PROF.DR. ELMAS LECI

Për pak ditë dhe pikërisht në tetor të këtij viti, mbushen 80 vjet nga një pjesë jo e mirë e historisë së partizanëve tanë në Kosovë, kur Brigadat e 3-ta dhe e 5-ta e kaluan kufirin shtetëror dhe u futën në territorin e Kosovës që siç është thënë “për të bashkëvepruar me njësitë e ushtrisë partizane jugosllave për të dëbuar që andej trupat gjermane”. Mirëpo “urdhri udhëzues” vijon më tej dhe kjo ishte e vërteta e kërkesë së shtabit të Titos, “për të ndihmuar vendosjen e pushtetit jugosllav”.1)

E para u propagandua me të madhe për pesëdhjetë vjet me radhë dhe u tha se “partizanët e Enver Hoxhës shkuan në Kosovë për ta çliruar atë nga gjermanët”, ndërsa e dyta dhe e vërteta që i është mbajtur pothuajse e fshehur këtij populli është krejt ndryshe, është se “partizanët e Enver Hoxhës shkuan e bënë vendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë”2).

Në fakt, në kohën që forcat tona partizane shkuan në Kosovë, gjermanëve atje u kishin “rënë dhëmbët”, ishin në tërheqje e sipër si nga territori i Kosovës, ashtu edhe nga juglindja ballkanike. Por kjo nuk do të thotë se partizanët tanë nuk u aksionuan me gjermanët, madje luftuan edhe fuqishëm me ta, por thelbësorja ishte se ata u “ftuan” për tjetër gjë dhe ajo “tjetër gjë-ja” ishte ndeshja e kacafytja mes shqiptarësh, siç edhe u bë, duke vrarë njëri-tjetrin, partizanët tanë të këtejshëm me nacionalistët e atjeshëm, të cilët nuk pajtoheshin me partizanët e Titos se e dinin se si do i shkonte dhe si i shkoi filli asaj pune kulisash. Këtu është çështja dhe thelbësorja, këtu del ashiqare se “përse shkuan dhe çfarë bënë partizanët e Enver Hoxhës në Kosovë”?!

NËNSHTRIM I KOSOVËS ME NDIHMËN E PARTIZANËVE SHQIPTARË

Këtë ua diktonte situata jugosllave në Kosovë dhe këtë e zbulon telegrami personal i Titos për Enver Hoxhën ku ai i shkruante se “po qe se do të zinte vend reaksioni në Kosovë” atëherë jo vetëm do vështirësohej pozita jonë (kupto e jugosllavëve) në Kosovë, por do ta kesh keq edhe ti “edhe në Shqipërinë e Veriut dhe në trevat kufitare me Malin e Zi”.2)

Siç është propaganduar në historinë tonë në gjysmë shekulli komunizëm, vajtja e partizanëve nga Shqipëria londineze në trojet shqiptare në Kosovë, është shkruar e amplifikuar se u bë “për të çliruar Kosovën nga gjermanët” por e vërteta qëndron ndryshe dhe ato “ndryshe” nuk i ka thënë propaganda komuniste pori ka manipuluar dhe ende qëndron në mendjet e shumë njerëzve se “partizanët e Enver Hoxhës çliruan Kosovën”.

A duhet t’ia themi popullit shqiptar këndej dhe andej kufirit, në të dy republikat tona qëllimin se “përse shkuan dhe çfarë bënë partizanët e Enver Hoxhës në Kosovë”?!

Faktet dokumentare arkivore, theksoj të mbajtura fshehur deri më sot, tregojnë e theksojnë se me kalimin e partizanëve tanë jashtë kufirit shtetëror, gjoja për të kontribuar në luftën e përbashkët kundër nazifashizmit, ka pasur disa kërkesa, madje disahershe nga udhëheqja e luftës partizane jugosllave.

Kanë nisur ato që në mars të vitit 1944, deri në tetorin e po atij viti, me argumentimin propagandistik “të bashkëpunimit në luftën çlirimtare”. Synimi i Titos ishte që “partizanët shqiptarë të paralizonin veprimtarinë e nacionalistëve shqiptarë në Kosovë dhe të lehtësonin ripushtimin e Kosovës nga ushtria partizane jugosllave”3).

“Vetëm brigadat shqiptare mund të depërtojnë në Kosovë, pa gjetur rezistencën e popullit të armatosur.5) i shkruante Tito Enver Hoxhës në kërkesën e korrikut për partizanët shqiptarë.

