Bedri Tahiri
Shota u lind më 1895 në Radishevën heroike. Vajzën topolake, te vetmen motër midis gjashtë vëllezërve (Beqa, Dani, Salihu, Neziri, Mehmeti dhe Rexha), e pagëzuan Qerime, por nga dashuria e thërrisnin SHOTË. Ky emër përkëdhelës dalëngadalë do ta zëvendësojë emrin e saj të vërtetë dhe do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në altarin e pavdekësisë.
Më 1912, Azemi e Shota fejohen. Mirëpo koha rodhi ndryshe. Trimi po vuante në burgjet e Serbisë, ndërsa Vasha po e përgatiste pajën e nusërisë. Dhe, një ditë u thyen dyert e burgjeve, u vranë rojat, u kapiten malet dhe Trimi u gjend në Radishevë. Ishte fundi i vitit 1915. Shota, shpejt e shpejt, u bë gati, lidhi gërshetat, e vuri plisin e bardhë në kokë dhe e futi nagantin në brez. Trimi dhe Vasha, hipur mbi kuaj e të përcjellë nga bashkëluftëtarët vajtën në Galicë e prej andej në male, ku këndonin ëmbël grykëhollat.
Dalja e Shotës në mal, e veshur si burrë, kishte rëndësi të dyfishtë: e luftonte armikun, që ua kishte marrë lirinë dhe i luftonte zakonet prapanike, të cilat femrën shqiptare e kishin robëruar dyfish.
Krahas luftës me armë, Shota e çmonte edhe luftën me penë. Ajo thoshte: “Shtylla e kombit është shkolla në gjuhën e nënës”. Shoqërohej me Igballe Prishtinën dhe librat që ua sillte Hasani nga mërgimi i shpërndanin në popull. Edhe vetë sa ishe në “Zonën Neutrale të Junikut” e kishte mësuar shkrim-leximin nga mësuesi patriot Nimon Ferizi. “Në kushtet e terrorit serb në Drenicë, Shota punoi me vendosmëri me Igballe Prishtinën në ruajtjen e lidhjeve midis Drenicës e Mitrovicës”.
Shotë Galica nuk iu nda burrit deri në vdekje. Pas varrosjes së tij në thellësinë e shpellës Çuku që Kërset (73 m), Çetën do ta kryesojë Shota, e cila zhvilloi edhe disa beteja fitimtare. “Lufta nuk ka mbaruar,- tha Shota, dhe u vu në krye të luftëtarëve trima.
Shotë Galica dhe hilet e jetës
Me vrasjen e Azem Galicës pothuajse mori fund edhe Lëvizja Çlirimtare e njohur më shumë si Lëvizja Kaçake e Kosovës. Ato pak çeta të mbetura luftonin aty-këtu nën thirrjen e njohur “O, PRITE, PRITE, AZEM GALICEN!”
Shotë Galica, pasi qëndroi disa ditë në Shkodër dhe pati takime me Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe anëtarët tjerë të Komitetit të Kosovës, u kthye në Kosovë për ta vazhduar rezistencën e armatosur kundër pushtuesve serbë. Për ta dërguar në vend amanetin e Azemit dhe për ta përfocuar bindjen se ai nuk ka vdekur, çeta e saj bashkë me çetën e Mehmet Delisë (Mehmetit të Vogël) e zhvillojnë një luftë të ashpër në Prekaz, në lagjen Mehaj. Aty i zënë ngushtë edhe vetë naçallniku i Deviçit ishte trishtuar dhe kur e shpëtoi kokën pohonte se me sy e kishte parë Azem Bejtë Galicën që e udhëhiqte betejën. Këto fjalë patën efekt te armiku, duke ngjallur tmerr e panik.
Në muajin janar 1925 ajo me çetën e vet e ndihmoi Bajram Currin në bjeshkët e Dragobisë. Luftën e fundit Shotë Galica me çetën e vet e zhvilloi në Llaushë, më 1926. Shota plagoset rëndë, por qëndron. Asaj rruge, pasi i mori disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Po shkonte për të mos u kthyer më kurrë. Ishte kjo lamtumira e saj e fundit për Kosovën e dashur, për këtë tokë që dymbëdhjetë vjet e mbrojti me pushkë në dorë.
Kur kaloi në Shqipëri, në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Me vete e kishte Allçin e Azemit dhe armët e tij që ia pati hequr kur e varrosën në shpellë. Aty pranë i mbante edhe disa fëmijë jetimë, për të cilët mezi siguronte bukë. Plaga e rëndë që e mori në betejën e Llaushës, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Ta shikoje këtë luaneshë të dikurshme qysh ishte tretur, të prekte në zemër. Ishte bërë asht e lëkurë dhe po përjetonte çaste të vështira. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes edhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit. Edhe nipi i Azemit, Bejtushi (djali i Seferit) që gjatë sundimit nolian e kishte regjistruar në shkollë, në Tiranë, një kohë i sëmurë nga malarja qëndroi te Shota (edhe ai ka vdekur pak pas saj).
Ditët e fundit të jetës i kaloi në Derven, në atë shtëpinë e vogël përdhese. Ishte lodhur dhe dobësuar shumë. Kishte mbetur kockë e lëkurë.
Më 10 korrik 1927 (ka edhe mendime tjera për datën e vdekjes), në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë heroina shqiptare Shotë Galica. Kur po jepte shpirt, te koka i qëndronin: fëmijët jetimë që ajo i kishte mbajtur, e që në heshtje po qanin, dy vëllezërit e saj dhe disa kosovarë të tjerë.
Varrimi i saj nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme. Sipas porosisë së saj varrimi u bë në Fushë-Krujë.
Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë, duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT. Edhe në Kosovë është shpallur HEROINË dhe në 90 vjetorin e vdekjes, Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi ka themeluar dekoratën “URDHRI SHOTË GALICA”, me të cilën do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.
Megjithatë, kjo Heroinë e Kombit, ka ngelur zemërthyer!
Që nga viti 2004 e pret varri i zbrazët në Galicë, pranë burrit e bashkëluftëtarit, Azem Bejtë Galica.
Megjithatë, ma thotё mendja se këta dy heronj meritojnë më shumë. Veprimtaria e tyre luftarake e atdhetare është unikate. Mirёpo, ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!
Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!! Varri i zbrazët i heroinës Shotë në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!!
Ka kohё qё kёrkesat pёr sjelljen e eshtrave tё Shotёs nё Galicё janё shtruar nё tё gjitha nivelet: familjare, shoqёrore e institucionale, andaj shpresoj se do tё realiziohen…
Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe nënkupton RIBASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!