Ardit Mehmetaj
Milazim Krasniqi, qoftë si poet, prozator, dramaturg e madje edhe si studiues, tashmë është një emër i pashmangshëm kurdo që përmendet letërsia shqipe e Kosovës. Krasniqi kontributin e tij më të madh e dha në dramë dhe poezi, ku shkroi dhjetëra libra në këto dy forma të shprehjes letrare. Poezia e Krasniqit është e ndryshueshme, trajton lloje të shumta temash dhe rrjedhimisht poezia shndërrohet në një hapësirë adekuate, ku poeti shpreh shumëdimensionalitetin e tij. Poezia e Krasniqit është fund e krye lirikë e pastër, ku Krasniqi shkruan lloje të ndryshme të lirikës, si: lirikë të dashurisë, lirikë religjioze, lirikë atdhetare, lirikë të peizazhit, lirikë sociale dhe lirikë mendimtare.
Poeti Milazim Krasniqi eksploron thellësitë e shpirtit të njeriut nëpërmjet poezisë. Përmes vargjeve të tij, Krasniqi shpalos një shumësi të pasur temash, duke u thelluar në kujtesën e tij për të trajtuar tema nga e kaluara e tij personale, pastaj duke trajtuar luftën si një e kaluar kolektive me ndikime të shumta në të tashmen, pastaj duke trajtuar historinë dhe duke e shpërfaqur besimin e tij religjioz. Në poezinë e tij retrospektive, Krasniqi hedh dritë mbi fragmente të jetës së tij, kurse në poezinë e kujtesës hedh dritë mbi fragmente kolektive të së kaluarës së afërt, pra të luftës së fundit në Kosovë. Kujtimet, qoftë personale e qoftë kolektive, Krasniqi i përshkruan deri në detajet më të vogla. Kjo aftësi e jashtëzakonshme për të grumbulluar kujtime dhe për t’i shpërndarë ato te lexuesi nëpërmjet poezisë e bën Krasniqin një poet të rrallë në letërsinë shqipe. Në poezinë e luftës, Krasniqi shfaq aftësinë e tij për t’i portretizuar vuajtjet dhe ngjarjet që kanë përjetuar individë të caktuar në vitet 1998/1999, duke nxitur kështu reflektim mbi koston e lirisë. Në anën tjetër, poezia historike e shkruar nga Krasniqi e sjell lexuesin në kontakt me ato histori të largëta, të cilat poeti i ndërlidh me aktualitetin e kohës së tij.
Krasniqi është një shembull i rrallë i një poeti që ka aftësinë të shfaqë një gamë të gjerë temash në poezinë e tij. Ai ndërton ura që lidhin kujtesën, luftën, meditimin, historinë, besimin religjioz dhe atdheun në një mozaik të pasur, duke ndërtuar kështu një trashëgimi letrare që mbetet e rëndësishme dhe frymëzuese për brezat e ardhshëm.
Vepra e tij e parë poetike është vepra Imazh. Ky libër poetik përbëhet nga poezi me tematika të llojllojshme, por mund ta quajmë si vepër me poezi kryesisht të natyrës, pasi shumë poezi të kësaj vepre përcjellin bukuritë dhe jetën në fshat, lidhjen e njeriut me arat dhe tokën në përgjithësi. Autori ka përshkruar imazhe të shumta nga jeta në fshat, ndërsa një lidhje e veçantë hetohet midis poetit dhe babait të tij, si dhe babait të poetit me bujqësinë. Pra, shumë nga poezitë përqendrohen në jetën rurale, bukurinë natyrore të fshatit dhe ndjenjën e qetësisë dhe harmonisë atje
“Dhe m’i shpalon vrragët e duarve dhe të buzëve
të ashpra e të thella si të tokës
sa unë vërtet s’mund ta di
i mori ai të tokës apo toka të tij”[1]
Kjo strofë paraqet imazhin e babait bujk të poetit, i cili bën një krahasim të fuqishëm të vrragëve të duarve të babait me të çarat e tokës, krahasim ky i cili tregon lidhjen e ngushtë të babait të tij me arat/tokën. Poeti e paraqet babanë e tij si një figurë që ka punuar tokën me shumë pasion e përkushtim njëkohësisht. Vrragët e duarve janë tregues i sakrificave dhe mundimeve të prindit në punën bujqësore. Kjo frazë jep imazh të fuqishëm të punës së babait i cili bën përpjekje që t’i ofrojë familjes jetë të mirë nëpërmjet punimit të tokës.
Një poezi tjetër që paraqet anën jo të mirë të jetës në fshat është poezia “Guri i megjes”, ku autori merr këtë element i cili ka qenë vijë ndarëse mes arave/pronave dhe, si rrjedhojë, shpeshherë ka qenë shkak për shumë konflikte e vrasje ndër shqiptarë.
Vepra e dytë poetike e Krasniqit është Pirg vegimi. Në këtë vepër poetike dominon prania e temave historike, e cila përbëhet nga poezi vrojtuese, të cilat pikë vrojtimi e kanë kryesisht historinë e afërt dhe të largët. Vetë titulli në këtë rast e sugjeron përmbajtjen. Fjala “pirg” është term në histori që nënkupton një pikë vrojtimi e rrjedhimisht mbrojtjeje, p.sh. kulla brenda një qyteti a kalaje. Në këtë rast autori e identifikon vetveten me pirgun, ndërsa objekt vrojtimi është e kaluara, kryesisht historia. Për këtë vepër studiuesi Nysret Krasniqi thotë se kemi thellimin në temën e vrojtimit të historisë, qoftë ajo me bazë në antikitetin grek e romak, por me bazë literaturën e lexuar nga autori, qoftë me bazë në kulturën nacionale shqiptare, gjithashtu me bazë në literaturën e shkruar dhe të mbetur si dëshmi kulturore.[2]
Vepra e tretë poetike e Krasniqit është Qeshje sardonike. Kjo vepër, në të cilën trajtohen kryesisht tema historike, mban një titull të pazakontë krahasuar me veprat e tjera letrare shqipe. Qeshje sardonike do të thotë qeshje në mënyrë ironike, përbuzëse ose tallëse, ndërsa të jesh sardon do të thotë të jesh përçmues. Vepra përbëhet nga elemente të ndryshme nga antikiteti grek, ilir e romak dhe, si rrjedhojë, një numër i madh poezish trajtojnë tema historike. “Pra, kemi tematikën historike, si prekje nëpër shenjat antike greke, antike ilire dhe antike romake, ku nëpërmjet vargnimit poetik hetohet intenca e autorit që të dëshmohet dhe sforcohet prania jonë nacionale si trashëgimi jetësore e kulturore e lashtë”.[3] Kështu nëpërmjet poezive, Krasniqi përshkruan peripecitë dhe veprimet e kohëve të mëhershme, duke sjellë në pah rëndësinë e trashëgimisë historike.
Në poezinë “Monedha e Gentit”, nisur nga titulli, vërejmë një element të lashtësisë, siç është monedha e mbretit Gent, e cila u shtri në qytete të ndryshme që nga qytetet veriore si Shkodra (Skodra/Scodra) e Lezha (Lisos/Lissus) e deri në qytetin e Durrësit (Dyrrah). Monedha të tilla u gjetën në Shqipëri, në vendet Rubik e Mat, dhe sot gjenden në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Tiranës. Poeti merr këtë element për të dëshmuar trashëgiminë tonë të lashtë në këtë vend.
“Në njërën anë shungullon nga deti
Në tjetrën ulërin nga mali”[4]
Këto janë dy vargjet me të cilat fillon dhe përfundon poezia, për të cilat studiuesi Krasniqi thotë se përkufizohet hapësira etnike, veri-jug, qoftë edhe si trashëgimi historike apo gjeografike.[5]
Poezitë e këtij vëllimi, që kryesisht kanë tematikë historike, sipas studiuesit Sali Bashota, janë shkruar për të vënë relacione me realitetin ekzistues.[6]
Në këtë vepër poetike ka edhe poezi të cilat dallojnë tej mase në stil në krahasim me poezitë e tjera. E tillë është poezia “Fëmija molla vetmia”, e cila shpalos një ndjenjë të thellë vetmie nëpërmjet imazheve dhe simboleve të përdorura.
