Nga: BASHKIM QELI
Aty ku malet kryelartë kapin retë dhe rrinë përballë e sup më sup me njëri-tjetrin, e kuvendojnë hijerëndë dhe Vjosa dhe Drino i ndan në mes, ndodhet Tepelena.
Janë këto male të larta e plot madhështi, të dala nga toka mëmë dëshmitare e historisë labe. “Malet në të dyja anët – thotë Pukvili – kishin pamjen sikur i kishte copëtuar dikush për t’i ndarë veç e veç, për t’i bërë rrugë ujit që mblidhej në kraharorin e Vjosës”. Në shpatin e malit Shalëz, pranë rrugës për në Gjirokastër në krah të djathtë të saj, me një fushë të vogël përpara, ndodhet Luzati. Në këtë fshat më 26 korrik 1929 lindi Nimetja në fisin Progonati, ardhur në Luzat më 1805, nga Progonati, me porosi të Ali Pashë Tepelenës, kur ai nënshtroi Progonatin, ku stërgjyshi i saj, Haxhiu, kishte luftuar kundër pushtimit turk dhe ishte kundërshtar i pushtuesit turk dhe i Ali Pashës. Ajo lindi në familjen e Isuf Progonatit, një familje të varfër, por atdhetare dhe patriote.
Babai i saj, Isufi, emigroi në Greqi dhe Francë, për të siguruar jetesën e familjes. Në këtë familje, nëna e saj, Fatimja e rrit dhe edukoi Nimeten, ku bashkë me qumështin, i mëkoi ndjenjën e atdhedashurisë për vendin dhe urrejtjen për armikun. Ajo arsimin fillore e bërë në Luzat dhe vazhdoi me këmbënguljen e saj shkollën Plotore në Tepelenë, ku u dallua për inteligjencë, si një nxënëse e zellshme dhe shumë e mirë. Ajo kishte prirje për poezi kryesisht me përmbajtje patriotike, ajo ka lënë një fond të vogël me poezi, të cilat janë një mesazh për brezin e ri.
Ajo kur bisedonte me shoqet e saj, u kishte shfaqur dëshirën për t’u bërë mësuese. Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë, me zemërim dhe urrejtje së bashku me të gjithë moshataret e saj. Më 22 dhjetor 1942 në Luzat u bë betimi, ku fshati vendosi të lidhej me LANÇ-in, ku morën pjesë burra dhe gra të Luzatit, midis tyre edhe Nimetja. Në Luzat u krijua LANÇ i fshatit me kryetar Fuat Shehun, organizata e gruas antifashiste me kryetare Rakibe Qeli dhe Organizata e Rinisë me sekretar Myftar Kalon. Nimetja u dallua midis shoqeve e shokëve të rinisë së fshatit në kryerjen e detyra që i ngarkoheshin. Kur mbushi 14 vjeçe, prindërit e saj sipas traditës e fejuan, por ajo nuk e pranoi, theu zakonet e vjetra dhe shkeli paragjykimet e kohës. Ajo së bashku me tri shoqet e saj, Qibro Gjyli, Tefta Shehu dhe Dylbie Kopaçi, kur në fshat erdhën partizanët e çetës “Ismaill Kaso”, u kërkuan që të shkonin partizane, por komandanti i çetës, Ismail Kaso, u tha kur të vijmë herën tjetër, do t’ju marrim.
Ndërsa komandanti i batalionit “Baba Abazi”, Fejzo Ismaili, kur Nimetja i tha më merrni partizane, ai i tha: – “Je e vogël moj Nimete dhe me trup më të imtë nga shoqet e tua, rritu edhe pak në shtat, në male është vështirë, të japim fjalën se herën tjetër do të të marrim” dhe Nimetja që nuk ta përtonte i tha: “Kështu dukem e parritur dhe e imët nga varfëria, por nuk jam më e mitur dhe zemrën e kam zjarr, kështu që kam besim se do të duroj çdo vështirësi në luftë, çdo zheg në behar dhe dimrin e acartë”. Kur një ditë kaluan në Luzat forcat e Br5S, Nimetja bashkë me tri shoqet u futën në përbërje të kësaj brigade dhe marshuan në drejtim të Përmetit. Më 8 prill 1943, ajo së bashku me tri shoqet e saj nisën jetën si partizane. Ajo kishte ardhur me rrobat e trupit të saj të imtë, me një fustan të hollë të të vjetër, i gjetën një palë pantallona dhe iu desh kohë për t’i gjetur një palë këpucë për këmbën e saj të vogël. Ditët e para rrinte mënjanë dhe e menduar, sepse mendonte për familjen që la pas.
