Elitat politike dhe kulturore serbe përderisa për kombin e tyre propagandonin idenë e një populli me vetëdije shtetërore e historike dhe që e shihnin të natyrshme të jenë bartës të pushtetit në Jugosllavi, kur vinte fjala për shqiptarët ky këndvështrim ndryshonte. Sipas kësaj pikëpamjeje tjetër, varianti i tyre për Kosovën dhe shqiptarët nënkuptonte krijimin e një “shoqërie internacionaliste” të zhveshur nga ideologjia kombëtare, pa elemente të shtetësisë dhe pa domosdoshmërinë e përfaqësimit në organet e pushtetit sipas çelësit kombëtar

Qasje e ndryshuar e Titos që pasoi pas rënies së  A. Rankoviqit (1966), rryma politike e të cilit ishte kundër thellimit të reformave ekonomike e të decentralizimit të federatës por edhe që ishte më afër qëndrimeve të BRSS-së dhe nga ana tjetër ndërhyrja e Paktit të Varshavës në Çekosllovaki, përafruan në politikën e përbashkët të sigurisë Shqipërinë dhe Jugosllavinë. Prandaj nuk është e rastësishme që shteti shqiptar nga vitet e ‘70 të shekullit XX do të deklaronte se çdo sulm kundër Jugosllavisë do të konsiderohej edhe sulm kundër Shqipërisë, duke aluduar se në rast të invazionit të Paktit të Varshavës kundër Jugosllavisë cak i pushtimit do të ishte edhe Shqipëria. Po njëjtë deklaronte edhe J. B. Tito.

Washingtoni dhe ndihma e kufizuar për “Shqipërinë e Madhe”

Lidhur me rrezikun sovjetik kundër Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitet e ‘70, SHBA-ja kishte përgatitur projekt-planin, sipas të cilit në rast lufte dhe rezistence të shtetit shqiptar kundër BRSS–së, Washingtoni do të mund të merrte në konsideratë mbështetjen politike dhe ndihmën e kufizuar ushtarake për “Shqipërinë e Madhe”. Rrjedhimisht, SHBA-ja ishte plotësisht në dijeni se shqiptarët dhe elitat e tyre politike e intelektuale në të dyja anët e kufirit ndarës të tyre synonin bashkimin në një shtet të përbashkët dhe jashtë ndikimit të BRSS-së dhe Paktit të Varshavës.

Enver Hoxha kundër Kosovës republikë, frika nga komploti serb

Enver Hoxha në Shqipëri dhe Fadil Hoxha në Kosovë, mbështesnin idenë që shqiptarët të shfrytëzonin sa më shumë mundësitë legale për barazi kombëtare të shqiptarëve dhe avancimit të statusit të Kosovës. Njëkohësisht Enver Hoxha (deri në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981) vazhdonte të ishte kundër statusit të republikës për Kosovën, duke dyshuar gjithnjë në komplotet e mundshme serbe, që, sipas tij, do të shfrytëzonin statusin e republikës për Kosovën vetëm për të kthyer vëmendjen e shqiptarëve nga përpjekja për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe bashkim me shtetin amë. Për më tepër, Kosova si republikë, mund të shfrytëzohej nga lobi serb në Jugosllavi, që, jo vetëm, të rivalizonte shtetin amë, por edhe që të shfrytëzohej për të nxitur trazira dhe për të përmbysur rendin politik në Shqipëri. Po të njëjtin mendim ndante në Kosovë edhe Fadil Hoxha, i cili rrethit të tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve i shpjegonte se ekzistonte një republikë shqiptare dhe nëse edhe Kosova bëhej republikë, do të institucionalizohej ndarja kombëtare ndërmjet shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre në Kosovë. Ndërsa, më 20 mars 1967, J. B. Tito dhe Eduard Kardeli biseduan me përfaqësuesit e RS të Serbisë lidhur me kërkesën dhe mundësinë që Kosova të fitonte statusin e republikës. Në këtë mënyrë, udhëheqësi i Jugosllavisë, J.B. Tito, duke shfrytëzuar bisedat për statusin e republikës për Kosovën bënte presion në udhëheqjen serbe që të pranonin të gjitha kërkesat e tjera për forcimin e autonomisë së Kosovës. Rrjedhimisht, pas shumë takimeve, bashkëpunëtorët e Titos dhe të Kardelit, vendosën që të pranohen të gjitha kërkesat e paraqitura nga shqiptarët: Kosova të bëhet element konstitutiv apo përbërës i federatës, të lejohej përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, Kosova të përfaqësohej në institucionet qendrore federative, të miratohej ligji kushtetues në vend të statutit, por dhënia e statusit të republikës të lihet për ndonjë periudhë të mëvonshme.