“Dridhet fëmija nga mendimi
Molla kalbet në tryezë
Lodrat s’dinë për zgjim e lojë
Plagë të thellë merr shkëlqimi
Tek mjaullin vetmi e zezë
Atë që humb si ta fitojë”[7]
Fëmija shfaq një gjendje pasigurie dhe frike nga mendimet e tij. Vargu “Dridhet fëmija nga mendimi”, sugjeron një ankth dhe pasiguri emocionale. Në tryezë, ku zakonisht lodrat shërbejnë për kënaqësi të fëmijës, ato nuk shërbejnë më për ta zhdukur trishtimin e tij. Në këtë poezi autori përmes përdorimit të elementeve simbolike dhe imazheve transmeton një atmosferë melankolike, duke lënë kështu hapësirë të shumtë për interpretim. Vargu i fundit “Atë që humb si ta fitojë”, shpreh dhimbjen dhe dëshirën për ta rikthyer atë që është. Por, ajo që është humbur është e interpretueshme. Fëmijëria, koha ose diçka tjetër. Për këtë arsye kjo poezi dallon nga poezitë e tjera të cilat janë më të qarta, kështu kjo kushtimisht është më e paqartë dhe rrjedhimisht ka hapësirë më shumë për interpretime të diversifikuara. Pra, kjo vepër poetike është vepër e metaforave poetike, gjithnjë duke e njohur frymëzimin personal.[8]
Vepra e katërt poetike e Krasniqit është Formula e Katonit. Kjo vepër e botuar në vitin 1990, në një kohë të lëvizjeve të mëdha politike, përbëhet nga poezi të cilat temën e kanë kryesisht historike, sidomos në dy ciklet e para. Këtë e kuptojmë edhe nga titulli i veprës, ku autori kthehet në historinë e largët dhe e riakutalizon në kohën e tij formulën e Marcus Porcius Katonit, i cili ishte politikan romak, më i zëshmi dhe më këmbëngulësi në Senat për shkatërrimin total të Kartagjenës, qytetit rival të Romës. Katoni fjalinë “Ceterum cenzeo Carthaginam delendam esse”[9] e përdorte në fund të çdo fjalimi të tij, brenda e jashtë kontekstit, pra pavarësisht temës, për të shtuar kështu rëndësinë e asgjësimit të Kartagjenës. Krasniqi e merr këtë formulë dhe e rikontekstualizon në aktualitetin e kohës kur është shkruar ajo, duke hetuar kështu thirrjet e para që Kosova po shndërrohej në një Kartagjenë. Kjo pasqyrohet edhe nga studiuesi i letërsisë Nysret Krasniqi, i cili këtë poezi e quan të tipit alegorik “për të prekur kështu kohën reale historike me poezinë e tipit alegorik Formula e Katonit, ku kemi risemantizmin poetik të thirrjes për shkatërrim të Kartagjenës nga Marcus Pontius Katoni, qoftë edhe si ëndërr, për t’u lidhur kështu me hetimin e nisjes së valës së dhunës në Kosovë në këto vite”.[10]
Poezi tjetër e këtij vëllimi është edhe ajo për Sami Frashërin e titulluar “Meditim për Samiun”, ku autori shpreh ndjenja të thella respekti e admirimi për Samiun, njërën nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare. Poezia shfaq refleksionet e Krasniqit ndikuar nga imazhi dhe trashëgimia historike e letrare e Sami Frashërit.
“E atij njërën faqe ia rrahin valët në Bosfor
Tjetrën borërat në Alpe”[11]
Në këto dy vargje autori na jep imazhin e Bosforit dhe Alpeve. Bosfori, i cili simbolizon Stambollin, qytetin ku Sami Frashëri ka jetuar dhe vepruar për një kohë të gjatë. Vargjet shfaqin lidhjen e Samiut me qytetin e madh të Stambollit dhe Turqinë si tërësi, ku ai ka lënë gjurmët e veta. Në anën tjetër, “Alpet” përfaqësojnë Shqipërinë, vendin e tij, i cili është edhe identiteti i tij kombëtar. Pra, në këto dy vargje shfaqet preokupimi, angazhimi dhe kontributi i tij në dy vende të ndryshme.
“Ka mote që ha veten e s’e di
Ç’ka qenë
Ç’është
E ç’do të bëhet me Samiun”[12]
Këto vargje reflektojnë pasigurinë që vijojnë ta shoqërojnë figurën e Sami Frashërit dhe trashëgiminë e tij. Ky pasazh vë në pah sfidat dhe pyetjet mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit që do të zërë kjo figurë e shquar historike e letrare, duke i ndërlidhur këto pyetje me librin e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Në ciklin tjetër të emërtuar Bubulina hetohet rikthimi i subjektit lirik[13], ku një ndër poezitë e këtij cikli është pikërisht poezia “Bubulina”, e cila shkruhet në një moment të veçantë për autorin, i cili e përshkruan ardhjen e vajzës së tij në këtë jetë, Bubulinës, në mënyrë mjaft poetike dhe emocionale.
Pra, poeti Krasniqi, në ciklin e parë dhe të dytë, duke rikthyer sytë kah e kaluara, përqendrohet në një gamë temash të ndryshme historike. Në ciklin e tretë dhe të katërt emocionet dhe kujtimet personale të poetit janë shumë më të pranishme pasi që poeti futet në thellësitë e kujtesës dhe shfaq me ndjeshmëri kujtimet e tij duke u përqendruar në momente e ngjarje që kanë lënë gjurmë në personalitetin e tij. Autori e dërgon lexuesin këtu në një udhëtim të brendshëm, duke ndarë me të fragmente të ndryshme të jetës. Në ciklin e pestë shfaqet një dimension i ri në shkrimin e poetit, i cili eksperimenton forma të ndryshme strukturore të poezive. Në këtë cikël kemi poezi me strofa dyvargësh, trevargësh, katërvargësh e varg të lirë. Në këtë cikël poeti shkruan edhe për mjeshtërinë e vështirë të shkrimit. Pra, në këtë libër Krasniqi shpërfaq vetëdije të lartë kritike karshi dukurive negative të qenies sonë në rrjedhë të kohës.[14] Po ashtu, shumë poezi të kësaj vepre poetike thuren rreth motiveve intime, në të cilat raste vihet në spikamë subjektiviteti.[15]
Vepra e pestë poetike e Krasniqit është Kurs për pantomimë. Edhe kjo vepër përbëhet nga poezi kryesisht me tematikë historike e atdhetare. Studiuesi Nysret Krasniqi për këtë vepër thotë se poeti ligjërimin poetik e orienton dhe sforcon në fushën e dhembjes për shenjat e humbura etnike-nacionale.[16] Në këtë përmbledhje shumë poezi trajtojnë Ilirinë dhe ilirët me një stil të ndjeshëm dhembjeje, ku autori përshkruan shpërndarjen kaotike të fiseve ilire të cilat i janë nënshtruar humbjes së përbashkët të njohurisë dhe kujtesës kolektive. Autori në poezi sjell edhe idenë e njësimit të këtyre fiseve me emrin e përbashkët Ilir. Ai këto poezi vazhdimisht i shkruan me dhembje për atdheun. Në poezinë “Ç’është atdheu” poeti shpërfaq një lidhje të fortë me të, ndërkohë përjeton pasigurinë dhe trishtimin nga humbjet dhe ndryshimet që kanë ndodhur në të. Ndërsa në poezinë tjetër “Ndarja në Qafëthanë” shfaqen ndjenjat e poetit për ndarjen e Kosovës me Shqipërinë. Për ndarjen shkruhet edhe në poezinë “Muri i Berlinit”, ku paraqitet një pamje e pasur dhe komplekse e atij muri të ndarjes, shumë vite pas rrëzimit së tij, duke kombinuar elemente emocionale dhe historike. Poeti përmes përdorimit të një gjuhe të pasur, duke përshkruar imazhe nga ai vend, e pasuron tekstin dhe i jep një pamje të qartë lexuesit, ndërsa reflektimi i poetit mbi këtë ngjarje dhe shpërfaqja e dëshirës së atij populli për bashkim dhe liri mund të lexohet edhe si një shpërfaqje e dëshirës së shqiptarëve për bashkim. Pra, poezia në rrafshin denotativ është e qartë për lexuesin, ndërsa në atë konotativ del të jetë poezi ambige pasi mund të lexohet edhe si alegori për ndarjen e shqiptarëve me anë të kufirit.
