Gjumi, ushtrimet fizike, jeta sociale, një dietë e pasur me fruta dhe perime janë disa nga këshillat kryesore se si të përpiqemi të kemi një jetë sa më të gjatë.
Megjithatë, studiuesit në Universitetin e Kopenhagës kanë shtuar një njohuri shtesë mbi këtë temë, duke zbuluar rolin e një proteine të njohur si Oser1, e cila duket se ka një ndikim të madh në jetëgjatësinë dhe mund të hapë rrugën për trajtime të reja. Nuk është hera e parë që identifikohet një lidhje midis një proteine dhe një predispozicioni më të mirë për të jetuar më gjatë dhe më të shëndetshëm.
Një studim i mëparshëm i koordinuar nga Annibale Puca i Grupit MultiMedica të Milanos dhe Paolo Madeddu i Universitetit të Bristolit kishte identifikuar rolin e proteinës BPIFB4, në variantin e saj Lav te 100-vjeçarët.
Tani, falë një pune, rezultatet e së cilës janë botuar në revistën “Nature Communications”, ekipi danez ka identifikuar një faktor të ri për jetëgjatësinë, është një proteinë që ekziston në kafshë të ndryshme, si mizat e frutave, krimbat e mëndafshit dhe njerëzit, sipas Lene Juel Rasmussen, autore e studimit të ri. Studiuesit zbuluan Oser1 duke studiuar një grup më të madh proteinash të rregulluara nga faktori kryesor i transkriptimit Foxo, i njohur si qendra rregulluese e jetëgjatësisë.
“Ne gjetëm 10 gjene që, kur manipuluam shprehjen e tyre, ndryshuan jetëgjatësinë”, thotë Zhiquan Li, kryeautori i studimit të ri. “Pas studimit të tij në modelet e kafshëve, studiuesit tani janë fokusuar në rolin e gjenit tek njerëzit, por deri më tani shumë pak është publikuar për këtë”, theksojnë ata. Qëllimi është që identifikimi të sigurojë objektiva të reja të barnave për sëmundjet e lidhura me moshën, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare dhe neurodegjenerative.