Dhe me urgjencë në fund të gushtit arrin tek Enver Hoxha vetë përfaqësuesi i Titos, Velimir Stojniçi, i cili i kërkon që të dërgoheshin “sa më parë forcat tona në veri të Drinit, për të bashkëvepruar me njësitë e UNÇJ në Kosovë…për shpartallimin e reaksionit në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë”.6) Pas kësaj menjëherë, më 1 shtator 1944 vjen tek Enver Hoxha edhe një telegrami i Titos ku ai i kërkon që njësitë tona partizane “të kalonin në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”7). Si rezultat, më 12 shtator 1944 urdhërohen dy brigada partizane që të niseshin për Kosovë “për dëbimin e trupave gjermane nga Kosova dhe për vendosjen e pushtetit jugosllav atje”.8)

E, në fakt, të gjitha urgjencat sllave me argumentimin se “ishte i nevojshëm bashkëpunimi për çlirimin e Kosovës nga gjermanët”, e hedh poshtë konkludimi i drejtë i “Historisë së shqiptarëve”, (vëllimi 4, botuar në vitin 2021), ku thuhet se “në atë kohë që u nisën partizanët tanë për ndihmë në Kosovë, forcat partizane jugosllave ishin shumë të fuqishme dhe nga pikëpamja ushtarake e luftës kundër gjermanëve (që po tërhiqeshin), nuk kishte nevojë për dy Brigada shqiptare. Qëllimi kryesor ishte nënshtrimi i Kosovës me ndihmën e partizanëve shqiptarë”.9)

“TË MBAHET I FSHEHTË PËR ANGLEZËT KALIMI NË KOSOVË”!

Ishte djallëzia e Enver Hoxhës, i cili e porosiste në mënyrë konspirative Dali Ndreun, (ish Komandant i Korparmatës I) që “të mos u tregohet inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkonin në Kosovë”.10)

Dhe në vijim të këtij, është edhe një shënim tjetër i rëndësishëm i 12 shtatorit të vitit 1944 i Miladin Popoviçit (serb edhe ky, i cili ishte krijuesi i Partisë Komuniste shqiptare dhe mentar i Enver Hoxhës e i luftës partizane në Shqipëri), i cili i shkruante Liri Gegës (në atë kohë e plotfuqishme e Komitetit Qendror për Korpusin I) që “Lajmëro Pavlen (flitet për Pavle Joviçeviç, ish funksionar i lartë serb në Kosovë gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore) se dy Brigada partizane shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Vetëm ky fakt të mos dekonspirohet”!11) Edhe ky fakt, se “lëvizja e trupave partizane për në Kosovë nuk duhej të dekonspirohej”, përse-në, do ta shohim në vijim! Letra e mësipërme ndiqte kërkesën e Titos të 24 qershorit të vitit 1944, ku ai kërkonte dërgimin e dy Brigadave partizane në Kosovë, “që të mposhte atje reaksionarët”. Dhe më tej në atë letër kërkesë thuhej tekstualisht se “ardhja e brigadave partizane shqiptare në Kosovë…, kishte me e kthye këtë terren nga bazë e reaksionit, në bazë liridashëse”, sepse, siç theksonte me djallëzi letër-kërkesa e Titos, brigadat partizane të këtejme shqiptare do të merreshin kryesisht me “eliminimin” e reaksionarëve, pasi populli kosovar nuk kishte besim te Partia Komuniste Jugosllave”. Pas kërkesës së fundit në tetor, pala shqiptare u tregua e gatshme dhe i nisi partizanët si mish për top dhe këtë e bëri pasi asgjësoi këtej me mijëra nacionalistë të “Ballit” e të “Legalitetit” dhe krerë të Veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944). Pas këtyre aksioneve makabre në Veri, Enver Hoxha i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy Brigada partizane për në Kosovë duke i urdhëruar që Brigadat me të hyrë në Kosovë të asgjësonin “pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë”.

ME ÇFARË GJERMANËSH LUFTUAN PARTIZANËT NË KOSOVË?!