Vepra e gjashtë poetike e Krasniqit është Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat. Këtu autori bën një shkëputje nga tema historike, e cila më nuk është dominuese. Këtu, si në shumë vepra të tjera të Krasniqit, gjen prani poezia e dhembjes atdhetare, ku në këtë përmbledhje shfaqet më e fortë. Nisur nga titulli sugjestiv e informues, kuptohet edhe tema që trajtojnë poezitë e që është dhimbja atdhetare kryesisht si shkak i emigrimit të shqiptarëve në masë të madhe. Pra, titulli është vënë qëllimisht nga poeti për të ofruar një pasqyrë të menjëhershme të përmbajtjes së librit, duke ndihmuar lexuesin të kuptojë se çfarë mund të presë nga leximi i tij. Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat nënkupton që, përveç mungesës fizike të atdheut si pasojë e largimit, atdheu po del edhe nga ëndrrat, pra atdheu s’është më as si ëndërrim. Titulli sugjeron një ndjenjë të thellë të humbjes dhe ndarjes që përjetohen nga emigrantët shqiptarë. Emigrantët, duke e lënë pas atdheun e tyre, përjetojnë një ndjenjë të fortë të ndarjes dhe largimit nga rrethi dhe toka e tyre ku janë lindur e rritur. Titulli është tregues se ndarja nuk ndodh vetëm në aspektin fizik, por edhe atë ëndërrues e imagjinar. Autori në këto poezi paraqet perspektiva të ndryshme dhimbjesh, si mërgimtarët, nënat e tyre e familja. Në poezinë “Kur qeni ciatë” kemi largimin e personazhit të quajtur Agim nga atdheu, ku në poezi theksohen ndjenjat e ndarjes dhe gjendja e trishtuar që e shoqëron familjen nga largimi i djalit/vëllait të tyre.
“Babai nëna dhe motra
Si aktorë në një dramë
Po hapat e tyre s’ndihen
Ata shkelin mbi plagë”[17]
Këtu poeti përdor një krahasim të fuqishëm duke e krahasuar familjen e personazhit që po largohet si aktorë në një dramë, duke e krahasuar realitetin me teatralitetin për shkak të intensitetit dramatik të situatës.
Në poezinë “Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat” paraqitet largimi i fëmijëve, të cilët, megjithëse mbajnë emra si Fitore, Ilir, Shpresë e Atdhe, atyre më atdheun s’ua kujton asgjë. Autori në këtë poezi godet përmes emrave pasi merr Fitoren e cila humbet larg vendlindjes, merr Shpresën që pa shpresë shkon në kurbet, merr Ilirin që ikën nga vendi që dikur ishte Iliri, si dhe merr Atdheun që është larg atdheut. Vendi ku autori i zhvendos është vendi më i largët në Evropë nga ne, vendi më verior i Suedisë, qyteti i Kirunës.
“Ata janë tash diku në Kirunë
Janë bërë më të brishtë
Më apatikë
Dhe në ëndrra u futen me përdhunë
Shkretëtira të bardha”[18]
Autori në këto vargje përshkruan fëmijët shqiptarë të cilët në vend të huaj bëhen më apatikë, më të brishtë, më të mpitë, që nuk shqetësohen më për atdheun pasi atyre edhe në ëndrra u futen tani shkretëtira të bardha që nënkuptojnë Kirunë dhe rrethinën e saj, në të cilën përgjithësisht bora qëndron mbi tokë nga fundi i shtatorit e deri në mes të majit, ndërsa reshjet e borës mund të ndodhin gjatë gjithë vitit, pra edhe në muajt e verës. Autori e paraqet këtë për të treguar tjetërsimin e fëmijëve, asimilimin e tyre pasi që në vendin ku jetojnë, edhe ëndrrat i shohin nga ai vend. Andaj, për ta atdheu del edhe nga ëndrrat.
Vepra e shtatë poetike e Krasniqit është Dritë në kujtime. Kjo vepër përbëhet nga poezi të cilat janë reflektim mbi ngjarjet që kanë lënë shenja dhe gjurmë emocionale e intelektuale nga e kaluara e poetit. Libri ndahet në katër pjesë, ku në tri pjesët e para kemi poezi retrospektive autobiografike. Autori në këto poezi bën shprehjen e ndjenjave dhe emocioneve për shumë momente të jetës së tij, ai kujton frikët e tij, traumat, vdekjet e të afërmve e ngjarjet e ndryshme që sado të vogla të kenë qenë, kanë lënë shenjë në jetën e autorit.
Fjalët e nënës së poetit kur kthehet nga varrimi, vrasja e mësuesit Sefë, gurët e Ahmetit e sheqerkat e Bislimit, janë vetëm disa momente të jetës së autorit të cilat i kanë lënë shenjë dhe autori i rikthen ato në poezi.
Autori Milazim Krasniqi, ndër të tjera, shkruan edhe për ndryshimin e tij. Në poezinë “Vetëm fund shtatori” e pasqyron më së miri këtë.
“Pas një kohe kur u ktheva
Ata të dy po luanin në të njëjtin vend
Dhe të njëjtën lojë
Ishte vetëm fund shtatori
E nuk po u besoja syve
Për tërë atë ndryshim mes nesh”[19]
Këto janë dy strofat e para të poezisë ku paraqitet kthimi i poetit në fshat nga qyteti ku po jetonte e studionte dhe takimi me shokët e tij. Poeti shokët i gjen në të njëjtin vend duke e luajtur të njëjtën lojë si dikur. Kështu, Krasniqi e shpërfaq mosndryshimin e tyre. Ndërsa në strofën e dytë ai e shfaq ndryshimin e tij pasi jeta në qytet është shumë më dinamike, sheh fytyra të shumta e të reja, dëgjon histori e merr mësime të reja, për dallim prej fshatit ku jeta është më e qetë në njërën anë, por më e ngadaltë në anën tjetër pasi që mungon dinamika e në vend të saj e pranishme është rutina e njëjtë. Poeti, për dallim nga shokët, ka ndjekur studimet, ka përjetuar ndryshim në pikëpamje e botëkuptim dhe, si pasojë, ndihet i përjashtuar në një rreth të tillë, ku pak kohë më parë kishte qenë prezent dhe ishte një prej tyre.
“Më nuk u ktheva atje
Sepse do të mbetja pa frymë
Kësaj jete që e kemi dhuratë
I jep kuptim vetëm ndryshimi
Lartësimi”[20]
Këto janë vargjet e fundit të poezisë. Pra, në këto shfaqet zhgënjimi me mosndryshimin e shokëve dhe në njërën anë reflektimi i poetit për ndryshimin e tij kur vihet në krahasim me shokët. Ndryshimi i poetit mund të ndodhë për arsye të shumta, e ndër to janë ndikimi i kulturës dhe atmosferës së qytetit pasi jeta në qytet dallon shumë nga ajo në fshat. Ndikimi i arsimit, ku me njohuritë dhe përvojat e reja, ndryshon edhe vetë njeriu. Ndikimi dhe shkëmbimi i përvojave mes bashkëmoshatarëve e faktorë të tjerë shkakësorë të ndryshimit.
Poezia transmeton mesazhin se loja mund të sjellë lumturinë e përkohshme, por studimi sjell ndryshimin – lartësimin dhe për njeriun ndryshimi dhe rritja janë më të rëndësishme se loja. Poezia, megjithëse rast konkret i poetit, mund të universalizohet pasi rëndom njeriu kur ka kaluar nga fshati në qytet ka pësuar transformim dhe rrjedhimisht është ndjerë i përjashtuar në rrethin që ka jetuar kohë më parë.
Poezia tjetër e Krasniqit në këtë libër poetik është edhe poezia tejet personale e autorit “Re të ngarkuara me mërzinë e nënës”, ku ai shfaq largimin e tij nga vendlindja e nëna njëkohësisht, dhembjen e largimit e vetminë në vendin e ri, si dhe ndjenjën e trishtimit përballë të huajës.
Vepra e tetë poetike e Krasniqit është vepra Rigjetja e vetes. Në këtë përmbledhje është poezia meditative pasi libri përbëhet nga poezi analitike e meditative ku autori veneron në natyrë, bën pyetje dhe jep përgjigje.
Vepra ndahet në katër pjesë. Në dy pjesët e para kemi 31 poezi, ku 26 prej tyre titujt i kanë në formë pyetjeje si, për shembull, “Pse fluturon gjethi”[21], “Pse fluturojnë sorrat”[22], “Pse fluturon ky zog”[23], “Pse është fatzezë motra e Avdisë”[24]. Autori në këto poezi e shpreh habinë me shumë krijesa e procese të cilat realizohen dhe bashkëveprojnë në natyrë në mënyrë të mahnitshme.
