të jetë model në Mal të Zi, sepse në pluralizëm përveç institucioneve qeveritare shtetërore çdokush duhet të ketë institucionet e tyre të mbrojtjes së identitetit, që janë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në mjedisin përkatës.

Pikërisht angazhimi për institucione autonome sidomos nga fusha e arsimit dhe e kulturës me financim nga buxheti i shtetit, duhet të jetë preokupim i vazhdueshëm i subjekteve politike të shqiptarëve si përfaqësues i tyre autentik.

Çdo përpjekje e angazhim në këtë drejtim, nuk cenon të drejtën e të tjerëve, andaj duhet të mbështeten edhe nga subjektet e tjera politike në Mal të Zi sepse është në favor të avancimit të barazisë qytetare e nacionale dhe eliminon hegjemonizmin shtetëror. Andaj në favor të kësaj çështjeje për shqiptarët është e nevojshme të themelohen: Qendra e arsimit shqip, ku si ingirencë do të kishte planprogramet shkollore, tekstet mësimore dhe administratën shkollore dhe Qendra Kulturore Shqiptare, si subjekt autonom për mbrojtje, zhvillimin dhe hulumtimin e vlerave kulturore shqiptare në Mal të Zi, që do të ishin të financuara nga buxheti shtetëror.

Guximi i munguar

Ndonëse partitë politike të shqiptarëve duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar nga viti 1998 e më pas, nuk kemi informacion se këtë çështje e kanë trajtuar në tryezën e takimeve. Dhe nga një qasje e tillë dëshmon se ata nuk kanë pasur guxim të merren me kërkesat legale dhe të ligjshme në mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis. Një qëndrim i tillë opurtunist u konvenonte strukturave qeveritare sepse derisa nuk ka kërkesa nga ata si përfaqësues, atëherë çdo gjë qenka në rregull (!). Dhe nga një qëndrim i tillë indiferent nga partitë politike të shqiptarëve pjesëmarrëse në qeverisje qendrore, nuk ka pasur mundësi të paraqiten kërkesa konkrete për themelimin e institucioneve të pakicës nga fusha e arsimit dhe e kulturës.

Domosdoshmëria e veprimeve konkrete

Pjesëmarrja në Qeverinë aktuale me tre ministra, ku njëri është në rolin e ndihmëskryeministrit si përfaqësues autentik i shqiptarëve, që është hera e parë në Mal të Zi, duhet shfrytëzuar maksimalisht në favor të avancimit të pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis. Sepse çdo kërkesë e shqiptarëve që është në favor të avancimit të pozitës së tyre e cila nuk është kundër të tjerëve duhet të miratohet nga çdo qeveri demokratike. Në këtë aspekt tash janë mundësitë reale që të punohet në këtë drejtim, e jo duke hezituar, sepse vendnumërimi nuk është në favorin e shqiptarëve. Një qasje e tillë duhet të jetë mësim për të tashmen e të ardhmen andaj duhet angazhim konkret, me profesionistë të dëshmuar dhe individë të guximshëm. Opinioni shqiptar në Mal të Zi pret veprime konkrete e jo premtime sikurse në fushatat zgjedhore, sepse është koha e transparencës dhe çdokush do të vlerësohet për angazhimin dhe veprat e realizuara.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here