Por partizanet dhe partizanët i qëndruan pranë, që të mos mërzitej, shoqet e vjetra e mbanin pranë dhe e mësonin si të luftonte e nxitnin për të kënduar e kërcyer. Nuk u desh shumë kohë, sepse natyra e saj e çiltër e qeshur dhe zgjuarsia e saj bënë që ajo t’i mësonte shpejt këngët partizane. Me sjelljen e saj, ajo shumë shpejt fitoi simpatinë dhe respektin e kompanisë dhe batalionit. Ajo bë si mësuese, për të ndihmuar partizanët që ishin analfabet, ku u mësonte shkrim dhe këndim dhe të tjerëve u arnonte këmishët. Si pjesëtare e Br5S “Heroinë e Popullit”, Nimetja e inkuadruar në përbërje të kësaj njësie partizane, diti të përballonte me heroizëm të shkëlqyer të gjitha vështirësitë e jetës partizane, lodhjen, pagjumësinë, etjen, urinë, të ftohtët e madh të dimrit, vapën e padurueshme, ashpërsinë e luftimeve gjatë betejave dhe mbas çdo beteje, ajo ishte krenare sepse po luftonte për një qëllim të madh çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe tradhtarët e vendit. Vitet e vështira të fëmijërisë, pushtimi fashist i vendit nga italianët dhe më pas nga gjermanët, e mbushën shpirtin e heroinës së vogël më urrejtje për regjimin e kohës dhe pushtuesit.
Por brenda shpirtit të vogëlushes nga Luzati kishte shumë dashuri e optimizëm për jetën. Fryma e shëndoshë patriotike e familjes së saj, ndikimi i mësuesve patriotë dhe mjedisi që ekzistonte në fshat e shkollë e kudo si dhe propaganda e madhe që zhvilloi PKSH për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe tradhtarët e vendit, i ndriçuan mendjen, i rritën koshiencën për idealin dhe e poqën ideologjikisht para kohë vajzën 14-15 vjeçare. Në ndërgjegjen e saj u rrit e u kalit më shumë përgjegjësia dhe dashuria për fatet e popullit, që kishte vuajtur me shekuj me radhë një histori të pandërprerë luftërash për mbrojtjen e vendit. Kur për herë të parë mori pjesë në luftime, ndjeu emocione të forta të zjarrit të parë në betejë, por asaj nuk iu tremb syri fare. Por ç’ti bënte xha Metanit, komandantit të kompanisë, që për t’i mbrojtur, nuk i lejonte shoqet që dilnin dhe të merrnin pjesë në luftime në vijën e parë. Por, kush i mbante shoqet? Nimetja i thoshte komandantit: – “Komandant, përse kam ardhur, që të fshihem apo për të luftuar armikun”? Kur fillonte lufta, ato fshehurazi dilnin në vijën e parë dhe merrnin pjesë në luftime. Kështu ia kishte gjetur Nimetja në çdo luftim që bënte kompania, sa herë që kishte rënë në përpjekje që nga fusha e Çajupit deri në Dibër.