Në këtë kuptim, pra për nga preokupimi, ky libër poetik i Krasniqit ngjason me prozën e Sterjo Spasses, përkatësisht romanin “Nga jeta në jetë. Pse?!”, por me një dallim të madh në qendër. Njëjtë si Spasse, edhe Krasniqi shtron pyetjen pse për gjërat që e rrethojnë, konkrete e abstrakte, shtron pyetjen pse për shumë krijesa, dukuri e fenomene, pyet çka është koha e ku na shpie koha por, për dallim nga Spasse të cilin pyetja pse e dërgon në absurditet, Krasniqin kjo pyetje e dërgon te kuptimi i jetës. E dërgon te kuptimi sepse ai e di përgjigjen e vërtetë të pyetjes që parashtron dhe me këtë ai dëshiron që përgjigjen t’ia mësojë edhe lexuesit të tij. Te Spasse e panjohura, misteri dhe mohimi i qëllimit të ekzistencës bëhen shkak për stagnimin, vuajtjet e deri në vetëvrasjen e personazhit kryesor, Gjon Zaverit. Kurse te poeti Krasniqi, kuptimi i jetës dhe qëllimit të ekzistencës bëhen vullnet për të jetuar. Në këtë sens Milazim Krasniqi përmbys rrymat filozofike e letrare të ekzistencializmit, nihilizmit e absurdit, të cilat ishin shpërndarë dhe ishin shndërruar në trend gjithandej Evropës, madje edhe në Ballkan, më vonë edhe në Shqipëri e Kosovë. Në filozofinë evropiane kemi autorë si Arthur Schopenhauer e Friedrich Nietzsche të cilët, duke e mohuar ekzistencën e Zotit, e mohojnë qëllimin e jetës, kurse në letërsinë evropiane Jean-Paul Sartre dhe Albert Camus janë përfaqësuesit kryesorë. Në letërsinë ballkanike i njohur si përfaqësues i këtyre rrymave është Miroslav Krleža, i cili në romanin “Kthimi i Filip Llatinoviqit” shtron pyetje të njëjta si autori Krasniqi, por me një qasje krejt ndryshe pasi është ndjekës i absurditetit. Në letërsinë shqipe në Shqipëri përfaqësues bëhet Sterjo Spasse me romanin “Nga jeta në jetë. Pse?!”, kurse në letërsinë shqipe në Kosovë, Ymer Shkreli me romanin “Vdekja në ajër të pastër”. Te këta autorë dominuese është filozofia e hiçit[25], ku krijimi, vetë jeta dhe vdekja, nuk kanë ndonjë qëllim të caktuar. Te vepra poetike “Rigjetja e vetes” shfaqet tërësisht e kundërta. Krasniqi pohon se Zoti është ai që ka krijuar çdo gjë dhe i ka dhënë kuptim gjithçkaje, duke përfshirë krijimin, jetën dhe vdekjen e njeriut. Në këtë prizëm, vepra poetike “Rigjetja e vetes” është vepër antinihiliste e antiekzistencialiste, duke kthyer rrotull hipotezat e tyre se jeta është pa vlerë pasi nuk ka kuptim dhe qëllim.
Poeti Milazim Krasniqi te vepra poetike “Rigjetja e vetes” mediton edhe mbi detaje shumë interesante të natyrës. Ai shkruan katër poezitë e para të këtij libri për gjethin me titujt “Pse lëviz ky gjeth”, “Kur bie ky gjeth”, “I kujt është ky gjeth i rënë” dhe “Pse fluturon gjethi”. Te të gjitha këto poezi temë është gjethi, të cilin autori e jep në katër gjendje të ndryshme. Në poezinë e parë gjethi duke lëvizur në pemë, në poezinë e dytë gjethi i cili është pranë rënies në tokë, në poezinë e tretë gjethi pasi ka rënë në tokë dhe në poezinë e katërt gjethi i cili fluturon në ajër. Autori bën ndërlidhjen mes gjethit dhe njeriut se si të dy e kemi orën e kurdisur nga Zoti dhe se gjethi është vetëm një dhuratë që na është dhuruar nga Krijuesi. Këto katër poezi të veçanta shfaqin një ndjenjë të thellë të mirënjohjes dhe adhurimit që poeti ka për Zotin.
Në poezitë e tjera Krasniqi mediton mbi ajete kuranore, mediton mbi procesin e shiut, merr historinë e motrës së Avdisë nga Lahuta e Malcis, mediton mbi kohën e mbi shumë fenomene e procese të tjera.
Për dallim nga vepra e tij e mëvonshme poetike “Poezia dhe vdekja”, të cilën e përcjellë e njëjta frymë e stilit, te vepra “Rigjetja e vetes” kemi gjuhë dhe stil poetik të ndryshëm, për arsye se poezitë janë shkruar në vende, kohë e rrethana të ndryshme. Kemi poezi të shkruara në vende si Stamboll, Sofje e Tetovë dhe në kohë të ndryshme si në vitet 1997, 1998, 1999, 2004, 2011, 2012 e 2013. Kjo është arsyeja që stili dhe tematikat janë të ndryshme, por që përbashkohen te rigjetja e vetes, pasi autori përmes të gjitha ndodhive personale e meditimeve të shumta e rigjen veten te rruga e vërtetë e që është rruga e drejtë e Zotit.
Vepra e nëntë poetike e Krasniqit është Poezia dhe vdekja. Në këtë vepër poeti angazhohet për të shkruar për luftën. “Letërsia e angazhuar” si nocion mund të jetë i vonshëm, por si dukuri është shumë e hershme dhe shumë e pranishme. Ajo ka qenë e pranishme thuajse në secilën periudhë letrare e në secilin vend. Letërsia kur angazhohet bëhet mjet, pra mjet për qëllimin. Angazhimi historikisht ka ndjekur dy linja: në shërbim të pushtetit dhe në shërbim të shoqërisë. Në letërsinë shqipe i gjejmë të dy linjat. Letërsi të angazhuar për pushtetin e ideologjinë kanë shkruar autorë si Dritëro Agolli, Hivzi Sylejmani, Sinan Hasani, Rexhai Surroi e të tjerë. Letërsi të angazhuar për shoqërinë kanë shkruar autorë si Ernest Koliqi në Shqipëri e Adem Demaçi në Kosovë. Këta dy të fundit, sa për ilustrim, mund ta cekim angazhimin përmes letërsisë në ndaljen e vëllavrasjes. Koliqi përmes tregimit “Gjaku”, e Demaçi përmes romanit “Gjarpinjtë gjakut”. Angazhim të tillë, pra në dobi të shoqërisë e për shoqërinë, bën edhe poeti Krasniqi, i cili, përmes poezisë, e cila në veprën “Poezia dhe vdekja” mund të quhet poezi e kujtesës kolektive, i përkujton shumë njerëz e shumë ngjarje që nuk duhet të harrohen, por duhet të kujtohen, qoftë edhe përmes letërsisë.
Preokupimi i autorit ose në njëfarë forme nxitja e tij për ta shkruar këtë libër del edhe në shkrimin e tij, i cili është në fund të librit në vend të pasthënies, ku autori, ndër të tjera, thotë:
“Për gjithë këto vite nuk është botuar pothuajse asnjë vepër letrare që do të ishte domëthënëse për identitetin e ri të këtij vendi dhe eventualisht për përshkrimin e rrugës së vështirë nëpër të cilën është realizuar ky fat i ri i njerëzve të tij.”[26] Nisur edhe nga ky shkrim, shohim se poeti Krasniqi ndien obligim moral që të shkruajë për këta persona e për këto ngjarje.
