Aferdita Dervishi, PhD
Hulumtuese shkencore

Ahmet Haxhiu ka kryer punët më të rënda dhe nuk është kthyer kurrë një herë që të rrahë gjoks, por ka punuar në prapavijë. / Adem Demaçi

Sot në 30-vjetorin e ikjes në amshim të Ahmet Haxhiut – BACËS, sjell ndërmend se lufta guerile dhe veprimtaria e llojit aq të veçantë të Bacës, përbën tharmin e aktivitetit kombëtar që do të mbetet përjetësisht e shkruar në shpirtin e  historisë së gjatë të luftës për liri të kombit shqiptar dhe bashkimin e trojeve me shtetin amë, Shqipërinë. Ahmet Haxhiu ishte shtyllë e Lëvizjes Popullore të Kosovës në veçanti dhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Ai mori përsipër punët më të rënda dhe më të rrezikshme, siç ishte bunkeri nëntokësor i armëve, të cilin e kishte hapur për dy javë Nazmi Llapashtica, e kishte lyer Agim Mustafa, daja i Ahmetit. Me qindra kontrolle policore nuk e kishin zbuluar as bunkerin, as bombolat e mëdha të gazit të mbushura me armatim në garazhë, as armët e vendosura në muret e shtëpisë së tij  e mbi dyert e shtëpisë së motrës së madhe. Ato bombola ai i kishte mbushur me hi të situr dhe armë e fishek. Askush nuk e dinte çka i duhej gjithë ai hi i situr, askush nuk e dinte se po flinim mbi armatim, se po hanim e pinim  të rrethuar me muret me revole e plumba të fshehur që po prisnin të fillonte lufta… Pak kush e dinte atë kohë se ai njeri i thjeshtë në dukje të parë, ishte burim frymëzimi, ishte modeli i atdhetarisë e guximit, ishte vetë sakrifica dhe vetë liria!

Bazat e para për armatosjen e anëtarëve të organizatës, e cila do të jetë bërthama e parë e UÇK-së i kishte vënë Ahmet Haxhiu-Baca, i cili në UÇK, edhe pse i vdekur, e ka pjesën e vet të pamohueshme (Ibish Neziri, Ahmet Haxhiu-një jetë të tërë në lëvizjen ilegale, 2001. Prandaj, jo rastësisht, organizata e kishte caktuar përgjegjës për armatim Ahmet Haxhiun.

Në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), formohet sektori  ushtarak, me detyrë, përgatitjen e popullit për kryengritje të armatosur. Më 4 shkurt  1991, në fshatin Prapashticë, të Malësisë së Gallapit, ishte vendosur të formohej krahu ushtarakLufta e armatosur si mjet dhe formë për çlirimin e Kosovës, doli në Konferencën Konsultative të LPRK-së në fshatin Kollarë të Kërçovës. Vendimi historik e politik i përmasave kombëtare, për Luftë të Armatosur Çlirimtare, ku u bëhej thirrje të gjitha forcave të bashkohen në fronin e përbashkët çlirimtar, u mor në Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPRK, e cila mori emrin LPK, që u mbajt më 28-29 korrik 1993, në Prishtinë (“Zëri i Kosovës” nr.14, 1/ 9/1993 – Deklaratë politike e mbledhjes së IV të përgjithshme të LPK). Kurse me 17 nëntor 1994, LPK, merr vendim që formacionet ushtarake të cilat vepronin në terren, të emërtohen dhe u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës (Nait Hasani, Kur u formua UÇK-ja, “Zëri i Kosovës”, 8.6.2014).

Sot, në 30-vjetorin e ikjes tënde në amshim, po flas me Ty dajë, po flas me Ty mësuesi im i atdhedashurisë dhe qëndresës. Unë, prej se më përjashtuan nga shkolla u shkollova dhe u rrita te ju dajë, bile edhe si Yllka e lëvizjes guerile. Sonte, më shumë se herë tjera kam mall për këshillat e tua, për sigurinë që më ofroje kur sfidat e jetës më përplasnin sa në hetuesi, sa jashtë procesit mësimor, sa në një burg, sa në një tjetër. E unë të kisha Ty mësuesin tim të përjetshëm që më mësove si të jem e fortë, si të qëndroj drejtë pa u kërrusur, kur të rrëzohem si të ngritëm përsëri, si të luftoj kur jam e sëmurë, si të jetoj kokëlartë e t’i shikoj njerëzit drejt në sy, si të veproj e të jetoj me dinjitet! Të falem nga zemra dajë, për gjithë besimin që ke pasur te unë! Se unë isha pjesë e familjes tuaj, nënën e kisha në Vushtrri, babain Bali Dervishi në burg sa në Sarajevë sa në Zenicë, andaj isha mishëruar si mishi me kockën me idealet dhe virtytet tua të larta. Kam nostalgji për atë shtëpi pranë lumit dikur, kam shumë nostalgji për mbrëmjet që i kalonim me lokën-gjyshen, e cila na mblidhte të gjithëve pranë saj dhe dinte ta mbante familjen të bashkuar.