Prandaj udhëheqja e Kosovës, në një anë duke u frikësuar se me statusin e Kosovës si republikë do të zyrtarizohej përfundimisht ndarja e shqiptarëve në dy republika dhe në anën tjetër duke parë se mungonte mbështetja në nivelin qendror për statusin e republikës, u përqendruan në shfrytëzimin e klimës së volitshme politike në Jugosllavi për përfitime të sa më shumë të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore për shqiptarët si tërësi dhe Kosovën në veçanti.

Tiranë, 1974

Hapi drejt vendosjes së lidhjeve ekonomike Kosovë-Shqipëri

Ndërkohë ambasada jugosllave në Tiranë ishte e pakënaqur me sjelljen e autoriteteve të Krahinës Autonome të Kosovës në lidhje me kontaktet me Shqipërinë. Ambasadori Ljubomir Hrnjak në një telegram të datës 11 qershor 1969 lajmëronte se institucionet dhe organet nga Kosova nuk e kanë informuar mjaftueshëm sekretariatin për punë të jashtme si dhe institucionet e tjera federale dhe republikane për marrëveshjet me palën shqiptare. Telegrami i Hrnjakut zbuloi frikën se midis Prishtinës dhe Tiranës ishin krijuar marrëdhënie dypalëshe paralele, mbi të cilat sekretariati jugosllav për Punët e Jashtme nuk kishte kontroll.

Një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së lidhjeve të drejtpërdrejta ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte vendimi i Këshillit Ekzekutiv Federativ më 8 mars 1967 për të mundësuar tregtinë ndërkufitare të mallrave ndërmjet ndërmarrjeve nga Kosova dhe Shqipëria pa lidhje paraprake të marrëveshjeve ndërshtetërore. Një koncesion edhe më i rëndësishëm se mundësimi i lidhjes ekonomike me Shqipërinë ishte detyrimi i udhëheqjes shtetërore jugosllave për t’i ofruar ndihmë ekonomike dhe financiare Kosovës. Në Rezolutën e Kongresit të nëntë të LKJ-së të vitit 1969 thuhej se Fondi i Federatës për Kreditimin e Republikave dhe Krahinave të Pazhvilluara  “si formë kompensimi dhe element solidariteti në marrëdhëniet ndërnacionale do të merrnin burime  të përhershme dhe të qëndrueshme të financimit”.

Nxitja e serbëve të Prizrenit dhe studentëve serbë të UP-së

Në kohën e mbledhjes së Brioneve, ku diskutohej mbi ndryshimet kushtetuese (1971), Serbia nxiste serbët e nënklasës së Prizrenit dhe studentët serbë të Universitetit të Prishtinës, si formë presioni mbi Kosovën dhe Titon. Betejën politike kundër Kosovës dhe shqiptarëve serbët fillimisht e përqendruan në organizatën e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Kështu në mbledhjet e 26 dhe 28 të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës (maj dhe qershor të vitit 1971), kuadrot serbe: Millosh Sekulloviq dhe Jovo Shotra si dhe Kadri Raufi, përpos që u munduan të hapin tema mbi kinse “presionin që po ushtrohej mbi serbët”, pastaj mbi “migrimin e serbëve” (nuk ishte klima e volitshme politike të përdorej termi shpërngulje), ata kritikuan edhe kinse manipulimin me rastin e regjistrimit të popullsisë, ku sipas tyre, turqit ishin detyruar të deklaroheshin si shqiptarë. Këto akuza nxitën reagimin e ashpër të shqiptarëve në mbledhje. Kështu Fadil Hoxha (anëtar i kryesisë së KQ të LKJ-së), duke diskutuar për dukurinë e migrimit të popullsisë në Kosovë, theksoi se lëvizja e popullsisë nga zonat më pak të zhvilluara në rajonet më të zhvilluara është proces i natyrshëm dhe nuk duhej politizuar. Prandaj udhëheqja e Kosovës, më 1 korrik 1971, në takimin me Titon, njoftoi mbi veprimtarinë destruktive të nacionalistëve serbë. Kur ky skenar dështoi, pala serbe kaloi në organizimin e shprehjes publike të pakënaqësisë. Në këtë rast ishin studentët serbë të Universitetit të Prishtinës ata që do të protestonin kundër politikës së barazisë me shqiptarët. Rinia serbe, me mendësinë e tyre sunduese, nuk duronin që në pozitat kryesore në lidhjen e studentëve, në institucionet e universitetit dhe në konvikte të ishin shqiptarët, gjë të cilën ata e përjetonin si diskriminim.