Vepra poetike “Poezia dhe vdekja” ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të titulluar “Liria nuk ua mban mend emrat” kemi emrat dhe ngjarjet thuajse të harruara të njerëzve të këtij populli, që sakrifikuan çdo gjë që kishin për lirinë e cila erdhi, por ua harroi emrat. Në këtë pjesë ngjarjet e Sabri Popajt, Hysni Zhuniqit, Nekibe Kelmendit, Ukshin Hotit, Vjollca Berishës, Agim Hajrizit, Latif Berishës, Banush Kamberit, Zoje Prendit, Enver Malokut, Ahmet Mumxhiut, Xhevë e Bajram Metës, Sadik Sherifit, Pacientit N. N., Familjes së Valdet Kastratit, Shabi Kajollit e Fehmi Aganit shndërrohen në poezi. Autori rrëfen ngjarjet në poezi në vetën e parë, pra përmes këndvështrimit të viktimave. Kjo ndodh me qëllimin e vetëm që poezia të jetë sa më e realizuar dhe, në të njëjtën kohë, më e ndjeshme. Kur lexojmë këto poezi duket se po e dëgjojmë rrëfimin autentik të viktimave. Në këtë cikël të kësaj vepre poetike që është botuar në 17-vjetorin e lirisë së Kosovës, kemi pikërisht 17 poezi për këta njerëz e këto ngjarje. Pra, qëllimisht autori e vendos këtë numër simbolik për ta përputhur me numrin e viteve të kaluara në liri deri në atë kohë. Në ciklin e dytë të poezive, që është emërtuar “Kalorësit e krimit”, autori shkruan për shkaktarët e këtyre ngjarjeve të tmerrshme. Pra, nëse në pjesën e parë kemi heronj, në pjesën e dytë kemi kriminelë që i shkaktuan ato ngjarje. Poezia lëviz nga pasoja te shkaku. Autori Milazim Krasniqi pjesë të kalorësve të krimit i bënë njerëzit kryesorë serbë dhe proserbë në 100 vitet e fundit duke e ndjekur rendin kronologjik të veprimtarisë së tyre. Pjesë të këtij cikli janë Nikollaj II Romanov, Kral Nikolla, Petri I Karagjorgjeviqi, Elefteros Venizellos, Konti Ciano, Gjenerali Zervas, Josip Broz Tito, Rankoviqi e Millosheviqi. Për këta pesë të fundit autori poezitë i titullon si epitafe. Kujtojmë se epitafi është mbishkrim mbi gurin e varrit, ku në Greqinë e lashtë përdorej shumë dhe zakonisht ishte shumë i shkurtër. Në të lavdërohej, e rrallëherë edhe përçmohej vepra e të vdekurit. Këtë formë e zgjedh edhe Krasniqi, i cili nuk lavdëron, por përçmon veprat kriminale të tyre përmes një strofe që ua kushton secilit.
“Epitaf për Josip Broz Titon
Slloveno-kroato-serb, mekanik,
Emigrant, bolshevik, endacak, gruar
Kozmopolit, gjuetar, patetik,
Gjeneral, mareshal, hero dhe tradhtar.”[27]
Te kjo poezi shohim se si Krasniqi i bën një portret të shkurtër, por shumë domethënës, figurës së Titos, ish-presidentit të Jugosllavisë. Poezia përshkruan origjinën etnike, politike dhe personalitetin e ndryshueshëm të Titos. Në vargun e parë, ku thuhet “slloveno-kroato-serb”, shohim përkatësinë e shumëllojshme të Titos, të cilat luajtën rol në ndërtimin dhe formimin e personalitetit të tij. Krasniqi e përshkruan atë si “mekanik, emigrant, bolshevik, endacak, hero dhe tradhtar”, duke sugjeruar kështu te lexuesi se personaliteti i ish-udhëheqësit komunist të Jugosllavisë, përbëhet nga kundërshti dhe kontradikta në vetvete. Poezia e shpërfaq karakterin kompleks dhe të ndërlikuar të Titos, ku në katër vargje Krasniqi përfshin në vija të trasha profilin dhe veprimtarinë e ish-liderit jugosllav.
“Epitaf për Millosheviqin
Po të mos e kishe nënën miope,
Babën po të mos e kishe teveqel,
Gruan po të mos e kishe idiote
Ndoshta s’do të bëheshe kaq kriminel.”[28]
Në këtë poezi poeti Milazim Krasniqi ka një qasje psikanalitike ndaj figurës së Millosheviqit duke sjell në vëmendje faktorët e ndryshëm si rrethi shoqëror, të cilët ndikojnë në sjelljen e njeriut dhe mënyrën se si ai e sheh dhe e interpreton realitetin. Pra, poezia është një interpretim psikanalitik i Millosheviqit, duke i trajtuar tri figura kyçe në jetën e kriminelit famëkeq, Slobodan Millosheviq, të cilët mund të kenë ndikuar në formimin e karakterit të tij kriminal. Pra, prindërit dhe gruaja. Kjo tregon se këta tre persona kanë pasur një rol kritik në formimin e sjelljes së kryeterroristit ballkanas. Këtu del se Millosheviqi nuk ka qenë produkt vetëm i veprimeve të tij por, ndër të tjera, ishte edhe produkt i rrethit shoqëror, mësimeve, mënyrës se si ishte rritur, duke përfshirë të gjitha fazat e ndërtimit dhe formimit të personalitetit të tij kriminal. Kjo nuk e shfajëson fare atë, por fajin e madh të tij në njëfarë forme e përpjesëton edhe me anëtarët e familjes. Poezia, përveçse e demaskon figurën e Millosheviqit, është edhe një mesazh i mirë për rëndësinë e një mjedisi të shëndoshë, pasi rrethimi me njerëz të mirë dërgon në sjellje dhe veprime të mira.
Horaci për një poezi të mirë thotë se duhen uniteti dhe zgjedhja e mençur e temës.[29] Pikërisht këtë e bën Krasniqi te kjo vepër poetike pasi, përveç temës që e zgjedh, veprën e përcjell uniteti nga fillimi në fund. Vepra “Poezia dhe vdekja” është pikërisht siç thotë Horaci: dulce et utile. Pra, e këndshme dhe e dobishme. Është e këndshme sepse ka një stil shumë të rrjedhshëm poetik, është e mbushur me figura stilistike letrare, në të cilën dominojnë metafora, metonimia e krahasimi, ka formime të fjalëve të reja e vargje të rimuara në mënyrë mjaft të realizuar. Ndërsa, në anën tjetër, është shumë e dobishme për temën që trajton.
Vepra e dhjetë poetike e Krasniqit është vepra Rruga për në shtëpinë e shpëtimit. Kjo vepër përbëhet nga poezi dhe proza poetike. Kjo vepër ndahet në tri pjesë: TwiTregime, PortTregime dhe ProfeTregime. Në pjesën e parë kemi tregime të shkurtra, në pjesën e dytë tregime që personazhet janë marrë nga portalet e ndryshme dhe në pjesën e tretë tregime në formë poezie të historive të pesë profetëve të zgjedhur të Islamit.
“Ulul azmi” në fenë islame është term që përdoret për të përshkruar pesë profetët më të mëdhenj të Islamit. Këta profetë janë Nuhu a.s. (Noa), Ibrahimi a.s. (Abraham), Musa a.s. (Moisiu), Isau a.s. (Jezusi) dhe Muhamedi a.s. Për historinë e këtyre pesë profetëve shkruan edhe poeti Milazim Krasniqi. Këto poezi shpërfaqin misionin e profetëve dhe qëllimin e njeriut në këtë jetë. Këto poezi religjioze këshillojnë devotshmërinë dhe frymëzojnë besimtarët që ta ndjekin shembullin e profetëve e që rrjedhimisht është rruga e mirësisë, paqes dhe shpëtimit.
Vepra e njëmbëdhjetë poetike dhe e fundit deri më tash e Krasniqit është vepra Kujtimet luajnë me mua. Në këtë vepër pasqyrohet më së miri poetizimi i reminishencave dhe i faktografisë jetësore. Vepra përbëhet nga katër cikle: “Bari i gjallë mbi varre”, “Njerëz, aktorë, maskarenj”, “Fëmijët e revolucionit” dhe “Peizazhet e barbarisë”. Në këto poezi dominojnë shpirtërorja, vetmia, koha, vdekja, bota e amshueshme e përjetësia si besim e ideal i poetit. Poezitë e Milazim Krasniqit në këtë vepër janë derivuese të një shumësie përsiatjesh mbi lindjen, jetën e vdekjen, kujtimet e së kaluarës e botës së re që vjen.
Autori poezitë e tij i ndanë në katër cikle, pra kemi numrin katër si simbolikë e katër stinëve, ndërsa katër stinët si metaforë e fazave jetësore: fëmijërisë, rinisë, pjekurisë dhe pleqërisë. Kur lexojmë poezitë e këtyre katër cikleve duhet pasur parasysh kontekstin kohor kur janë shkruar. Është koha e pandemisë dhe e karantinës, kur autori largohet nga qyteti e kthehet në vendlindje, ku kthimi në vendlindje, përveç ndërrim hapësinor konkretisht për poetin, është edhe ndërrim kohor imagjinar, pasi autori përmes kujtimeve kthehet në kohë, kujton lojërat e fëmijërisë dhe njerëzit e tij të dashur që nuk janë më. Pra, lexuesi përballet me një tranzicon shpirtëror të poetit dhe përpjekjes së tij për ta evokuar tashmë inekzistenten/të kaluarën përmes reminishencave, sugjeruar qysh në titull.
