Tradicionalisht, krahina e gjerë e Dibrës përbëhet nga disa nënkrahina, secila me veçoritë e saj në organizimin shoqëror, strukturën ekonomike dhe në marrëdhënien e saj me pushtetin qendror. Ndër krahinat kryesore në Dibër ishin Topalltia, Reka, Golloborda, Shehri, Malet e Dibrës dhe Lura. Dibra në përgjithësi shfaq një diversitet të lartë të linjave atërore, si në qytet, ashtu edhe në fshatrat përreth, por secila nën-krahinë ka edhe disa linja tipike të vetat që gjenden më rrallë në zonat e tjera, prandaj secila duhet shqyrtuar me hollësi.
Në periudhën osmane, Malet e Dibrës dhe Lura dallonin disi nga nën-krahinat e tjera, së pari nga forma tradicionale e vetë-qeverisjes përmes pleqësive dhe organizimeve shoqërore të quajtura “male”, por edhe nga një shkallë më e lartë pavarësie nga pushteti qendror, si dhe nga ekonomia më blegtorale se në zonat e tjera. Nëntë Malet e Dibrës ishin: Mali i Reçit, Mali i Dardhës, Mali Çidhnës, Mali i Luznisë, Mali i Muhurrit, Mali i Katër Grykëve, Mali i Grykës së Madhe, Mali i Grykës së Vogël, dhe Mali i Bulqizës. Secili prej këtyre përfshinte disa fshatra dhe kishte strukturat e veta të brendshme shoqërore. Kurse Lura, që përbënte një njësi më vete, quhej bajrak, dhe kishte gjithashtu disa fshatra si pjesë të saj.
- Haplogrupet
Deri tani, nga 9 Malet e Dibrës dhe Lura kemi 57 rezultate. Numri më i lartë është nga Çidhna (17 rezultate), që ka edhe popullsinë më të madhe dhe më shumë fshatra, kurse Mali i Muhurrit është i vetmi që nuk ka akoma asnjë rezultat.
Në nivel haplogrupesh, mes linjave më të shpeshta, bie në sy përqindja shumë e lartë e J2b-L283, në nivele të krahasueshme me Malësinë dhe Llapin e Gollakun, gati 3 herë më shpesh se mesatarja e trevave shqitpare. Duke qenë se ky haplogrup është i shpërndarë në të gjitha malet, kjo përqindje me siguri do të mbetet e lartë edhe me zgjerimin e kampionit në të ardhmen. Edhe E-V13 gjendet në përqindje mjaft të lartë, pak a shumë si në pjesën tjetër të trojeve shqiptare. Kurse R1b-M269 është pak më e rrallë se mesatarja, sidomos nga mungesa e deritanishme e R1b-PF7563, që gjendet në disa krahina dhe ndoshta mund të shfaqet në të ardhmen. Këto tri haplogrupe përbëjnë gati 80% të linjave atërore në Malet e Dibrës dhe në Lurë, gjë që tregon për një krahinë mjaft homogjene. Nga ana tjetër, në Malet e Dibrës gjenden edhe haplogrupe më të rralla shqiptare, si I1-M253, I2a-Y3120, R1a-M417, etj. Pra, pavarësisht mbizotërimit të disa haplogrupeve kryesore, linja më të rralla nuk janë zhdukur plotësisht.
Kampioni ka nevojë të zgjerohet më tej, sidomos duke pasur parasysh larminë e linjave atërore të krahinës. Megjithatë, me këto rezultate është e qartë se popullasia e sotshme e kësaj zone ka prejardhje në pjesë dërrmuese nga fiset e lashta të Ballkanit perëndimor/qendror para-romak, kurse një pjesë e vogël e prejardhjes lidhet me lëvizje të Antikitetit të vonë dhe Mesjetës së hershme.
- Degët
Në nivel degësh dhe nëndegësh, vërejmë disa dukuri më specifike të Dibrës. Disa linja atërore, si E-M132, J2b-L283>Y22894 dhe R1b-Z2705>Y126039, gjenden në disa Male të ndryshme. Nëndega R1b-Z2705>Y126039>FT13121, duket se ka nisur përhapjen e saj nga skaji më verior i Dibrës, duke u përhapur në Reç, Kalis dhe ndoshta edhe në Lurë, e nga Reçi në Çidhën. Dy linjat e tjera gjenden në Bulqize, Grykë të Madhe dhe Katër Grykët, pra në një zonë më jugore. Lidhjet më të afërta të këtyre linjave mes shqiptarëve janë me Dibrën, Matin dhe Kukësin, gjë që sugjeron zhvillim lokal të tyre që fill pas periudhës së etnogjenezës shqiptare. Nën pjesën tjetër të J2b-L283, deri tani nuk ka linja të përhapura në disa Male, po ashtu si linjat e lartpërmendura, lidhjet më të afërta janë gjithmonë me treva të tjera të Dibrës, ose me Mirditën e Matin. Pra, përsëri bëhet fjalë për linja relativisht lokale.