Ndërsa përpjekjet e gazetarëve të shtypit të Beogradit, Niazi Selmanoviq të “Politika” dhe të Zllatko Steviqit të “Večernje Novosti”, për të politizuar dhe për t’i dhënë tubimit të studentëve serbë karakter të konfliktit ndërnacional, jo vetëm se dështuan, por ndaj tyre u hap edhe procedurë penale në Kosovë. Më 25 dhjetor 1971, në mbledhjen e XXXIII të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, për veprimtari nga pozitat e nacionalizmit serbë, u përjashtuan nga Komiteti Krahinor i LK të Kosovës: Millosh Sekulloviq dhe Kadri Raufi. Kurse në vitin 1973 edhe Jovo Shotra. Barazia në të drejtat kombëtare me shqiptarët për serbët dhe Serbinë pra ishte shenjë e diskriminimit dhe të mbivotimit (majorizimit) të tyre. Mendësia e tyre prej pushtuesi dhe ndjenja e superioritetit karshi shqiptarëve, me të cilët nuk kishin asnjë lidhje etnike, gjuhësore e as fetare, i bënte serbët dhe institucionet e shtetit të tyre të arsyetonin çdo krim që kishin bërë në politikën e tyre të zgjerimit territorial dhe për pasojë, edhe të pastrimit etnik.

Autonomia kulturore e shqiptarëve si “një e keqe e domosdoshme”

Elita politike dhe kulturore serbe përderisa për kombin e vet  e tyre propagandonin idenë e një populli me vetëdije shtetërore e historike dhe që e shihnin të natyrshme të jenë bartës të pushtetit në Jugosllavi, kur vinte fjala për shqiptarët ky këndvështrim ndryshonte. Sipas kësaj pikëpamjeje tjetër, varianti i tyre për Kosovën dhe shqiptarët nënkuptonte krijimin e një “shoqërie internacionaliste” të zhveshur nga ideologjia kombëtare, pa elemente të shtetësisë dhe pa domosdoshmërinë e përfaqësimit në organet e pushtetit sipas çelësit kombëtar. Kjo do të thoshte se strukturat politike dhe intelektuale serbe mund të pranonin autonominë kulturore të shqiptarëve si “një të keqe të domosdoshme” por vetëm në masën që kjo nuk do të cenonte integrimin e këtij “qytetari kozmopolit” në shoqërinë dhe institucionet e Serbisë. Thënë ndryshe, serbët nuk mund të pajtoheshin me humbjen e pushtetit dhe të dominimit mbi shqiptarët. Prandaj, sipas kësaj mendësie të institucionalizuar, serbët ishin viktima edhe atëherë kur pushteti u njihte shqiptarëve pjesërisht të drejtat e tyre kombëtare dhe politike. Në vitin 1971, pas pësimit të lëvizjes kroate, “liberalët” e Serbisë (Marko Nikeziqi dhe Llatinka Peroviqi) u munduan që kinse në një platformë liberale kundër Titos të përfitojnë edhe Veli Devën. Esenca e lëvizjes politike serbe që kërkonte thellimin e procesit të demokratizimit të brendshëm ishte që të zvogëlohej roli dhe ndikimi në vendimmarrje i J. B. Titos. Natyrisht se elita politike kosovare që nuk donte të bëhej dorë e zgjatur e tendencave hegjemoniste serbe të fshehura mbrapa ideve liberale, për këtë e kishte njoftuar edhe Titon, i cili më 1972 do të shkarkonte Marko Nikeziqin (ish-ambasador i Jugosllavisë në SHBA, kryetar i LK të Serbisë) si dhe Latinka Peroviq. Në të vërtetë udhëheqësi serb, Marko Nikeziqi kërkonte mënyra që të kufizohej roli i Titos si ndërmjetës në kundërthëniet ndërmjet republikave, Kosovës dhe RS të Serbisë, si dhe në raportet e tyre me organet qendrore. Kjo vënie e interesave të Serbisë para atyre të Jugosllavisë dhe përpjekja për të anashkaluar J. B. Titon, do të thoshte rikthim i “politikës” së dominimit serb dhe pengesë për procesin e decentralizimit të Federatës e të RS të Serbisë, por me metoda dhe forma në përputhje me demokratizimin e shoqërisë të proklamuara nga LKJ-ja.