Në ciklin e parë poetik të titulluar “Bari i gjallë mbi varre”, menjëherë goditës është emërtimi i cili qëndron si oksimoron e paradoks në vetvete, pasi e kemi ballafaqimin e dy të kundërtave. Është e gjalla dhe e vdekura, e gjalla mbi të vdekurën, ku e para është jashtë, kurse e dyta brenda. Aq sa titulli, goditëse janë edhe poezitë e këtij cikli, ku përcjellëse është fryma se gjithçka në këtë botë i nënshtrohet një procesi evolutiv që lind, rritet e vdes. Poezitë janë të ndryshme, janë mahnitje të poetit me mrekullitë e krijimtarisë së Zotit, janë poezi atdhetare, janë poezi-kujtim siç janë dy poezitë e para kushtuar profesorit Basri Çapriqi. Poezitë e Milazim Krasniqit janë testament poetik siç pohon edhe ai vetë në vargun e tij “Jeta e ka kuptue që në këtë botë mbetet vetëm rrëfimi”. Në poezinë “Bari i gjallë mbi varre” jepet ekskluzivisht kuptimi i qëllimit të jetës si zbulim i misterit, ku zbuluesit e këtij misteri dëshirë të vetme e kanë të kthehen edhe një herë në këtë botë tashmë duke e ditur se çdo gjë është krijim i Zotit. Në poezinë tjetër “Përse poetët vuajnë” kemi tipare të theksuara atdhetare, ku poeti fatin e tij e ka të lidhur ngushtë me atdheun, ku e merr shembull Boris Pasternakun, i cili e fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1958 por, sipas Krasniqit, poetëve “Kush s’u ka faj që bëhen kumbonë”. Këtu kumbona del si metaforë e prijësit, prijatarit, udhëheqësit të tufës, i cili, përveçse prijatar, është edhe më i zëshmi. Pra, ky është poeti.
Poezitë e këtij cikli janë edhe poezi aktuale që ndërlidhen me konkreten siç është poezia “Kur i mbështetemi perëndisë”, ku autori e shpërfaq veten si ikanak nga pandemia Covid-19 që kishte kapluar botën. Këtu autori përmes ikjes së vet e shenjon të përgjithshmen, pra nëpërmjet metonimisë, ku pjesa tregon tërësinë, se e gjithë bota ikte nga virusi Covid-19. Gjithashtu, edhe tema është ambige, në sensin se sado që është konkrete në rastin tonë, përsëri universalizohet pasi bota ka pasur gjithnjë pandemi. Autori këtu megjithëse e quan veten ikanak, ai nuk i frikësohet pandemisë pasi është besimtar dhe beson se sëmundja dhe vdekja janë predestinim nga Zoti.
Autori në këto poezi i thur vargje fshatit dhe bukurive të tij (poezia: Këtu në botën e gjelbër), i thur vargje njeriut dhe jetës së tij si proces siç është rasti te poezia “Vetmi e mirë”, ku jepet ndryshimi i njeriut karshi botës që s’ndryshon edhe aq, gjersa njeriu rritet e evoluon në pikëpamje. Është ky transformim i tij shkak i konceptimit të botës ndryshe, jo që ndryshon kjo e dyta në vetvete, por ndryshon në sytë e njeriut që ndërron pikëpamje për shkak të moshës e pjekurisë ndër vite.
Një poezi tjetër e cila është sa therëse, po aq kritike për të kaluarën, është poezia “Gardhi”. Kjo poezi godet një rast që ishte shndërruar thuajse në fenomen famëkeq me përhapje të madhe te shqiptarët e që tregonte prapambeturi. Nisur prej titullit “Gardhi”, vërejmë një figurë e cila është shndërruar thuajse në figurë të patriarkatit, ku tregohet izolimi e fshehja që burrat donin t’ua bënin grave. Në këtë poezi janë dy antipode që sjellin konflikt.
“Ajo ishte një luftë e gjatë
në të cilën gardhi e sytë e udhës
bënin fli shqiptarët.”[30]
Pra, është gardhi dhe sytë e udhës. Gardhi si konotacion i një kodi zakonor të prapambetur patriarkal, kurse sytë e udhës që nënkupton njerëzit që shikojnë matanë gardhit nga rruga.
Një poezi tjetër e cila është e pasur me biografema, si shumë të tjera të Krasniqit në këtë vepër, është poezia “Kujtimet luajnë me mua”. Te kjo poezi autori shfaqet i mallëngjyer kur kujton shokët e fëmijërisë që dikur luanin me të, ndërsa sot kur të gjithë kanë ikur në amshim janë kujtimet të cilat i kanë zëvendësuar shokët dhe në vend të tyre luajnë me autorin. Në këto poezi rol kyç luan konteksti kur janë shkruar, rrethanat e karantinës, mosha e autorit ku kthehet e i shikon gjërat në retrospektivë, gjendja emocionale e tij, ku në bazë të këtyre elementeve e kemi edhe poezinë si reagim të tij.
Në ciklin e dytë të veprës poetike “Kujtimet luajnë me mua” autori trajton figura të ndryshme e të shumta në poezi, duke i dhënë asaj natyrë përkushtuese si: Xhingis Kani, Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha, Leka Zogu, Njutoni, Homeri, Paridi, Priami, Hektori, Akili, Odiseu, Neroni, Agripia, Oktavia, Ismail Qemal Vlora, Esat Pasha, Branko Merxhani, Skënderbeu, Viktor Emanueli, etj. Pjesë e këtyre poezive janë myslimanët e katolikët, janë enveristët, zogistët, ballistët, socialdemokratët, liberalët, madje edhe të parët tanë shqiptarë, ilirët. Pra, kryesisht këtu autori trajton njerëz e grupe njerëzish, vlerëson përmes poezisë e kritikon nëpërmjet saj.
Një poezi krejt unike është poezia “Hakmarrja në sytë e Homerit”, ku autori përmes poezisë e shpërfaq veten si lexues model dhe pikërisht nëpërmjet poezisë i bën analizë karaktereve të epit homerik: “Paridi ishte i verbuar nga pasioni/Priami nga patriarfilia/Hektori nga egoizmi/Agamemnoni nga ambicia e sëmurë/Akili nga urrejtja/Odiseu nga ligësia”. Po kaq unike e interesante janë edhe poezitë e tjera, p.sh te poezia “Epitaf për Esat Pashën” autori e shfaq fatin e tradhtarit përmes figurës së Esatit, ose te poezia “Taksisti japonez” autori jep mesazhin se njerëzit, pavarësisht racës, janë të njëjtë, bëjnë gjëra të njëjta, priren për të fituar pavarësisht prej mjeteve që përdorin pasi mbizotëruese te kjo racë është egoja.
Poezi tjetër interesante e këtij cikli është edhe “Intervista e pabotuar me Leka Zogun”, ku autori e kishte intervistuar Leka Zogun për mundësinë që ai të kthehej në fron, kurse përgjigjja e tij është epike pasi ai nuk donte të vinte në fron sepse do të shkaktonte gjakderdhje dhe froni do të shndërrohej në ferr. Është kjo përgjigje madhështore e cila e shtyn autorin të shkruajë poezi për të dhe ta vlerësojë atë si mbret pa pushtet, por me dinjitet.
Në ciklin e tretë të veprës që emërtohet “Fëmijët e revolucionit” autori shpërfaq sistemin komunist, sidomos atë titist, të cilin për një kohë të gjatë e kishte jetuar edhe vetë Krasniqi. Aty në pah del fytyra represive e sistemit duke piketuar situata: siç është burgosja e autorëve nga sistemi përmes redaktorëve të revolucionit e mësuesit e këtij sistemi që punësoheshin me dekret të partisë si mësimdhënës. Autori në këtë pjesë luan edhe me maksimën e famshme se ‘revolucioni i ha bijtë e vet’, duke thënë se nëse revolucioni nuk mund t’i hajë të gjithë fëmijët e vet, janë ata që ia hanë kokën revolucionit. Një poezi mjaft interesante në këtë cikël është edhe poezia “Publiku ishte aktor në teatrin popullor”, ku bëhet edhe shpërfaqja tipike e modelit invers që prodhonte totalitarizmi titist, pasi në teatrin popullor nuk ishin aktorë ata që jepnin shfaqjen, por aktorët e vërtetë ishin publiku në sallë, ata aktronin me buzëqeshje, duartrokitje, shtirje të pafundme siç ndodh rëndom në sisteme të tilla autoritare. Publiku ishte aktor në teatrin popullor, janë vargjet në të cilat shpërfaqet lakuriq nënshtrimi i popullit, frika e tij, gjendja kulturore në sisteme të tilla e formalitetet mbytëse. Për Krasniqin aktrimi i popullit ishte arti i vërtetë që kishte prodhuar revolucioni komunist, ku poezia shumë lehtë mund të universalizohet dhe të shihet në kuptimin global se si populli shtiret se i do diktatorët e pushtetet e tyre me hierarki diktatoriale.