Në fakt, dhe realisht, kur partizanët tanë shkuan në Kosovë, nëpër territorin e saj kishte pak gjermanë ose ishin ata që tërhiqeshin nga vendet e tjera të jugut e juglindjes si nga territori grek, të cilët as e kishin mendjen për stacionim ushtarak. Megjithatë për të mos dalë te teza e mohimit të ndeshjes me gjermanët, po sipas dokumenteve mund të themi se sapo Brigadat tona përparuan në Kosovë, ato u ndeshën e zhvilluan luftime të ashpra në rajonin e Zymit, Rugovës, Dajanit, Zmaçit dhe e vërteta është se në ato aksione partizanët tanë shpartalluan 600-700 vetë që po vinin në drejtim të Zhurit, Dragashit, Radëshit e Vranishtit.10) Qytetin e Gjakovës e çliruan në 10 nëntor dhe në vijim edhe Suharekën e Lypjanin dhe pas 23 ditësh luftimesh me lloj-lloj forcash, përfshi edhe mbeturina gjermane e çliruan edhe Priepoljen e Prieboin dhe më 12 janar 1945 dolën në kufijtë e Bosnjës Jugore, luftime që i kushtuan vetëm Brigadës së 5-të më se 350 dëshmorë. Shumë! Një efektiv i tërë i Brigadës, një e treta e saj sa ç’kishte në krijimin e saj u asgjësuan. Asnjë komandant nuk duhet të mburrej me këto humbje, veçse të jepte llogari për vrasje masive me dashje.

Duhet thënë se situata në Kosovë, pa arritur brigadat partizane të Shqipërisë, ishte në disfavor të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, sepse atje vepronin me mjaft prestigj forca të organizatave të fuqishme politike e ushtarake nacionaliste si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas Besa Kombëtare dhe Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, të cilat kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Kjo ndodhte sepse popullsia atje e kuptoi dredhinë e luftës së përbashkët me forcat partizane të Titos, të cilat me çlirimin, Kosovën do ja linin siç ja lanë Serbisë. Në muajin nëntor të vitit 1944, iu shtuan forcave të para dhe u angazhua në këtë luftë vëllavrasëse në Kosovë edhe Divizioni i V -të, që përfshiu përveçse Brigadën III dhe të V edhe Brigadën e XXV si dhe Divizionin e VI me Brigadat VI, VII, VIII dhe XXII. Pra, siç shihet, një armatë e tërë për të mposhtur e për t’i bërë “raja” vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, shqiptarët e Kosovës. Për ato ngjarje është prononcuar edhe vetë Komisari politik i Divizionit V Ramiz Alia, i cili në një intervistë të pas viteve ’90-të, për reprezaljet që bënë partizanët tanë në Kosovë, për tu shfajësuar thotë se në ato ditë “kur ndodhën ato gjëra ka qenë në Bosnje”. Pas atyre luftimeve që përmendëm, në dokumentet e kohës nuk gjen më asnjë fakt ndeshje safi me gjermanët në territorin kosovar, veçse me forcat atdhetare shqiptare të orientimeve të ndryshme por me synimin kryesor që ishin kundër forcave partizane jugosllave.

PARTIZANËT TANË NË KOSOVË, ÇLIRIMTARË APO UZURPATORË?!

Janë edhe njëra edhe tjetra, qëndrojnë në mos të dyja së bashku, por me fitore si të Pirros. Në Kosovë u vranë 700 partizanë të Enver Hoxhës. Ishin çlirimtarë, se bënë luftë aq sa bënë kundër nazistëve dhe pas ndjekjes apo largimit të gjermanit, ju kthyen popullsisë vendase, duke ju vënë pushkën si “reaksionarë”, “nacionalistë” e “armiq”, që asnjëra nga këta nuk qëndronte, veçse kosovarët nuk donin të binin sërish nën pushtimin sllav siç ranë, peshqesh ky që e bënë Kosovën partizanët e Enver Hoxhës.

