Përgatiti dhe përktheu: Daut Dauti

Ky libër, The Sandžak: A history, është me siguri libri i vetëm dhe më i miri që është botuar në anglisht dhe në gjuhë tjera për Sanxhakun. Si i tillë, ky libër është histori për boshnjakët, shqiptarët, serbët dhe tërë Ballkanin. Më poshtë keni një përkthim nga kapitulli i parë i këtij libri: Historia e hershme e Sanxhakut dhe ardhja e sllavëve.

Shenjat më të hershme të banimit të Sanxhakut janë gjetur në shpellën e Smoluçkës në Komunën e Tutinit, që tashti është pjesë e Sanxhakut të Serbisë e që datojnë nga koha e Paleolitit. Në vende të tjera arkeologët kanë zbuluar dëshmi të komuniteteve njerëzore që datojnë nga periudha e hershme e Paleolitit, përafërsisht 20 mijë vjet p.e.s., dhe duke vazhduar në Mezolit (vitet 10 mijë vjet p.e.s.), që janë gjetur në Medena Stijenë (Shkëmbi i Mjaltit) në kanionin e Çehotinës dhe në disa vende tjera afër Plevles në Malin e Zi të sotshëm.

Para tre mijë vjetëve, një popull i njohur me emrin dardanët, që ishin pjesë e grupit të fiseve të ilirëve apo thrakasëve, u vendosën në rrafshnaltën e Sjenicës dhe në rajonin përreth. Gjurmë të kulturës së tyre të Bërnjicës (varrime me djegie të kufomave) ende mund të identifikohen nga shek. VIII p.e.s. afër Sjenicës dhe më gjerësisht në luginën e lumenjve të Rashkës, Ibrit dhe Sitnicës.

Rreth mileniumit të parë p.e.s., grupe të ndryshme të ilirëve e zhvilluan një gjuhë dhe kulturë të përbashkët, e cila mbulonte rajonin që sot është Bosnja juglindore, Serbia jugperëndimore, gjysma e pjesës veriore të Shqipërisë dhe Malit të Zi duke u zgjeruar deri në Epir dhe në Maqedoninë veriperëndimore. Mbetjet e shumë kështjellave të vogla në rrënjët e kodrave të shpërndara nëpër rajon, tregojnë se ka ekzistuar një kulturë luftarake që është zbatuar nga udhëheqësit fisnorë lokalë ku banorët shpesh janë detyruar të kërkojnë mbrojtje nga njeri-tjetri në këto vendbanime të fortifikuara.

Mes shekujve VI dhe IV p.e.s., anëtarë të një fisi tjetër ilir, autariatët, u vendosën në luginën e Rashkës dhe në rrafshnaltën e Peshterit, me gjasë duke i larguar kah jugu dardanët e mëhershëm. Hulumtimet e bëra në ato që duket se janë varreza të luftëtarëve autariatë në Glogovnik (Mal të Zi), sugjerojnë se ky grup formon një pjesë integrale të kulturës Glasinac, e cila gjatë Epokës së Hershme të Hekurit (shek. VIII-V, p.e.s.) është zgjeruar në një rajon që ka përfshirë Bosnjën lindore, jugperëndimin e Serbisë, pjesë të Malit të Zi dhe Shqipërinë veriore. Afër Novi Pazarit, arkeologët kanë lokalizuar një ekzemplar të kulturës Glasinac që gjendet në themelet e kishës së shek. IX që quhet Petrova Crkva. Një varr, që mendohet se është i një luftëtari fisnik nga shek. VI p.e.s., është gjetur i pajisur me ar, argjend, stoli bronzi, maska qelibari, statuja të qeramikës, përfshirë figurat e zeza të enëve greke, që sugjerojnë se popullata vendase e kësaj kohe ishte në kontakt me Greqinë.

Tentimi i Justinianit për të rivënë qetësi dhe rindërtuar perandorinë, mezi mbijetoi gjatë jetës së tij pasi që kah mesi i shek. VI dhe përsëri në fillim të shek. VII, Ballkani edhe një herë u përfshi nga valët e invaduesëve. Këta ishin sllavët që filluan të migronin nga atdheu i tyre, diku në Ukrainën e sotme, në rajonet e largëta të Danubit. Serbët, të shoqëruar nga avarët turkikë, që ishin më luftarakë, vazhduan të kërcënonin Kostandinopojën. Nën presionin e persianëve dhe për shkak të trazirave të brendshme, Perandoria Bizantine u detyrua të hiqte dorë nga posedimet perandorake në brendësinë e siujdhesës ballkanike.

Sllavët, përkundër avarëve, kishin ardhur për t’u vendosur e jo vetëm për të plaçkitur. Prandaj, u vendosën përgjatë rrugëve tranzitore romake dhe i okupuan rajonet e pëlleshme të luginave të lumenjve. Pa mbrojtjen e bizantinëve dhe duke mos qenë në gjendje të mbrohen vetë, popullata vendase u strehua në rajonet e largëta malore ku u morën me mënyrën e jetës pastorale dhe që e flisnin gjuhën e tyre që ishte një variant i latinishtes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here