Edhe në ciklin e katërt kemi poezi autobiografike siç është udhëtimi i autorit me tren nëpër Serbi, ose te poezia “Çika Gjolle”, ku shqiptarët s’mund të hynin nga sigurimi serb në hotel “Bozhur”, por shoku i Krasniqit, Faruku, e gjen formulën duke i thënë “Zdravo”, ku ai krenar që po e dëgjon emrin e tij, i lejon të hyjnë. Pra, kemi edhe poezi të tilla ku autori ironizon e parodizon me këtë sistem dhe me njerëzit e këtij sistemi. Në këtë cikël kemi edhe poezi nga lufta e fundit në Kosovë, ku paraqiten vuajtjet e autorit e të popullit, ikjet për në Bllacë e tmerrin që e pësuan nga agresori serb. Kurse poezia e fundit është për shpërdoruesit e lirisë, ku trajton gjendjen e pasluftës, sistemin politik e shoqëror që ishte formuar, punët e këqija që bëheshin e korrupsionin e madh që ishte shndërruar në fenomen.
Variantet e poezive nga botimi në ribotim
Poeti Milazim Krasniqi boton veprën e tij të përzgjedhur në vitin 2012 në shtëpinë botuese Logos A në shtatë vëllime. Në vëllimin e parë ai boton poezinë e tij të botuar nga viti 1982, pra ribotimi i tij është finalizimi i projektit të tij poetik e estetik i 30 viteve shkrimtarie. Në ribotim përfshihen veprat poetike: “Imazhi gri” (1982, “Rilindja”, Prishtinë), “Pirg vegimi” (1985, “Rilindja”, Prishtinë), “Qeshje sardonike” (1987, “Rilindja”, Prishtinë), “Formula e Katonit” (1990, Rilindja, Prishtinë), “Kurs për pantomimë” (1994, “Rilindja”, Prishtinë), “Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat” (1996, “Rilindja”, Prishtinë), “Dritë në kujtime” (2008, “Arbëria”, Tiranë). Të gjitha këto vepra ndryshojnë ose në strukturë ose në përmbajtje ose në të dyja bashkë kur ato ribotohen në veprën e plotë në vitin 2012, përveç veprës “Dritë në kujtime”, e cila ka ndryshime shumë të vogla, ndoshta edhe për shkak të distancës së pakët kohore nga botimi në ribotim, pra katër vjet distancë. Ky ndryshim në poezi bëhet pas rrugëtimit të gjatë personal dhe artistik të poetit ku poezia e ribotuar tashmë është pasqyrim i ndryshimit të koncepteve dhe kuptimeve të poetit ndaj jetës, estetikës dhe bindjeve fetare.
Si të gjithë autorët e tjerë që zhvillohen dhe ndryshojnë gjatë gjithë kohës, ndryshon dhe zhvillon rritje artistike edhe Krasniqi. Kjo është një nga arsyet që ai i ndryshon poezitë e tij në botimin e veprës së tij të plotë poetike. Pra, i ndryshon më qëllim që t’i rrisë estetikisht ato. Arsyeja tjetër është ndryshimi i bindjeve fetare dhe, si rrjedhojë, ndryshimi thelbësor në perceptimin e botës që dërgon në transformimin e poezive të tij.
Transformimi i poezive për shkak të ndryshimit të koncepteve estetike
Transformimi i poezisë për shkak të ndryshimit të koncepteve estetike është proces i natyrshëm në historinë e letërsisë, letërsisë botërore si tërësi, por edhe letërsisë shqipe në veçanti. Poetët me kalimin e kohës shpesh ndryshojnë stilin, temat dhe mënyrën e shprehjes pasi që natyrshëm ndikohen nga zhvillimet personale, shoqërore, historike dhe kësisoj ndërron perceptimi i tyre estetik. Kështu ndodh edhe me Krasniqin. Rritjen e tij intelektuale e artistike e plason edhe në ndryshimin e poezive të tij të cilat në ribotim i bën më të arritura estetikisht.
Një shembull që mund të merret për ilustrim është poezia “Pëllumbat”, ku autori nuk ndryshon asgjë në përmbajtje, pra nuk largon as edhe një shkronjë të vetme nga botimi në ribotim, por ndryshon strukturën e poezisë.
Poezia e botuar në vitin 1985:
“Ankth që bebzën rrit
Ajo vërtitje përmbi kulme o nënë”[31]
Poezia e ribotuar:
“Ankth që bebzën rrit
Ajo vërtitje përmbi kulme
O nënë”[32]
Pra, në strofën e fundit të poezisë nga botimi në ribotim vërejmë ndryshimin e vargjeve të strofës. Strofa në versionin e parë është dyvargësh, kurse në ribotim trevargësh, pasi poeti fjalën “O nënë” e zhvendos në vargun e tretë dhe kështu kjo thirrje ndaj nënës lexohet si e veçantë nga lexuesi e nuk lexohet direkt dhe e bashkuar me vargun e dytë si në versionin e parë të poezisë. Thirrjes “O nënë” lexuesi, duke u parë të ndarë nga vargu i dytë dhe duke e lexuar ashtu, i shtohet emocioni. Pra, këtu është një ndryshim i vogël në strukturë, por që e zbukuron estetikisht poezinë dhe e përcjell një ndjenjë më të thellë se në versionin e parë.
Një ndryshim të tillë por që, përveç strukturës, kemi ndryshim edhe në përmbajtje, është te poezia “Diqysh”, ku bëhet fjalë për një ngjarje/ëndërr, ku në botim është më e vështirë të lexohet si ëndërr, ndërsa në botim poeti e tregon qartazi se është ëndërr, por mënyra se si e tregon e bën fundin e poezisë shumë më të arritur estetikisht. Poezia bën fjalë për poetin i cili rrëfen se si një ditë bashkë me gruan e shtatë fëmijët dolën në qytet dhe ai bleu çdo gjë që i duhej.
Poezia e botuar në vitin 1985:
“Gjithë ato gjëra shtëpia a na i zinte
Gjithë ato gjëra që na mungonin”[33]
Poezia e ribotuar:
“Gjithë ato gjëra që na mungonin
Shtëpia si do të na i zinte
Ëndrra kur të më ikte”[34]
Në poezinë e variantit të parë kemi përsëritjen e fjalëve të njëjta në fillimin e dy vargjeve (Gjithë ato gjëra…), e cila, përveç që nuk është e strukturuar sintaksisht në mënyrën më të mirë, nuk është aq e realizuar poetikisht si në variantin e dytë, pra në ribotim. Poezia e ribotuar e ndjek një rend shumë më logjik të fjalëve, kemi një qartësi më të madhe, si dhe nuk kemi përsëritje të bezdisshme të fjalëve. Ndërsa vargu i fundit, i cili është inekzistent në variantin e parë, është vargu i cili i jep kuptim krejt poezisë dhe është kulminacioni i saj. Pra, dallimi nga botimi në ribotim është shumë i madh dhe e tërë kjo është pasi autori ndryshon konceptet e tij estetike dhe kështu rrjedhimisht e pasuron artistikisht poezinë e tij.
Në poezinë “Bubulina”, në variantin e parë, poezia përbëhet nga gjashtë strofa, kurse në poezinë e ribotuar ka katër strofa. Krasniqi largon dy strofat e fundit kur e riboton poezinë pasi i sheh të tepërta, ndërsa në ribotim e përfundon poezinë në strofën e katërt në momentin kur poezia arrin kulminacionin.
Poezia e botuar në vitin 1989:
“Dhe hyri në albumin e jetës sonë
Ku vendi bosh e priste”[35]
Poezia e ribotuar:
“Dhe hyri në albumin e jetës sonë
Ku vendi i vet e priste”[36]
Dallimi i vetëm i kësaj strofe nga varianti i parë në variantin e dytë është se poeti kalon nga përdori i fjalës “bosh” në “i vet”, pra dallimi është: vendi bosh/vendi i vet. Në variantin e parë thuhet “vendi bosh”, i cili në lexim të parë sugjeron një hapësirë fizike që ka nevojë të mbushet, kurse në variantin e dytë përdoret “vendi i vet”, që në lexim të parë sugjeron një vend të veçantë dhe të përcaktuar që në këtë rast është për vajzën e sapolindur të poetit.