Nga historiografia dhe burimet dokumentare rezulton se partizanet e Enver Hoxhës luftuan shqiptar me shqiptar. Nga një anë këta tanët e nga ana tjetër shqiptarët e Kosovës. Dhe këtë e beri politika e te dy palëve, politika sllave. Ndërsa për deduksionet që hodhëm, çlirimtarë apo uzurpatorë, le t’i drejtohemi dokumenteve: Në veprimtarinë e tyre, me të mbërritur në Kosovë, Divizionet i V-të dhe i VI-të i Shqipërisë ata u vunë nën urdhrat e Armatës së V-të të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Në urdhër veprimin e Armatës së V-të të Jugosllavisë, është gjendur e shkruar se “në të përfshiheshin edhe Divizionet e Shqipërisë”, të cilët komandoheshin nga Shtabi i Armatës së V-të Jugosllave dhe u urdhëruan që “të gjitha forcat reaksionare që do të takonin, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë t’u digjen shtëpitë si edhe tradhtarëve, që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund, që bëhet strehë e gjakatarëve, do të dënohet…”! Me këto masa represive, siç thekson ky urdhër veprimi i mësipërm, tregohet se në kundërpërgjigje, rezistenca kosovare u ashpërsua, prandaj më 24 shkurt të vitit 1945 Shtabi Suprem Jugosllav, urdhëroi Divizionet të V dhe të VI të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare “të ndërprisnin luftimet kundër gjermanëve në frontin e Bosnjës Jugore dhe të ktheheshin në Kosovë, në hapësirën Novi Pazar-Mitrovicë e Kosovës-Vuçiternë-Podujevë, duke u vënë “nën komandën e Shtabit Operativ të Kosmetit”. Ky urdhër, si dhe veprime të tjera të kësaj natyre që ka me shumicë në atë kohë, tregojnë se strategjikisht këto Divizione vepronin sipas Shtabi Suprem Jugosllav. Urdhër veprimi për sulmin mbi “reaksionarët” e Kosovës e gjen përgjigjen e plotë edhe në radiogramin e muajt prill të Ramiz Alisë dhe të Gjin Markut (Komisar e Komandant të Divizionit), të cilët i raportojnë Komandës së Përgjithshme të Armatës jugosllave se “Brigadat janë duke bërë ndjekje dhe rrethime të bandave, gjithnjë me sukses”. Urdhrat, shkruan një dokument i Arkivit Historik të Jugosllavisë në Beograd, për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, nacionalistë e partizanë që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, më 1 dhe 5 shkurt të vitit 1945, u dhanë nga komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit. Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës së VII-të kosovare, ishin jo vetëm ngjarje të tmerrshme, por prologu i masakrave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Jugosllave. Për realizimin e mposhtjes së rezistencën kosovare më 8 shkurt të vitit 1945 me urdhër të Komandantit Suprem të Jugosllavisë J.B. Tito, në të gjithë Kosovën u shpall pushteti ushtarak.

PUSHTETI USHTARAK SERB DHE NDËRVEPRIMI I PARTIZANËVE TANË

Divizionet tona partizane u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit ushtarak jugosllav. Ata qëndruan në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare edhe pasi gjermanët u larguan nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra 10 muaj. Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë, sepse i akaparoi Fronti Nacional Çlirimtar i Jugosllavisë. Konfirmohet kjo edhe me radiogramin e Reis Maliles zv.komisar i Divizionit të V-të ku shkruhet se “me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura… gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për t’i sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë”. Siç është zbuluar edhe nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin ende në Kosovë edhe përgjatë muajve mars, prill dhe maj të vitit 1945, kohë kur u bë edhe mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë dhe dorëzimi i tyre tek ushtria jugosllave, i cili është i dokumentuar. Disponohen radiogramet e shtabit të Divizioneve V dhe VI, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rrahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill të vitit 1945 e në vazhdim, si dhe listat emërore të nacionalistëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin në shtabet e Divizioneve tona dhe nga aty nga forcat partizane shqiptare u dorëzoheshin Ushtrisë Jugosllave. Këto ndodhnin në zbatim të Urdhrit të Titos, mbi bazën e të cilit Enver Hoxha do t’u komunikonte prerë komandave të Divizioneve tona që “t’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.12)

Lufta dhe prezenca e forcave partizane të këtejshme shqiptare në Kosovë, me gjithë reprezaljet që bënë, ishin për kosovarët një fije shprese se me mbarimin e Luftës gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë do të ndryshonte në krahasim me paraluftën. Mirëpo pranvera e vitit 1945 erdhi për kosovarët më e zezë se skëterra natë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë. Si të mos kishte ndodhur gjë në dimrin e ftohtë të vitit 1944-1945, “çlirimtarët” jugosllavë në prezencë të partizanëve tanë e me ndihmën e tyre iu vërsulën nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare për t’i nënshtruar e persekutuar.

PESHQESHI I PARTIZANËVE TANË PËR PUSHTUESIT E RINJ SLLAVË

Dhe pasi mbaruan punë me gjermanët që nuk e “kishin mendjen” te Kosova, partizanët tanë iu sulën nacionalistëve kosovarë të çfarëdo bindjesh e përkatësish duke vrarë e djegur popullsinë që kërkonte lirinë e jo zgjedhën sllave. Dhe pasi i kishin dalë tej e përtej Kosovës me inkursionin e parë luftarak, shtabi i Titos u kërkoi forcave tona partizane t’i riktheheshin edhe një herë për së dyti Kosovës me një krehje masive ndaj reaksionit të saj. Po përmendim se vetëm në Drenicë forcat tona partizane së bashku me ato jugosllave në krehjen e dytë masakruan 30 mijë burra e gra, në Mitrovicë disa ditë më parë kishin masakruar mbi 2000 vetë dhe në Gjilan mbi 1000 vetë, gra pleq e fëmijë. Flitet në historitë e Kosovës për masakrimin e luftëtarëve të Demë Ali Pozharit, Ferhat Dragës, Ibrahim Lutfiut, Tefik Bektashit, Bajram Gashit, Aqif Blytën, Xhevat Begollin, Xhelal Prevezën, Hamdi Gashin, Ymer Berishën, Mehmet Gradicën, Shaban Gërdecin, Riza Tahirin, Adem Shalën Muharrem Mirovicën etj etj. Bashkëpunimi internacionalist i Lëvizjes Nacionalçlirimtare shqiptare me atë jugosllave “kishte si objektiv strategjik marrjen e pushtetit politik dhe jo mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi jugosllav”. 13)