Titoja si një autoritet të pakontestueshëm

J. B. Tito, i cili kishte një autoritet të pakontestueshëm si brenda Jugosllavisë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, me përvojën e tij, pikësëpari kishte nxitur elitat republikane për të parë cilat ishin kërkesat e tyre, për t’u kthyer pastaj kundër tyre (ndërrimin e udhëheqjes në LK të Kroacisë më 1971 dhe më 1972 të LK të Serbisë). Në të njëjtën kohë me këto ndryshime kadrovike në organet partiake, Tito shpejtonte procesin e ndryshimit si dhe të miratimit të kushtetutës së re, në të cilën përfshiheshin po ato kërkesa të atyre që i kishte shkarkuar. Pra me bartjen e procesit të vendimmarrjes nga organet qendrore në republika dhe në krahina. Për sa kohë Tito jetonte, të gjitha mosmarrëveshjet në raportet ndërmjet republikave, KSA të Kosovës dhe tendencave unitariste të RS të Serbisë, zgjidheshin me ndërhyrjen e tij.

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Jugosllavi dhe BRSS-ja

Në këtë atmosferë të favorshme për shqiptarët, rivendosen marrëdhëniet e plota diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë në nivelin e ambasadorëve.  Njëkohësisht me përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, më 1972 Jugosllavia forcoi lidhjet ekonomike edhe me Bashkimin Sovjetik duke marrë 1.3 miliardë dollarë kredi, që do të shfrytëzoheshin në fushën e energjetikës, metalurgjisë dhe në industrinë kimike. Finalizimin e këtyre marrëveshjeve do ta bënin kompanitë nga Jugosllavia, të cilat do të negocionin drejtpërdrejt me institucionet e BRSS-së. Kjo ishte një mënyrë që i mundësonte BRSS-së të thellonte ndikimin e saj ekonomik dhe politik në njësitë e veçanta federale të Jugosllavisë. Kthimi i kredisë do të bëhej me produkte finale. Ndërkohë drejtuesit politikë të Kosovës vijuan të mbështesnin Titon në planin e tij për reformat ekonomike dhe decentralizimin e Jugosllavisë.

Mahmut Bakalli dhe vigjilenca ndaj “nacionalizimit shqiptar”

Mahmut Bakalli, kryetari i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, më 7 shtator 1972 në Kamenicë, duke përcjellë kritikën e Titos kundër nacionalizmit, foli për rritjen e vigjilencës kundër “nacionalizmit shqiptar”, duke i lënë Titos të kuptojë që porosia kundër ndonjë shpërthimi të revoltave të shqiptarëve ishte kuptuar nga udhëheqja e Kosovës. Me fjalë të tjera, kërkohej që shqiptarët të mos u jepnin shkas nacionalistëve komunistë serbë (si atyre të rrymës liberale, ashtu edhe të asaj konservatore) që duke përdorur alibinë e rrezikut nga “irredentizmi shqiptar” të pengonin procesin e mëtutjeshëm të decentralizimit të federatës dhe të Serbisë.