Pra, poeti Krasniqi transformon disa nga poezitë e tij kur i riboton qoftë duke ua ndryshuar strukturën, sintaksën ose edhe përmbajtjen për të arritur një shprehje më të pasur estetike. Ky ndryshim i poezive njëherësh reflekton ndryshimet e perceptimeve estetike të autorit të fituara gjatë një periudhe të gjatë deri në ribotimin e veprës së tij.
Transformimi i poezive për shkak të ndryshimit të bindjeve religjioze
Në poezitë e veprave të botuara së fundmi nga Krasniqi, pra në veprat e botuara nga viti 2000 e këndej, vërehet një ndryshim i temave. E pranishme është tema e religjionit shpeshherë, që ka munguar në veprat e para poetike të këtij autori. Bashkë me temat ka ndryshuar edhe mënyra e shprehjes së Krasniqit dhe shqetësimi i tij. Në poezitë e fundit të Krasniqit kemi shpërfaqje të qëllimit të ekzistencës, reflektim nga ana e tij mbi besimin, reflektim mbi jetën dhe vdekjen, mbi historitë e bukura e plot mësime të Islamit, meditim në ajete kuranore e në krijesat e Zotit që na rrethojnë. Këto tema, kjo qasje dhe ky shqetësim mungojnë në veprat e para të Krasniqit. Në ato vepra shpesh autori përmes poezisë ka rënë ndesh me disa parime islame, ndërsa pas transformimit të bindjeve të besimit shohim eliminim të disa poezive dhe transformim të disa poezive të tjera.
Poezia e botuar në vitin 1982:
“Kur flitet për arat
në shpirtin e tim eti
ringjallet epi pagan i besimit në jetë”[37]
Poezia e ribotuar:
“Kur flitet për arat
në shpirtin e tim eti
Mëshira e të Mëshirshmit
Ringjall besimin
si shiu tokën e vdekur”[38]
Këtu e shohim se në versionin e parë të poezisë të botuar në librin “Imazhi gri” në vitin 1982 e kemi epin pagan të besimit të pranishëm, pra paganizmin si fe politeiste e cila atë kohë konotonte në masë të madhe me fenë e fshatarësisë. Pra, “epi pagan i besimit”, që lidhet me politeizmin, bie ndesh me religjionin Islam e cila është fe monoteiste.
Prandaj, në variantin e dytë poeti e transformon poezinë duke i larguar pjesët ndeshëse me religjionin Islam dhe i zëvendëson ato me fjalë që janë në përputhje me vlerat islame. Madje, krahasimi si shiu tokën e vdekur, është një krahasim të cilin e hasim edhe në Kuran.[39]
Edhe te poezia “Lisi” e veprës poetike “Pirg vegimi”, autori, përveç që e largon tërësisht strofën e fundit në veprën e ribotuar, gjithashtu fjalën “magjia” e zëvendëson me “harresa”.
Poezia e botuar në vitin 1987:
“Po prapë dielli do të lindë
Zemra do të vetëtijë
Moj Dodonë magjia jonë”[40]
Poezia e ribotuar:
“Po prapë dielli do të lindë
Zemra do të vetëtijë
Moj Dodonë harresa jonë”[41]
Përveç këtyre, Krasniqi një numër të madh të poezive nuk i riboton për shkak se nuk janë në frymën islame, përkundrazi ato bien ndesh me Islamin. Ndërsa një numër tjetër të poezive i ndryshon ose vetëm ua largon pjesët të cilat bien ndesh me parimet islame. Për shembull, kur e riboton poezinë Monedha e Gentit[42], ia largon një strofë dyvargëshe ku bën pjesë vargu Se do të më ndjejnë njerëzit e hyjnitë[43], ose në poezinë tjetër të këtij vëllimi, të titulluar në ribotim Gurëhedhës ilir[44], përveç ndryshimit të titullit dhe disa pjesëve, poeti largon krejtësisht vargun Njerëz e hyjni ruan nga asgjësimi[45], kjo për arsye se këto vargje bien ndesh kategorikisht me parimet islame.
Veprat e tij të mëhershme përbëhen edhe nga besëtytni të shumta, të cilat autori në ribotim i largon tërësisht. Shembull sa për ilustrim është poezia Përrallë e veprës poetike Pirg vegimi, të cilën nuk e boton fare në veprën e tij të plotë poetike.
“Duhet ta vrasësh ujkun
Ta varësh dhëmbin e tij në qafë
Nga syri i keq të shpëtosh”[46]
Këtu poeti përdor besëtytninë se dhëmbi i ujkut shpëton nga syri i keq, e cila bie ndesh me fenë islame dhe për këtë shkak autori e largon këtë poezi tërësisht nga vepra e tij e plotë. Rastet e tilla kur autori largon ose ndryshon poezi në veprën e plotë janë të shumta, por arsyet janë dy: ose për shkak të ndryshimit të koncepteve estetike ose për shkak të ndryshimit të bindjeve fetare. Rastet kur autori i ndryshon poezitë për arsyen e dytë janë më të shpeshta se për të parën.
Pra, me rastin e botimit të veprës së plotë në vitin 2012 poeti e reflekton ndryshimin e tij të koncepteve estetike e bindjeve fetare në poezitë e tij tashmë të transformuara. Ky ndryshim i Krasniqit është shembull i rëndësisë së zhvillimit personal dhe artistik në letërsi, duke e bërë veprën e tij të jetë një pasqyrë e transformimeve jetësore, mendimit dhe besimit. Në këtë mënyrë, poeti Milazim Krasniqi shpall një lloj metamorfoze letrare që është pasqyrim i metamorfozës së tij personale.
[1] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 33.
[2] Nysret Krasniqi: Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016, f. 308.
[3] Po aty, f. 310.
[4] Milazim Krasniqi: Qeshje Sardonike, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 12.
[5] Nysret Krasniqi: Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016, f. 310.
[6] Sali Bashota: Engima e shkrimit, Artini, Prishtinë, 2018, f. 76.
[7] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 86.
[8] Flamur Maloku: Diskursi dhe shenja, Rozafa, Prishtinë, 2009, f. 43.
[9] Megjithatë, mendoj se Kartagjenën duhet shkatërruar.
[10] Nysret Krasniqi: Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016, f. 310-311.
[11] Milazim Krasniqi: Formula e Katonit, Rilindja, Prishtinë, 1990, f.13.
[12] Po aty, f.13.
[13] Nysret Krasniqi: Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016, f. 311.
[14] Abdullah Konushevci: Për poezinë, Nositi, Prishtinë, 2008, f. 156.
[15] Ramadan Musliu: Mbindërtimi poetik, Rilindja, 1990, f. 284.
[16] Nysret Krasniqi: Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016, f. 687.
[17] Po aty, f. 167.
[18] Po aty, f. 171.
[19] Milazim Krasniqi: Dritë në kujtime, Arbëria, Tiranë, 2008, f. 37.
[20] Po aty, f. 37.
[21] Milazim, Krasniqi, Rigjetja e vetes, Arbëria, Tiranë, 2013, f. 8.
[22] Po aty, f. 9.
[23] Po aty, f. 11.
[24] Po aty, f. 19.
[25] Spasse, Sterjo, Nga jeta në jetë. Pse?!, “Edlora”, Tiranë, 2013, f. 144
[26] Milazim Krasniqi: Poezia dhe vdekja, Logos-A, Shkup, 2016, f. 65.
[27] Po aty, f. 61.
[28] Po aty, f. 63.
[29] Horaci: Arti poetik, Buzuku, Prishtinë, 2000.
[30] Milazim Krasniqi: Kujtimet luajnë me mua, Logos-A, Shkup, 2021, f. 38.
[31] Milazim Krasniqi: Pirg vegimi, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 23.
[32] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 60.
[33] Milazim Krasniqi: Pirg vegimi, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 47.
[34] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 67.
[35] Milazim Krasniqi: Formula e Katonit, Rilindja, Prishtinë, 1989, f. 45.
[36] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 103.
[37] Milazim Krasniqi: Imazhi gri, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 22.
[38] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 32.
[39] Kuran, surja Rum, ajeti i 19-të.
[40] Milazim Krasniqi: Qeshje sardonike, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 9.
[41] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 73.
[42] Po aty, f. 76.
[43] Milazim Krasniqi: Qeshje sardonike, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 12.
[44] Milazim Krasniqi: Vepra 1, Logos-A, Shkup, 2012, f. 77.
[45] Milazim Krasniqi: Qeshje sardonike, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 14.
[46] Milazim Krasniqi: Pirg vegimi, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 14.
Marrë nga numri 20 i revistës “Akademia”