Nën haplogrupin E-V13, shumica e rezultateve nuk i takojnë degës Z5018, që përmban pjesën më të madhe të degëve shqiptare. Dega më e shpeshtë, por edhe më e larmishme në Dibër është E-V13>CTS9320, me të paktën 2-3 nëndegë të saj. Ky mund të jetë një element karakteristik i trojeve më lindore shqiptare, pasi e njëjta gjë vërehet edhe në Korçë dhe Kolonjë, por do të duhen më shumë rezultate me cilësi të lartë për t’a thënë me siguri. Duhet përmirësuar cilësia e testeve për të dalluar lidhjet më të afërta, mirëpo gjasat janë që edhe këto të jenë me treva të afërta si Mirdita. Kurse disa prej degëve më të shpeshta shqiptare nën Z5018, si FGC11450>Y173822, FGC11450>Y146086, nuk janë gjetur në malet e Dibrës dhe janë mjaft të rralla edhe në pjesët e tjera të saj.
Një pjesë e madhe e degëzimeve që gjenden në Malet e Dibrës, janë gjetur po ashtu në Dibër të Madhe ose në fshatrat pranë saj. Këtu mund të përmendim: R1b-Z2705>Y126039, J2b-L283>PH1751>Y67581, J2b-L283>PH1751>FT134628, I1-M253>L22>P109>FGC22045, etj. Disa prej këtyre lidhjeve mbahen mend nga familjet përkatëse, pasi bëhet fjalë për lëvizje të 100-200 viteve të fundit, por ka edhe shumë raste kur këto lidhje zbulohen pa një kujtesë të ruajtur familjare, gjë që tregon se lëvizje nga malet drejt qytetit ka pasur vazhdimisht edhe më herët.
- Malet në raport me qytetin dhe trevat e tjera
Nëntë malet dhe Lura kane prejardhje mjaft homogjene. Në këtë aspekt, kjo zonë dallon disi nga zonat e Dibrës më pranë qytetit ose me reliev më fushor, ku ka larmi më të madhe haplogrupesh. Një raport i ngjashëm mes homogjenitetit në zona malore dhe një diversiteti pak më të lartë në fusha dhe qytete vërehet edhe mes Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, Labërisë dhe Vlorës/Gjirokastrës, etj. Nga ana tjetër, prania e disa linjave më të rralla e dallon këtë krahinë nga Malësia, ku një grusht linjash atërore përbëjnë >90% të gjithë popullsisë. Në këtë pikë Malet e Dibrës ngjasojnë më shumë me treva më jugore, si Mirdita dhe Mati. Në këto zona, si duket, fisi si një trung gjenealogjik, nuk arriti të njësohet plotësisht me strukturën politike/ushtarake të secilës zonë, dhe nuk pati dominim të plotë të një fisi mbi një trevë, ashtu siç kishte sidomos në Malësi të Madhe, në Malësi të Gjakovës dhe në Dukagjin.
Pavarësisht diversitetit më të lartë në shehër, disa linja atërore të përbashkëta evidentojnë lidhjen mes maleve dhe qytetit. Kjo është një karakteristikë që e dallon Dibrën nga disa qytete të tjera si Shkodra apo Gjirokastra, ku linjat atërore me prejardhje nga malet pranë pothuajse mungojnë. Në Dibër kjo lidhje duket se ka ekzistuar historikisht, edhe pse, duhet theksuar, qyteti ka edhe shumë linja që nuk gjenden në Malësi.
Ashtu si në trevat e tjera shqiptare, në 9 malet e Dibrës dhe në Lurë, shumica e prejardhjes lidhet me fiset paleo-Ballkanike. Në fakt, ky element në Malet e Dibrës mund të jetë pak më mbizotërues, afër 80% të gjithë linjave atërore. Një pjesë e këtyre linjave shfaqin një zhvillim të theksuar lokal, me gjasë që në periudhën e etnogjenezës shqiptare. /Trungu & InforCulture