Faktet që përmendëm e qindra të tjerë që “flenë” në dosjet e arkivave, flasin për një histori ndryshe nga ajo që është trumbetuar deri më sot përmbi “marshimin e madh” të partizanëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës, që tregojnë se heshtja afro gjysmë shekullore e Enver Hoxhës në Shqipëri, por edhe e shumë udhëheqësve të Kosovës, ishte një përpjekje madhore për ta fshehur krimin, për ta mbuluar të vërtetën dhe bashkëfajësinë me këtë inkursion të “ndihmës vëllazërore” të brigadave partizane ndaj bashkëkombësve të tyre në Kosovë. Nuk mund të themi ekskatedra se nuk kanë luajtur rol partizanët tanë në luftë kundër pushtuesve nazistë, siç nuk mund të pohojmë se ata luftuan në Kosovë vetëm reaksionarët, pra shqiptarët të cilët rezistonin ndaj pushtimit sllavo-serb. Që të arrish në ketë konkluzion tashmë pas 80 vjetëve, kur janë shkruar male me letra për çlirimin e veçanërisht kontributin e partizanëve të Enver Hoxhës për çlirimin e Kosovës, nuk është e lehtë. Titulli i artikullit është intrigues dhe në pamjen e parë të jep përshtypjen se çfarë deshën në Kosovë partizanët e Enver Hoxhës kur gjermanët ishin në kalim ose në tërheqje. Jo e vërteta është ndryshe dhe historia flet. Nga tetori deri n fund nëntor partizanët shqiptarë bënë beteja e luftime të pabarabarta me nazistët. Por kjo nuk ishte as misioni e as deviza e ftesës së forcave partizane të Enver Hoxhës në çlirimin e Kosovës. Ftesa serbe apo e shtabit të Titos ishte e dyfishte dhe më shumë tinzare e dashakeqe….

Kosova u çlirua në fund të nëntorit. [12] U bë provincë e Serbisë në kuadër të Jugosllavisë Federale Demokratike. Shqiptarët e Kosovës, të cilëve u ishte premtuar vetëvendosje nëse bashkoheshin me partizanët, u rebeluan dhe u shpall gjendje ushtarake. U deshën rreth gjashtë muaj që zona të qetësohej pasi rreth 20,000 shqiptarë nën Shaban Polluzën rezistuan ndaj integrimit të Kosovës brenda Jugosllavisë. Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisari i Divizionit V: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”

Tani po vjen 80 vjetori i qenies së partizanëve të Enver Hoxhës në Kosovë. Shumëkush i çliruar ose më mirë i çarmatosur nga ideologjitë, sot në prag 80 vjetorin e kalimit të kufirit shtetëror nga forcat partizane të Enver Hoxhës bën pyetjen: Përse shkuan dhe çfarë roli luajtën ata në Kosovë?! Dokumentet flasin se po të ishte për nostalgjikët, jam i bindur se ata do e quanin vajtjen e partizanëve tanë në Kosovë “luftë heroike që çliroi Kosovën”.

E vërteta është siç edhe ua shpalosa nga historia, arkivat e dokumentacionet e pa shfrytëzuara se në Kosovë partizanët e Enver Hoxhës luftuan nacionalistët kosovarë dhe ia dorëzuan Kosovën pushtetit jugosllav.

Burimet arkivore:
1.”Historia e shqiptarëve”, vëllimi 4, 2021.
2. Butka. U, “Lufta civile në Shqipëri”.
3. “Historia e shqiptarëve”, vëllimi 4, 2021.
4. Lalaj. A, Dosjet e Luftës…
5. Po aty
6. Nasi. L, “Ripushtimi i Kosovës”.
7. “Historia e shqiptarëve”, vëllimi 4, 2021.
8. Po aty
9. Po aty
10. Nasi. L, “Ripushtimi i Kosovës”.
11. Po aty
12. AQSH, Dosja 1945, f.206
13. “Historia e shqiptarëve”, vëllimi 4, 2021.

Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama/ 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here