Ato vite, e nuk ishin pak, janë për mua ndër vitet më të mira të jetës sime. Ti dajë, ishe model i vëllait të mirë që i thërrisje motrat çdo mëngjes, që të dije se janë mirë e se je aty për to, apo të të bëhen krah kur ke nevojë për to, që i bashkoje familjen shpesh dhe për çdo festë, që na sillje secilin film të kinostudios ‘Shqipëria e Re’ duke na frymëzuar dhe edukuar kombëtarisht. TI ke ditur të japësh e të marrësh dashni e respekt. Dhe kurrë nuk flisje keq për të tjerët, as për familjar as për miq. Ishe dhe mbete përjetësisht njeri i bashkimit (këtu nuk hyjnë ata që i kishin kthyer shpinën atdheut). Identiteti moral dhe politik përbëjnë bërthamën e atdhetarit patriot, që sakrifikon gjithçka për kombin e nuk kërkon asgjë si shpërblim, ky ishe Ti BACË.

Nuk mund të rri pa e thënë edhe një gjë. Sonte i dashuri daja Ahmet, BACA i shokëve dhe lëvizjes tënde, po sjellë ndërmend ditën e varrimit tënd, kur kishin aq frikë njerëzit, hezitonin dhe iknin anash, se nuk guxonin të merrnin përsipër për ta bartë arkivolin tënd nga Prishtina në Lupç. Dhëndrri i motrës së tretë shkoj 30km larg në fshatin e tij, e mori kombin Inveko dhe e barti trupin tënd deri në vendin e prehjes ku e kishe lënë amanet.

Daja im i mirë, ty të kishte hije edhe vdekja por nuk ishte e udhës të mbahej fjalimi akoma pa u kryer ceremonia e varrimit. Nejse, edhe këto ndodhin kur je nën okupim dhe nën trysninë e frikës së pushtuesit. Ah more daja im, pak ka trima si TI. Në vitin 1964 kur të pyet gjykatësi se a je penduar, i je përgjigjur: As nuk pendohna, as nuk marrohna.  Prapë kur të jem i lirë do të vazhdojë me këtë punë. Unë se mbaj mend se akoma s’kam qenë e lindur, por motrat e tua kanë treguar. Andaj, po të them se edhe aty te varri, dje, edhe sot e nesër, disa kanë frikë se ua merr lavdinë.

Kurse unë, që të dua më shumë se prindërit e mi, them se historia shqiptare ka shënuar emrat e shumë trimave. Por, ka njohur kaq pak trima si Ahmet Haxhiu, i cili kurrë nuk është tërhequr nga vija e parë e frontit, kurrë nuk ka marrë punë të lehta, dhe kurrë nuk është ankuar, ngase për te atdheu ishte mbi të gjitha. As edhe njëherë nuk ka rrahur gjoks për punët më të rëndat dhe ndër më rrezikshme, që ka marrë përsipër, kur frika nga pushtuesi kishte hyrë thellë në lëkurën e shqiptarëve, por ka qëndruar i heshtur. Lum si prindërit Shaipi dhe Eminja, motrat Xhevahirja, Nazmija, Rahimja e Halimja, që për së gjalli e për së vdekuri u ke ndriçuar përjetësinë, duke i qëndruar besnik idealit jetësor deri në vdekje. Ky ideal i Bacës ishte, lufta e armatosur dhe bashkimi kombëtar.

Emri i AHMET HAXHIUT – BACËS, qëndron përjetësisht me dinjitet para flamurit kuq e zi dhe Besës shqiptare kombëtare. Por amaneti i Tij dhe Betimi i luftëtarëve të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS akoma nuk është përmbushur.

Atyre u takon lavdia e ne të gjallëve puna me dinjitet!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here