Pjesëmarrja në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare për Nimeten e vogël, më të voglën vajzë ndër të gjitha vajzat pjesëmarrëse në të gjithë armatën e ushtrisë çlirimtare, ishte një heroizëm. Ajo mori pjesë në çdo betejë që bëri Br5S, ajo luftoi me trimëri dhe guxim. Në frontin e luftës dhe në çdo aksion Nimetja me thirrjen “Para partizanë” dilte e para në vijën e parë ballë përballë me armikun e ngrinte lartë moralin e shokëve për fitore dhe mbillte panik dhe frikë në radhët e armikut. Pushka e heroinës, që ishte me gjatë se trupi i saj, hapi zjarr pa pushim mbi armikun e tradhtarët e vendit, krisma e saj u dëgjua fuqishëm prej lumit të Vlorës, në malet e Kurveleshit, në Çajup, për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit, në Qafën e Gjarprit, Gurin e Prerë, Zaloshnje, e Mëlovë, Godolesh të Elbasanit, Shupal e Tujan të Tiranës, Burgajet e Macukull të Burellit, deri në Sinjë të Dibrës. Pushka e Nimetes u dëgjua nga Përmeti ku u zhvilluan luftime të ashpra në Biovizhd, ku ajo u dallua për guxim e trimëri. Kur ajo kapi një ballist në luftime. Më 11 maj, komandanti i Br5S Shefqet Peçi “Hero i Popullit” i dhuroi Nimetes një automatik dhe e quajti “Zhan d’Arka shqiptare”, ndërsa komandanti i Br1S, Mehmet Shehu, “Hero i Popullit” e ngriti lartë atë dhe i tha “me trimëresha si Nimete Progonati atdheun do ta çlirojmë me çdo kusht, ajo është një shqiponja e maleve të trimërisë shqiptare”.
Rruga e gjatë, e vështirë me luftime të ashpra kundër armikut, ia kishte forcuar shuallin e këmbëve dhe cipa e hollë e fytyrës së asaj, i ishte ashpërsuar nga era e malit dhe ishte e nxirë nga dielli. Kudo që shkonte nëpër shtëpitë e fshatrave që kalonte, goja nuk i pushonte së foluri, duke propaganduar vijën e PKSH për gruan, jetën e lumtur që do të sillte fitorja e luftës për gratë shqiptare dhe gjithë popullin, që ajo i shihte të realizuar me mbarimin e luftës. Por ajo nuk ia mëbrriti dot, se në luftimet e zhvilluara në Sinjë të Dibrës, luftimet e ashpra kundër forcave tradhtare të Halil Alisë, Nimetja mbeti e vrarë, ajo ra fushën e nderit së bashku me 5 partizanë të Br5S. Një plumb maliheri e kishte goditur në gjoksin e njomë të saj, që gufonte nga urrejtja për armikun dhe dashuria për atdheun dhe popullin.
Më 26 korrik 1944, Nimetja nuk e festoi dot ditëlindjen e saj, por e “festoi” me një plumb në gjoksin e saj të njomë e rinor, ku ajo afirmoi pavdekësinë e saj e kurorëzuar më pas titullin e lartë të nderit “Heroinë e Popullit”. Në letrën që i dërgonte shtabi i Br5S, familjes së dëshmores thuhej: “E gjithë Br5S, betohet mbi gjoksin e bijës suaj dhe shoqes sonë Nimete, se do të vazhdojmë me besnikëri deri në fund rrugën që ndoqi ajo dhe se do t’ia marrim hakun”. Për meritat e saj në luftë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, me Dekret nr. 5212, datë 21.11.1974 i dha asaj titullin e lartë “Heroinë e Popullit” dhe Medaljen e “Trimërisë”, të “Çlirimit” dhe të “Kujtimit”. Në vendin e rënies në Sinjë të Dibrës është ngritur një lapidar. Emrin e saj e mban shkolla 9-vjeçare e Sinjës në Dibër dhe shkolla 9-vjeçare e qytetit Memaliaj dhe Shtëpia e Pionierit në Tepelenë (sot Qendra e Edukimit të Fëmijëve).
Në qendër të qytetit të Tepelenës, me kontributin e propozim të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Luzati”, me qendër në Tiranë dhe mbështetjen e Bashkisë Tepelenë dhe Ministrisë së Kulturës, më 11 janar 2001, në Tepelenë u bë përurimi i bustit në bronz i Heroinës Nimete Progonati. Vepër e arti e punuar nga skulptori, “Artisti Popullit”, Muntaz Dhrami. Për heroinën 15- vjeçare janë botuar shumë shkrime, kujtime portrete, poezi tregime këngë dhe emisione televizive ku evidentojnë më së miri jetën dhe veprimtarinë e saj. Lavdi dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!