Gra të ndërmarrjeve të ndryshme të kryeqytetit gjatë punës për ndërtimin e pallateve tek Rruga “Myslym Shyri”, Tiranë 1970.

 

Foto janë marrë nga revista “Shqiptarja e Re”, e përmuajshme, organi i Bashkumit të Grave të Shqipërisë (B.G.SH.-së), në kohën e socializmit.
Puna me kontribut vullnetar, kryesisht fundjavave, ishte një praktikë shumë e njohur gjatë kohës së regjimit të shkuar. Në këto veprimtari, përfshiheshin, siç dihet, punët në komunitet, për sistemimin dhe higjienën.

 

Gratë në ndërtimin e pallateve, siç tregohet në foto, nuk i kemi parë vetëm në episodin e filmit “Kapedani”, prodhim i vitit 1972 nga regjisori Muharrem Fejzo dhe Fehmi Hoshafi, skenari nga Skënder Plasari, me muzikë të Tahsim Hoshafi.


Puna në ndërtimin e pallateve, apo investimet, siç quhej atëherë në strukturë ndërtimtarie banesash dhe restaurim objektesh sociale, ishte një praktikë, që ai regjim përdori për përmbushjen e nevojave në rritje për strehim.
Më kujtohet në Shkodër përballë ish-Degës së Brendshme, siç quhej atëherë, dy pallate po ndërtoheshin nga të burgosurit, të cilët mbikqyreshin me roje të armatosura. Me sa kam mësuar, edhe paguheshin në një përqindje të ulët. Puna e krahut dhe shpesh jo vetëm ajo bëhej nga gra, varësisht ndërmarrjes, e cila ndërtonte për llogari të punonjësve të vet


E gjithë kjo mënyrë e të bërit të gjërave që regjimi i kaluar praktikonte, ishin në funksion të strehimit. Mirë apo keq, kjo ishte një nga mënyrat, duke mos harruar konfiskimin që shteti u bëri pronave dhe banesave të të pasurve dhe familjeve të mëdha, për t’i shndëruar ato në fond banese.

 

Më kujtohet se në apartamentin ku kam kaluar fëmijërinë, deri vonë, sa u rritëm, kemi jetuar në një hyrje me komshinjë të tjerë, më të cilët kishim korridorin dhe banjën e përbashkët. Sigurisht që edhe praktika e dallavereve, miqësive dhe përfitimeve të pamerituara, nuk përjashtohej edhe atëherë, në ndarjen e strehimit për frymë apo nevoja.
Albert Vataj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here