Vizioni amerikan për ardhmërinë e Jugosllavisë

Njëkohësisht gjatë viteve ‘70 të shekullit XX, rrethanat ndërkombëtare ishin shumë të volitshme për shqiptarët, pikësëpari, ngase RPS e Shqipërisë, duke qenë jashtë Paktit të Varshavës, u bë subjekt ndërkombëtar, interesat kombëtare të së cilës filluan të merren parasysh edhe nga SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ishin kreditori dhe financuesi kryesor i RSFJ-së, me të cilat Washingtoni mbështeste procesin e decentralizimit, të reformës ekonomike (për ekonomi të tregut të lirë) dhe të bartjes së kompetencave shtetërore (ekzekutive, ligjdhënëse dhe gjyqësore) në republika dhe krahina, kurse me daljen e Shqipërisë nga “Kampi Lindor”, ishin të interesuara edhe për forcimin e elementit shqiptar në RSFJ-së. Këtë vizion amerikan lidhur me ardhmërinë e Jugosllavisë e shprehu edhe kryetari i SHBA-së, R. Niksoni, i cili në vitin 1970 gjatë vizitës zyrtare në RSFJ, zgjodhi të vizitonte edhe Kroacinë, me çka në mënyrë indirekte shprehte mbështetjen amerikane për Titon lidhur me politikën e tij të decentralizimit dhe të demokratizimit të Jugosllavisë. Në anën tjetër, BRSS-ja llogariste në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe pjesërisht në RS të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ndërsa me nxitjen e kundërthënieve shqiptaro-serbe do të joshte RPS të Shqipërisë për rikthim në “kampin sovjetik.” Është prandaj indikativ organizimi dhe mbajtja në Tivar të Malit të Zi, në prill të vitit 1974, e “Kongresit të pestë të Partisë Komuniste (të ripërtërirë) të Jugosllavisë”, e cila promovonte konceptin lindor të socializmit të BRSS-së, nënkryetar i së cilës ishte Branko Boshkoviq, profesor në Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Nga 50 të burgosur të këtij grupi politik, 17 ishin serbë dhe malazezë nga Kosova. Njëkohësisht, nënkryetari i Partisë Komuniste (të ripërtërirë) të Jugosllavisë, Branko Boshkoviq (profesor në Universitetin e Prishtinës), qëndronte edhe prapa kërkesave të studentëve serbë të Universitetit të Prishtinës kundër politikës së re të barazisë.

Afirmimi kombëtar dhe i statusit të ri të Kosovës

Procesi i afirmimit kombëtar të shqiptarëve dhe të statusit të ri të Kosovës dëshmohej jo vetëm me vizitat e shpeshta të J. B. Titos në Kosovë (1967, 1971, 1975 dhe 1979), por edhe të një fakti kuptimplotë. Çdo 25 maj me rastin e ditëlindjes së Titos, në të gjithë Jugosllavinë organizohej stafeta e Rinisë. Më 25 maj 1979 në ditëlindjen e fundit të Titos, kjo stafetë iu dorëzua atij nga Sanije Hyseni, përfaqësuese e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës. Vizita e fundit e J. B. Titos në Kosovë, e organizuar në vitin 1979, ishte edhe një kundërpërgjigje e fushatës së shpërndarjes së materialit propagandistik nga ana e grupeve ilegale (1978) si dhe përpjekjeve të institucioneve të Serbisë (1977) që të rihapin temën e kufizimit të autonomisë së Kosovës. Kryetari i RSFJ-së, J. B. Tito, me ardhjen e tij në Prishtinë iu dha përkrahje udhëheqësisë së Kosovës për të minimizuar presionin e ardhur nga RS e Serbisë. Njëkohësisht me këto zhvillime, Këshilli Ekzekutiv Federativ i Jugosllavisë më 1977 kishte marrë vendim, sipas së cilit RPS të Shqipërisë i sigurohej trajtimi i privilegjuar në këmbimin tregtar dhe sistemin devizor, si dhe nxitej bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë. Përderisa më 1978 këmbimi tregtar ndërmjet RPS të Shqipërisë dhe RSFJ-së ishte 37 milionë dollarë në të dy kahet, në vitin 1980 ai arriti në rreth 100 milionë dollarë. Po ashtu u bë e mundshme lidhja hekurudhore dhe me dy largpërçues u lidhën elektroekonomitë e dy shteteve. Shqipëria, pas prishjes me Kinën dhe orientimit për bashkëpunim ekonomik me Italinë, Francën, Austrinë, Zvicrën, Çekosllovakinë e vende të tjera evropiane, RSF e Jugosllavisë u bë vendi i dytë me rëndësi, me 16% të pjesëmarrjes në këmbimin tregtar të RPS të Shqipërisë (në vitin 1980 këmbimi i përgjithshëm tregtar i Shqipërisë ishte 662 milionë dollarë).  Në pamundësi të dilnin hapur kundër J. B. Titos si dhe të drejtave kushtetuese të KSA të Kosovës për të bashkëpunuar me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, republikat, të cilat pas Luftës së Dytë Botërore i kishin ndarë hapësirat e banuara me shqiptarë: RS e Serbisë, RS e Malit të Zi dhe RS e Maqedonisë, insistonin që bashkëpunimi kulturor dhe arsimor të bëhej në nivel të qeverisë së RPS të Shqipërisë dhe RSF të Jugosllavisë. Kështu në mbledhjen e Kryesisë së RSFJ-së, të mbajtur në dhjetor të vitit 1976, përfaqësuesit e RS të Serbisë dhe RS të Maqedonisë, Drazha Markoviq dhe Angel Çemerski, kritikuan qasjen e Jugosllavisë karshi Shqipërisë, duke potencuar se është gabim marrja e përgjegjësisë nga e RSFJ-së lidhur me raportet jo të mira me RPS të Shqipërisë, si dhe përpjekjen e palës jugosllave që për hir të përmirësimit të marrëdhënieve me Tiranën të kalonin në heshtje shumë çështje parimore. Përfaqësuesit e këtyre dy republikave kishin edhe përkrahjen e Eduard Kardelit, i cili në një anë përkrahte republikën më të madhe në RSFJ dhe në anën tjetër shprehte pakënaqësinë me palën kosovare, me të cilën udhëheqja e RS e Sllovenisë kishte përplasje lidhur me Fondin për republikat e pazhvilluara dhe KSA të Kosovës.

Përfundim

Procesi i thelluar i reformave ekonomike në RSF të Jugosllavisë si dhe decentralizimi i pushtetit qendror në favor të rritjes së kompetencave të republikave dhe të krahinave, përcillej edhe me domosdoshmërinë e marrjes së kredive të jashtme. Rrjedhimisht nga vitet ‘70 të shekullit XX huamarrja e RSF të Jugosllavisë u rrit nga 2 miliardë e 350 milionë dollarë  (1970) në 20 miliardë e 168 milionë dollarë amerikanë (1981). Rritja e borxhit të jashtëm të RSFJ-së në këtë periudhë (1970-1981) pikësëpari vinte si nevojë e investimeve ekonomike në njësitë federale dhe në Kosovë, por edhe të procesit të shndërrimit të qytetarëve në konsumatorë. Kjo dëshmohet me faktin se nga 20 miliardë e 168 milionë dollarë amerikanë (1981) të borxhit të jashtëm, 10 miliardë e 674 milionë dollarë ishin kredi për importim të mallrave. Prandaj, udhëheqësi pragmatik i RSFJ-së, J. B. Tito, duke bërë lëshime në sferën ekonomike (me procesin e vetëqeverisjes dhe liberalizmit në fushën e prodhimtarisë dhe të tregtisë), politike si edhe ideologjike (krijimin e konsumatorit dhe mentalitetit individualist), që këto reforma të kishin sukses, kishte nevojë për mbështetjen jo vetëm të elitave politike të njësive federale, por edhe të qytetarëve të zakonshëm. Një  përkrahje e tillë mund të fitohej vetëm me ngritjen e standardit jetësor, respektivisht duke rritur punësimin dhe të ardhurat personale. Suksesi rrjedhimisht varej nga mbështetja financiare perëndimore, në formën e dhënies së kredive, të cilat shfrytëzoheshin për investime në sektorin e prodhimtarisë, por edhe për mallra të konsumit. Rrjedhimisht, të gjithë këta faktorë ndikuan edhe në procesin e decentralizimit politik, duke fuqizuar të drejtat dhe pushtetin e njësive federale, përfshirë edhe pozitën specifike të Kosovës dhe të Vojvodinës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here